Komplotet po e fusin botën në paranojë

Megjithë bollëkun e informacionit që na rrethon, megjithë përkushtimin e mediave publike e private ndaj së vërtetës, duket sikur ngjarjet më të mëdha, ose kyçe për të kuptuar epokën në të cilën jetojmë, nuk i ndriçojmë dot mirë


Megjithë bollëkun e informacionit që na rrethon, megjithë përkushtimin e mediave publike e private ndaj së vërtetës, megjithë paktet që lidhin organet e zgjedhura dhe institucionet me zgjedhësin dhe publikun, përsëri duket sikur ngjarjet më të mëdha, ose kyçe për të kuptuar epokën në të cilën jetojmë, nuk i ndriçojmë dot mirë, nuk ua kapim dot arsyet dhe motivet, as ua identifikojmë dot autorët, ose sipas rastit fajtorët.

Nëse apo sa lidhet kjo me bollëkun e informacionit, është diskutuar disa herë, por bollëku i informacionit nuk është i vetmi shkak i errësirës, e cila duket sikur na rrethon pikërisht atëherë kur kemi nevojë më shumë për dritë. As mund të akuzohet për fajtore bindja jonë, tashmë e padiskutueshme, se jemi në gjendje ta marrim vesh çka ndodh, nëpërmjet arsyetimit. Ndërkohë, edhe pse nga shumë anë e drejta për informacion përmendet si një nga të drejtat publike themelore, përsëri institucionet ngurojnë t'i hapen publikut.

Një ngjarje madhore, që ka përcaktuar këtë fillimshekulli, ishte sulmi terrorist i 11 shtatorit 2001 kundër Kullave Binjake në NYC dhe Pentagonit në DC; një pjesë e të cilit praktikisht edhe u transmetua live nga televizione në mbarë botën.

Pasojat e asaj ngjarjeje të kobshme sot i vuajmë të gjithë - dhe jo vetëm kur aplikojmë për viza ose kur heqim këpucët në aeroporte. Shpenzimet publike për të luftuar "terrorizmin" në vendet perëndimore, pas 11 shtatorit, kanë arritur shifra marramendëse; pa llogaritur këtu koston financiare dhe njerëzore të luftrave në Irak dhe në Afganistan/Pakistan.

Megjithatë, sot e kësaj dite, nuk ekziston një shpjegim logjik dhe koherent i atentateve të 11 shtatorit; por vetëm një version zyrtar i qepur me penj të bardhë, që nuk i qëndron kritikës.

Këtë pafuqi për të shpjeguar të përditshmen, në një botë që pretendon të jetë fund e krye racionale, publiku e kompenson, së paku deri në një farë mase, nëpërmjet interesit për të ashtuquajturat "teori të komplotit", ose hipotezave shpjeguese alternative për ngjarjet më madhore të epokës, që nga vrasja e Kennedy-t, deri te eksplorimi i Hënës me astronautë, e për të arritur në sulmet e mëdha terroriste të ditëve tona.

Interneti, duke qenë vetvetiu i hapur për të gjithë dhe, me përkufizim, i mbrojtur ndaj autoriteteve qendrore, ka shërbyer si mediumi më i përshtatshëm për këto teori komploti; të cilat tani edhe shtjellohen me hollësi në faqe të dedikuara, diskutohen në forume dhe ilustrohen me video gjysmë-amatoriale, të ngarkuara në YouTube.

Ndryshe nga ç'mund të kujtohet prej atyre që nuk e njohin mirë dukurinë, por mjaftohen ta përçmojnë (ndonjëherë edhe thjesht të shtyrë nga frika se modeli i tyre i realitetit mund të pësojë kolaps), teoritë e komplotit janë përgjithësisht racionale; madje themelohen mbi një vizion kritik të sendeve.

Për shembull, ithtarët e hipotezës se zbarkimi i astronautëve amerikanë në Hënë nuk është veçse një sajesë propagandistike e viteve të Luftës së Ftohtë, i mbështetin teoritë e tyre në analiza të imta të fotografive të misioneve Apollo; ndërsa ithtarët e hipotezës tjetër se objekti që u përplas me Pentagonin, në 11 shtator 2001, nuk ishte avion pasagjerësh, por një raketë çfarëdo, njëlloj analizojnë, kuadër pas kuadri, provat e pakëta fotografike që ekzistojnë nga ai incident.

Teoritë e komplotit janë, produkt i paranojës; ose i dëshirës që kemi, të gjithë, për shpjegime të tilla që të dimë të gjitha të njohurat e të panjohurat, duke i lidhur së bashku në sisteme koherente, ku pjesët të jenë në shërbim të së tërës.

Njëlloj absurd ishte versioni zyrtar që iu ofrua publikut, për incidentin e rrëzimit të avionit 800 të TWA, në vitin 1996. Nga shumë anë u përsiat se avionin e kishte goditur një raketë e lëshuar gabimisht nga një anije e flotës luftarake amerikane; madje për këtë u gjetën edhe një numër dëshmitarësh okularë.

Një tjetër akt terrorist që pushtoi titujt e edicioneve të lajmeve në mbarë botën pak javë pas 11 shtatorit 2001 - sulmi me pluhur antraksi në zarfe postare - ka mbetur sot e kësaj dite i pasqaruar, edhe pse autoritetet, këtë herë, u detyruan të pranonin se sporet e antraksit të përdorura nga terroristët e kishin prejardhjen nga një laborator në SHBA.

Mekanizmi psikologjik i teorive të komplotit mbështetet edhe në humbjen e besimit të publikut ndaj autoriteteve; që nga momenti kur ti, si destinatar i informacionit, nuk i zë më besë burimit që të informon, atëherë paranoja jote është e përligjur, pavarësisht nëse i përgjigjet realitetit apo jo.

Nëse publiku, për arsye të ndryshme, krijon bindjen se institucionet, policia, hetuesit, mass mediat kryesore (p.sh. The New York Times), komisionet parlamentare, gjykatat, ushtria etj., po ia fshehin të vërtetën, ose po e gënjejnë haptazi, atëherë çdo informacion që vjen nga lart do t'i nënshtrohet kritikës dhe, eventualisht, diskreditimit të pamëshirshëm.

Një dokumentar me titullin Ripple Effect, që akuzon drejtpërdrejt qeverinë e Blair dhe shërbimet sekrete britanike dhe izraelite për përgatitjen dhe ekzekutimin e atentateve të Londrës, po qarkullon anembanë Internetit dhe, çka preokupon veçanërisht, në mjediset e myslimanëve që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Kur vjen puna për të dalluar midis informacionit dhe kundër-informacionit, ose disinformacionit, Interneti nuk ndihmon; sepse vetë filozofia paranoide e konspiracistëve sugjeron që së paku një pjesë e këtyre teorive dhe shpjegimeve alternative e kanë burimin, përsëri, në përpjekjet e autoriteteve dhe të shërbimeve sekrete për të disinformuar, për të ngatërruar publikun e për t'ia tërhequr këtij të fundit vëmendjen nga teoritë e komplotit "reale".

Vetë Ripple Effect, sikurse përpjekje të ngjashme që qarkullojnë prej kohësh për të diskredituar 11 shtatorin 2001 zyrtar, mund të jetë përgatitur nga po ato forca që, gjithnjë po t'u besosh konspiracistëve, që kanë pasur gisht në atentatet, duke i lënë të ndodhin ose edhe duke i organizuar vetë.

Një dallim thelbësor midis teorive të komplotit dhe interpretimeve që mbeten në kufijtë e bon sensit ka të bëjë me narrativizimin; ose prirjen e konspiracistëve për ta shndërruar gjithçka që ndodh në rrëfenjë, me fillim dhe fund; personazhe, plane dhe dëshira; të mirë dhe të ligj; dukje dhe mosdukje; shtjellim, konflikt dhe zgjidhje.

Nga pikëpamja thjesht psikologjike, teoritë e komplotit afrojnë, në shumë pika, me formën paranoide të skizofrenisë. Në të dy herët, prishet drejtpeshimi midis arsyes dhe bon sensit; dhe logjika e shkakut dhe pasojës shtjellohet si lojërat e shahut midis fëmijëve - ose derisa njëra prej palëve të kapet mat.

Një efekt anësor i këtij tërbimi të arsyes është edhe përjashtimi i rastësisë ose i gabimit; ose pamundësia për të pranuar, qoftë edhe në parim, se diçka mund të ndodhë pa dashur, si rezultat i një kombinimi fatal rrethanash rastësore - p.sh., kur dikush gjen vdekjen, ngaqë i bie një tullë në kokë nga fasada e pallatit, teksa ecte në punë të vet, në trotuar. Populli më parë këto gjëra ia faturonte fatit.

Të mënçurit e sotëm, të armatosur me arsyen, nuk duan të dëgjojnë për fat. Çuditërisht, shumë teori komploti mbështeten, së paku në parim, nga një gabim elementar në zbatimin e teorisë së probabiliteteve ndaj ngjarjeve që kanë ndodhur.

Kështu, ndodh që një urë shembet dhe, mes viktimave, është edhe drejtori i një banke të përgojuar për manipulime fondesh, ose pisllëqe të ngjashme. Konspiracistët do të pyesin: sa është probabiliteti që ky bankier të gjendej duke kaluar urën pikërisht kur kjo e fundit u shemb?

Sa ishte probabiliteti që kullat binjake, në NYC, të shembeshin pasi të goditeshin nga dy avionë pasagjerësh? Praktikisht zero.

Atëherë, thonë konspiracistët, duhen kërkuar interpretime të tjera; p.sh. kullat u shembën, sepse "dikush" kishte vendosur atje ngarkesa me eksplozivë. Si dhe pse u shembën kullat, për këtë mund të diskutojnë inxhinierët; por argumenti i probabilitetit praktikisht zero nuk qëndron, meqë gjithçka që ndodh njëlloj pothuajse zero e ka probabilitetin.

Aksidente madhështore, si ai i anijes Challenger, janë shembujt më elokuentë të atyre rastësive, të cilat më pas zbërthehen nga hetuesit dhe analistët, për t'u rishkruar në mënyrë deterministe - kështu guarnicioni, kështu temperatura, kështu trysnia e ajrit.

Këto shpjegime, krejt legjitime, një hap i ndan nga ndërhyrja e konspiracistëve, të cilët shpjegojnë se "dikush" e dinte që shpërthimi i shuttle-it herët a vonë do të ndodhte, por nuk bëri asgjë për ta penguar.

Kështu, agjencitë e shëndetit publik dhe pas tyre edhe mass mediat, nuk lënë rast pa e llahtarisur publikun me lajme për epideminë e mundshme të gripit, duke botuar lloj-lloj projeksionesh dhe interpretimesh apokaliptike, shpesh të mbështetura nga epidemiologët dhe statisticienët; pas këtyre, vijnë konspiracistët, për të përsiatur se, në të vërtetë, epidemia e ardhshme e gripit do të shkaktohet artificialisht, për të pakësuar popullsinë e planetit; ose nga firmat farmaceutike, për të shitur barna antivirale.

I ndodhur përballë një ngjarjeje katastrofike, ose një atentati terrorist të pashembullt, ose një krize si ajo e sistemit financiar kohët e fundit, konspiracisti gjithnjë kujdeset të pyesë: Kush fshihet pas kësaj?

Pas atentateve të 11 shtatorit, një numër analistësh të pavarur i kërkuan organeve hetimore federale të gjurmonte se kush kishte përfituar, duke spekuluar me titujt e kompanive ajrore pak ditë para sulmit terrorist. Kjo kërkesë ra, me sa duket, në vesh të shurdhër. Që ka gjithnjë forca ose agjenci ose individë, të cilat përfitojnë nga një katastrofë, kjo nuk do të thotë, megjithatë, se këto janë përgjegjëse për katastrofën. Pas një tërmeti, gjithnjë do të ketë gjithfarë grabitësish, që do të kapen, duke vjedhur nga shtëpitë e viktimave - por është absurde t'i akuzosh këta se e kanë shkaktuar tërmetin.

Po ashtu, sulmet me spore antraksi në pako postare, në vjeshtë të vitit 2001, çuan në një rritje të pashembullt të konsumit të ciprofloksacinës (Cipro), një antibiotik që u rekomandua të merrej, për profilaksi, nga individët e ekspozuar ndaj sporeve. Autorët e atyre sulmeve ende nuk janë zbuluar, por do të ishte përsëri absurde të dyshohej për terrorizëm firma prodhuese e këtij bari (Bayer), e cila tek e fundit përfitoi miliona dollarë falë panikut të pashembullt që përfshiu publikun amerikan. Kospiracistët e kanë të vështirë, në mos të pamundur, të pranojnë gabimin; dhe ndonjëherë nuk mund të mos u japësh të drejtë, megjithë absurditetin e përfundimeve të nxjerra.

Kështu, kur NASA humbi kontaktin me Mars Orbiter, një sondë 125 milion dollarëshe e ndërtuar nga Lockheed Martin, për llogari të agjencisë amerikane të eksplorimit të hapësirës, u tha se kjo kishte ndodhur ngaqë Lockheed Martin kishte përdorur, për të programuar sondën, njësi të sistemit matës britanik; ndërsa NASA përdori, për të komunikuar me sondën, sistemin metrik.

Për pasojë, Mars Orbiter nuk e kompletoi dot fazën e futjes në atmosferën e Marsit, dhe humbi njëherë e përgjithmonë, duke vazhduar, pas gjasë, në një orbitë rreth diellit.

Si mund të ndodhë diçka e tillë me agjenci si NASA, ose kompani si Lockheed Martin? Shumëkush e bëri atëherë këtë pyetje, por konspiracistët u shtynë edhe më tej, për të shpjeguar se versioni për publikun nuk ishte veçse një maskim i shkakut të vërtetë të incidentit - p.sh. asgjësimit të sondës nga një UFO, ose diçka tjetër e ngjashme.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers