Lamtumirë kohë e lirë!

Orar i shkurtuar në punë, por më shumë disponueshmëri gjatë kohës së lirë. Femra në poste të rëndësishme, me kontrata të majme. Organizime më pak hierarkike dhe më shumë hapësirë në krijimtarinë e vartësve. Studiuesit nuk kanë dyshime: në një të ardhme jo shumë të largët do të bjerë pengesa mes punës dhe jetës private, me shumë avantazhe, por edhe ndonjë rrezik

Richard Donkin, redaktor i “Financial Times” dhe ekspert në organizmin e punës, e kuptoi kur ishte në funeralin e një mikut të tij që ende nuk e kishte mbyllur punën. Gjatë ceremonisë një shok që e shoqëronte dëgjoi zilen e një mesazhi që vinte nga celulari i tij. Burri mori telefonin në dorë dhe u bë gati që t’i përgjigjej atij mesazhi. Duhet të jemi gjithmonë gati kur detyra na thërret; nuk mund të shtiremi sikur nuk ka ndodhur asgjë. Koha e qëndrimit në zyrë kishte mbaruar. Ishte momenti i kohës së lirë. Ai episod i shërbeu Donkin për të shkruar një libër që i vuri një titull mjaft domethënës: “The Future of Work”, në të cilin ilustroi se si jeta e përditshme e punëtorëve, pra e jona, është e destinuar të ndryshojë, por jo domosdoshmërish për keq.

Tendencat janë të shumta dhe nga më të ndryshmet, por më revolucionarja i përket vetë konceptit të vendit të punës. “Orari javor i punës mund të reduktohet edhe në 30 orë”, shpjegon Donkin. Njerëzit mund të punojnë edhe dhjetë orë në ditë, për të pasur më shumë kohë të lirë të premten dhe pjesërisht të enjten pasdite, por me një kusht që ditët jashtë zyrës, duke përfshirë edhe fundjavën, të jenë, në një farë mënyre, të zëna me punë. “Në fund të fundit ne vazhdojmë të mbijetojmë kur shkojmë në punë dhe nuk pushojmë së bëri punë kur jemi në shtëpi. Çfarë paradoksi!”

Pushimi të lodh, të plak para kohe dhe të shkurton jetën, ndërsa të punuarit gjatë e të qenit aktiv, ndihmon për të pasur një jetë sa më të gjatë e të shëndetshme. Mungesa e një pune fikse apo e një aktiviteti të rregullt fizik sjell rreziqe të mëdha demence apo sëmundjesh të tjera të rënda, të cilat e bëjnë vdekjen më të afërt. Është mënyra më e mirë për të luftuar kundër plakjes dhe për të vënë në lëvizje muskujt dhe trurin, sepse të qenit pasiv shkatërron muskujt dhe “boshatis” trurin. Për sa i përket trurit, duhet të mendojmë se, në ndryshim nga shumë makina, sa më pak të përdoret aq më shumë konsumohet e plaket. Kush arrin moshën 60-65 vjeçare mund të zgjedhë alternativa të ndryshme në krahasim me punën e tij: për shembull mund të zgjedhë një detyrë më të thjeshtë, duke ruajtur ende një interes të lidhur me përvojën e tij. Ose, duke dalë në pension, mund të fillojë një aktivitet tjetër. Duke pasur një ambicie, të vjetër apo të re, ndihmon në zgjatjen e ekzistencës dhe vë në lëvizje trurin. Një aktivitet intensiv cerebral dhe fizik u lejon qelizave të funksionojnë më mirë dhe të jenë më të gjalla, duke krijuar kështu një terren të përshtatshëm për funksionimin e neuroneve. “Duhet parë përpara, dhe ta lini pas të shkuarën, sepse kërkimi i kohës së humbur mund të prishë kohën që ka mbetur për të jetuar”, thotë sociologu.

Kompanitë që duan të përfitojnë nga bota e re dhe të fitojnë sfidën e konkurrimit, duhet të ndryshojnë strategji. Duhet të jenë më liberalë për sa i përket orarit, por edhe më disponueshmëri në zgjedhjen e personelit. Nëse për ju nuk është më e rëndësishme të qëndroni ulur në një karrige në mes të zyrës, atëherë edhe për personelin do të jetë e njëjta gjë, madje do të vini re se pas pak kohësh punëtorët do të bëhen burim i rëndësishëm. Një studim i departamentit të punës në Angli ka vërtetuar se rendimenti i punëtorëve të moshës së dytë dhe të tretë nuk është më i ulët se ai i të rinjve. Studimi vërtetoi të njëjtën gjë edhe për femrat: nëse këto të fundit nuk kanë presion të vazhdueshëm, atëherë ato janë në gjendje të drejtojnë një firmë, të bëjnë karrierë dhe të kujdesen për familjen në të njëjtën kohë. Kompanitë që e kanë zbuluar këtë sekret janë një hap përpara: nëse do t’i hidhnim një sy grafikut të 500 shoqërive të para të botës së paraqitur nga “Fortune”, do të shikonim se ato vende që kanë më shumë gra në poste të rëndësishme kanë një performancë më të mirë se ato vende që drejtojnë kryesisht meshkujt. Nevoja për të dalë nga kriza ekonomike kërkon burime të reja dhe “të freskëta”, sidomos nga njerëzit. Kështu, propozon sërish Donkin, duhen limituar në minimum punët përsëritëse dhe t’i ofrojmë numrit më të madh të vartësve mundësinë për të marrë iniciativa të reja. Organizimi i kompanisë duhet të jetë gjithnjë e më shumë bashkëpunues. Modeli është ai i rrjetit social të “Facebook”-ut: dialog mes kolegëve dhe përfshirje e të gjithëve. Nuk është një platformë bashkimi. Sipas studiuesit, kjo është rruga për të krijuar kompani që janë në gjendje të përballojnë me sukses periudhën e vështirë të krizës ekonomike.

Tema, vlen të theksohet, nuk është e re. Sociologu Domenico de Masi, në një analizë të tijën të vitit 1990, që ka sërish të njëjtin titull (“E ardhmja e punës”, rishtypur prej pak kohësh), hidhte hipoteza për diçka të ngjashme. Sipas De Masi-t, në shoqërinë pasindustriale, përtacia do të bëhej po aq e rëndësishme sa puna. Sot, profesori i sociologjisë, që punon në Universitetin e Sapiencës, nuk ka ndryshuar mendim: “Tani na duket vetja si të alkoolizuar, sepse jemi brezi i parë dixhital. Pak nga pak do të distancohemi nga teknologjia dhe do të mësojmë t’i bëjmë gjërat vetë, pa u stresuar”, thotë.

Nëse puna bëhet krijuese, pra përdor trurin si instrument parësor, nuk do të ketë më diferencë mes kohës së punës dhe kohës së jetës, punojmë 24 orë, por edhe dëfrehemi 24 orë.

Që ne po jetojmë një fazë të vërtetë ndryshimi është edhe opinioni i menaxheres së “Microsoft”-it, përgjegjëse e projektit “Futuro@lfemminile”, krijuar për të thelluar edhe më tej bindjen që teknologjia mund të jetë një aleat i fuqishëm i femrave. “Shpeshherë unë punoj nga shtëpia: mund të lexoj e-mailet, të bëj telefonata, të marr pjesë në një mbledhje edhe ndërsa luaj me fëmijët në kopsht. Për mendimin tim teknologjia nuk ka të paguar”, thotë ajo.

Ekspertë të tjerë nuk janë dakord me arsyetimin e zonjës. Puna është se futja e objekteve teknologjike në jetën tonë të përditshme, ka të mirat dhe të këqijat e saj. Ndonjëherë teknologjia sjell edhe dembelizëm, pavarësisht se mund të flasësh në telefon ndërsa je duke punuar në kompjuter. 
Duket sikur kanë kaluar shekuj dhe jo vetëm disa vite, që kur bestselleri “Mirëmëngjesi përtaci” i autores Corinne Maier, lartësonte punën e paktë, pra që njerëzit nuk duhej të punonin shumë dhe parësore ishte të shijonin jetën. Në atë kohë “El Pais” e cilësoi librin si “një Bibël të re”.

“Unë e kam thënë gjithmonë: të premten e lë punën dhe nuk më bie më ndërmend për asgjë dhe asnjë derisa të vijë sërish e hëna. Ditët e pushimit, edhe sikur të përmbyset vendi, unë nuk lëviz nga shtëpia, jo më të marr mundimin e të shkoj në punë. Ndonjëherë ndodh edhe që të shqetësohem, sepse mjetet e komunikimit janë bërë aq shumë të përdorshme saqë të krijojnë një lloj ankthi: për shembull nëse të vjen një mesazh dhe nuk i përgjigjesh brenda pak minutave, të tjerët të quajnë të paedukatë; nëse miqtë e t’u nuk të shohin online, fillojnë të shqetësohen dhe të telefonojnë menjëherë për të pyetur si je me shëndet”, thotë një studiuese. Kjo është drama e epokës sonë. “Google” dhe “Microsoft” mbushin kohën e lirë të njerëzve gjatë orarit të punës. Duke qenë se janë bashkë gjatë gjithë ditës, kolegët shëtisin me njëri-tjetrin, gatuajnë së bashku, bëjnë xhiro me biçikletë, luajnë me top, shkojnë për të notuar në pishinën e punës, mbajnë qen në zyrë etj. Pra meqenëse nuk është më e mundur të ndahet koha e lirë nga koha e punës, atëherë njerëzit duhet të mendojnë të jenë sa më produktivë në të dyja kohët së bashku.

Shumë shpejt shqetësimet e sotme do të duken të parëndësishme. Por nuk duhet përjashtuar fakti që në fund të këtij udhëtimi duhet shpikur një revolucion i ri dhe duhen krijuar ato kufij mes dy jetëve tona që teknologjia rrezikon t’i fshijë.

Google+ Followers