Mite të Revolucionit amerikan

Ne mendojmë se e njohim Luftën Revolucionare. Në fund të fundit, Revolucioni amerikan dhe lufta që shoqëroi atë jo vetëm që përcaktuan kombin që do të krijohej, por gjithashtu vazhdoi të përcaktojë atë se cilët jemi


George Washington pavarësisht dështimeve ishte çelësi i fitores

Ne mendojmë se e njohim Luftën Revolucionare. Në fund të fundit, Revolucioni amerikan dhe lufta që shoqëroi atë, jo vetëm që përcaktuan kombin që do të krijohej, por gjithashtu vazhdoi të përcaktojë atë se cilët jemi. Deklarata e Pavarësisë, Midnight Ride, Valley Forge - e gjithë kronika e lavdishme e rebelimit të kolonëve kundër tiranisë është në ADN-në amerikane. Shpesh është revolucioni, ai që është pjellë e ndeshjes së parë me historinë.

Megjithatë, shumë e saj që ne dimë nuk është plotësisht e vërtetë. Ndoshta më shumë se çdo moment përcaktues në historinë amerikane, Lufta e Pavarësisë është e mbështjellë me besime jo të lindura nga faktet. Këtu, me qëllim që të formohet një kuptim më i mirë, mitet më domethënëse të Luftës revolucionare janë rivlerësuar.

I. Britania e Madhe nuk e dinte se në çfarë po hynte

Gjatë përpjekjes së gjatë dhe të pasuksesshme të Anglisë për të shtypur Revolucionin amerikan, u krijua miti se qeveria e saj, nën Kryeministrin Frederick, Lordi North, kish vepruar me nxitim. Akuza që qarkullonin në atë kohë - më pas të shndërruara në bindje të përgjithshme - thonin se liderët politikë të vendit kishin dështuar në kuptimin e rëndësisë së sfidës.

Aktualisht, kabineti britanik, i përbërë prej pothuajse një shpurë ministrash, fillimisht konsideroi që t'i drejtohej forcës ushtarake qysh në janar të vitit 1774, kur fjala Boston Tea Party arriti Londrën. (Kujto se me 16 dhjetor 1773, protestuesit u ishin ngjitur anijeve britanike në Boston Harbor dhe kishin shkatërruar ngarkesat e çajit në vend që të paguanin një taksë të imponuar nga Parlamenti). Në kundërshtim me besimin popullor të atëhershëm dhe të sotshëm, qeveria e Lordit North nuk ju përgjigj në mënyrë impulsive lajmeve. Gjatë fillimit të 1774, Kryeministri dhe kabineti i tij u angazhuan në një debat të gjatë lidhur me faktin nëse veprimet shtrënguese do të çonin në luftë. Gjithashtu u mor në konsideratë një pyetje e dytë: A mund ta fitonte Britania një luftë të tillë?

Në mars të vitit 1774, qeveria North kish vendosur për masa ndëshkuese që ishin pak larg nga deklarimi i luftës. Parlamenti miratoi Coercive Acts - apo Intolerable Acts, siç i quanin ato amerikanët - dhe e zbatuan legjislacionin vetëm për shtetin Massachusetts, me qëllim që të ndëshkonin koloninë për aktet provokuese të saj. Veprimi kryesor i Britanisë ishte që të mbyllej Boston Harbor derikur çaji të ishte shpërblyer. Gjithashtu, Anglia vendosi Gjeneralin Thomas Gage, komandant i Ushtrisë britanike në Amerikë, si Guvernator të kolonisë. Politikanët në Londër zgjodhën që të ndiqnin këshillën e Gage, i cili deklaronte se kolonët e supozuar "luanë ndërsa janë qengja, por, nëqoftëse marrim anën e vendosur, ata do të jenë shumë të urtë".

Sigurisht, Britania i bëri shumë keq hesapet. Në shtator të vitit 1774, kolonët mblodhën Kongresin e Parë Kontinental në Philadelphia; anëtarët e tij votuan që t'i vinin embargo tregtisë britanike derikur të gjitha taksat dhe Coercive Acts britanike të hiqeshin. Lajmet për këtë votim e arritën Londrën në muajin dhjetor. Një raund i dytë diskutimesh brenda kabinetit North vazhduan për pothuajse 6 javë.

Gjatë diskutimeve të tij, qeveria North ra dakord në një pikë: amerikanët do të paraqisnin pak probleme në rast lufte. Amerikanët nuk kishin as ushtri të rregullt, as flotë; pak ndër ta qenë oficerë me përvojë. Britania posedonte një ushtri profesioniste dhe flotën më të madhe të botës. Veç kësaj, kolonët nuk kishin pothuajse asnjë histori bashkëpunimi me njëri tjetrin, qoftë edhe përballë rrezikut. Për më tepër, shumë në kabinet qenë të influencuar nga vlerësimet negative të ushtarëve amerikanë të bëra nga oficerët britanikë në luftërat e mëparshme. Për shembull, gjatë kluftërave franceze dhe indiane (1754 - 1763), Gjeneral Brigade James Wolfe i kish përshkruar ushtarët amerikanë si "qenër frikacakë". Henry Ellis, Guvernatori Mbretëror i Georgia, pothuajse në të njëjtën kohë vlerësonte se kolonët qenë "specie luftëtarësh të mjerë" të prirur për "një dëshirë heroizmi".

Megjithatë, ndërsa debati vazhdonte, skeptikët, sidomos në ushtrinë dhe flotën britanike, ngrinin pikëpyetje të vështira. A mundej flota britanike të bllokonte bregdetin amerikan1000 milje të gjatë? A nuk mundeshin 2 milionë kolonë të lirë të krijonin një forcë prej 100000 ushtarësh - qytetarë, pothuajse 4 herë më shumë se madhësia e ushtrisë britanike në vitin 1775? A nuk mundej një ushtri amerikane e kësaj madhësie t'i zëvendësonte humbjet e saj më me lehtësi se ajo britanike? A ishte e mundur të furnizohej një ushtri që vepronte 3000 milje larg nga shtëpia e saj? A mundej Britania të nënshtronte një rebelim nëpër 13 koloni me një zonë 6 herë më të madhe se Anglia? A mund të operonte ushtria britanike thellë në territorin e Amerikës, larg nga bazat bregdetare të furnizimit? A do të falimentonte Britaninë një luftë e zgjatur? A do t'i ndihmonin rebelët amerikanë Franca dhe Spanja, armiqtë e vjetër të Anglisë? Apo rrezikonte Britania të fillonte një luftë më të gjerë?

Pas mbledhjes së Kongresit Kontinental, Mbreti George III u tha ministrave të tij se, "goditjet duhet të vendosin" nëse amerikanët "nënshtrohen apo triumfojnë".

Qeveria North ra, dakord. Të tërhiqeshin, besonin ministrat, do të thoje që të humbeshin kolonitë. Me besim në superioritetin dërrmues ushtarak të Britanisë dhe plot shpresë se rezistenca koloniale do të binte pas një apo dy humbjesh poshtëruese, ata zgjodhën luftën. Konti Dartmouth, i cili ishte Sekretari amerikan, urdhëroi Gjeneralin Gage që të përdorte "një forcë energjike luftarake" për të shtypur rebelimin në Massachusetts. Rezistenca nga Bay Colony, deklaroi Dartmouth, "nuk mund të jetë shumë e fortë".

II. Amerikanët e të gjitha shtresave i rrëmbyen armët prej patriotizmit

Termi "shpirt i '76" i referohet zellit patriotik dhe gjithmonë duket sinonim me idenë se çdo kolon mashkull i aftë për luftë me vendosmëri shërbeu dhe vuajti gjatë luftës 8-vjeçare.

Padyshim, mobilizimi i parë në armë qe mbresëlënës. Kur Ushtria britanike marshoi doli nga Boston më 19 prill 1775, lajmëtarët me kuaj, përfshi argjendarin Paul Revere, u shpërndanë nëpër New England për të dhënë alarmin. Të thirrur nga rëniet e zjarrta të këmbanave të kishave, rezervistë nga fshatra të vegjël të panumërt nxituan drejt Concord në shtetin Massachusetts, ku forcat e rregullta britanike planifikonin të shkatërronin një arsenal rebel. Mijëra rezervistë arritën në kohë për të luftuar; 89 burra nga 23 qytete në Massachusetts u vranë apo u plagosën në atë ditë të parë të luftës, 19 prill 1775. Mëngjesin tjetër, Massachusetts kishte 12 regjimente në fushën e betejës. Connecticut shpejt mobilizoi një forcë prej 600 burrash, çereku i së cilës prej meshkujve në moshë për luftë. Brenda një jave, 16000 burra nga katër koloni të New England formuan një ushtri rrethuese jashtë Boston të pushtuar nga britanikët. Në qershor, Kongresi Kontinental mori nën komandë ushtrinë e New England, duke krijuar një forcë kombëtare, Ushtrinë Kontinentale. Pas kësaj, burrat anembanë Amerikës rrokën armët. U dukej forcave të rregullta britanike se çdo mashkull amerikan i aftë për luftë ishte bërë ushtar.

Por, ndërsa kolonët zbuluan sa i vështirë dhe i rrezikshëm mund të jetë shërbimi ushtarak, entuziazmi u zbeh. Shumë burra preferuan të qëndrojnë në shtëpi, në sigurinë e asaj që Gjenerali George Washington e përshkruante si "qëndrimi pranë oxhakut" i tyre. Herët në luftë, Washington shkruante se po e humbiste shpresën e "kompletimit të ushtrisë me rekrutime vullnetare". I vetëdijshëm se vullnetarët kishin vrapuar të rekrutoheshin kur filluan luftimet, Washington parashikonte se, "pasi të jenë shuar emocionet e para", ata që janë të gatshëm për të shërbyer për arsye besimi në "drejtësinë e kauzës" do të shkonin në pak më shumë se "një pikë në oqean". Kishte të drejtë. Teksa 1776 vazhdonte, shumë koloni u shtrënguan që të rekrutojnë ushtarë me oferta për para të thata, veshmbathje, kapota dhe leje të zgjatura apo rekrutime më të shkurtra sesa termi 1-vjeçar i shërbimit i përcaktuar nga Kongresi.

Vitin e ardhshëm, kur Kongresi mandatoi se burrat që mobilizoheshin duhet të nënshkruanin për 3 vjet apo për kohëzgjatjen e konfliktit, cilado që ndodhte më shpejt, ofrimi i parave në dorë dhe trojeve u bënë një domosodshmëri absolute. Gjenerali Washington kishte inkurajuar shërbimin e detyruar ushtarak, duke deklaruar se, "qeveria duhet që t'u drejtohet masave shtrënguese". Në prill të vitit 1777, Kongresi u rekomandoi shteteve një thirrje nën armë. Nga fundi i 1778, shumica e shteteve po mobilizonin njerëz kur kuotat e rekrutimit vullnetar të Kongresit nuk qenë plotësuar.

Veç kësaj, duke filluar më 1778, shtetet e New England dhe eventualisht të gjitha shtetet veriore, rekrutuan afroamerikanë, një praktikë, të cilën Kongresi fillimisht e kish ndaluar. Së fundmi, rreth 5000 zezakë mbajtën armët për Shtetet e Bashkuara, pothuajse 5 përqind e numrit të përgjithshëm të njerëzve që shërbyen në Ushtrinë Kontinentale. Ushtarët afroamerikanë dhanë një kontribut të rëndësishëm në fitoren përfundimtare të Amerikës. Në vitin 1781, Baroni Ludwig von Closen, një oficer veteran në Ushtrinë franceze, shënonte se "[regjimenti] më i mirë nën armë" në të gjithë Ushtrinë Kontinentale qe ai në të cilin 75 përqind e ushtarëve qenë afroamerikanë.

Rekrutimet më të gjata e ndryshuan rrënjësisht përbërjen e Ushtrisë Kontinentale. Trupat e Washington në periudhën 1775 - 1776 kishin përfaqësuar një copë përfaqësuese të popullsisë së meshkujve të lirë. Por pak që kishin ferma qenë të gatshme të shërbenin gjatë të gjithë kohës, duke i pasur frikën humbjes së pronës së tyre nëqoftëse kalonin vitet pa prodhuar të ardhura, nga të cilat të paguanin taksat. Pas vitit 1777, ushtari tipik kontinental ishte i ri, beqar, pa pronësi, i varfër dhe në shumë raste një varfanjak i mjerë. Në disa shtete, të tilla si Pennsylvania, deri 1 në 4 ushtarë qenë një emigrant i varfër i vonshëm. Patriotizmi mënjanë, paratë e thata dhe trojet ofronin një shans të paprecedent për një ndryshim statusi social për këta njerëz. Joseph Plumb Martin nga Milford i shtetit Connecticut, pranonte se ishte rekrutuar për para. Më vonë, ai do të sillte në mend llogaritë që kishte bërë në atë kohë: "Për aq kohë sa duhet të qëndroja, mund të përpiqesha të fitoja për kokën time sa të mundja". Për tri të katërtat e luftës, pak amerikanë të klasës së mesme qenë nën armë për Ushtrinë Kontinentale, megjithëse mijëra shërbyen si rezervistë.

III. Ushtarët kontinentalë qenë gjithmonë keqveshur dhe të uritur

Rrëfimet për ushtarë të zbathur të Ushtrisë Kontinentale, që linin gjurmë të përgjakura në dëborë apo që mbeteshin të uritur në një tokë bollëku janë krejtësisht të vërteta. Për shembull, le të marrim përvojën e ushtarit Martin nga shteti Connecticut. Ndërsa, shërbente me Regjimentin e VIII-të Kontinental të Connecticut në vjeshtën e vitit 1776, Martin jetoi për ditë të tëra, duke ngrënë jo më shumë se një grusht gështenjash dhe, në një moment të caktuar, një porcion koke qengji të pjekur, mbetje të një vakti të përgatitur për ata, të cilëve ai në mënyrë sarkastike u referohej si "oficerët e tij xhentëlmenë". Ebenezer Wild, një ushtar nga shteti Massachusetts që shërbente në Valley Forge në dimrin e tmerrshëm 1777 - 1778, do të kujtonte se kish mbajtur frymën për ditë të tëra "me hiç". Një prej shokëve të tij, Dr. Albigence Waldo, një kirurg i Ushtrisë Kontinentale, më pas raportoi se shumë njerëz mbijetuan në pjesën më të madhe prej atyre që u njohën si fire cakes (miell dhe ujë të zier mbi qymyr). Një ushtar, shkruan Waldo, ankohej se "zorrët e mbushura të tij janë kthyer në karton". Sistemi i furnizimit të Ushtrisë, difektoz në rastin më të mirë, nganjëherë prishej i tëri; rezultati qe mjerim dhe varfërim.

Por nuk qe gjithmonë kështu. Aq shumë veshje të trasha arrin nga Franca në fillimin e dimrit të vitit 1779 sa që Washington u detyrua që të gjejë magazina për tepricat e tij.

Në një luftë e gjatë, gjatë së cilës ushtarët amerikanë qenë vendosur nga New Yorku verior në Georgia e poshtme, kushtet e ndeshura nga trupat ndryshonin gjerësisht. Për shembull, në të njëjtën kohë që ushtria rrethuese e Washington në Boston në vitin 1776 qe e mirëfurnizuar, shumë ushtarë amerikanë, të angazhuar në pushtimin e dështuar të kryer nga Fort Ticonderoga në New York, përjetuan pothuajse uri të plotë. Ndërsa një ushtar në shtatë vdiq nga uria dhe epidemitë në Valley Forge, ushtari i ri Martin, i stacionuar vetëm pak kilometra më larg në Downingtown të shtetit Pennsylvania, ishte caktuar me patrullat që kërkonin për ditë për furnizime ushtarake. "Patëm furnizime të mira gjatë gjithë dimrit", do të shkruante ai, duke shtuar se kishte jetuar në "një dhomë komode". Në pranverën pas Valley Forge, ai takoi një prej ish- oficerëve të tij. "Ku ke qenë gjithë këtë dimër?", e pyeti oficeri. "Pse qenke shëndoshur si derr?".

IV. Rezervistët qenë të padobishëm

Kolonët e parë të vendit adoptuan sistemin rezervist britanik, i cili u kërkonte të gjithë meshkujve të aftë midis 16 dhe 60-vjeçëve që të mbanin armë. Rreth 100000 vetë shërbyen në Ushtrinë Kontinentale gjatë Luftës Revolucionare. Ndoshta dyfishi i këtij numri shërbeu si rezervistë, në pjesën më të madhe për të mbrojtur frontin e brendshëm, duke funksionuar si forcë policore dhe rastësisht, duke u angazhuar në survejimin e armikut. Nëqoftëse një kompani rezerviste thirrej në shërbim aktiv ushtarak dhe dërgohej në vijat e frontit për të mbështetur kontinentalët, ajo zakonisht qëndronte e mobilizuar për jo më shumë se 90 ditë.

Disa amerikanë dolën nga lufta të bindur se rezervistët kishin goxha joefikasë. Askush nuk bëri më shumë për ta dëmtuar reputacionin e tyre sesa Gjenerali Washington, i cili këmbëngulte se një vendim "për të vendosur ndonjë varësi mbi rezervistët sigurisht që mbështetet mbi një staf të keq".

Mesatarisht, rezervistët qenë më të mëdhenj në moshë se ushtarët kontinentalë dhe merrnin vetëm trajnim elementar; pak kishin përvojë në luftime. Washington ankohej se, rezervistët kishin dështuar që të shfaqnin "krenari dhe burrëri" në betejat e vitit 1776 në Long Island dhe në Manhattan. Në Camden të South Carolina në gusht të 1780, rezervistët u kapën nga paniku përpara avancimit të xhaketëkuqëve. Duke hedhur armët dhe duke vrapuar për të shpëtuar kokat e tyre, ata qenë përgjegjës për një prej humbjeve më të këqija të luftës.

Po në vitin 1775, rezervistët kishin luftuar me kurajo të pashoqe përgjatë Concord Road dhe në Bunker Hill. Pothuajse 40 përqind e ushtarëve që shërbenin nën Washington në fitoren e tij të rëndësishme të Natës së Krishtlindjeve në Trenton në vitin 1776 qenë rezervistë. Në shtetin New York, gjysma e forcës amerikane në fushatën jetike të Saratoga të vitit 1777 konsistonte në rezervistë. Gjithashtu, ata kontribuan në mënyrë thelbësore të fitoret amerikane në Kings Mountain të shtetit North Carolina në vitin 1780 dhe në Cowpens të shtetit South Carolina vitin e ardhshëm. Në mars të vitit 1781, Gjenerali Nathanael Greene në mënyrë të zgjuar i dislokoi rezervistët e tij në Betejën e Guilford Courthouse (të zhvilluar afër Greensboro të sotme në shtetin North Carolina). Në këtë betejë, ai u shkaktoi kaq humbje të rënda britanikëve sa që ata hoqën dorë nga lufta për North Carolina.

Rezervistët kishin defektet e tyre, të jemi të qartë, por Amerika nuk mund ta kish fituar luftën pa ta. Siç e hodhi në mënyrë sarkastike në një letër të vitit 1781 Gjenerali britanik, Konti Cornwallis: "Nuk do të thoja shumë në lavdërim të rezervistëve, por lista e oficerëve dhe ushtarëve britanikë të vrarë e të plagosur prej tyre... provon në mënyrë tejet të qartë se nuk janë tërësisht për t'u hedhur poshtë".

V. Saratoga qe pika e kthesës e luftës

Me 17 tetor 1777, Gjenerali britanik John Burgoyne i dorëzoi 5895 njerëz forcave amerikane jshtë Saratoga të shtetit New York. Ato humbje, kombinuar me 1300 njerëz të vrarë, të plagosur dhe të kapur rob gjatë 5 muajve të mëparshëm të fushatës së Burgoyne për të arritur Albany në New York Verior, shkuan në pothuajse një të katërtën e atyre që shërbenin nën flamurin britanik në Amerikë në vitin 1777.

Humbja e bindi Francën që të formonte një aleancë ushtarake me Shtetet e Bashkuara. Më parë, edhe pse besonte se Londra do të dobësohej në mënyrë fatale nga humbja e kolonive amerikane të saj, francezët nuk do të kishin dashur të rriskonin në mbështetjen e kombit të ri amerikan. Gjenerali Washington, i cili rrallë bënte deklarime optimiste, tha i eksituar se hyrja e Francës në luftë në shkurt të 1778 i kishte dhënë "një ton shumë të gëzuar të gjithë çështjeve tona", teksa "duhet ta vendoste pavarësinë e Amerikës jashtë çdo lloj diskutimi".

Por, Saratoga nuk qe pika e kthesës e luftës. Konfliktet e zgjatura - Lufta Revolucionare qe angazhimi më i gjatë i Amerikës deri tek Vietnami pothuajse 200 vjet më vonë - shpesh përcaktohen nga një ngjarje e vetme vendimtare. Përveç Saratoga, mund të identifikohen edhe katër momente të tjera kyçe. I pari, qe efekti i kombinuar i fitoreve në luftimin përgjatë Concord Road me 19 prill 1775 dhe në Bunker Hill në afërsi të Boston 2 muaj më vonë, me 17 qershor. Shumë kolonë kishin ndarë besimin e Lordit North se, qytetarët - ushtarë amerikanë nuk mund t'u rezistonin trupave të rregullta britanike, por në ato dy luftime, të kryera në 60 ditët e parë të luftës, ushtarët amerikanë - të gjithë rezervistë - u shkaktuan humbje të mëdha. Britanikët humbën pothuajse 1500 vetë në ato beteja, tri herë më shumë se ata amerikanë. Pa beneficet psikologjike të këtyre betejave, është e debatueshme nëse një Ushtri Kontinentale e aftë mund të ishte ngritur në atë vit të parë të luftës apo nëse morali publik do t'u kish duruar humbjeve të tmerrshme të vitit 1776.

Midis gushtit dhe nëntorit të vitit 1776, ushtria e Washington qe larguar nga Long Island, vetë New York City dhe pjesa tjetër e Manhattan Island, me rreth 5000 vetë të vrarë, të plagosur apo të kapur rob. Por në Trenton, në fund të dhjetorit 1776, Washington arriti një fitore të madhe, duke shkatërruar një forcë Hessian-e prej pothuajse 1000 vetash; një javë më pas, më 3 janar, ai shpartalloi një forcë britanike në Princeton të shtetit New Jersey. Triumfet e mahnitshëm të Washington, të cilat ringjallën shpresat për fitore dhe mundësuan rekrutim në vitin 1777, qenë një pikë e dytë kthese.

Një pikë e tretë kthese ndodhi kur Kongresi i braktisi rekrutimet 1-vjeçare dhe e transformoi Ushtrinë Kontinentale në një ushtri të përhershme, të përbërë nga forca të rregullta që dilnin vullnetarë ose qenë mobilizuar për shërbim afatgjatë. Një ushtri e përhershme ishte në kundërshtim me traditën amerikane dhe u shikua si e papranueshme nga qytetarët, të cilët e kuptonin se historia ishte e mbushur me shembuj gjeneralësh që i kishin përdorur ushtritë e tyre për të fituar pushtete diktatoriale. Midis kritikëve qe John Adams i shtetit Massachusetts, në atë kohë delegat në Kongresin e Dytë Kontinental. Në vitin 1775, ai shkroi se ia kish frikën se një ushtri e përhershme do të bëhej një "bishë e armatosur" e përbërë nga njerëzit "më të ulët, më të parëndësishëm, më të papërmbajtur dhe më të kotë". Në vjeshtën e 1776, Adams e kish ndryshuar këtë pikëpamje, duke nënvizuar se për aq kohë sa periudha e rekrutimit nuk zgjerohej, "shkatërrimi ynë i pashmangshëm do të jetë pasoja". Më së fundi, Washington do të kishte ushtrinë, të cilën kish dashur qysh nga fillimi; ushtarët e tij do të ishin më të mirë trajnuar, më të mirë disiplinuar dhe më me përvojë se njerëzit që kishin shërbyer në periudhën 1775 - 1776.

Fushata që u përhap në Jug gjatë viteve1780 dhe 1781 qe pika e kthesës finale e konfliktit. Pas dështimit për ta shtypur rebelimin në New England dhe në shtetet e mes Atlantikut, britanikët e kthyen vëmendjen e tyre nga Jugu në vitin 1778, duke shpresuar që të rimerrnin Georgia, South Carolina, North Carolina dhe Virginia. Fillimisht Strategjia Jugore, siç e quajtën britanikët iniciativën, arriti rezultate spektakolare. Brenda 20 muajsh, xhaketat e kuqe kishin shpartalluar 3 ushtri amerikane, rimarrë qytetet Savannah dhe Charleston, pushtuar një pjesë substanciale të zonës rurale të South Carolina dhe vrarë, plagosur apo kapur rob 7000 ushtarë amerikanë, pothuajse, duke i barazuar humbjet britanike në Saratoga. Lordi George Germain, Sekretari amerikan i Britanisë pas vitit 1775, deklaroi se fitoret jugore parashikonin "një përfundim të shpejtë dhe të lumtur të luftës amerikane".

Por kolonët nuk qenë asgjësuar. Në mesin e 1780, banda partizane të organizuara, të përbëra në pjesën më të madhë me luftëtarë guerrilas, goditën nga brenda pyjeve të dendura dhe moçaleve të South Carolina për të dëmtuar trenat furnizues dhe patrullat e xhaketëkuqëve. Nga fundi i verës, komanda e lartë britanike e pranoi se South Carolina, një koloni të cilën ata kohët e fundit e kishin deklaruar si të paqëtuar, ishte "në një gjendje absolute rebelimi". Megjithatë, e keqja duhet të vinte akoma. Në tetor të 1780, milici rebele dhe vullnetarë ruralë shkatërruan një ushtri prej më shumë se 1000 luajalësh britanikë në Kings Mountain të North Carolina. Pas kësaj humbjeje të turpshme, Cornwallis e gjente pothuajse të pamundur që t'i bindte luajalët që t'i bashkoheshin kauzës së tyre.

Në janar të 1781, Cornwallis marshoi me një ushtri prej më shumë se 4000 njerëzish drejt North Carolina, duke shpresuar që të ndërpresë rrugët e furnizimit që mbështesnin luftëtarët më poshtë në jug. Në betejat në Cowpens, Guilford Courthouse dhe në një ndjekje të lodhshme të Ushtrisë nën Gjeneralin Nathanael Greene, Cornwallis humbi rreth 1700 burra, pothuajse 40 përqind të trupave nën komandën e tij në fillimin e fushatës së North Carolina. Në prill të 1781, pa shpresë për të shtypur rebelimin në Carolina-t, e dërgoi ushtrinë në Virginia, ku shpresonte që të priste linjat e furnizimit që lidhnin Jugun e sipërm me atë të poshtëm. Ky qe një vendim fatal, teksa e vuri Cornwallis në një kurs që do të çonte atë vjeshtë në katastrofën e Yorktown, ku u rrethua dhe u detyrua që të dorëzojë më shumë se 8000 burra me 19 tetor 1781. Të nesërmen, Gjenerali Washington informoi Ushtrinë Kontinentale se, "ngjarja e lavdishme" do të sillte "gëzim të përgjithshëm në çdo zemër" në Amerikë. Në anën tjetër të oqeanit, Lordi North reagoi ndaj njoftimit sikur të "kish marrë një grusht në bark", i tha ai korrierit që po i jepte lajmin e keq. "O Zot", thirri Kryeministri, "gjithçka ka mbaruar".

VI. Gjenerali Washington qe një takticien dhe strateg brilant

Midis qindra eulogjive të shkruara pas vdekjes së George Washington në 1799, Timothy Dwight, President i Yale College, deklaronte se madhështia ushtarake e Gjeneralit konsistonte kryesisht në "formimin e tij për plane të gjera dhe madhështore" dhe një "kapje vigjilente e çdo avantazhi". Kjo ishte pikëpamja mbizotëruese dhe një e tillë që ishte përqafuar nga shumë historianë.

Në fakt, hapat e gabuara të Washington zbuluan dështimet e tij si strateg. Askush nuk i kuptonte kufizimet e tij sesa vetë Washington, i cili në pragun e fushatës së New York në vitin 1776, i rrëfeu Kongresit "dëshirën e tij për përvojë për të lëvizur në shkallë të gjerë" dhe "dijen e tij të kufizuar dhe të vogël në... çështjet ushtarake".

Në gusht të vitit 1776, Ushtria Kontinentale ishte nisur drejt testimit të saj të parë në Long Island pjesërisht pse Washington dështoi për të bërë rikonjicion siç duhej dhe u përpoq për të mbrojtur një sipërfaqe shumë të madh për përmasën e ushtrisë së tij. Deridiku, paaftësia pothuajse fatale e Washington për të marrë vendime të shpejta rezultuan në humbjet e nëntorit të Fort Washington në Manhattan Island dhe të Fort Lee në New Jersey, humbje të cilat u kushtuan kolonëve më shumë se çerekun e ushtarëve të Ushtrisë dhe të depove të çmuara të armëve dhe ushtarake. Washington nuk u fajësua për atë që kish ecur keq. Në vend të kësaj, ai e këshilloi Kongresin për "dëshirën e tij për besim në shumicën e trupave".

Në vjeshtën e vitit 1777, kur Gjenerali William Howe pushtoi Pennsylvania, Washington e angazhoi të gjithë ushtrinë e tij në një përpjekje për të parandaluar humbjen e Philadelphia. Gjatë Battle of Brandywine në shtator, ai edhe njëherë akoma ngriu me mosveprim. Për pothuajse dy orë, informacioni i ardhur në shtabin qendror tregonte se britanikët po përpiqeshin të bënin një manovër anësore - një lëvizje e cila, nëqoftëse do të ishte e suksesshme, do të kapte në kurth pjesën më të madhe të Ushtrisë Kontinentale - dhe Washington dështoi që t'i kundërpërgjigjej. Në fund të ditës, një tetar britanik e përthithi në mënyrë të saktë se, Washington i kish "shpëtuar një humbjeje totale, e cila duhet të kish qenë pasoja e disa orëve më në shumë ditë".

Më pas, Washington qe jashtëzakonisht i ngadaltë për ta kapur domethënien e luftës në shtetet jugore. Në pjesën më të madhe, ai i angazhoi trupat në atë teatër vetëm kur Kongresi e urdhëroi atë që të vepronte në atë mënyrë. Por, në atë kohë qe shumë vonë për ta parandaluar dorëzimin e Charleston në maj të vitit 1780 dhe humbjet e mëpasme në radhët e trupave amerikane në jug. Gjithashtu, Washington dështoi në shikimin e potencialit të një fushate kundër britanikëve në Virginia në vitet 1780 dhe 1781, duke e shtyrë Kontin de Rochambeau, komandant i ushtrisë franceze në Amerikë, që të shkruante i dëshpëruar se gjenerali amerikan "nuk e kapi shumë shpejt punën e jugut". Në të vërtetë, Rochambeau, i cili hyri në veprim pa dijeninë e Washington, e konceptoi fushatën e Virginia që rezultoi në ndeshjen vendimtare të luftës, rrethimin e Yorktown në vjeshtën e 1781.

Pjesa më e madhe e vendimmarrjes së luftës ishte e fshehur nga publiku. As edhe Kongresi nuk ishte në dijeni që francezët, jo Washington, e kishin formular strategjinë që çoi në triumfin amerikan. Gjatë presidencës Washington, pamfletisti amerikan Thomas Paine, që në atë kohë jetonte në Francë, zbuloi shumë prej asaj që kishte ndodhur. Në vitin 1796, Paine botoi një "Letër për George Washington", në të cilën ai pretendonte se pjesa më e madhe e arritjeve të supozuara të Gjeneralit Washington qenë "false". "Ju e kaluat kohën tuaj, duke fjetur në fushë" pas vitit 1778, akuzoi Paine, duke argumentuar se gjenerali Horatio Gates dhe Greene qenë më shumë përgjegjës për fitoren e Amerikës sesa Washington.

Ka një pjesë të vërtete në komentet therëse të Paine, por akuza e tij dështoi që të pranojë se njeriu mund të jetë lider i madh ushtarak pa qenë një takticien apo strateg i shquar. Karakteri, gjykimi, aktiviteti dhe zakonet skrupuloze të Washington, ashtu si dhe aftësitë e tij politike e diplomatike, e veçojnë atë nga të tjerët. Në analizën përfundimtare, ai qe zgjedhja e duhur për të shërbyer si Komandant i Ushtrisë Kontinentale.

VII. Britania e Madhe nuk mund ta kish fituar kurrë luftën

Sapo lufta revolucionare u humb, disa në Britani argumentuan se ajo kish qenë e pamundur të fitohej. Për gjeneralët dhe admiralët që po mbronin reputacionet e tyre dhe për patriotët që e gjenin të dhimbshme për ta pranuar humbjen, koncepti i humbjes së paracaktuar qe tundues. Asgjë nuk mund të ishte bërë, ose kështu vazhdonte argumenti, për ta ndryshuar rezultatin. Lordi North u dënua, ama jo pse humbi luftën, por pse e drejtoi vendin e tij në një konflikt, fitorja e të cilit qe e pamundur.

Në realitet, Britania fare mirë mund ta kish fituar luftën. Beteja për New York në vitin 1776 i dha Anglisë një mundësi të shkëlqyer për një fitore vendimtare. Franca akoma nuk ishte bërë aleate me amerikanët. Washington dhe pjesa më e madhe e bashkëpunëtorëve të tij qenë amatorë. Ushtarët e Ushtrisë Kontinentale qenë të papërvojë sa nuk kish se ku të shonte. Në Long Island, në New York City dhe në Manhattan e sipërm, në Harlem Heights, Gjenerali William Howe kapi një pjesë të mirë të ushtrisë amerikane dhe mund të kish dhënë një goditje fatale. I kapur në kodrinat e Harlem, edhe Washington e pranoi se sikur Howe të kish sulmuar, Ushtria Kontinentale do të "çahej" dhe do të përballej me zgjedhjen e luftimit për ta çarë rrethimin "nën çdo dizavantazh të mundshëm" ose të viheshin nën uri deri në nënshtrim. Por, tejet i matur Hoëe u tregua i ngathët në të vepruar, duke e lejuar në fund Washington që të rrëshqiste.

Britania sërish mund të kish fituar në vitin 1777. Londra kish formuluar një strategji të zgjuar, e cila kërkonte që Howe, me forcën e tij të madhe, e cila përfshinte një krah detar, të avanconte nëpër Hudson River dhe të takonte në Albany me Gjeneralin Burgoyne, i cili do të pushtonte New York nga Kanadaja. Objektivi i Britanisë ishte që ta shkëpuste New England nga 9 shtetet e tjera nëpërmjet marrjes së Hudson. Kur rebelët hynë në luftë - vazhdon stereotipi - ata do të ndesheshin me një manovër gjigante rrethuese britanike që do t'i çonte ata në humbje katastrofike. Megjithëse, operacioni ofroi perspektivën e një fitoreje vendimtare, Howe e shpërdoroi atë. Duke besuar se, Burgoyne nuk kishte nevojë për ndihmë dhe i zënë nga dëshira për të kapur Philadelphia - shtëpia e Kongresit Kontinental - Howe zgjodhi në fakt të lëvizë drejt Pennsylvania. Ai e mori Philadelphia, por përfitoi pak nga ky aksion. Ndërkohë, Burgoyne pësoi një humbje totale në Saratoga.

Pjesa më e madhe e historianëve ka theksuar se, Britania nuk kishte asnjë shpresë për fitore pas vitit 1777, por ky supozim përbën një tjetër mit të kësaj lufte. 24 muaj në Strategjinë Jugore të saj, Britania qe afër reklamimit të fitores substanciale brenda Perandorisë Amerikane të gjerë të dikurshme. Autoriteti mbretëror ishte rivendosur në Georgia dhe një pjesë e mirë e South Carolina ishte e pushtuar nga britanikët.

Ndërsa 1781 po mbaronte, Washington paralajmëronte se, ushtria e tij ishte e "cfilitur" dhe masat popullore të "pakënaqura". John Adams besonte se Franca, e ndeshur me borxhe që vinin e rriteshin, duke dështuar që të arrinte qoftë edhe një fitore të vetme në teatrin amerikan, nuk do të qëndronte në luftë përtej vitit 1781. "Ne jemi në momentin e krizës", shkruan ai. Rochambeau kishte frikë se mos viti 1781 do të shikonte "luftën e fundit të një patriotizmi që po venitej". Washington dhe Adams supozuan se, për aq kohë sa Shtetet e Bashkuara dhe Franca nuk do të regjistronin një fitore vendimtare në vitin 1781, rezultati i luftës do të përcaktohej në një konferencë të fuqive të mëdha të Europës.

Lufta e ngërçosura shpesh përfundojnë me palët ndërluftuese që mbajnë atë çka posedonin në momentin që arrihet armëpushimi. Sikur rezultati të ishte përcaktuar nga një konferencë paqeje evropiane, Britania ka gjasa që do të kishte mbajtur Kanadanë, Apalashet Perëndimore, pjesë të shtetit Maine, New York City dhe Long Island të sotëm, Georgia dhe një pjesë të mirë të South Carolina, Florida (e blera nga Spanja në një luftë të mëparshme) dhe disa ishuj karaibikë. Për të mbajtur këtë perandori të madhe, e cila do t'i kishte rrethuar Shtetet e Bashkuara, Britania vetëm duhej të shmangte humbjet vendimtare në vitin 1781. Megjithatë, humbja befasuese e tetorit e Cornwallis në Yorktown i kushtoi Britanisë gjithçka përveç Kanadasë.

Traktati i Parisit, i nënshkruar më 3 shtator 1783, ratifikoi fitoren amerikane dhe njohu ekzistencën e Shteteve të Bashkuara të reja. Duke ju adresuar një grumbullimi ushtarësh në West Point, Gjenerali Washington u tha të pranishëmve se ata kishin siguruar "pavarësinë dhe sovranitetin" e Amerikës. Kombi i ri, tha ai, kishte përpara vetes "perspektiva të gjera lumturie", duke shtuar se të gjithë amerikanët e lirë mund të gëzonin "pavarësi personale". Kalimi i kohës do të demonstronte se Washington, larg nga krijimi i një miti tjetër rreth rezultatit të luftës, kish cekur premisën reale të kombit të ri.

Libri më i fundit i historianit John Ferling është The Ascent of George Washington: The Hidden Political Genius of an American Icon.

Përgatiti

ARMIN TIRANA

 

Google+ Followers