NEOKONSERVATORIZMI a vdiq ai në Irak, apo po frymëzon edhe Obamën?

Neokonservatorizimi vazhdon që të ekzistojë, jo vetëm duke frymëzuar politikën e jashtme të Partisë Republikane, por edhe në zgjedhjet e Obamës, i cili pa kurrfarë dyzimi ka përqafuar fuqinë ushtarake amerikane


Neokonservatorizimi është shpallur i vdekur, "i groposur në rërën irakene". Ama vazhdon që të ekzistojë, jo vetëm duke frymëzuar politikën e jashtme të Partisë Republikane, por - siç e pohojnë mbështetësit e saj - edhe në zgjedhjet e Obamës, i cili pa kurrfarë dyzimi ka përqafuar fuqinë ushtarake amerikane. Pavarësisht rëndësisë së tij (apo ndoshta pikërisht për këtë), funerali i Irving Kristol shtatorin e kaluar ka kaluar pothuajse pa u vënë re. Dikush priste shfaqjen e Dick Cheney, por as ai, as asnjë lider tjetër republikan nuk kanë qenë për ngushëllim. Një sjellje e pahijshme, duke pasur parasysh kontributin e jashtëzakonshëm e dhënë nga Kristol për GOP-in: qe ai që i dha bazë teorike dhe autoritet intelektual asaj që vetë ai në fillim e quante "partia idiote". Asnjë lider republikan nuk ndodhej aty, as nuk kishte ndonjë prej kandidatëve aspirues për vitin 2012; as Sarah Palin, të cilën pikërisht i biri i Irving Kristol, Bill, e ka ndihmuar që të bëhet një fenomen politik.

Prania e rreth 200 njerëzve nuk ishte e papërfillshme, për hatër të Zotit, por brenda sallës gjiganteske të Kongregacionit Adas Israel, të ndërtuar në një epokë - ishte viti 1951 - në të cilën hebrenjtë amerikanë të Kristol Senior donin të shpallnin se më së fundi kishin gjetur shtëpi, dukej e vogël. Bangat karakteristike të Burgonjës kishin mbetur bosh. Adas Israel është kongregacioni më i fuqishëm i Uashington, ai në të cilin çdo ambasador izraelit në Shtetet e Bashkuara ka marrë pjesë. Kur ka ardhur momenti i elozheve funebre, në vend të paradës së zakonshme të të famshmëve vetëm dy njerëz - Rabini dhe Bill Kristol - kanë folur, por edhe ata shkurtimisht. 40 minuta dhe gjithçka ka mbaruar.

Por forca e neokonservatorizmit, "bindja" intelektuale dhe politike (siç e përkufizoi ai vetë) që Irving Kristol fillimisht e lançoi dhe më pas e drejtoi, nuk ka qenë asnjëherë tek numri, por tek vëllimi i zjarrit dhe tek egërsia. Dhe nëqoftëse plakushi Kristol - arkivoli i të cilit qëndronte çuditërisht i ndodhur nën podium, i sistemuar midis një flamuri amerikan dhe një flamuri izraelit - do të kishte qenë në gjendje t'i hidhte një sy spektatori, gjithsesi do të kish mbetur i kënaqur, sepse mbi banga qëndronte e ulur edhe pjella e tij, jo vetëm biologjike, por sidomos intelektuale dhe ishte një përqindje e habitshme e të pranishmëve.

Vinte nga redaksitë e atyre botimeve të botuara nga neokonservatorët, si Weekly Standard i Kristol, apo për të cilat neokonservatorët punojnë, si Washington Post dhe Wall Street Journal. Të tjerë vinin nga "think tank" ku neokonservatorët takohen, në veçanti nga American Enterprise Institute (AEI). Qenë fytyrat e luftës në Irak, me të cilën neocon-ët janë pazgjidhshmërisht të lidhur, si ish-nënsekretari i Mbrojtjes, Paul Wolfowitz (në një prej daljeve të tij të rralla publike) dhe administratori civil i parë i Irakut, Paul Bremer. Charles Krauthammer, opinionisti pasionant dhe influent i Washington Post dhe politologu Francis Fukuyama (rast tejet i rrallë neocon-i i penduar dhe i kthyer në strofull), nuk kishin folur prej vitesh - qysh kur Fukuyama kishte kritikuar parashikimet rozë të luftës në Irak të bëra nga Krauthammer në vitin 2004 në një konferencë të mbajtur tek AEI - por vdekja e Kristol i ka bërë të takohen sërish, megjithëse në anë të ndryshme të sinagogës. Edhe krahu më tradicionalist i Partisë Republikane, ai që në njëfarë mënyrë është shmangur menjanë nga neocon-ët, ka bërë nderimin e tij: George Will, që arriti ta quajë luftën në Irak "një gabim kolosal", është paraqitur gjithsesi në ceremoninë mortore. Me dialektikën e tij të pazakontë apolitike, nganjëherë edhe tërheqëse, Bill Kristol nuk mund të përmbahej nga shfryrja përballë proliferimit të neokonservatorëve: "Grupe, legjione, hordhi duhet t'u dukemi atyre që nuk e mendojnë si ne", tha njëherë.

Si ai, shumë neocon-ë kanë trashëguar bindjet e tyre e djathta më shumë sesa t'i adoptojnë ato (në kundërshtim nga Irving Kristol, për një kohë të gjatë demokrat). Teknikisht, nuk ka asgjë "neo" tek konservatorët si Robert Kagan, historian dhe editorialist i Washington Post, apo tek John Podhoretz, botues i revistës Commentary. Të dy janë bij baballarësh të neokonservatorizimit. Praktikisht, në Amerikë asnjë tendencë politike nuk është më dinastike se kjo. Ndodh si në partinë e djathtë izraeliane Likud, idetë e së cilës lidhur me fenë, politikën dhe botën ndahen nga neokonservatorët. Në analizë të fundit, analogjia është e pasaktë, por të dy grupet gëzojnë lidhje të vonshme me Europën dhe konsiderohen viktima të holokaustit, që i ka lënë të plagosur, dyshues dhe nganjëherë luftarake; të vendosur që të mos jenë më naivë, që të mos u besojnë synimeve të mira të botës. Të dy grupet kanë shpenzuar vite e vite të tëra në periferitë e politikës, përpara se të arrinin mrekullisht të kishin peshë në gjeografinë e pushtetit; të dy kanë gjeneruar "parime" që kanë anulluar kundërvëniet brezore, duke u rreshtuar me baballarët e tyre mbretërorë. Kur Bill Kristol u ngrit atë mëngjes për t'i thurur elozhe Irving, në realitet po i merrte skeptrin. Nëqoftëse atë ditë, 96 orë nga vdekja e 89-vjeçarit Kristol, do të kishit shtypur tek Google fjalën "neoconservative" (neokonservator) dhe "death" (vdekje), do të kishit gjetur shpallje në zi për vdekjen - e parashikuar nga shumë dhe në raste të ndryshme të dëshiruar - të kësaj doktrine. Si nga e djathta, ashtu dhe nga e majta, neokonservatorizimi konsiderohej një forcë e zhdukur. Idetë e saj, shkruante revista Foreign Policy, "lëngojnë të kallura në rërën irakene". Por nekrologët mund të rezultojnë të parakohshëm. Në fakt, në këtë moment neocon-ët duken të rilindur. Njëri prej tyre, Frederick Kagan i AEI (vëllai i vogël i Robert), ka ndihmuar që të bëhet një kthesë në Irak duke bërë presione për surge, domethënë për një shtim trupash, në këtë teatër. Më së vonshmi, Presidenti Obama - diskutimet (të shumuar, multilateralë, të ndërvarur) dhe stili (autokritik, pajtues, kolegjial) i tij në politikën e jashtme janë një përçmim i kategorizimit neocon - ka hyrë në rrugën e tyre ose të paktën kështu thonë, pasi, e para, ka dërguar 30000 ushtarë të tjerë në Afganistan, pothuajse aq sa donin të dërgonin neocon-ët; të cilëve pastaj diskutimi i tij për pranimin e Nobel - me njohjen e nevojës së përdorimit të forcës, sinjali ndaj disidentëve në Iran e tjetërkund, të folurit për të mirën dhe të keqen - u ka rezultuar çuditërisht mjaft i përshtatshëm.

Është parë pothuajse si një sinjal rebelimi fakti që një nigerian me një bombë në pantallona të rrezikonte që të rrëzonte ditën e Krishtlindjes një avion mbi Detroit; për neocon-ët ka qenë një lloj hakmarrjeje, nga e cila kanë marrë një ngarkesë të re. Obama, të cilit i është dashur të kthehet në mënyrë më elegante lidhur me deklarimet e veta pas një diskutimi fillestar të gjykuar "tepër të vakët" nga Bill Kristol e neocon-ë të tjerë, ishte "sulmuar nga realiteti", tha Kristol. Ka qenë një homazh i dukshëm ndaj të jatit, që shumë kohë më parë tha se një "neocon" nuk ishte gjë tjetër veçse një liberal të cilit i kish ndodhur diçka e papëlqyeshme. "Qoftë ta lavdërojnë Obamën, qoftë ta sulmojnë, neocon-ët po fitojnë", tha Jacob Heilbrunn, kurator i National Interest dhe autor i They Knew They Were Right: The Rise of the Neocons (2008). "E shikojnë se mbështet surge në Afganistan, por e shikojnë edhe 'të butë me terroristët'. Në të dyja rastet, Presidenti përfundon për t'ju nënshtruar argumenteve të tyre". Me Obamën e dobësuar më tej nga përmbysja elektorale në Massachusetts, një proces i tillë nuk ka sesi të mos intensifikohet.

Rezistenca e neocon-ëve nuk duhet të habisë, pasi, siç vërejnë historianët, impulset e përfaqësuara nga neokonservatorët - një vizion manikean i botës, zelli misionar, shovinizmi, ideja se "mund të bëhet", mosdurimi për sfumaturat - janë të vjetra sa Amerika, duke u nisur nga John Winthrop e duke vazhduar me Abraham Lincoln, Woodrow Wilson e John F. Kennedy. Sigurisht, matrica e vjetër ka ardhur duke u prishur dhe tani duhet thirrur me një emër tjetër (disa neocon-ë të spikatur si Paul Wolfowitz e Richard Perle, e kanë refuzuar gjithmonë një etiketë të tillë). Por argumenti mbi të cilin sa vetë ata, aq edhe kritikët më të egër të tyre (të cilët, duhet thënë, duken të obsesionuar nga neokonservatorizmi, nganjëherë në mënyrë perverse) janë dakord, është se neocon-ët nuk ndodhen aspak në pikën e largimit.

Në të gjithë ato mekrologji plot shpresë, por të parakohshëm, kujtohet historia e lëvizjes: origjina e saj në kafeterinë e City College të New York, rreth fundit të viteve '30, ku intelektualët e rinj hebrenj takoheshin për të debatuar lidhur me versionet e ndryshme të trockizmit; të bashkuarit e tyre, si përgjigje ndaj kërcënimit botëror të fashizmit, me New Deal Democrats; të spostuarit e tyre nga e djathta në vitet '60, i përcaktuar nga zhgënjimi i ngjallur nga politikat raciale dhe sociale të Great Society. Prej tyre, qe Irving Kristol ai që nuk u dorëzua kurrë, duke arritur të bashkohet me reaganizmin. Pak a shumë në atë periudhë, i nxitur sidomos nga një gjigant tjetër i neokonservatorizmit, Norman Podhoretz i Commentary, lëvizja e spostoi vëmendjen e saj kryesisht ndaj politikës së jashtme, duke iu kundërvënë një mirëkuptimi me Bashkimin Sovjetik, duke e mbështetur Izraelin me shpatën zhveshur, duke vënë në shënjestër despotët arabë dhe terroristët islamikë - duke adoptuar në planin ndërkombëtar, siç vërehet nga George Will, atë agresivitet karakteristik më parë të përqendruar me të katra duart në politikën e brendshme.

Në këtë transformim të fundit, neokonservatorizmi ngriti flamurin e "eksepsionalizmit": në realitet, idenë më shumë liberale sesa konservatore sipas së cilës, Shtetet e Bashkuara moralisht janë më lart se çdo vend tjetër dhe duhet të sillen për pasojë; për më tepër përbuz realpolitikën cinike të Richard Nixon dhe Henry Kissinger, të cilën e gjykon si amorale dhe promovon një politikë të jashtme agresive dhe muskulore, që paraprin apo parandalon probleme, por në shkallë botërore (edhe me mjete ushtarake, atëhere kur është e nevojshme, atëhere kur të jetë e nevojshme), dhe se nuk është penguar nga organizata të korruptuara apo frikacake si Kombet e Bashkuara. "Të dorëzosh demokracinë nga karroceria e një Humvee", është shprehja me të cilën Stefan Halper - funksionar i Departamentit të Shtetit me Reagan e më pas Këshilltar i George H.W. Bush, aktualisht titullar i një katedre në Cambridge - i ka quajtur në mënyrë sarkastike këto konceptime.

Ndoshta mënyra më e mirë për ta matur influencën jetëgjatë të neocon-ëve është frustrimi dhe zemërimi që ata arrijnë të ngjallin akoma në radhët e Partisë Republikane. Shumë prej objektivave të tyre - për shembull Kissinger e Brent Scowcroft - nuk duan që të flasin për ta (dhe këta i gëzohen mendimit që Kissinger edhe e ka provuar për t'u bërë neocon). Një republikan i spikatur që vendoset në krahun më liberal të partisë - ai që urren atë që shikon dhe që ia atribuon aventurizmit të kushtueshëm të neocon-ëve hemorragjinë e votave që ka pësuar Grand Old Party në zgjedhjet presidenciale dhe kongresuale - i quan "parazitë": me ndjekjen e tyre të pakët intelektuale, thekson, duhet të ngjiten pas dikujt tjetër, për shembull George W. Bush. Shton: "Kanë arritur të bëjnë të përkryer një gjë absolutisht të pabesueshme: fillimisht shpallin se kush janë, sa të fuqishëm janë, sa influencë kanë dhe një grup njerëzish fillon e shkruan për ta. Pastaj, kur politikat e tyre konsiderohen përgjegjëse katastrofash, ata nuk ekzistojnë, nuk kanë të bëjnë fare me atë problem, nuk qenë, domethënë sillen si kalamaj. Dhe kushdo që i sulmon është antisemit".

"Çdo konservator i vërtetë flet privatisht për neocon-ët dhe në përgjithësi nuk flet mirë për ta", thotë Patrick Buchanan. "Janë hakmarrës, aspak kolegjialë... Sapo nuk je dakord me ta, e gjen veten në një luftë për jetë a vdekje". Buchanan e tregon kështu: në vitet '80, neocon-ët hyjnë në botën e fondacioneve të djathta dhe, falë financimeve që u sillnin atyre, futën në dorë establishmentin intelektual të Partisë Republikane, duke ndërtuar njëkohësisht krejtësisht në avantazhin ekskluziv të tyre një infrastrukturë institucionale të përpunuar, më mirë të financuar dhe me militante dhe monokromatike se çdo institucion i ngjashëm i rreshtuar majtas. Kjo strukturë ka si epiqendër American Enterprise Institute, por shtrihet larg deri sa të arrijë institucione të tilla si Hudson Institute (strehim i dy neocon-ëve të mbetur të plagosur nën Administratën Bush, Douglas Feith e I. Lewis "Scooter" Libby) dhe Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive, i drejtuar nga neocon-i Clifford May.

Deri Council on Foreign Relations, institucion i stilit të vjetër të establishmentit që mishëron pikërisht ato vlera - diplomaci, modelim, respektueshmi - aq të urryera nga neocon-ët, u ofron strehim dy prej tyre: historianit ushtarak Max Boot dhe Elliott Abrams, funksionari i Departamentit të Shtetit në kohët e administratave Reagan e Bush, që gjykohet fajtor pse ka gënjyer Kongresin lidhur me skandalin Iran-contras (Bill Kristol, në atë kohë Shef i Stafit të Zëvendëspresidentit Dan Quayle, ndihmoi Abrams që të përfitojë faljen presidenciale). "Në fakt, janë në provë dështimi", pohon Stephen Walt i John F. Kennedy School of Government të Harvard University, ndër kritikët më të zjarrtë të neocon-ëve. "Edhe pse në postin tënd ke gabuar gjithçka dhe gjërat që theksoje kanë rezultuar të gabuara, nuk do të vuash asnjë pasojë reale, as profesionale, as politike. Kthehu tek AEI apo tek Weekly Standard dhe vazhdo të shqetësohesh apo të shfaqesh nëpër talk-shou sikur asgjë, ama gjë prej gjëje, të kish ecur gabim". Por edhe për Walt rezistenca e neocon-ëve është mbresëlënëse: "Duhet të sforcohesh dhe t'i admirosh për nga mënyra sesi qëndrojnë të kompaktësuar nën armë, duke vazhduar të qëllojnë pa u preokupuar aspak sesa janë diskredituar".

Neokonservatorë të ndryshëm - Robert Kagan, Randy Scheunemann, Gary Schmitt - kanë luajtur një rol të rëndësishëm në fushatën elektorale të John McCain. Një brez i dytë apo i tretë opinionistësh neocon-ë, midis të cilëve Bret Stephens i Wall Street Journal, Frederick Kagan e Danielle Pletka të AEI, Jamie Fly e Dan Senor të Foreign Policy Initiative (një prodhim tjetër i Bill Kristol), po përgatitet të njihet tani. Ndërkohë, telespektatorët e Fox News, të cilët përbëjnë bazën e Partisë Republikane, megjithëse duke mos qenë krejtësisht neocon-ë, në optikën e një politike të jashtme më agresive, e gjejnë të pranueshëm vizionin e botës neocon. Siç e thotë ish-deputeti GOP, Vin Weber, neokonservatorizimi mbetet "forca intelektuale dominuese në përpunimin republikan në politikë të jashtme". Liderët e shkollës alternative, asaj "realiste" - Kissinger, Scowcroft, Colin Powell, James Baker - po plaken dhe me përjashtime të rralla - si Richard Haass i Council on Foreign Relations - duken, edhe sikur të kishin bërë një zgjedhje vullnetare fetare, të paaftë apo deri ngurrues për t'u riprodhuar.

"Apelet patriotike dhe idealiste neokonservatore mund të jenë më të përshtatshme për të rinjtë nga sa nuk është maturia dhe llogaritja e realistëve", argumenton Justin Vaïsse, bashkëpunëtor i Brookings Institution dhe autor i një libri që pritet të botohet së afërmi lidhur me neokonservatorizmin. "Efektivisht, nuk duhet të jetë ekzaltuese për një të ri që të jetë realist". Ndërkohë, është tharë krahu izolacionist "paleokonservator" i republikanëve, ajo që kryesohet nga Buchanan. "Shumë prej tyre priren ndaj ekstravagancave shqetësuese: neokonfederatë, racistë, ksenofobë janë tipa pak të rekomandueshëm", thotë Max Boot, i cili nganjëherë shkruan artikuj për Weekly Standard. "Neocon-ët janë sulmuar për të qenë përbindësha me pak gjë njerëzore, që duhet të mbahen nën zinxhirë pasi në rast të kundërt do të dilnin xhiro e do të hanin fëmijë apo do të bënin kushedi se çfarë turpësie; por kur i hedh një shikim të përgjithshëm spektrit të mendimit konservator, kuptohet se neocon-ët vendosen në qendër. Njerëzit që më shumë se çdo gjë tjetër janë zëdhënës të Partisë Republikane, Newt Gingrich, Rush Limbaugh, Sean Hannity e ndryshëm… të gjithë këta mbështesin një politikë të jashtme agresive".

Asnjeri nuk ka bërë ndonjëherë ndonjë numërim të neocon-ëve; kritikët e tyre, të prirur që të shikojnë si konspiratorë prapa kuintave, kanë dhënë, sigurisht që me shaka, numra qesharakë: 64 ose 17 apo ndoshta vetëm 6. Nganjëherë duken akoma më pak dhe për më tepër inçestuozë: gjysma e 8 komentatorëve zyrtarë me rastin e udhëtimit në Alaskë të Commentary qenë Podhoretz-ët (babai Norman, gruaja e tij Midge Decter, djali John dhe Elliott Abrams, djali i adoptuar). Ngjitja e John Podhoretz në brendësi të revistës ka qenë objekt akuzash të mëdha nga ana e neokonservatorëve, sipas të cilës është bërë fjalë për një shembull të atij nepotizmi që ata, kështu të paktën thonë, e dënojnë.

Të përcaktosh kush e meriton termin "neocon" mund të jetë një gjë jokomode, sidomos sepse përgjithësisht njerëzit i shmangen një etikete të tillë ose pohojnë se është pakuptim apo e dalëmode, ose e marrin si një ofendim antisemit. Megjithëse ka pasur dhe ka përjashtime të ndryshme - për shembull Daniel Patrick Moynihan, Jeane Kirkpatrick, John Bolton - me siguri neokonservatorët më të rëndësishëm (ose gjithsesi njerëz të etiketuar kështu) janë hebrenj, edhe pse është shumë e lehtë për një hebre që ta thotë një gjë të kësaj natyre. Në një kontekst njerëzish të edukuar dhe të ekuilibruar, hebraiciteti i neocon-ëve nxirret në mënyrë të shkujdesur, shqetësuese; bëhet fjalë sidomos për stereotipe të Web-it dhe në bisedat mbi argumentin gëlojnë fjalë si "dirty" (pis), "warmonger" (luftënxitës) apo "kike" (zhargon për "hebre", përbuzës, shënimi im.), së bashku me histori kongregacionesh që lëvizin në hije të cilat duken të marra nga një lloj Protokolli i Trashëgimtarëve të Kristol.

"Neokonservator është një term që nuk më ngjitet as mua, as ndonjë njeriu që njoh unë", thotë Boot, një hebre me origjinë ruse i arsimuar në Berkeley i privuar nga mungesa karakteristike e ndjenjës së humorizmit e rëndomtë midis shumë neocon-ëve. "Nëqoftëse pyetja është, 'a je pjesë e asaj kabale të poshtër trockiste të lidhur me Mossad-in e me Likud-in e Izraelit, pse jo dhe me Bildelberg Society, me Trilateral Commission dhe me Mbretëreshën e Anglisë?', përgjigjja është: 'Je budalla'". Shumë neocon-ë, vazhdon Boot, nuk janë dakord njeri me tjetrin apo nuk njihen aspak njeri me tjetrin, le më pastaj të imagjinosh se mund të impenjohen në diçka që është edhe vetëm më së largu e koordinuar nga dikush. "Nuk ka asnjë mbledhje të Komitetit Qendror të Neocon-ëve, ku të flasim për gjëra sesi ta lustrojmë imazhin tonë, të rekrutojmë kompani marrëdhëniesh publike apo të provojmë neocon-ologjinë".

Natyrisht, ka që devijojnë nga norma neokonservatore. Për shembull, ish-kreu i Council on Foreign Relations, Leslie Gelb, ka thënë se në 35 vjet nuk ka dëgjuar asnjë neocon që të pranojë se ka gabuar, por dikush, si David Frum i AEI-së dhe Joshua Muravchik i Commentary, i janë afruar rrezikshëm. "Qoftë pak e gabuar apo plotësisht e gabuar, fakti është se nuk jemi shfajësuar asnjëherë për Irakun", ka thënë Muravchik. Një njeriu të cilit i është ngjitur rastësisht etiketa është Dick Cheney, i cili fetarisht, intelektualist, ideologjikisht dhe kulturalisht nuk duket se posedon kërkesat e duhura - megjithëse nuk ka dyshim mbi faktin që është bërë zëdhënësi më aktiv i pikëpamjeve neocon (vajza e tij Elizabeth dhe Bill Kristol kanë themeluar së bashku KeepAmericaSafe.com, një tentakulë e mëtejshme e neokonservatorizimit, misioni i të cilit është - çfarë tjetër mund të jetë? - një qëndrim "pa brenga" në luftën kundër terrorizmit).

Me të gjithë forcën, neocon-ët kanë qenë ndër mbështetësit kryesorë të luftës në Irak, por nënvizojnë se zinin vetëm pozicione të "dorës së dytë" në administratën Bush, jo mjaftueshëm që të mund të vendosnin diçka në autonomi. Vetëm pas 11 shtatorit Bush iu drejtua vërtet atyre, theksojnë ata, dhe vetëm pse qenë në gjendje më mirë se kushdo tjetër të shpjegonin atë që sapo kish ndodhur dhe të thonin atë që duhej bërë. "Është ide absurde ajo sipas së cilës Doug Feith, Paul Wolfowitz e Richard Perle - që as nuk bënte pjesë në administratë - po manipulonin njerëz si Don Rumsfeld e Dick Cheney, duke i nxitur që të bënin atë që nuk do të donin", thotë Norman Podhoretz (Perle qe President i Defense Policy Board të Defense Department civil). "Ka qenë vetëm antisemitizmi në bazën e të gjitha këtyre historive që u ka bërë shumë njerëzve t'u duket e besueshme një histori e llojit 'këta hebrenj të zgjuar janë duke gënjyer këta goyim-ë (xhentilë, shënimi im.) budallenj në qeveri'... ky është modeli. Nuk është thënë asnjëherë në mënyrë kaq të trashë, por në thelb ideja është kjo". Se qe e gjitha një manovër e izraelianëve është diçka "dyfish absurde", vazhdon Podhoretz, pasi e vërteta është që Izraeli ju kundërvu luftës (praktikisht, thotë Stephen Walt, gjërat janë më komplekse: Izraeli mendonte se Iraku ishte një diversion respektivisht problemit kryesor, domethënë Iranit, por e pranoi luftën pasi Bush më pas premtoi që të merrej më ajatollahët).

Kur lufta në Irak u kthye në katastrofë, neocon-ët dolën nga administrata Bush, shëruan plagët dhe shkruan kujtime mbrojtëse. Por qysh atëhere, pjesa më e madhe e tyre pohon se lufta në Lindje të Mesme për të cilën u investuan mbetet një ide e mirë; problemi është se këshillat e tyre u keqinterpretuan. Midis tyre është Boot, i cili qysh në vitin 2001 paralajmëronte se Afganistani mund të kthehej në një "çerdhe terroristësh", nëqoftëse Bush do të kishte këmbëngulur ta bënte luftën vetëm me avionë e hi-tech dhe se edhe Iraku kërkonte një numër më të madh trupash. Në vitin 2006, Boot e transformoi atë që Bush me sa duket e besonte se duhej të ishte një bisedë informate në Shtëpinë e Bardhë me disa neokonservatorë, midis tyre edhe Krauthammer e Kristol, në një seminar të rreptë lidhur me atë që kish shkuar keq në Irak, që e la Presidentin të skuqur në fytyrë dhe bile të nervozuar.

Një tjetër që nuk kursente kritika është Frederick Kagan, një analist ushtarak që gjithmonë ka punuar gjithmonë nën hijen e të jatit dhe të vëllait të madh. Në trajtimin dhe nxitur surge në Irak, i riu Kagan ka ndihmuar që të përmbyset ecuria e paqartë e luftës dhe e neokonservatorizimit. Në bërjen e saj, ai ka prodhuar një rast të denjë studimi lidhur me këmbënguljen, metodologjinë, inteligjencën dhe efikasitetin e neocon-ëve. Në fund të vitit të kaluar, kur Foreign Policy bëri publike "Top 100" të mendimtarëve globalë, "Familja Kagan" dukej kolektivisht në vendin e 66-të. Nganjëherë, duket se ka aq Kagan sa ka neocon. Praktikisht, ka vetëm katër: Donald (babai), Robert dhe Frederick (djemtë) dhe Kimberly (gruaja e Frederick). Donald Kagan, profesor historie në Yale, është një autoritet lidhur me luftën e Peloponezit, por interesat e tij zgjerohen nga lufta si e tillë, të cilën ai arrin të shikojë, siç e tha njëherë, si "gjendjen natyrore të species njerëzore".

Frederick në rininë e tij ishte një djalosh punëshumë e i mërzitshëm, që e kalonte kohën duke rindërtuar mbi një hartë gjeografike betejat me rëndësi historike; pasoi një doktoraturë në Yale në Histori Ushtarake Ruse e Sovjetike, pastaj dha luftëra për 10 vjet për kadetët e West Point. Gjatë rrugës është martuar me Kimberly Kessler, një shoqe e Yale me interesat pothuajse njëlloj shqetësuese sa të tijat (tani Kessler drejton një think-tank të vogël në Washington, Institutin për Studimet e Luftës). Qysh nga fillimi, Frederick Kagan, i cili është treguar gjithmonë skeptik lidhur me metodat e luftës hi-tech që aq shumë i pëlqenin Rumsfeld, kuptoi se lufta në Irak ishte keqdrejtuar dhe, me ndihmën e Gjeneralit në lirim Jack Keane, arriti që të bindë për këtë fakt edhe Bush. Nga këtu surge. Midis më të impresionuarve qe Gjenerali David Petraeus, tani Shef i Central Command. Petraeus (të cilit i është dhënë Çmimi Irving Kristol 2010 dhe që për këtë arsye do të hapë konferencën Irving Kristol në AEI në muajin maj) e quan Fred Kagan "brilant", "jashtëzakonisht skrupuloz në punën e tij", "një studiues i vërtetë i historisë".

Me ftesën e tij, Frederick e Kimberly Kagan, për rastin të mbuluar nga një jelek antiplumb, duke filluar nga prilli i 2007 kanë kryer inspektime të ndryshme në teatrin iraken. Dy herë vitin e kaluar kanë shkuar në Afganistan, herën e dytë si pjesë e gjashtë e një grupi prej 12 civilësh i thirrur për t'i dhënë këshilla Gjeneralit Stanley McChrystal. Rezultatet në të cilat arriti ky grup i dhanë mbështetje kërkesës për 40000 ushtarë të tjerë të bërë nga McChrystal.

Sipas kritikëve të tij, Frederick Kagan nganjëherë demonstron besim të tepruar në zgjidhjet pastërtisht ushtarake (një akuzë për të cilën neocon-ët, shumë pak prej të cilëve kanë kryer shërbimin ushtarak, janë akuzuar shumë). "Janë njerëz të cilëve jeta u ka dhënë shumë dhe shumë lehtësisht, kështu që për ta bëhet shumë e lehtë t'i shikojnë trupat tona si instrumente të thjeshtë për të realizuar planet e tyre", thotë komentatori i çështjeve ushtarake Ralph Peters, ish-oficer i shërbimit të informacionit të ushtrisë (Peters mbetet i befasuar dhe i shtangur kur quhet neocon. "Nuk plotësoj kushtet e nevojshme, - thotë ai. - Kam shërbyer në ushtri, nuk kam qenë as në një kolegj e as në një universitet të Ivy League, nuk kam financues dhe fizikisht jam i aftë"). Nga ana e tij, Kagan siguron se as nuk ushqen naivitet rreth mundësive të armëve, as nuk pendohet se nganjëherë ka akuzuar gjeneralët. Megjithëse është anëtar i Partisë Republikane, pse jo dhe botues i Weekly Standard, pohon se nuk është "neocon" (neokonseravator).

Pavarësisht rezistencës së fortë, ka pak triumfalizëm midis neocon-ëve. Deri ata që kanë qëndruar maturisht në periferi gjatë luftës në Irak vazhdojnë ta ruajnë instiktivisht këtë linjë, duke tradhtuar një qëndrim pothuajse patologjik prej outsider (këtu në kuptimin e të huajit, shënimi im.). "Nuk dua të flas me ju nëqoftëse je duke përgatitur diçka të keqe", ka qenë përgjigjja e dhënë nga John Podhoretz një kërkese normale për një intervistë. Zakonisht i sjellshmi Bill Kristol ka qenë njëlloj i pakapshëm. Pavarësisht përçmimit të tij për çdo qëndrim allaKissinger, ai ka luajtur letrën klasike e Kissinger: ishte në rrugë, shpjegohej, kështu që nuk ishte i disponueshëm. Kur kam shkuar të takoj papritmas - në strofullën e ujqërve të konservatorëve, në Nr. 1150 të Rrugës së 17-të në Uashingtonin veriperëndimor, ku The Weekly Standard ka selinë pesë kate më poshtë se AEI - ai ishte kthyer nga udhëtimet e tij, por gjithsesi ka refuzuar të më takojë. Në rreth 3 minuta që më ka akorduar, është shfaqur qartë se vetëm të flasësh për neokonservatorizëm - të legjitimosh nocionin e thjeshtë të ekzistencës dhe të influencës së tij - rezulton jashtëzakonisht e papëlqyeshme.

Njerëz që kanë dëgjuar elozhin e Bill për të jatin atë mëngjes shtatori bien dakord kur thonë se qe një lamtumirë e shkëlqyer, ajo që do të donit të dëgjonit për vete nga djali yt. Megjithatë, deri disa admirues të tij mbesin të habitur. Bill Kristol që njohin është një djalë i përkryer, që e përdor intelektin e tij të konsiderueshëm për qëllime konkrete. Ja, nuk e kishin parë kurrë kaq të sinqertë. Ata që janë familjarë me Kristol-ët, babë e bir, shikojnë ngjashmërinë midis të dyve, sidomos mënyrën e tyre për të bërë të zgjuarin dhe të edukuarin. Por ajo që godet më shumë janë diferencat. Siç e tha Rabini Gil Steinlauf në atë funeral, Irving ka qenë "outsider i përjetshëm", duke mishëruar kështu fatin e përjetshëm të hebrenjve, të dënuar që të hetojnë, të analizojnë, të qëndrojnë të drejtë dhe të ndershëm. Në të kundërt, Bill është insider i afirmuar, ai që formulon gjykime, që end rrjeta, që ndërton pallate. Deri miqtë e tij e përshkruajnë më shumë si njeri veprimi sesa si një ideolog.

Irving ishte shpesh mbi politikën, kurse Bill është brenda saj deri në fyt dhe zgjedhjet e tij e kanë çuar që të mbështesë Colin Powell, Gary Bauer, Alan Keyes dhe Sarah Palin. "Do të preferonte të merrte një pozicion kurajoz të gabuar sesa një të të drejtë të dukshme", thotë një neocon i vjetër që dëshiron të ruajë anonimatin, në emër të miqësisë midis të dyve. Njerëz të ndryshëm që njohin Kristol e përshkruajnë aktivizmin e tij të zjarrtë për Palin - bëri një fushatë të vërtetë opinioni për ta bindur John McCain që ta fuste në çiftin republikan - si tërheqjen e një adoleshenti, shkëndija e të cilit u ndez kur një udhëtim i Weekly Standard u ndal në Juneau. Boot e paraqet në mënyrë paksa të ndryshme: "Ka qenë, besoj, një fantazi e bërë pa u menduar shumë. Nuk besoj se Bill mendonte se vërtet do të ndodhte. Ai është një lloj njeriu që thotë: 'Hej, shikoje atë fytyrë të bukur të cilës askush nuk i kushton vëmendje'". "Bill është një mik i imi i dashur, por bën një thes me gjëra vetëm për të bërë publicitet", thotë një republikan i spikatur, edhe ai prapa premtimit të anonimatit nga frika se mos ofendon Kristol. Duke thënë këtë, është konsoliduar tradita neocon (ai që e ka paraqitur do të ishte një prej guruve kryesorë të lëvizjes, Leo Strauss, teoricien politike kontradiktor i Universitetit të Chicago midis viteve '40 dhe '50), që elita erudite duhet të rrisë princa ose princesha fillimisht krejtësisht të papërgatitur. Është ajo që Kristol bëri në kohën e tij me Quayle.

E ndërsa Irving Kristol ishte dyshues ndaj "eksportimit të demokracisë", kjo është bërë një kauzë e madhe e djalit të tij. Denigruesit e Bill Kristol pëlqejnë të citojnë sokëllimat e tij, për shembull që shiitët dhe sunitët do të kishin bashkëjetuar pa probleme. "Bill Kristol, si nuk e gjen kurrë një të saktë?", i tha një ditë Jon Stewart. Deri babai i tij hidhërohej: "Im bir ka gabuar akoma", ankohej nganjëherë me miqtë e familjes. Por frikërat e plakushit Kristol janë groposur nën nacha, domethënë krenarinë e një babai hebre për fëmijët e tij. E lexoj New York Times, tha një herë, vetëm për të kërkuar emrin e tim biri. Për frustrimin e pafundëm të kritikëve të Bill, asgjë nuk duket se e prek. Për shembull, karriera e tij e shkurtër dhe e trishtuar si opinionist për New York Times është pasuar menjëherë nga një bashkëpunim me Washington Post. Veç të tjerash, në mjedisin neocon fiaskoja tek Times vetëm ia ka rritur konsideratën: siç ka thënë njëherë njëri prej tyre, në ndryshim nga një konservator i supozuar si David Brooks, Bill Kristol nuk është "përshtatur" duke ju nënshtruar prirjeve liberale të asaj gazete.

Nuk ka dyshim se Bill Kristol aktualisht është neocon-i më në dukje dhe më i dëgjuar, me një fuqi dhe një influencë që babai i tij nuk e ka pasur kurrë. Tani mbështet Obamën lidhur me Afganistanin. Natyrisht, nuk ka qenë e lehtë për të: i është dashur që ta ngjyejë editorialin e tij tek Washington Post me një seri shprehjesh të tilla si "shumë e bukur përgjysëm", "e çmendur", "budallallëk", "pseudo", përpara se të arrijë tek e lodhshmja "Por...". Kritikët mund të supozojnë se Kristol dhe neocon-ët kanë marrë një pozicion të pasulmueshëm, që u mundëson atyre të rivendikojnë merita në rast se përpjekja luftarake e Obamës ka sukses apo të akuzojnë masat gjysmake të adoptuara nga demokratët atëhere kur gjërat të ecin keq. Por a nuk mund të jetë, siç ka sugjeruar Jacob Heilbrunn, që mendimi neokonservator të mos jetë kufizuar në fitimin e republikanëve, por se mund të ketë infiltruar edhe midis demokratëve?

Një funksionar i administratës Obama qesh me vete me idenë se neocon-ët kanë mundur të influencojnë vendimet e Presidentit, sidomos përsa i përket Afganistanit. "Mund të ndjehen të shpaguar, thotë ai, por nëqoftëse është kështu, atëhere le ta pranojnë faktin se administrata që ato kanë mbështetur në mënyrë religjioze ka gabuar gjithçka". Kjo patjetër që është e vërtetë. Ama me dy luftëra që vazhdojnë, me kamikazë aspirues që mbushin të brendshmet me eksploziv, me agjentë që bëjnë lojë dyfishe të cilët bëjnë gallatë me agjentët e CIA-s, me centrifugat e ajatollahëve që vazhdojnë të rrotullohen...

Me fjalë të tjera, me të gjitha problemet në Lindjen e Mesme dhe jo vetëm që duken gjithnjë e më shumë jashtë kontrollit, amerikanët mund të bëhen akoma më shumë të padurueshëm për diplomaci e dialog dhe sfumatura, pikërisht siç po bëhen gjithnjë e më shumë të zhgënjyer ndaj politikës së brendshme të Obamës. Neokonservatorizmi është i shëndoshë si kokrra e mollës dhe, falë sigurive të tij, sharmit të tij, megjithëse i ndihmuar, ndoshta, nga një ndryshim oportunmirë, ka shumë mundësi që do të vazhdojë të rritet.

Përgatiti

ARMIN TIRANA

 

Google+ Followers