Nacionalizmi, nga ndjenjë e natyrshme në lëvizje politike

Në gjysmën e parë të Tetëqindës, ideja e kombit nënkuptohet si komunitet i aftë për të bashkekzistuar paqësisht me të tjerat. Por në gjysmën e dytë të shekullit, shovinizmi dhe konceptet e supremacisë raciale ia ndryshkin parimet


Evolucioni i doktrinave politike në historinë moderne dhe bashkëkohore shpesh ka çuar që të asociiohen me nacionalizmin komponente ideologjike joliberale, antidemokratike dhe deri antisemite. Në realitet, disa prej parimeve kushtetuese të nacionalizmit u përkasin ndjenjave më të lashta dhe më fillestare të njerëzve: mjafton të mendohet për qëndrimin natyror për të dashur vendlindjen apo vendin në të cilin kalohet fëmijëria, preferenca për gjuhën e nënës, për doket dhe zakonet e atdheut, ashtu si tendenca për të qenë krenarë për stilin tënd të jetesës, duke i shikuar ato të të tjerëve nga lart poshtë apo me përbuzje.

Akoma, në gjysmën e parë të Tetëqindës, nacionalizmi i referohet një ideje supreme të kombit, i nënkuptuar si komunitet që bashkekziston paqësisht me kombet e tjera. Për shembull, në mendimin e Giuseppe Mazzini, koncepti i "kombit" nuk merr konotacione imperialiste, por lidhet me aksioma të tjera (të tilla si "detyra", "ideali", "asociimi"), për të nënvizuar prioritetet e nevojave të vetë kombit, i nënkuptuar këtu si solidaritet i detyrueshëm midis individëve respektivisht nevojave individuale. Më parë akoma se Mazzini, në Shtatëqindën, Johann Gottfried Herder theksonte se, popujt janë individualitete që zhvillohen në mënyrë organike dhe, për pasojë, krijesa të Zotit që diferencohen nga individualitetet e tjera nëpërmjet një fati dhe detyre të përbashkët.

Sipas Herder, në bazë të kushteve të veta specifike, çdo popull ka detyrime dhe përgjegjësi të caktuara, të cilave askush nuk mund t'ua pengojë zhvillimin. Jemi akoma në fushën e një nacionalizmi ekskluzivisht kulturor, një lloj emancipimi politik të patriotizmit tradicional, duke parë se individualitetet e ndryshme historike konsiderohet të gjitha njëlloj të shenjtë dhe të respektueshëm, pasi historia e njerëzimit, për Herder, ishte rruga e Zotit nëpërmjet kombeve. Këto konsideroheshin akoma si entitete civile dhe kulturore të bashkuara nga të drejta të përcaktuara dhe karakteristika ekuivalente. Një formë e tillë nacionalizimi i kish ardhur shumë për komod përpjekjes së çlirimit kombëtar në Itali e në Gjermani.

Por më pas kolonializmi, kontestimi i liberalizimit dhe i demokracisë dhe tendencat imperialiste i lëkund karakteristikat e nacionalizimit të orës së parë, duke e bërë agresiv, të dhunshëm, diktatorial dhe intolerant. Pothuajse kudo, tezat liberale u zëvendësuan nga konceptime luftarake, edhe nëpërmjet transferimit të ideve të Darvinit në jetën sociale. Në këtë mënyrë, nacionalizimi, ideologjia e të cilit kishte arritur të përfshinte një numër të madh popujsh, rrezikoi sidomos në tri dekadat e fundit të shekullit të XIX-të që të rrëshqasë në shovinizëm, domethënë në atë qëndrim që merr në konsideratë vetëm interesin personal në kurriz të të tjerëve. Në fund të Tetëqindës, tendenca të tilla konvergojnë në fraksionet politike të së djathtës autoritare, në polemikë sa me parlamentarizmin, aq edhe me socializmin.

Në Gjermani, konceptet e "kombit" dhe sidomos të "popullit" (Volk) u konceptuan si entitete autonome dhe të pjekura qysh përpara bashkimit. Megjithëse liberal, Ernst Moritz Arndt filloi të flasë për gjermanët si për një popull që posedon "pastërti gjuhe" dhe "pastërti race". Veç kësaj, filloi të përhapej teza sipas së cilës populli gjerman kish fituar një rol veçanërisht të rëndësishëm në procesin historik. Gjatë të gjithë Tetëqindës, apeli për një të kaluar të shkëlqyer qe një temë aktuale e nacionalizmit, që pati tek Johann Gottlieb Fichte një prej eksponentëve më të mirë të tij. Tek Diskutime për kombin gjerman, Fichte, i mbetur thellësisht i impresionuar nga Revolucioni Francez, i konsideruar si shprehja më e lartë e afirmimit të lirë të individit, i quante gjermanët si popullin tek i cili ishte në mënyrën më domethënëse fara e perfeksionimit njerëzor. Në bazë të këtij virtyti u takonte pikërisht gjermanëve detyra që të kontribuonin në zhvillimin e progresit të përgjithshëm. Sipas Fichte, në Gjermani gjendej populli fillestar i degës evropiane, populli par excellance, që kish ruajtur gjuhën e tij origjinale dhe që, edhe për këtë, posedonte jetën shpirtërore më të thellë dhe më autentike. Bile Fichte shkoi përtej idesë së pastërtisë etnike, duke individualizuar tek ai gjerman "një popull shumë të lashtë" (Ur-Volk) me një gjuhë shumë të lashtë (Ur-Sprache), i destinuar në mënyrë metafizike që të bëhej drejtuesi i botës. Filozofi përshëndeste ardhjen e një brezi të ri gjermanësh dhe shpallte se, vetëm Gjermania ishte kombi shpirtërisht "i zgjedhur" për të realizuar "njerëzimin midis njerëzve". Një ide e tillë është e gjetshme edhe tek Hegel, i cili fliste për "shpirtin e botës" (Weltgeist) të mishëruar tek gjermanët.

Së fundi, pangjermanizmi përmblodhi tërësinë e tendencave politike autoritare dhe imperialiste të mbështetura mbi idenë e një superioriteti biologjik dhe etnik të shpallur të popullit gjerman. Edhe pse jo veçanërisht të shumtë në numër, pangjermanistët ushtruan një influencë të konsiderueshme në mjedisin politik të mesit të Tetëqindës. Teorizonin rigjallërimin dhe forcimin e idesë patriotike të vendit të tyre, mbështetjen ndaj aspiratave nacionaliste në të gjitha anët e tokës dhe inkurajimin e një politike energjike, të prirur ndaj ruajtjes së interesave gjermane në Europë dhe në botë. Ernst Hasse, për një kohë të gjatë eksponent i spikatur i pangjermanizmit, mendonte se populli, i konsideruar elementi i vetëm jetëgjatë gjatë zhvillimit mijëvjeçar, mund t'u rezistonte ndryshimeve vetëm nëqoftëse ishte i madh, i fuqishëm dhe i lirë. Por, kthesa drejt një nacionalizmi pangjermanik të deklarueshëm racist ka ndodhur vetëm në fillimin e Tetëqindës me Friedrich Ludwig Jahn i cili, në urrejtje të pushtimit francez dhe sulmeve të vazhdueshme ushtarake napoleonike në Gjermani, përpunoi teorinë supreme të popullit gjerman, "pastërtinë biologjike", për t'u ruajtur edhe nëpërmjet një politike izolimi absolut botëror.

Projekti i bashkimit kombëtar i zbatuar nga Bismarck i theksoi komponentët autoritare dhe militariste: u bënë gjithnjë e më shumë të pranishëm mitet e fuqisë dhe të forcës luftarake (edhe pse të maskuara nga nostalgji romantike ekspansioni mesjetar), të shoqëruara nga refuzimi i parimeve të liberalizmit dhe të demokracisë. Nga ana tjetër, Gjermania kishte arritur vonë të bëhej pjesë e fuqive kryesore evropiane dhe, për shkak të bashkimit të vonuar, nuk kishte arritur të imponohej në lëmin kolonial. E gjitha kjo kishte kontribuar në izolimin diplomatik të vendit dhe kish ushqyer mërinë e një numri gjithnjë e më të madh nacionalistësh ndaj Francës dhe Britanisë së Madhe.

Në agimin e Nëntqindës po vinte duke u maturuar një konceptim organik i shoqërisë, në të cilën vlerat individuale zhdukeshin për t'ia lënë vendin disiplinës, ndjenjës së grupit të lidhur me lidhje gjaku, e kombit autonom bartës parimesh etike, shtetit që realizon misionin e vet qytetërues me një politikë force, pushtimi dhe ekspansioni territorial. Qenë shumë (midis të cilëve eksploratori vjenez Karl Scherzer, historiani gjerman Heinrich von Treitschke, sociologu Lorenz von Stein) ata që besonin se indianët apo mongolët qenë të destinuar që të dominoheshin nga raca ariane. Doktrina nacionaliste takon kështu kulturën völkisch, trashëgimtare "jolegjitime" e romanticizmit gjerman, duke i dhënë kështu jetë një forme popullzimi kulturor dhe filozofik. Volk-u merr kështu një esencë trashendentale dhe identifikohet me gjithë atë konceptohet si pozitive: rishfaqet me veshje të reja tema e kthimit tek toka, e nënkuptuar si vendstrehim në natyrë dhe refuzim i materializmit, pjellë e urbanizimit dhe e kozmopolitizmit. Objektivi bëhet kështu ai i imponimit të një pastrimi kulturor dhe i një uniteti social në popullsitë që i përkasin të njëjtës degë etnike. Midis viteve 1880 e 1900 shumohen në brendësi të shoqërisë gjermane shoqatat nacionaliste të vullnetarëve (Lidhja pangjermane, Lidhja e ushtrisë, Lidhja detare, Shoqëria koloniale gjermane, Bashkim gjerman i markave lindore): këto i bëjnë të tyret teoritë mistike të racizmit nordik dhe të antisemitizmit, edhe pse mbështetja e popullsisë do të arrijë vetëm në dekadat e para të Nëntëqindës. Nën drejtimin e Bismarck, gjatë të cilit u promovuan ligje speciale kundër katolikëve dhe socialistëve, të damkosur si armiq të Perandorisë, synimet ekspansioniste të pangjermanistëve u mbajtën nën kontroll nga realizmi politik i Kancelarit gjerman, i cili synonte që të ruante raportet e reja të forcës ndërshtetërore të favorshme ndaj Rajhut. Por, me Vilhelmin e II-të pangjermanizmi përfundoi për t'u organizuar politikisht, duke u rreshtuar midis ndërhyrësve në rastin e Luftës së Parë Botërore. I dalë i humbur, u rishfaq në historinë gjermane në versionin më ekstremist të tij, duke kontribuar në zhvillimin e nacionalsocializmit.

Edhe në Itali, doktrina nacionaliste mori një fizionomi të mirëpërcaktuar në Tetëqindën, në periudhë rilindëse. Idea e fatit superior historik të Italisë, e konsideruar bartëse qytetërimi edhe në kohën e sotme, ashtu siç kish qenë në të kaluarën, shfaqet tek Vincenzo Gioberti. Në veprën e tij, Primat moral dhe civil i italianëve i bëhet referim rilançimit të salltaneteve të antikitetit romak, në shoqëri me zhvillimin e kolonializmit të fuqive të mëdha europiane. Nga një "nacionalizëm i parë", i nënkuptuar në periudhën e Rilindjes si ndjenjë nacionaliteti e prirur ndaj çlirimit nga shtypja e të huajit, dëshirohet kalimi në një "nacionalizëm të dytë", në të cilin shfaqen pretendimet imperialiste ndaj fuqive të tjera. Një kontribut tjetër domethënës jepet nga Alfredo Oriani. Në veprën Deri në Dogali, shkrimtari shpjegon se, nëqoftëse Italia me Rilindjen është bërë komb, kjo ndodh sepse bota ka nevojë për kontributin e tij për progresin civil të njerëzimit. Kolonializmi italian është kështu një detyrim, një mision që historia universale i ka caktuar historisë së saj në veçanti. Masakra e Dogalit e 26 janarit 1887 imponon detyrën e vazhdimit të veprës së atyre që kanë rënë, duke vulosur fatin italian në Afrikë. Tek Revolta ideale e tij, Oriani shton se për italianët madhështia e së kaluarës kushtëzon të ardhmen, duke i imponuar një perspektivë madhështie. Italia ka fituar përgjegjësi të reja perandorake, duke rivendikuar një origjinalitet të sajin. Kështu, pas asaj të Çezarëve dhe të Papëve, profilohet një Itali e Tretë.

Në vitet e para të Nëntëqindës, një pjesë e mirë e elitës kulturore ishte e gatshme të aderonte në kauzën e nacionalizimit militant dhe agresiv. Sigurisht i denjë për t'u përmendur lidhur me këtë është lëvizja futuriste, e lindur në shkurt të vitit 1909. Tek Manifesti i futurizmit Filippo Tommaso Marinetti ekzaltonte instiktin, dhunën, dinamizmin, shpejtësinë, rrezikun dhe deri luftën, e konsideruar "higjiena e vetme e botës". Futurizmi bëhet edhe një parti politike me shumë program: seksionet e para u ngritën në dhjetor të 1918 me emrin e "fashove futuriste". Analogjitë me më të njohurat "fasho luftarake" nuk do të kufizohen vetëm tek terminologjia, por do t'i përkasin edhe modelit të shoqërisë konceptuar, që parashikonte abrogimin e monarkisë, arsimin fillor të detyrueshëm, asistencën dhe përkrahjen për punëtorët. Ndërkohë, në vitin 1910 Enrico Corradini dhe Luigi Federzoni themelojnë partinë e parë politike nacionaliste italiane, domethënë Shoqatën Nacionaliste Italiane (ANI). Duhej të fillohej kështu ai revolucion kombëtar i aftë që të bashkonte të gjithë italianët në një vend të pasur, të fortë e modern. Fillimisht partia mblidhte grupe heterogjene, por qysh pas kongreseve të parë, ju bë e qartë të gjithëve shfaqja e komponentes autoritare të së djathtës ekstreme, që synonte të impononte modelin e një shteti korporativ të privuar nga Parlamenti, por të përbërë nga një asamble përfaqësuese grupesh me interesa ekonomike. Respektivisht numrit më shumë të kufizuar të anëtarëve, influenca e ANI-t qe veçanërisht domethënëse: nacionalistët arritën që të lidhin marrëveshje me sektorë të rëndësishëm të borgjezisë së lartë, të ekonomisë dhe të institucioneve, u pajisën me një organ zyrtar, Il Regno, më pas i zëvendësuar nga L'idea Nazionale, mbështetën dëshirat formale ekspansioniste në rastin e luftës së Libisë midis viteve 1911 e 1912, duke mbështetur një ndërhyrje të dhunshme. Pas Luftës së Parë Botërore, nacionalistët i rënduan parimet e kombit dhe të shtetësisë, duke mbështetur kauzën e "fitores së gjymtuar": shprehje që u bë nga Gabriele D'Annunzio për të nxjerrë në pah padrejtësinë e kryer Italisë nga ana e vendeve të Antantës, fajtorë që i qenë shmangur Traktatit të Londrës. Më 8 shtator 1920 hyn në fuqi Karta e Karnaros, në të cilën D'Annunzio sanksionon italianitetin e qytetit Fiume.

Në Francë, nacionalizmin jakobin të fundit të Shtatëqindës, i markës së qartë demokratike, e ka zëvendësuar Lidhja e Patriotëve autoritare e Paul Déroulède, që u bashkua me një lëvizje tjetër populiste masive Boulangizmin (nga emri i Georges Boulanger, gjeneral karizmatik i ushtrisë franceze, idhtar i një nacionalizmi radikal dhe revanshist). Të mbështetur nga monarkistët, siguruan në periudhën 1888 - 1889 fitore elektorale të rëndësishme, duke kontestuar republikën parlamentare franceze: por kjo reagoi në mënyrë të vendosur, e zhduku lëvizjen dhe theksoi pas "aferës Dreyfus" superioritetin politik të saj ndaj korrenteve ekstremiste të djathta. Këto të fundit gjetën limfë të re rreth figurës së Maurice Barrès, shkrimtar dhe politikan i afërt me Lidhjen e Patriotëve, fillimisht estet i vetvetes, ashpërsoi karakteret e nacionalizmit francez dhe në fazën më radikale të tij përdori edhe atë të racizmit darvinist dhe atë antisemitizëm të zjarrtë fort mirë të pranishëm në Francë nga fundi i shekullit të XIX-të. Pati kontakte me eksponentin tjetër të lartë nacionalist të epokës, Charles Maurras, por refuzoi që të hyjë e të bëhet pjesë e Action Française, organizata e vetme autoritare e markës së qartë monarkiste që mbijetoi në Francë deri në Luftën e Dytë Botërore. Duke filluar nga viti 1908, pikërisht nga faqet e Action Française, që ndërkohë ishte bërë një gazetë e përditshme, hidheshin projektet e një shteti tradicionalist monarkik me një komponentë të fortë korporativiste. Në këtë mënyrë, kombinoheshin të gjitha tendencat ideologjike të Tetëqindës franceze me urdhërimet e nacionalizmit jotolerant dhe antisemit. Nga nëntori i vitit 1908, shoqata pajiset edhe me një krah të armatosur në kuptimin e vërtetë të fjalës, i përbërë nga Camelots du roi, që në vitet e mëpasëm do të bëhen të njohur për demonstrimet dhe grindjet me liberalët dhe eksponentët e majtë. Për aktivizmin e tij, Action Française u dënua nga Kisha Katolike, Maurras u shkishërua nga Papa Piu i XI-të në vitin 1927, por kjo nuk e pengoi lëvizjen që të përpunonte një program ekonomik dhe të paraqitej qysh nga fillimi si një pararendëse e doktrinave fashiste. Lidhur me këtë, historiani gjerman Ernst Nolte do ta fusë Action Française tek Tre fytyrat e fashizmit të tij, duke theksuar se "sistemi i mendimit maurrasian, pavarësisht ngurtësisë doktrinare të tij, është i një gjerësie, i një kthjelltësie dhe i një thellësie të tillë, të cilës nuk i gjendet shoku në Gjermaninë dhe në Italinë bashkëkohore".

Në pasluftën e parë në Itali dhe në Gjermani, nacionalizmi luajti një rol themelor në përpunimin e ideologjive të fashizmave në pushtet. Veç kësaj, përvoja e maturuar me Luftën e Madhe i kish vënë në provë të vështirë sistemet e reja parlamentare europiane. Forma të reja mobilizimi masiv bënin që të lindte një epokë historike revolucionare, e dalluar në lëmin politik nga një shtim i konsiderueshëm i pushtetit shtetëror dhe nga tendenca drejt qeverish autoritare, në kurriz të lirive civile të qytetarëve. Qysh duke filluar nga vitet e para të Nëntëqindës asistojmë në barbarizimin e sjelljes sociale dhe politike, në afirmimin e racizmit, të antisemitizmit, të dhunës dhe të propagandës agresive, në vrasjet sistematike masive dhe në genocidet, me deklasimin pasues të vlerave të liberalizmit dhe të humanitarizmit. Kushtet e paqes të imponuara në Versajë, bashkuar me poshtërimin e Gjermanisë, do të ushqejnë tensionet, duke i fryrë zjarrit të atyre totalitarizmave që do të tërheqin Europën dhe botën brenda në Luftën e Dytë Botërore.

Përgatiti

ARMIN TIRANA

Google+ Followers