Ngjyrat pasqyrojnë gjendjen shpirtërore: alergjia është e verdhë, depresioni gri

Ngjyra e preferuar nga personat që vuajnë nga depresioni nuk është bluja, por grija. Studiuesit e Universitetit të Mançesterit kanë hetuar raportin mes humorit dhe ngjyrave. Grija, e verdha dhe bluja ishin alternativat e mundshme. Kush nuk ndihet mirë zgjedh ngjyrat e ftohta, ndërsa të gëzuarit ngjyrat e ngrohta. Por ky komunikim jo verbal mund të jetë çelësi i diagnozës së disa sëmundjeve

Zakonisht, kur jemi të mërzitur ngjyra që preferojmë është grija, ndërsa kur jemi të gëzuar na pëlqen e verdha. Një studim i publikuar në revistën “BMC Medical Research Methodology” tregon se ngjyrat që zgjedhim mund të jenë një pasqyrë e shpirtit dhe e humorit. Pra emocionet tona janë plot ngjyra dhe ekziston një lidhje e fortë mes gjendjes sonë mendore dhe mundësive të ofruara nga shkalla e ngjyrave. Studimi është kryer nga Peter Whorwell, shkencëtar i universitetit “Hospital South Manchester”: “Të studiosh ngjyrat është një mënyrë për të matur nivelin e ankthit dhe depresionit”, thotë ai. Me pak fjalë, është një metodë analize më e thellë. Ja përse shkencëtarët e vënë theksin te dobia e këtij sistemi, për të diagnostikuar patologjitë te fëmijët dhe pacientët që kanë vështirësi në komunikim.

Lidhja mes ngjyrave dhe gjendjes shpirtërore është gjithmonë pjesë e trashëgimisë sonë kulturore. Madje për t’iu referuar gjendjes sonë shpirtërore shpesh përdorim ngjyrat. “Të jesh i gjelbër nga zilia ose i zi nga inati” janë mënyra të thëni, që përziejnë urtësinë popullore me të vërtetën shkencore dhe është pikërisht për të hetuar rreth kësaj të fundit që shkencëtarët anglezë kanë dashur të studiojnë rrethin e ngjyrave, duke marrë në studim individë, pjesërisht të shëndetshëm, të depresionuar dhe që kishin probleme me ankthin.

Shkencëtarët grumbulluan 105 të rritur të shëndetshëm, 110 që vuanin nga ankthi dhe 108 individë të depresionuar përballë një shkalle kromatike që përbëhej nga 38 ngjyra: e kuqe, portokalli, e gjelbër, e purpurt, blu, e verdhë, rozë, vishnje, e zezë, e bardhë, gri etj. Shkencëtarët i vendosën ngjyrat mbi një ruletë të vogël dhe pyetën çdo person në ç’ngjyrë e shihte gjendjen e tij mendore. Personat që vuanin nga depresioni zgjodhën ngjyrën gri, ndërsa personat e shëndetshëm njërën nga nuancat e të verdhës. Mes ngjyrave të ftohta dominonte “bluja 27” pak më e errët se ajo tradicionale, ndërsa “e verdha 14” zgjidhej më tepër nga ata persona që nuk kishin probleme me humorin.

Në pjesën e dytë të studimit, 204 vullnetarëve të shëndetshëm iu kërkua t’i ndanin ngjyrat në pozitive, negative dhe neutrale. Pastaj të tregonin ato të preferuarat. Vetëm 39 për qind e tyre arriti të bashkonte gjendjen e tij të humorit me një ngjyrë, ndërsa 20 për qind e atyre që arritën ta përmbushnin detyrën, zgjodhën edhe një herë ngjyrën “e verdhë 14”. Vetëm 10 për qind e personave të shëndetshëm e lidhën gjendjen e tyre të humorit me ngjyrën gri. Sipas studiuesve, kjo varet nga fakti që truri ynë e lidh menjëherë gjendjen me një sektor të shkallës kromatike, duke komunikuar me botën e jashtme përmes ngjyrave. “Kjo është vërtet interesante, pasi tregohet gjithmonë ajo çfarë ne ndiejmë. Jemi krenarë që ia kemi arritur qëllimit, pasi një studim i tillë nuk ishte bërë kurrë deri më sot”, ka shpjeguar Whorwell. Shkencëtari ka kujtuar gjithashtu rëndësinë e nuancave: një blu e shndritshme, për shembull tregon një zgjedhje shumë ndryshe sesa bluja e errët. “Aktualisht, po punoj te pacientët me sindromën e zorrëve të irrituara, pra që janë gjatë gjithë kohës shumë në ankth. Shpresoj që ruleta e ngjyrave mund të shërbejë për të kuptuar përgjigjen e tyre ndaj trajtimeve psikologjike. Ka raste kur fjalët nuk nevojiten dhe metodat joverbale janë më efikase”. Sipas studiuesit, me ngjyrat mund të kurohen shumë lloj sëmundjesh. “Kemi në dorë një instrument të ri loje dhe studimi. Tani nuk na mbetet gjë tjetër veçse të bëjmë kërkime dhe të gjejmë mundësi të reja aplikimi”, përfundon Whorwell.

Kromoterapia ekziston dhe është një mjekësi alternative që përdor ngjyrat për të kuruar sëmundjet. Përdorimi i ngjyrave rregullohet nga parime analoge, ato që na nxisin neve të zgjedhim ngjyrën e një veshjeje ose bojën që do të lyejmë muret e shtëpisë, duke favorizuar ose kundërshtuar një lloj gjendjeje shpirtërore. Sipas kësaj lloj mjekësie, ngjyrat do të ndihmonin trupin dhe mendjen të gjejnë ekuilibrin natyror dhe do të kishin efekte fizike e psikike deri në atë pikë sa të stimulonin trupin dhe të qetësonin dhimbjet. Në fakt, deri më sot asnjë praktikë kromoterapike nuk e ka kapërcyer një studim të kontrolluar klinik, pra që konsiston në verifikimin e efektshmërisë së tij dhe shpesh episodet e shërimit kanë qenë të shoqëruara me efektin placeb.

Google+ Followers