Kur të mëdhenjtë thonë "më fal"…

"Ora e nisjes ka ardhur dhe duhet të shkojmë drejt rrugës tonë", thotë Sokrati përpara ekzekutimit. "Unë drejt vdekjes dhe ju drejt jetës. Cila është më e mira vetëm Zoti e di. Kaq shumë vetëm për një 'më fal'"


John Mayer

Muzikanti John Mayer kërkoi publikisht falje pasi kishte përdorur fjalën "N" (Nigger) gjatë një interviste. "Kërkoj falje për përdorimin e kësaj fjale. Veprimi im është i turpshëm, pasi ajo çfarë po tregoja ishte tërësisht e kundërt me kuptimin e kësaj fjale".

Sjellja e hapur e muzikantit e ka bërë atë një prototip paturpësie, por intervista e tij e fundit për revistën "Playboy" i ka servirur publikut më tepër se ç'mund të përballonte. Bashkë me përdorimin e fjalës "N" dhe deklaratës që nuk kishte dalë kurrë me një femër me ngjyrë duke e përshkruar veten e tij si një supermacist, ai gjithashtu e përshkruajti marrëdhënien me ish-të dashurën e tij Jessica Simpson, si një "napalm seksual", duke e bërë fjalën "napalm" numrin 4 të fjalëve më të kërkuara në Google, ku sigurisht numri 5 ishte "John Mayer me femra me ngjyrë".

Ashtu siç parashikohej, elokueni John Mayer, uli kokën për të kërkuar falje publikisht, të cilën e përsëriti edhe gjatë një koncerti në Nashville më 10 shkurt ku u premtoi fansave të tij se do t'i linte mënjanë lojërat mediatike dhe do t'i rikthehej asaj që e kishte bërë të famshëm, kitarës.

Tiger Woods

"Kam zhgënjyer familjen time dhe jam penduar për ato trasgresione me gjithë zemër. Nuk jam treguar korrekt kundrejt vlerave të mia dhe kundrejt sjelljes që familja ime meriton. Nuk jam absolutisht i pafajshëm dhe nuk jam perfekt".

Është një apologji, por jo një pranim. Pas aksidentit të çuditshëm automobilistik të lojtarit të golfit, Tiger Woods më 27 nëntor përpara shtëpisë së tij në lagjen e rrethuar Isleworth në Windermere, thashethemet e shumta pohonin se përplasja kishte lidhje me mosmarrëveshjet bashkëshortore midis Woods dhe gruas së tij Ellin Windermere. Woods është akuzuar se ka patur marrëdhënie jashtëmartesore me stjuardesën Rachel Utchiel dhe kamarieren e kokteileve Jaimee Grubbs. Ndërkohë që Utchiel i ka mohuar thashethemet (edhe pse ajo më pas ka angazhuar një avokate të pushtetshme për t'i shpëtuar gjyqit), Grubbs thotë se ajo dhe Tiger kanë që në vitin 2007 që dalin bashkë dhe ka paraqitur një mesazh zanor të tij. Si kundërpërgjigje, Woods përgatiti një apologji me fjalë të përzgjedhura me kujdes ku nuk pranon asgjë përveç faktit se ka zhgënjyer faljen e tij. Faktikisht, pjesa më e madhe e deklaratës është bërë për të ndaluar median, e cila po krijon një uragan që tashmë vërtitet rreth tij dhe familjes. "Mëkatet personale nuk kanë pse të publikohen nga media dhe problemet brenda një familjeje nuk kanë pse të kërkojnë falje publike", tha Woods. Një fjalim i admirueshëm, por e vetmja gjë që ka arritur sportisti me fjalët e tij është që t'i hedhë më tepër benzinë zjarrit.

Presidenti Obama

"Për shkak se kjo çështje po zmadhohet dhe unë kam kontribuar në zmadhimin e saj, dua të bëj të qartë se në zgjedhjen time të fjalëve, fatkeqësisht dhashë impresionin se doja të ofendoja Departamentin e Policisë së Cambridge-it ose oficerin e policisë Crowley, në mënyrë specifike dhe se duhet të kisha përdorur fjalë të tjera".

Është një koment që nuk do të vdesë kurrë. Pasi Presidenti Obama përdori pjesën e fundit të një konference të rëndësishme për shtyp mbi shërbimet shëndetësore për të bërë të ditur se oficeri i policisë së Canbridge-it, Jim Crowley ishte treguar "budalla", pasi kishte arrestuar profesorin e Harvardit, Henry Louis Gates Jr, për "dhunim të vetë banesës së tij", fjalët e përdorura nga Presidenti përhapën pakënaqësi të shumta, të cilat hodhën hije mbi mesazhin që kishte përcjellë atë natë për shërbimet shëndetësore. Duke dashur të lehtësojë presionin, Obama tërhoqi mbrapsht fjalët e tij në një pjesëmarrje të papërshtatshme në një konferencë të shkurtër ditore për të kërkuar falje. Pavarësisht mbledhjes që u mbajt më pas midis Obamës, Gates dhe Crowley, disa thanë se Presidenti duhej të shkonte më tej. Kongresmeni nga Michigani, Thaddeus McCotter propozoi që të bëhej një rezolutë për t'i kërkuar Obamës një apologji të drejtpërdrejtë kundrejt Crowley-t.

Alexandra Dupré

"Më vjen keq për dhimbjen tuaj".

Kur Ashley Alexandra Dupré pa në televizor dorëheqjen publike të Guvernatorit të New York-ut, Eliot Spitzer më 12 mars 2008, vajza "1.000 dollarë për orë" kishte kuptuar më në fund se kush kishte qenë "Klienti Nr.9". "E dija emrin e tij, por fytyrën…nuk jam një tip që shoh shumë televizor", tha ajo për revistën "People" kur i tregoi atyre për aventurën e saj me Spitzer në Mayflower, Hotel në Uashington, D.C. Megjithatë, ajo çfarë e shokoi më shumë zonjushën Dupre në atë konferencë të zymtë ishte fytyra e trishtuar e gruas së Spitzer-it, Silda, e cila qëndronte me përkushtim në krahun e tij. "Kur mendoj për atë fjalim më kujtohet fytyra e saj, sytë e saj, trishtimin", tha Dupre.

Platoni

"Jeta e paekzaminuar nuk ia vlen të jetohet".

Është apologjia me të cilën filloi gjithçka. E shkruar 360 vjet para lindjes së Krishtit, eseja e famshme e Platonit (nga greqishtja, fjala apologia do të thotë "mbrojtje"), tregon se si Sokrati mbrojti veten përpara akuzave se po korruptonte rininë e Athinës dhe po bënte blasfemi për perënditë, muzën e tij filozofike. Si një dëshmitar i procedurave gjyqësore, Platoni kujton se si Sokrati refuzon të pendohet për mënyrën e tij të jetesës dhe shkon aq larg sa ta krahasojë vetem me një "mizë" që tenton të ngrejë në këmbë një kal të ngathët. Por, ndërkohë që fjalimi i famshëm i Sokratit do të jetonte për t'i dhënë formë mendimeve të mëtejshme perëndimore, juria e ndjekësve të tij nuk u dënua. Në moshën 70-vjeçare, Sokrati u shpall fajtor dhe u dënua me vdekje me helmim, verdikt ky që sipas Platonit, nuk ishte ndonjë surprizë e madhe për sagën e Sokratit. "Ora e nisjes ka ardhur dhe duhet të shkojmë drejt rrugës tonë", e citon Platoni, Sokratin përpara ekzekutimit të tij. "Unë drejt vdekjes dhe ju drejt jetës. Cila është më e mira vetëm Zoti e di. Kaq shumë vetëm për një 'më fal'".

Mel Gibson

"Dua t'i kërkoj ndjesë të gjithë komunitetit hebre për fjalët e dëmshme dhe fyese që i thashë një oficeri të policisë natën që më arrestuan për ngarje makine në gjendje të dehur".

Më 28 korrik 2006, një Mel Gibson i intoksikuar u ndalua nga një polic i Malibusë për arsye se po i jepte makinës nën influencën e alkoolit. Aktori dhe regjisori i inatosur shpalosi një tërbim anti-semit gjatë së cilit tha: "Hebrejtë janë shkaku i të gjitha luftave të botës", sipas një raporti të policisë të publikuar në revistën "Time".

Gibson, i cili ishte etiketuar edhe më parë si një anti-semit pas drejtimit të filmit "Pasioni për Krishtin", filloi të bëhej një mbeturinë e industrisë pasi gati të gjithë në Hollywood deklaruan se nuk donin të punonin më kurrë me të. Ai kërkoi falje publikisht ditën tjetër, por fjalët e tij u deklaruan të pamjaftueshme për shumicën e komunitetit hebre. Më 1 gusht, Gibson shkroi një letër apologjie të dytë, ku shprehte dëshirën e tij për një diskutim "ballë për ballë" me liderët hebrej për të gjetur mënyrën e përshtatshme për ta qetësuar debatin. Më pas Gibson iu drejtua qendrave të disintoksikimit nga alkooli.

McNamara

"Bëmë gabim, tmerrësisht shumë gabim. I detyrohemi brezave të ardhshëm një shpjegim" - shprehet McNamara duke shkruajtur memoarin e tij në vitin 1995 në retrospektivën e menaxhimit të luftës në Vietnam.

Liderët e lartë të qeverisë përgjithësisht nuk janë të njohur për pranimin e fajeve të tyre, por drejt fundit të jetës së tij, ish-sekretari i Mbrojtjes, Robert McNamara ka bërë një sërë apologjish për gjykime të gabuara rreth luftës së Vietnamit, të cilat u bënë gjatë viteve 1961-'68 kur kryesonte në Pentagon, veçanërisht për ngadalësinë e veprimit kur po shtoheshin dyshimet se lufta mund të fitohej. "Më vjen shumë keq që gjatë procesit të arritjes së qëllimeve kam bërë gabime", tha McNamara në dokumentarin "Mjegulla e Luftës", fitues i çmimit Oskar në vitin 2003. Ndërkohë që asnjëherë nuk bëri një apologji formale për rolin e tij, McNamara i cili vdiq në vitin 2009 në moshën 93-vjeçare, bëri të qartë se gjithë jetën e kishin ndjekur pas gabimet e bëra nën vëzhgimin e tij që i kanë kushtuar jetën mijëra trupave amerikane. "Njerëzve nuk u pëlqen të pranojnë se kanë bërë gabime", shpjegoi ai për gazetën "New York Times". "Kjo është një e vërtetë që i përket Kishës Katolike, kompanive, oraganizatave qeveritare dhe pa dyshim trupave qeveritare".

Mark Sanford

Rreshti i fundit është ky: "Kam qenë jobesnik ndaj gruas time… kam lënduar shumë miq dhe të afërm dhe e vetmja gjë që mund të them është se më vjen keq".

Guvernatori i Karolinës së Jugut, Mark Sanford di t'i përdorë mirë fjalët, veçanërisht kur këto fjalë janë "më vjen keq". Pasi ishte kthyer nga zhdukja e tij misterioze njëjavore në korrik të vitit 2009 (fillimisht stafi i tij deklaronte paturpësisht se ishte duke bërë alpinizëm në Appalachian Trail), 49-vjeçari pranoi se kishte një lidhje jashtëmartesore me një vajzë në Argjentinë dhe kishte bërë një apologji për as më pak dhe as më shumë se 5 grupe njerëzish: për familjen e tij, stafin, miqtë, njerëzit që besojnë dhe "për të gjithë ata që jetojnë në Karolinën e Jugut". Turi i apologjisë vazhdoi gjatë asaj jave në një mbledhje me kabinetin dhe në rast se ndonjëri nuk e kishte marrë mesazhin, muajin tjetër ai e shkroi përsëri apologjinë e tij në gazetën më të madhe të Karolinës së Jugut.

Perandori Henri IV

Ndonjëherë fjalët nuk janë të mjaftueshme. Një shembull i mirë është perandori i shenjtë romak Henri IV, i cili çau përmes Alpeve në vitin 1077 për t'ju lutur Papës Gregori VII që ta falte. Vetëm pas tre ditësh gjunjëzimi në dëborë, lideri mesjetar arriti ta bindte të pontifikuarin që ta mirëpriste përsëri në Kishën Katolike, pasi Henri IV ishte dëbuar për shkak se kishte uzurpuar autoritetin e Papës dhe kishte emëruar vetë peshkopët e tij. Apologjia dramatike ishte një pikë kthese në luftën shekullore ndërmjet fesë dhe lidërve fisnikë gjatë Mesjetës dhe imazhi i gjunjëzimit të Henrit IV përpara rivalit të tij shpirtëror është ai që artistët dhe shkrimtarët e kanë balsamosur në pikturë dhe prozë.

Bill Clinton

"E pranoj që kam patur marrëdhënie me zonjushën Lewinsky, që nuk ishte diçka e mirë. Faktikisht, është diçka e gabuar…kam gënjyer njerëzit, duke përfshirë këtu edhe gruan time. Jam penduar thellësisht për këtë".

Kur bashkëshortët jobesnikë kapen mat, zakonisht përballen me gratë e tërbura dhe fëmijët e mërzitur. Bill Clinton ia serviri marrëdhënien e tij jashtëmartesore të gjithë vendit. Fjalimi i tij përpara kombit me fytyrën e ngrirë më 17 gusht 1998 është ndoshta deklarata më publike e paturpësive presidenciale në historinë e republikës. Ai deklaroi marrëdhënien e tij seksuale me Monica Lewinsky, që punonte bashkë me të, por donte t'i jepte edhe fund skandalit duke thënë se "edhe Presidentët kanë jetë private". Ishte e patolerueshme. Interesi i medias, publikut, madje edhe Kongresit sa vinte e shtohej në muajt pasues duke çuar drejt shkarkimit të dytë të Presidentit në historinë e Shteteve të Bashkuara. Clinton kërkoi falje publike të paktën dhjetëra herë për marrëdhënien e tij, duke thënë më pas se deklarata e tij nuk ishte një apologji e denjë si ajo që meritonin shtetasit amerikanë. Më pas, në fund të atij gushti tha: "Tashmë jam bërë ekspert në fushën e të kërkuarit falje".

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers