Nga Lufta e Ftohtë në paqen e ftohtë

Fundi i presidencës së George W. Bush dhe ardhja e Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë kanë rihapur hapësira të reja dhe të mëdha manovrash politike për rilançimin e rolit ndërkombëtar të Rusisë


A është i mundur ekuilibri midis NATO-s dhe Kremlinit

Fundi i presidencës së George W. Bush dhe ardhja e Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë kanë rihapur hapësira të reja dhe të mëdha manovrash politike për rilançimin e rolit ndërkombëtar të Rusisë. Në mënyrë të veçantë, në qendër të preokupimeve të Kremlinit është prej kohësh konfigurimi që arkitektura e sigurisë europiane ka filluar që të marrë pas rënies së Murit të Berlinit, më referim eksplicit ndaj avancimit kërcënues të NATO-s në të ashtuquajturin near abroad rus. Por sot koha e koncesioneve gjeopolitike ndaj Aleancës Atlantike në shkëmbim të ndihmave ekonomike dhe mbështetje ndaj integritetit të Federatës, mbeturinë e asaj që qe perandoria sovjetike, ka mbaruar dhe ka ardhur momenti që të reagohet, aq pak sa për të humbur terren të mëtejshëm në atë që Kremlini e konsideron zonën e influencës ekskluzive të tij.

Merita e rikthimit si protagoniste e Moskës në fushën ndërkombëtare padyshim që i atribuohet Vladimir Putin. Ish-Presidenti dhe Kryeministri aktual, me ngjitjen e tij të vendosur në pushtet, ka arritur të rigjenerojë shpirtin nacionalist dhe mentalitetin perandorak të të njëjtës natyrë me identitetin rus, të ngrira nga humbja në Luftën e Ftohtë të Traktatit të Varshavës dhe nga integrimi pasues, pse jo vullnetar i vendeve ish-sovjetike të Europës Qendro-lindore në hapësirën euroatlantike të sigurisë, demokracisë dhe lirisë të garantuar nga NATO dhe nga Bashkimi Europian.

Rivendosja e kontrollit të aparateve të shtetit qendror mbi ekonominë dhe jetën politike, të bashkuar me një konjukturë ekonomike të favorshme të përcaktuar nga çmimet e larta të hidrokarbureve, kanë favorizuar hedhjen e dorezës së sfidës nga ana e Kremlinit për Aleancën Atlantike dhe në mënyrë specifike Shteteve të Bashkuara, jo të perceptuara në funksionin e tyre efektiv dhe natyror të primus inter pares në brendësi të Aleancës, sa në anën politike, aq edhe në anën ushtarake, por akoma dhe gjithmonë si fuqia rivale me të cilën të matet dhe që e përdor NATO-n thjesht për të rritur influencën e vet në kurriz të Moskës, me miratimin e nënshtruar të aleatëve të tyre europianë. Një perceptim ku, jo më pak mbetet shumë i përhapur transversalisht në spektrin politik dhe kulturor në Europën Perëndimore, si vazhdim i disa shkollave të mendimit që i përkasin Luftës së Ftohtë, të cilat e mbështesin identitetin e tyre mbi forma të ndryshme ideologjike dhe ekzistenciale antiatlantizmi dhe antiamerikanizmi.

Për pasojë, nga pikëpamja e Kremlinit dhe jo vetëm, marrin konturet e kërcënimit ndaj interesave jetike të sigurisë së Moskës si zgjerimi i NATO-s dhe i Bashkimit Europian në demokracitë e reja evropiane, ashtu dhe programet e partneritetit e të bashkëpunimit që të dy organizatat kanë lidhur me ato vende të mbetura të Europës Lindore që shikojnë nga Perëndimi dhe jo nga Moska në kërkim të një sigurie që është e bazuar në pavarësinë e plotë, në pluralizmin dhe lirinë e të shprehurit, në një zhvillim social dhe ekonomik të vërtetë dhe jo në frikën dhe represionet tipike të një regjimi centralist dhe autoritar.

Atëhere si të ndalet një prapambetje e tillë e pandërprerë gjeopolitike? Zgjidhjen e kishte individualizuar ish-Sekretari i Partisë Komunite të Bashkimit Sovjetik, Mikhail Gorbachev, i cili në vitin 1987 hedh idenë e "shtëpisë së përbashkët europiane". Duke e parandjerë furtunën në ardhje që pak kohë më pas do të çlironte vendet satelite të Europës Qendro-lindore nga zgjedha e Moskës dhe e komunizmit, Gorbachev flet për tejkalim të ndarjeve, të çinstalimit të arsenaleve ushtarake, të bashkëpunimit për zgjidhjen e kundërshtive, si premisa ideale për një arkitekturë të re të sigurisë europiane, "nga Atlantiku deri në Urale"; në thelb, një lloj ristrukturimi në kuptimin bashkëpunues të bipolarizmit, që i garanton Moskës (të paktën) ruajtjen e integritetit territorial të Bashkimit Sovjetik dhe, për pasojë të sferës së saj të influencës tradicionale.

Por me shpërbërjen e Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike në fund të vitit 1991, ka filluar për Kremlinin një fazë e vuajtur tërheqjeje ndërkombëtare, megjithëse shtetet anëtare të Aleancës Atlantike në emër të stabilitetit të zonës preferojnë që të mos i shkaktojnë armikut të më shumë se 40 vjetëve një humbje absolute, duke e njohur Federatën Ruse si trashëgimtaren legjitime të BRSS-së dhe duke ia respektuar integritetin territorial përballë alternativës së fryrjes së zjarrit të separatizmit të Kaukazit verior. Në koncert me Gorbachev, Presidenti amerikan George W. Bush promovon formimin e "rendit të ri botëror", një rend i karakterizuar nga ndërvarësia dhe nga bashkëpunimi me Moskën, në bindjen jo tepër optimiste se Rusia nuk do të mund të ringrihej kurrë si një kërcënim ndaj sigurisë euroatlantike dhe se nën drejtimin yeltsinian do ta përfundonte gradualisht procesin e tranzicionit demokratik, premisë themelore për integrimin në NATO dhe në Bashkimin Europian, në të cilën aspironin të gjitha vendet e ish-bllokut komunist që kishin rifituar sovranitetin nga Kremlini.

Megjithë nisjen e një rrugëtimi me bashkëpunim të ngushtë që në perspektivë mund të linte të shpresohej në një integrim progresiv euroatlantik - boll të mendosh për aderimin e Moskës në Partnership for Peace të NATO-s dhe në nënshkrimin me Bashkimin Europian të Partnership and Co-operation Agreement, të dyja në vitin 1994, për nënshkrimin e NATO - Russia Founding Act në vitin 1997, në lindjen e NATO - Russia Council në vitin 2002 dhe në përcaktimin e katër hapësirave të përbashkëta midis Bashkimit Europian dhe Rusisë në vitin 2003, - në korrespondencë me marrjen e pushtetit nga ana e Putinit dhe e "ekipit" të tij qeverisës, Kremlini me vendosmëri ka nxjerrë në sipërfaqe ambiciet e tij për t'i dhënë jetë një poli gjeopolitik të fuqisë ruse në gjendje ta ushtrojë influencën e tij në nivel rajonal dhe global, duke imponuar në të njëjtën kohë një ngadalësim të fortë në rrugëtimin tashmë të vështirë drejt adoptimit të parimeve universale të demokracisë e të lirisë.

Nga këtu, nisja e një ofensive 360 gradëshe me aksione thjesht provokuese siç kanë qenë sulmet kibernetike ndaj Estonisë; beteja e çfrenuar për të penguar integrimin euroatlantik të Ukrainës e të Gjeorgjisë pas të ashtuquajturave "revolucione të ngjyrosura"; përdorimi i energjisë si armë shantazhi politik ndaj Europës; kundërvënia në planin politik dhe të propagandës ndaj Administratës Bush (duke filluar nga ndërhyrja në Irak e deri në çështjen e mbrojtjes raketore për t'u instaluar në Poloni dhe në Republikën çeke), shoqëruar nga tentativa për të riekuilibruar peshën e Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme të Madhe nëpërmjet mbështetjes së vendeve si puna e Iranit dhe Sirisë dhe organizatave të tipit të Hizballahut e Hamasit (kur Administrata Bush e kish postuar linjën e laissez faire në Çeçeni për të siguruar mbështetjen e Kremlinit në luftën kundër terrorizmit); kundërvënia ndaj pavarësisë së Kosovës kundër mendimit të Serbisë, dera e fundit e hapur për Moskën në Ballkan, por në vijim e "kompensuar", sipas optikës ruse e jo vetëm, nga aneksimi de facto i dy republikave shkëputëse të Abkhazisë dhe Oshecisë së Jugut si plaçkë lufte kundër Gjeorgjisë së Presidentit të urryer Saakhashvili në gushtin e vitit 2008.

Sapo është rigjallëruar politika e jashtme në termat e fuqisë dhe i është rikthyer Kremlinit e drejta për të rivendikuar paritetin me Shtëpinë e Bardhë në aspektin negociiues, ka qenë e mundur të rilëshohet ideja e vjetër, por gjithmonë e dobishme, e "shtëpisë së përbashkët europiane" e markës gorbacheviane. Detyra i ka takuar Presidentit të sapozgjedhur Dmitry Medvedev, në diskutimin e mbajtur në Berlin më 5 qershor të vitit 2008, me rastin e vizitës së tij të parë në Gjermani. Në kryeqytetin gjerman, Medvedev flet për "historinë tonë të përbashkët", "ndjenjën e identitetit dhe një unitet organik" dhe për "raport bashkëpunimin si të barabartë midis Rusisë, Bashkimit Europian dhe Amerikës Veriore si tri degëzime të qytetërimit europian", flet për "respektim të së drejtës ndërkombëtare" dhe për "sistem ndërkombëtar policentrik të varur tek Kombet e Bashkuara", në mënyrë që më së fundmi ta lërë mënjanë parantezën unipolare (të cilën Presidenti rus e gjen më të lehtë ta mbiquajë "bipolarizëm artificial") në favor të multipolarizmit, duke i akorduar qëndrimin e rinovuar filozofik rus marrëdhënieve ndërkombëtare me atë më shumë në modë në qarqet diplomatike europiane; flet sesi "atlantizmi si parin unik historik e ka kryer detyrën e tij" dhe "arkitektura aktuale evropiane mban akoma vulën e një ideologjie të trashëguar nga e kaluara". "Sot duhet të flasim për unitet midis të gjithë zonës euroatlantike nga Vancouver në Vladivostok", shpjegon Presidenti rus, domethënë për një arkitekturë të re të sigurisë evropiane deri gjeografikisht më të gjerë respektivisht asaj të projektuar nga Gorbachev.

Për këtë qëllim, Medvedev, sa për të filluar, hedh idenë e "hartimit dhe nënshkrimit të një traktati reciprokisht detyrues lidhur me sigurinë europiane", të mbështetur mbi parimin e "pandashmërisë së sigurisë", për ta shmangur kështu vlefshmërinë ndaj Rusisë të Nenit të 5-të të Traktatatit të Atlantikut Verior, që përcakton detyrimin e asistencës reciproke për anëtarët e NATO-s në rast të një sulmi të armatosur kundër një apo më shumë vendesh të Aleancës. "Mund të mendojmë - saktëson fytyra pajtuese e Rusisë postsovjetike - për një pakt rajonal të bazuar natyrisht mbi parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, që të përcaktojë qartë rolin e forcës si faktor të marrëdhënieve në brendësi të komunitetit euroatlantik"; domethënë për një pakt që të rivendosë sfera influence të qarta dhe të pashkelshme, duke ia mbyllur "derën e hapur" të lënë nga Aleanca Atlantike aderimit të vendeve të Europës Lindore.

"Për të filluar hartimin e këtij pakti", Medvedev propozon "mundësinë e mbajtjes së një samiti", në të cilin "duhet absolutisht të marrin pjesë të gjitha vendet evropiane, por si shtete në vetvete, duke e lënë menjanë përkatësinë në blloqe apo grupime të tjera": një formulë e finalizuar për ta përjashtuar NATO-n si forumin natyral të konfrontimit dhe të dialogut me Rusinë dhe për të rilëshuar OSBE-në - ku blloku i kontrolluar nga Moska do të ishte numerikisht mazhoritar, proceset vendimmarrëse janë të çrregullta dhe nuk ekziston një sistem ushtarak i integruar i konsideruar armik si NATO - organizatë të sigurisë kolektive në të cilën të shkrijë më së fundi lidhjen transatlantike dhe me të, për pasojë, vetë Aleancën (i së cilës lidhja transatlantike është themel vlere, kulturor dhe politik) dhe raportin simbiotik midis NATO-s dhe Bashkimit Europian mbi të cilën ngrihet sistemi i sigurisë euroatlantike; një mënyrë për t'i shtyrë europianët që të largohen nga Shtetet e Bashkuara dhe që të gjejnë tek Rusia partnerin e ri të privilegjuar për ruajtjen e sigurisë në zonë. Por Kremlini, siç është demonstruar nga konflikti gjeorgjian, sigurisht që nuk ka pritur nisjen e negociatave për t'u testuar bashkëbiseduesve të tij centralitetin që do të kenë raportet e forcës në përkufizimin e arkitekturës së sigurisë europiane: një mënyrë për të paralajmëruar Uashingtonin dhe kryeqytetet e tjera të Aleancës se synimi rus është ai i arritjes së kësaj arkitekture të re me çdo mjet dhe se është më mirë të bihet menjëherë në marrëveshje.

Të ulura armët me Tblisi, Medvedev kthehet mbi argumentin e 8 tetorit të kaluar gjatë World Policy Conference në Evian, ku kanë marrë pjesë edhe Presidenti francez Nicolas Sarkozy (që në cilësinë e Presidentit të radhës së Bashkimit Europian do të "negocionte" përfundimin e luftimeve ruso-gjeorgjiane) dhe ukrainasi Viktor Yushchenko. "As diplomacia multilaterale, as mekanizmat rajonale, as në përgjithësi arkitektura aktuale e sigurisë europiane", deklaron Medvedev, "nuk kanë qenë të afta që ta parandalojnë ndodhjen e agresionit", me aludimin e hapur të faktit se kanë qenë gjeorgjianët të parët ata që kanë qëlluar goditjen e parë. Më pas Presidenti e ngre pazarin: "Qëndrimi NATO-centrik ka treguar dobësinë e tij. Nga kjo situatë duhet të nxjerrim konkluzione". Dhe konkluzionet i nxjerr po Medvedev për të gjithë: "Ngjarjet në Kaukaz vetëm kanë konfirmuar sesa është absolutisht i drejtë koncepti i një traktati të ri për sigurinë europiane". Traktati do të duhet të garantojë një "equal security", të bazuar mbi tre "jo". Domethënë, jo të ruajë sigurinë e vet me krahët e shteteve të tjera. Jo të lejojë veprime (nga ana e aleancave apo e koalicioneve ushtarake) që mund të minojnë unitetin e hapësirës së sigurisë të përbashkët. Dhe së fundmi, jo t'u japë jetë aleancave ushtarake që mund të kërcënojnë sigurinë e palëve të tjera të Traktatit". E përkthyer: jo hyrjes në NATO të Gjeorgjisë dhe të Ukrainës, jo instalimit në Poloni dhe Republikën çeke të mbrojtjes raketore për Europën, jo ekzistencës së NATO-s. "Gjithçka që duam është të punojnë më në harmoni së bashku mbi bazën e një grupi të përbashkët rregullash", përfundon banori i Kremlinit.

Propozimi i traktatit nuk është akoma zyrtarisht objekt diskutimi me vendet e Aleancës Atlantike, megjithatë Moska diçka ka arritur ta sigurojë. "Reset button" i shtypur nga Administrata Obama në raportet me Rusinë ka sjellë ndërprerjen e planeve për instalimin e mburojës antiraketore në Poloni dhe Republikën çeke, me shpresën se Kremlini i shfrytëzon marrëdhëniet e tij të mira me Iranin në çështjen shumë të vështirë bërthamore dhe nuk vendos veton e tij ndaj sanksioneve të parashikuara energjetike kundër Teheranit në Këshillin e Sigurimit. Për sa mburoja nuk përfaqësonte në vetvete ndonjë kërcënim real ndaj sigurisë ruse, interceptorët për t'i instaluar në Poloni qenë shikuar me preokupim të madh nga Kremlini. Rrezja e veprimit e interceptorëve do të drejtohej ekskluzivisht për të neutralizuar një kërcënim raketash balistike me rreze të gjata të ardhura nga jugperëndimi aziatik, domethënë nga Irani, që tashmë posedon arsenalin më të madh me SRBM dhe MRBM (Short and Medium Range Ballistic Missiles) në të gjithë Lindjen e Mesme, të blerë pjesërisht nga Koreja e Veriut dhe arrin që të shtyjë përpara programet e tij të zhvillimit raketor i pashqetësuar, në pritje të fitimit të kapaciteteve me rreze të gjatë mbi testata bërthamore eventualisht të përdorura. Kështu, interceptorët nuk do të lejonin që të goditeshin raketa me rreze të shkurtër dhe të mesme të lëshuara nga territore afër Polonisë si ato të Federatës Ruse, por do të forconte praninë e NATO-s në afërsi të near abroad të Moskës, në një territor "kalimtar" si ai polak që është gjithmonë në synimet e ekspansionizmit rus drejt Europës Qendrore. Një eventualitet që Kremlini për momentin ka arritur ta shmangë.

Jo rastësisht, Medvedev në Berlin i ka vendosur një theks të madh pajtimit ruso - gjerman, "i rëndësishëm për të ardhmen paqësore të Europës siç qe […] pajtimi midis Francës dhe Gjermanisë". Në fakt, Kremlini duket se synon mbi një lloj neutralizimi de facto të Polonisë, pavarësisht nga përkatësia e saj në NATO dhe në kufirin e Gjermanisë (projeksioni gjeopolitik i së cilës takohet dhe ndeshet me atë rus pikërisht në territorin polak, siç është demonstruar historikisht) si kufi virtual midis sferës së influencës të Moskës dhe asaj të NATO-s, në pritje që në perspektivë kjo e fundit të zhduket: "Deri më tani, NATO ka dështuar edhe që t'i japë një qëllim të ri ekzistencës së saj. Po kërkon që ta gjejë këtë qëllim sot duke i globalizuar misionet e saj […] dhe duke përfshirë anëtarë të rinj. Por kjo dukshëm që nuk është akoma zgjidhja", ka pohuar Presidenti rus gjithmonë në Berlin.

Nga ana tjetër, Polonia dhe vendet e tjera të asaj që qe perandoria sovjetike, republikat balltike në krye, nuk kanë ndërmend të sakrifikohen në altarin e çfarëdo "uniteti të hapësirës së sigurisë së përbashkët" të imagjinuar nga Kremlini, duke ia pasur frikën një rikthimi me efekt bumerang të Ariut rus që mund ta minojë sovranitetin dhe pavarësinë e tyre. Për këtë motiv, vendet e "Europës së re" u kërkojnë aleatëve të NATO-s sigurime politike lidhur me garancinë për asistencë reciproke të ndodhur në Nenin e 5-të në prizmin antirus (që Kremlini do të donte që në fakt të anullohej ndaj saj) dhe ua kërkojnë kryesisht Shteteve të Bashkuara, duke mos u besuar europianëve. Dhënia Varshavës e modelit të fundit të avionëve 48 F-16 me suportin logjistik përkatës nuk është fshirë dhe është një sigurim bilateral domethënës rreth garancisë së sigurisë amerikane, duke lëvizur në drejtimin e një forcimi të sigurisë kombëtare ruse.

Veç kësaj, me udhëtimin e fundit të tetorit të zëvendëspresidentit Joe Biden në Poloni, Rumani dhe Republikën çeke, Shtetet e Bashkuara kanë dashur t'u theksojnë aleatëve të Europës Qendro-lindore se nuk do të përdoren si mjet shkëmbimi në asnjë pazar të madh me Rusinë, edhe nëse Moska do të vendoste vërtet që të bashkëpunonte për dosjen iraniane. "Jemi të vendosur që të sigurojmë se aleatët tanë të NATO-s kanë mbrojtjen për të cilën kanë nevojë, pasi është një detyrimi ynë solemn, sipas Nenit të 5-të", ka bërë të qartë Biden në diskutimin e mbajtur në Bukuresht, "nuk ka anëtarë të vjetër dhe të rinj të NATO-s, ka vetëm anëtarë. Sipas Nenit të 5-të, një sulm kundër njërit është sulm kundër të gjithëve". Biden ka inkurajuar edhe vendet që qenë të përfshirë në Traktatin e Varshavës dhe kanë hyrë në Aleancën Atlantike pas mbarimit të Luftës së Ftohtë për të mbështetur betejën e vendeve të Europës Lindore që akoma luftojnë për të "realizuar premtimin e një demokracie të fortë" dhe për pavarësinë e plotë nga Moska, duke përmendur hapur Moldavinë, Gjeorgjinë, Ukrainën, Armeninë, Azerbajxhanin dhe Bjellorusinë. Dera e NATO-s për këto vende do të qëndrojë e hapur, me paqen e mirë të Kremlinit, ashtu si synimet ruse ndaj Detit të Zi, që aq shumë preokupojnë Gjeorgjinë, Ukrainën, Bullgarinë dhe Rumaninë, do të mbahen më tej nën vëzhgim falë dislokimit të bazave të reja detare në brigjet bullgare dhe rumune.

Përgjigjja ruse ka ardhur e menjëhershme. Më 9 nëntor, në kolonat e së përditshmes italiane "La Stampa", në një editorial me firmë dyshe, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov gjen sfondin italian tek homologu i tij Franco Frattini, shumë aktiv me Kryeministrin Silvio Berlusconi në favorizimin e arritjes së një pike ekuilibri midis Aleancës Atlantike dhe Kremlinit. Të vëna menjanë shkeljet e syrit implicite të Medvedev lidhur me rolin dhe të ardhmen e NATO-s, kthehet të flitet për "shtëpi të përbashkët europiane" dhe "rend të ri botëror"; për "rilanim politik të raportit midis NATO-s dhe Rusisë", të bazuar mbi "një partneritet real" dhe që sidomos të mbajë parasysh "interesat e sigurisë reciproke"; për një "marrëveshje të re midis Bashkimit Europian dhe Rusisë" për arritjen e një "partenariteti strategjik jo vetëm ekonomik, por edhe politik", të prirur ndaj "krijimit të një arkitekture të re të sigurisë evropiane që […] mund të përfitojë nga sinergjitë midis institucioneve dhe organizatave të ndryshme ekzistuese në hapësirën paneuropiane (OSBE, NATO, Bashkim Europian, CSI, OASC)", me një apel final ndaj "nevojës për një bashkëpunim më të madh midis Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë", ashtu si dhe "parimeve të ndodhura në Aktin e Helsinkit (që i dha jetë në vitin 1975 Këshillit të Sigurimit dhe Bashkëpunimit Europian, më pas e pagëzuar Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Europian, - shënimi im), në acquis communitare të OSBE-së dhe në Deklaratën e Pratica di Mare lidhur me NATO - Russia Council".

Domethënë, Moska vazhdon kështu me tentativën e saj për ta minuar sistemin e sigurisë euroatlantike që mbështetet mbi NATO-n dhe mbi Bashkimin Europian, duke shpresuar që t'i largojë dy brigjet e Atlantikut për t'i përzënë hap pas hapi Shtetet e Bashkuara nga një zonë me interes jetik për sigurinë amerikane. Në këtë optikë, NATO-ja mbetet armiku, ndërsa Bashkimi Europian, pavarësisht hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës dhe emërimit të një Presidenti të qëndrueshëm dhe të një ministreje të Jashtme që e forcon aksionin e jashtëm të Bashkimit, nuk është konsideruar absolutisht nga Rusia partneri ekskluziv me të cilën të bisedohet në lëmin e sigurisë euroatlantike, duke preferuar në vend të saj OSBE-në si vendin në të cilin të hollohet diskutimi dhe orientuar në favorin e saj procesi vendimmarrës, ndoshta duke përdorur mbështetjen e ndonjë vendi anëtar të Bashkimit Europian të gatshëm që të pranojë politikën ruse e faktit të kryer siç ka ndodhur në Gjeorgji. Është edhe në perspektivën e një fuqizimi të funksioneve të OSBE-së në lëmin e sigurisë në kurriz të NATO-s që Kremlini ka privilegjuar deri më tani marrëdhëniet bilaterale me vendet e veçanta të Bashkimit Europian, në mënyrë që t'i shfrytëzojë prirjen për të kënaqur interesat imediate afatshkurtra, të lidhura me furnizimet energjetike dhe/ose me mundësitë e tregtisë dhe të investimit në Rusi, më shumë se interesat e veta strategjike jetike në një vizion afatgjatë. Ka qenë po vetë Medvedev në Berlin ai që ka folur për "interesa kombëtare të zhveshura nga çdo motivacion i deformuar ideologjik" si "pikënisje për të gjitha palët" në hartimin e traktatit që do të duhet t'i japë jetë arkitekturës së re të sigurisë evropiane me frymëzim rus. Rinovimi i marrëveshjes së bashkëpunimit midis Bashkimit Europian dhe Rusisë, të cilën ministri italian Frattini uron që të nënshkruhet brenda semestrit të parë të vitit 2010, do të perceptohej atëherë nga europianët si akomodim funksional taktik dhe jo si partneritet strategjik me Ariun rus. Gjithmonë nëqoftëse dëshirohet të mbahet parasysh mësimi i nxjerrë nga mbi 40 vjet të Luftës së Ftohtë.

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Google+ Followers