Kur truri dëgjon ato pauza të mbushura me tinguj

Qetësia

Kur gjithçka hesht, aktivizohet një qark neuronesh. Studimi është publikuar në revistën “Neuron”. Zbulimi i “kanaleve” të reja është i rëndësishëm për kurimin e dislesisë te fëmijët dhe për ata që kanë probleme me dëgjimin

Kur gjithçka përreth nesh hesht, truri fillon të perceptojë zhurmën e qetësisë, që në të vërtetë nuk është pa tinguj, e zbrazët nga perceptimi, apo një ndërprerës i shuar, por një element shumë i rëndësishëm i sistemit tonë të dëgjimit. Pra kur fillon të mbizotërojë qetësia, aktivizohet një grup neuronesh dhe transportojnë sinjalin e qetësisë nga veshi deri në koren dëgjimore, brenda lobit temporal. Këtu mesazhi i pauzës regjistrohet si një nga elementet kryesore të gjuhës, që është i domosdoshëm për të ndarë një fjalë nga tjetra dhe për t’i dhënë kuptim një bisede.

Aftësia e trurit për të dëgjuar “tingullin e heshtjes” është zbuluar nga Michael Wehr, një psikolog i universitetit “Oregon”, bashkë me grupin e studentëve me të cilin punon për të deshifruar dhe korrigjuar çrregullime të ndryshme të dëgjimit, vetëvlerësimit dhe dislesisë. Rezultatet e nxjerra nga disa minj laboratori të monitoruar me elektroda në kokë, janë publikuar para pak ditësh nga revista “Neuron”. “Imagjinoni sikur gjendeni në një vend të populluar me njerëz ose në një festë. Të ndjekësh personin që ke përballë, duke ndarë zërin e tij nga zhurma që mbizotëron në sallë, është një punë tepër banale. Në të tilla raste kompjuterët hasin shumë vështirësi dhe nëse truri ynë ia arrin qëllimit, mundet vetëm falë aftësisë për ta ndarë një bisedë në elementët bazë. Pra arrin të fusë pauzat në momentet e duhura, duke gjetur linja të sakta ndarëse mes rrokjeve dhe fjalëve”, shkruan Wehr në studimin e tij.

Për t’u dhënë një kuptim tingujve është shumë e rëndësishme të dëgjosh heshtjen. Ndoshta nuk është një rastësi që “The sound of silence” t’i shfaqet Paul Simon “në mes të dhjetë mijë personave që bisedojnë pa folur dhe dëgjojnë pa dëgjuar”. Edhe studiuesi përdori shembullin e një feste të zhurmshme për të shpjeguar se sa e rëndësishme është për të kapur pauzat e duhura mes bisedave. Por ngjashmëritë nuk përfundojnë këtu. Nëse Paul Simon e ka shkruar këngën e tij në banjë kur ishte mesi i natës, me rubinetin e çezmës hapur, Wehr ka përdorur brejtësit e vegjël të laboratorit të tij duke iu nënshtruar tingujve të frekuencës dhe me kohëzgjatje gjithnjë të ndryshme, derisa të zbulojë që fillimi i një stimuli dëgjimor aktivizonte një grup neuronesh dhe ndërprerja e tij e papritur nxiste një shkarkesë në një grup tjetër neuronesh. Kjo shenjë tregonte që veshi dhe korja e dëgjimit, janë të lidhura nga dy kanale të ndara dhe të pavarura. Njëri është i ngarkuar të transportojë informacionin “tingull”, tjetri të raportojë mesazhin “qetësi”. “Kanalet punojnë të pavarur nga njëri-tjetri. Kemi vënë re që fundi i një tingulli nuk interferon me fillimin e një stimuli të ri”, shpjegon Wehr. Më parë mendohej se zhurma provokonte aktivizimin e neuroneve dëgjimore dhe këto të fundit shuheshin kur pushonte zhurma. “Në konfirmimin e zbulimit tonë dimë që personat me probleme dëgjimi kanë vështirësi të ndjekin një bisedë kur zhurma është e madhe. Tani, të kuptojmë se si truri i menaxhon pauzat mes fjalëve, mund të na ndihmojë të ndërtojmë aparate akustike më të dobishme ose të ndihmojmë fëmijët me dislesi”, shpjegon Wehr. Hapi pasardhës i sugjeruar nga studimi do të jetë pastaj të kuptuarit nëse i njëjti mekanizëm me një kanal të dyfishtë është i vlefshëm për shqisat e tjera.

Google+ Followers