Njerëz të pazakontë në një botë dixhitale


Rik Fairlie

Produktet, shërbimet dhe teknologjitë që ndryshuan jetët tona në vitet 2000 realizuan, secila në mënyrën e vet, premtimin dhe parashikimin e internetit. Por të njëjtën gjë e bënë edhe njerëzit më me influencë të kësaj dekade.

Këta mendimtarë të guximshëm e lustrojnë reputacionin e tyre me risi që kanë ndryshuar tërësisht fushën dhe rregullat e lojës, qoftë duke ofruar dhe shpërndarë informacion, duke krijuar shërbime që janë kthyer në domosdoshmëri, apo duke vënë në analizë e më pas shfrytëzim biznesin e ri të ndarjes online të të dhënave.

Mes këtyre të gjashtëve ka disa tipare që janë të ngjashëm: kërkimi i tyre për ndërlidhje dhe komunitet, mprehtësi e pashoqe në biznes, dhe ndonjëherë ndjesia befasuese e bamirësisë. Megjithatë, secili ka shfrytëzuar një bagazh unik talenti për të maksimizuar teknologjinë e internetit dhe pasuruar jetët tona. Ja se si ia dolën.

STEVE JOBS

Bashkëthemelues dhe Drejtor i Përgjithshëm, Apple

Ai u shqua gjatë dekadës së parë të shekullit XXI ashtu si askush tjetër.

Në moshën 54-vjeçare, Steve Jobs dhe arritjet e tij janë legjendare. Bashkëthemeluesi i Apple është i njohur për një vëmendje të përpiktë që u kushton detajeve si dhe një prirje të jashtëzakonshme për të parashikuar tendencat - për të mos përmendur fiksimin e tij me elegancën e modeleve të pajisjeve që nxjerr. Ai konsiderohet gjerësisht prototipi i vizionarit të teknologjisë në kohërat që jetojmë.

Skeptik? Mendoni pak shpërthimet e tij gjatë këtyre dhjetë viteve të fundit: dyqani i shitjeve me pakicë të Apple (viti 2001), iPod (viti 2003), dyqani i Apple iTunes (2003), iPhone (2007), iPad (2010). Apple nxorri një linjë laptopësh që të lënë pa frymë (MacBook Air) dhe desktopësh (iMac) përgjatë të gjithë dekadës, por Jobs ka qenë vazhdimisht i fokusuar në zgjerimin e shtrirjes së kompanisë së tij.

Dhe duke ndjekur këtë ide të tijën, Steve Jobs arriti në tregun e mallrave elektronikë për të shkëputur llokmën e tij me pajisjet e reja. Duke bërë këtë, ai përdori mprehtësinë e jashtëzakonshme që ka për të bërë biznes si dhe aftësitë bindëse në negociata për të transformuar mënyrën se si industritë e muzikës, videove dhe telefonave celularë bëjnë biznes.

Jobs e kuptoi tërësisht se kompjuterët kishin shkuar tashmë përtej hartimit të tabelave në Excel. Përdoruesit shtëpiakë të tyre po krijonin lista këngësh dhe muzike dhe po digjnin CD, por përpunonin fotografi dhe shikonin filma. Arritja e jashtëzakonshme e tij është se ishte në gjendje të krijonte një urë lidhjeje mes kompjuterit shtëpiak si dhe një linje mallrah të konsumit elektornik që argëtojnë, të lidhin në rrjet dhe të angazhojnë.

LARY PAGE DHE SERGEY BRIN

Bashkëthemelues, Google

Sergey Brin dhe Lary Page e kanë udhëhequr Google përmes një ekspansioni në shtrirje dhe influencë, i cili ka qenë kaq i thellë, saqë do të tingëllonte qesharak në qoftë se nuk do të ishte i mirëdokumentuar.

Në vitin 1998, dyshja filloi të punojë me një motor kërkimi në internet i bazuar në idenë që rezultatet që kanë lidhje vijnë prej kontekstit. Ata e regjistruan domainin e Google në vitin 1997 dhe hynë më pas në një periudhë rritjeje të jashtëzakonshme. Deri në fundin e vitit 2000, Google kishte indeksuar tashmë 1 miliard adresa interneti, gjë që e bënte atë tashmë motorin më të madh të kërkimit në botë.

Këtë titull e mban edhe sot e kësaj dite. Ndonëse tashmë, Google nuk e bën më të ditur madhësinë e indeksit të vet, ajo është faqja e internetit më e vizituar në botë, me një miliard kërkime në ditë.

Brin dhe Page e futën Google në rrugën e fitimit me lançimin në vitin 2003 të AdSense, një shërbim reklamash i orientuar nga përmbajtja e kërkimit. Influksi i të ardhurave u ka mundësuar Brin dhe Page që të hyjnë në një fushatë të ethshme blerjesh dhe zhvillimi produktesh të rinj.

Sot Google prek pothuajse çdo aspekt të jetëve tona dixhitale. Ne hyjmë në Google për të parë lajme, për libra falas që janë të disponueshëm për publikun, për të naviguar nëpër harta dixhitale të çdo qosheje të planetit, për të ndarë me të tjerët fotografi, programe kompjuterikë dhe shumë më tepër. Google ka prodhuar tashmë browser-in e vet për në internet, ka një platformë për të dhëna si dhe është duke ndërtuar sistemin e vet të operimit.

Çfarë të rejash mund të priten nga Brin dhe Page? Çfarëdo që të jenë, bazuar në historinë e tyre të jashtëzakonshme, vëmë bast që do t'ia dalin.

MARK ZUCKERBERG

Bashkëthemelues, Facebook

Në vitin 1984, Bill Gates zbriti për herë të parë në kopertinën e revistës "Time". Ndodhi debutimi i kompjuterit Macintosh dhe ndërkohë, Dell Computer u themelua në një nga dhomat e fjetores së Universitetit të Austin. Ah po, edhe Mark Zuckerberg lindi në Nju Jork.

Sot, në moshën 25-vjeçare, Zuckerberg është sulltani miliarder i ndarjes së të dhënave. Faqja e tij e rrjetëzimit social, Facebook, është vendi ku 350 milionë miq - dhe numri vazhdon të rritet - lidhen për të shkëmbyer informacion personal, fotografi, video dhe lojëra.

Të thuash se Zuckerberg është një realizues i hershëm, është pak. Ai zotëroi programimin kompjuterik që në moshë të vogël, e kurdisi prototipin e Facebook në dhomën e tij të fjetjes në Harvard dhe sot është Drejtori i Përgjithshëm i një kompanie private me një vlerë tregu 6.5 deri në 9.5 miliardë dollarë amerikanë.

Si Drejtor i Përgjithshëm, ai përcakton drejtimin tërësor dhe strategjinë e produktit për Facebook. Një prej veprimeve të spikatur të dekadës së fundit ka qenë hapja e Facebook për zhvillues të tretë programesh kompjuterikë. Një veprim i tillë shkaktoi nisjen e një rryme aplikimesh që inkurajoi pjesëtarët të kalojnë më shumë kohë në këtë faqe interneti, duke bërë testime dhe luajtur lojëra, si dhe të qëndrojnë të lidhur duke përdorur telefona celularë. Shkëmbimi i mesazheve dhe bashkëbisedimi në chat nëpërmjet Facebook u bënë dy stimuj shumë të fuqishëm për të qëndruar vazhdimisht të lidhur në këtë faqe.

Zuckerberg thotë se është i fokusuar vetëm në ndërtimin e anëtarësisë dhe dëshiron ta bëjë Facebook-un vendin ku lidhet e gjithë bota. Është rrugës për ta bërë këtë gjë, po si do të përfitojë Facebooku nga baza e përdoruesve?

Zuckerberg nuk tregon. Megjithatë, ai ka mbledhur një grup drejtuesish të sprovuar përreth vetes, për ta ndihmuar të udhëheqë kompaninë në dekadën e re dhe, kur të vijë koha, të krijojë një plan biznesi.

BILL GATES

Bashkëthemelues dhe kryetar, Microsoft

Bill Gates ka qenë një titan i teknologjisë që në ditët e para të kompjuterit personal. Megjithatë, edhe sot kur është shkëputur nga Microsofti, ai vazhdon të ushtrojë një ndikim shumë të fuqishëm mbi teknologjinë.

Gates, që mbetet më shumë një kryetar honorifik i Microsoft-it u largua nga kompania në qershor të vitit 2008, me qëllim që të merrte në duar frenat e Fondacionit Bill dhe Melinda Gates, filantropia më e madhe në botë. Ndonëse shenja e tij në vendimet e përditshme filloi të zbehet gjatë dekadës së fundit, vitet e tij të fundit tek Microsoft sollën disa arritje të mëdha dhe të spikatura.

Nën lidershipin e tij, Microsoft u fokusua në teknologjinë e brezit të ardhshëm si Cloud Computing, një sistem që ndihmon korporatat të menaxhojnë dhe depozitojnë të dhëna dhe aplikime duke i zhvendosur në servera të jashtëm. Në vitin 2007, Mirosofti zbuloi platformën Surface, një produkt që Gates thotë se do të çojë shumë përpara sistemin e operimit të derisotëm të kompjuterëve. Dhe nën drejtimin e tij, Windows Live dhe Microsoft Office Live si platforma u zhvilluan në vitin 2005, ndoshta pak me vonesë.

Për pjesën më të madhe të dekadës së fundit, Gates është fokusuar në Fondacionin Bill dhe Melinda Gates, qëllimi i të cilit është të zhdukë sëmundjet e parandalueshme që rrezikojnë njerëzit në vendet në zhvillim. Fondacioni shfrytëzon fuqinë e shkencës dhe teknologjisë për të kryer kërkime dhe ndalur sëmundjet. Gates thotë që është optimist se fondacioni i tij do të ndihmojë në gjetjen e kurës për disa prej sëmundjeve fatale më të përhapura.

Gates do të njihet përgjithmonë si Njeriu që ndërtoi Microsoft-in. Por në dekadat e ardhshme ai synon që të përdorë influencën financiare të fituar si themelues i Microsoft-it për të ndihmuar në shpëtimin e jetëve dhe dhënien fund sëmundjeve fatale.

CRAIG NEËMAN

Themelues, Craiglist.org

Ndoshta ju nuk do ta vinit re Craig Newman-in nëse do të shkëmbeheshit në rrugë. Por të gjithë e njihni listën e tij të famshme si dhe çfarë të gjeni aty: Çdo gjë që doni.

Newmam, themelues dhe drejtor i përgjithshëm i Craiglist.org, është një i apasionuar pas kompjuterave dhe mbi të gjitha, autodidakt. Ashtu si dhe faqja e tij e internetit, ai është një njeri i thjeshtë, i cili ndodh që paska kompaninë e njëmbëdhjetë më të suksesshme në internet. Ai është gjithashtu, njeriu që ndryshoi një herë e mirë panoramën e tregut për reklamat e klasifikuara.

Craiglist është një rrjet i centralizuar komunitetesh të internetit që ofrojnë kryesisht reklama pa pagesë për produkte, shërbime dhe vende pune. Është një gjigant që shtrihet në të gjithë globin, duke i shërbyer pothuajse 700 qyteteve në 70 vende të botës.

Pavarësisht shtrirjes dhe potencialit të të ardhruave të Craiglist, Newmark ka refuzuar që ta shesë. (Kompania i shiti eBayt 25% të aksioneve në vitin 2004, por tani ai transaksion është në proces gjyqësor). Newmark thotë shpeshherë se misioni i vërtetë i Craiglist është që t'u mundësojë njerëzve të ndihmojnë njëri tjetrin dhe jo për të siguruar para të shpejtë. Në këtë drejtim, shumica e reklamave janë falas. Kompania jep me pagesë hapësirë vetëm për reklama të caktuara që sjellin të ardhura pothuajse 100 milionë në vit. Kompania është shumë e vogël, me një staf jo më shumë se 30 vetë me zyra qendrore në një shtëpi në San Francisco. Gjithçka duket shumë e thjeshtë, e megjithatë Craiglist nuk do të kish arritur këtë staturë globale pa një strategji dhe marketing të zgjuar. Kjo është shenja e Craig Newmark, një njeri pazakonshmërisht human në një botë dixhitale.

Google+ Followers