Napoleoni dhe Jozefina


Mes zemrës dhe shtetit

Kantautori belg Jacques Brel, duhet të ketë menduar edhe për ta kur ka shkruajtur në vitet gjashtëdhjetë këngën Chanson des vieux amants, historia e dy të dashurve që pas një jete sentimentale plot mundim, vazhdonin të deklaronin dashurinë e tyre.

Napoleoni dhe Jozefina Beuharnais, çifti i ardhshëm perandorak i Francës, ndonëse asnjëri nuk ishte francez në origjinë, jetuan një dashuri "politikisht jokorrekte": romantike, me tipare cinike, madhështore dhe mizerabël në të njëjtën kohë. Ai që bashkonte ishte një pasion dhe një temperament nervoz dhe egocentrik. Ndërsa ato që i ndanin ishin disa të dashura, por mbi të gjitha arsye shtetërore si dhe një natyrë sentimentale e jashtëzakonshme.

E ëmbël, e çlirët

U takuan në periudhën republikane, dy vite pas ekzekutimit në gijotinë të Luigjit XVI dhe Mari Antuanetës. Ai ishte 26 vjeç, ajo 32. Me origjinë nga Antilet franceze, në Francë që në moshën 15-vjeçare, Jozefina ishte një vejushë me dy fëmijë, pasi në vitin 1794 i shoqi, viskonti Aleksandër ishte dënuar me vdekje si kundër revolucionar.

Pak e prirur që të niste zinë e ti kushtohej një jete të mbyllur, ajo u paraqit në shoqëritë franceze si femme du monde. Me një pamje të ëmbël, ajo shfaqi shumë shpejt tiparet e saj kapriçoze e nervoze. Nuk dinte ti thoshte jo luksit: donte shumë ushqimin ekzotik dhe koleksiononte lule të rralla, ndërkohë që veshjet i kishte gjithmonë shumë të kushtueshme. Duke shfrytëzuar temperamentin e saj shumë ambicioz, arriti që të bëjë përpara në sallonet parizienë, duke u bërë e dashura e Paul Barras (që më vonë do të mbështeste martesën e saj me Bonapartin). "Gjithmonë e sjellshme, joshëse, shoqëruesja më e dashur dhe simpatike, me një butësi të jashtëzakonshme jo vetëm në pamje, por edhe në vetë tonin e zërit", thoshte për të një dëshmitar i kohës.

Takimi fatal

Ai që e takoi me Napoleonin ishte djali më i vogël i Jozefinës, Eugjeni, nënmbret i ardhshëm i Italisë. Një ditë e solli tek Bonaparti për të rimarrë shpatën e të atit që ishte sekuestruar nga ushtarët gjatë viteve të Terrorit (regjimi policesk që u instalua pas revolucionit në vitet 1793-1794). Gjenerali, i prekur e pranoi kërkesën dhe kur e ëma e djalit erdhi për ta falenderuar, mbeti i magjepsur.

Ajo fillimisht demonstroi se nuk jepej. Me shoqet e saj e shante, por pas disa muajsh ra dakord që të martohet me të. Në 9 mars të vitit 1796 u celebrua martesa civile dhe Bonaparti adoptoi fëmijët e saj, Eugjenin dhe Ortensian (bashkëshorte e ardhshme e Luigjit, vëllai i Napoleonit, dhe nënë e Napoleonit III). Muaji i mjaltit zgjati vetëm 36 orë: Napoleonit sapo i ishte besuar komanda e Armatës së Italisë që do ta udhëhiqte përtej alpeve.

Romantik dhe xheloz

Që nga Italia, si një dashnor pasionant romanesh ai i dërgonte letra dashurie me këtë lloj toni: "Ti je mendimi i vetëm i jetës sime, kur jam i shqetësuar nga situatat që më ushtrojnë trysni, kur jam i shqetësuar për rezultatin, kur jam gati që të mallkoj jetën, atëherë vë dorën në zemër, sepse ajo rreh nën mendimin e portretit tënd". Ai i dërgonte asaj dy letra në ditë. Shpesh herë, toni i butë i përgjigjeve e zhyste në dëshpërim. "Ti më do më pak", thërriste. "Si duket e gjen ngushëllimin diku tjetër; një ditë do të pushosh së më dashuruari".

Xhelozia e gjeneralit nuk ishte pa baza: dy muaj pas martesës, Jozefina u dashurua me tenentin Hipolit Karl, 9 vjet më i ri se ajo. Aq sa kur ajo pranoi që të shkonte tek Napoleoni në Itali, në grupin e shoqërimit prej tre karfocash dhe një roje me kalë bënte pjesë edhe Karl.

Se si, nga premisa të tilla mundi të lindë një lidhje me kaq shumë pasion kjo gjë është shumë misterioze, ashtu si vetëm dashuria mund të jetë ndonjëherë. Pasi mësoi për tenentin Karl, Napoleoni ia ktheu Jozefinës me të njëjtën monedhë, duke e tradhëtuar gjatë fushatës së Egjiptit në 1798 me Polinë Fores, bashkëshortja e një ushtari të ri.

Lajmi për një ndarje të mundshme nisi të qarkullojë në të gjithë Francën: disa letra konfidenciale mbi këtë argument, që Napoleoni i dërgoi Jozefinës u kapën prej anglezëve dhe u bënë publike në Londër. Shumë kopje mbërritën deri në Francë dhe me rikthimin nga Egjipti, gjenerali i ndodhur përballë lotëve të saj hoqi dorë nga mundësia e ndarjes. Pikërisht pas kësaj krize, lidhja e tyre u konsolidua: Që nga ai moment, Jozefina ishte në fakt më e dashur, e magjepsur më në fund nga natyra e vendosur e të shoqit. Dhe ai kuptoi se, vetëm tek ajo gjente forcën për të përballuar me kurajë sipërmarrjet e tij. Duket madje se, Napoleoni e konsideronte atë thuajse një talisman fatsjellës. Një ide e ngulitur kjo ndoshta prej Madamë Normand, fallxhore që Jozefina e dëgjonte shumë. Në fakt, në vjeshtën e 1799 Bonapartit i doli me sukses grushtit të shtetit. Dhe në vitin 1802, një plebishit i hapi rrugën e konsullit të përjetshëm dhe të trashëgimit të perandorisë.

Pa trashëgimtarë

Megjithatë, ky lajm trazoi Jozefinën. Jo vetëm se e dinte që ishte e vështirë t'i jepte një trashëgimtar Napoleonit, por edhe se kish frikë që klani i Bonapartëve, që udhëhiqej nga vjehrra, Leticia Ramolino, ngaherë kundër asaj martese, i sugjeronte Napoleonit bashkimin me një grua më të re. Dyshimi u transformua në një xhelozi në rritje. Veç kësaj, Polinë nuk ishte e vetmja dashnore e Napoleonit. Gjatë fushatës së dytë në Itali në vitin 1800, konsulli i parë u dha para magjepsjes së një tjetër Jozefine, e famshmja këngëtare lirike Grasini, një yll i "La Scala"-s si dhe aktore e opera-comique. Pa harruar këtu gratë e shumta të shtëpisë, duke përfshirë edhe shoqëruese të Jozefinës. Këto tradhëti mesa duket nuk konsideroheshin diçka serioze nga ana e Bonapartit, që megjithatë vazhdonte t'i kushtonte vëmendje të madhe Jozefinës (duke përfshirë edhe faktin që duronte qenin e saj në shtrat). Në 2 dhjetor 1804, kur u emërua Perandor në Notre-dame, i vendosi asaj ai vetë kurorën e perandoreshës së francezëve.

Në oborr

Ndërkohë që me sukseset e tij ushtarake, Bonaparti rivendoste kufijtë e Europës, jeta në oborr vazhdonte pa trazira. Në mungesë të bashkëshortit, Jozefina e kalonte një pjesë të madhe të ditës me gratë e shoqërimit, pa hequr dorë nga lukset gjithnjë e më ekstreme: sipas një inventari të vitit 1809, perandoresha kishte një mijë fustane. Për të mos folur për koleksionin e jashtëzakonshëm të këpucëve dhe më shumë se 200 kapelet.

Kur kthehej perandori, një prej mënyrave të tyre të preferuara për të kaluar kohën ishte të shkonin në ballo apo koncerte. Ai, sipas rrëfimeve të dëshmitarëve, e vëzhgonte me admirim si në kohët e para. Dukesha d'Abrantes, e pranishme në kështjellën e Saint-Claud gjatë një pritjeje në 1806 tregonte: "Ishte e qartë që perandori kish mbetur i mrekulluar ashtu si dhe unë nga ajo në tërësi, pasi u drejtua nga ajo sapo hyri në sallë, e puthi në sup dhe në ballë dhe e shoqëroi deri tek pasqyra pranë shkallëve, me qëllim që të kish mundësi ta shihte nga të gjithë anët njëkohësisht".

Arsye shtetërore

Ndryshimi erdhi tre vite më vonë. Napoleoni sapo kishte firmosur marrëveshjen e paqes së Tilsit (1807) me Carin Aleksander I të Rusisë dhe Mbretin Frederik Gulielm të Prusisë dhe, në kulmin e suksesit, dukej se asgjë nuk mund të frenonte ambiciet e tij dinastike. Në nëntor të vitit 1809 vendosi të mos e thyejë më atë vendim: duhej të kishte një trashëgimtar të ligjshëm, domethënë një tjetër bashkëshorte. Pas një përzgjedhjeje të gjatë dhe të kudjesshme, i hodhi sytë tek Mari Luiza e Austrisë. Martesa vuloste kështu edhe paqen e Vienës të vendosur mes dy perandorive në 1809.

Pas ndarjes, ish-perandoreshës iu ofruan shumë përfitime, mes të cilave prona në Malmaison si dhe përdorimi ekskluziv i Pallatit të Elizesë. Por asgjë nuk e kompensonte dhimbjen e braktisjes. Thuhet se, që nga momenti i firmosjes së aktit të divorcit, duke ngashëryer. Ndërsa ai e ngushëlloi në këtë mënyrë: "Eja, eja, Jozefinë, dashuria ime, mos bjer në këtë mënyrë. Eja, eja, duhet të jesh kurajoze! Do të jem gjithmonë miku yt!"

Gjithnjë në zemër

Perandori u martua sërish në 1810. Kur vdiq, në 5 maj të 11 viteve më vonë në Ishullin e Shën Helenës, mos vallë vazhdonte të mendonte për të? Ndoshta po. Sipas legjendës, në fjalët e fundit ai përmblodhi tre dashuritë e mëdha të jetës së tij: la France, les armees, Josephine... Franca, ushtria, Jozefina.

Google+ Followers