KOMPJUTERI/"Pushtetin popullit"


Steven Levy

Këtë verë po bisedoja me disa punonjës të rinj të Google dhe në një moment biseda u përqendrua tek proceset e lashtë të krijimit të dokumenteve, që përdorej nga një brez më i vjetër: brezi im. Kështu, unë (i lindur në 1951), u thashë këtyre 20-vjeçarëve se një herë e një kohë, njerëzit shkruanin në disa mjete që quheshin makina shkrimi, duke nisur nga fillimi dhe "pluguar" deri në fund, pikë në të cilën ata duhej të shenjonin me laps apo stilolaps dorëshkrimin për kalimin e radhës në makinë. Nëse lindte nevoja për të ndryshuar një fjali, apo një paragraf të tërë, do të duhej të shtypje në një tjetër letër, ta prisje tekstin e ri me gërshërë dhe të përdorje zamkë për ta vendosur tek origjinali. "Aha", thanë të rinjtë e Google, "prej këtu e paska origjinën shprehja "cut-and-paste" ("pri dhe ngjit")!

Ai moment ilustron më së miri hendekun mes botës ku u rrit brezi i baby-boomers dhe botës së sotme dixhitale. Ata të brezit të Pasluftës dikur rrotullonin sytë kur prindërit apo gjyshërit u tregonin anektoda të vjetëruara tashmë Linkolneske, në mungesë të televizionit. Por sot, ata ndoshta e gjejnë veten në mesin e ndarjes më të madhe teknologjike të historisë. "Sigurisht që ka patur transformime të hershme shumë të mëdhaja, si automobili, radioja, televizioni, kështu që do të ishte e vështirë të thuhej se brezi i mëparshëm ka jetuar në një mjedis statik", thotë bashkëthemeluesi i Microsoft, Bill Gates. "Por mund të thuash pa t'u dridhur qerpiku që sasia e transformimit në këto 30 vitet e fundit ka qenë shumë më e madhe.

Jo, ne nuk kemi makina fluturuese, nuk bashkëbisedojmë me robotë për filozofinë dhe në vaktet tona nuk kemi vetëm kapsula shumëngjyrëshe që përmbajnë gjithë sa nevojitet për të mbijetuar. Por kemi robotë që fshijnë dyshemenë si dhe një makinë shahu që mposhti lojtarin më të mirë në botë. Dhe kemi Microsoft Office, mesazhet e çastit, DVD, iPod, BlackBerry, Amazon, eBay, Google dhe karta krediti, me të cilat paguajmë çamçakëzë përmes valëve infra të kuqe. Lajmi i madh është dixhital: një sasi shumë e madhe gjërash që më parë ndodhnin në botën fizike, tani mund të bëhen virtualisht. Ashtu si cut-and-paste, shumë prej realiteteve me të cilët është rritur brezi i mëparshëm, janë metafora sot.

Në fakt, mund të argumentohet se baby boomer-i më i njohur është vetë kompjuteri. Ashtu si shumë që i përkasin këtij brezi, kompjuteri u lind në vitet pas Luftës së Dytë, u rrit në një mjedis kufizues dhe nisi të "rendë" si i marrë kur u "rrit". Tani, ashtu si brezi përkrah të cilit u rrit, kompjuteri ka marrë një rol udhëheqës, ndonëse ruan anën e vet të pashtruar.

Por do të ishte e padrejtë të mjaftoheshe duke thënë që kompjuteri ka transformuar jetët e atij brezi dhe vetëm kaq. Vetë ai brez ka meritën për orientimin e kursit të kësaj teknologjie, në mos të gjithë drejtimit të revolucionit dixhital. Gates është mes pionerëve të industrisë, sot në të pesëdhjetat. Por disa dekada më parë, ata ishin fëmijë të dhënë pas teknologjisë, që rrokën momentin atëherë kur prindërit as nuk e kishin idenë. Në vitet '50, kompjuterat ishin... si në vitet '50. Ishin makina gjigante monokrome, për të cilat kujdeseshin njerëz me këmisha të bardha dhe kravata të zeza. Ata zinin një dhomë të tërë dhe përdoreshin për detyra të tilla si kontabilitet, thyerje kodesh dhe përllogaritje statistikore. Ishin ikona të epokës konfirmiste e nuk kishin asgjë personale. Zinin një dhomë dhe kushtonin miliona dollarë. Nuk është se ishin të vështirë për t'u përdorur - ishin të pamundur për t'u përdorur. Ruheshin nga një lloj "vëllazërie" që me xhelozi nuk lejonte aksesin tek ta.

Edhe pas shpikjeve të mëdha në tranzistorë dhe mikroprocesorë në vitet '70, ata që kishin frenat në kompani si IBM apo Digital Equipment Corporation mendonin se nuk kish asgjë më absurde se sa një kompjuter personal. Kush do të donte të kishte një kompjuter të tijin? Për çfarë do të përdorej? Në vitet '60 dhe fillimin e viteve '70, shumë prej atyre që qenë pjesë e kundërkulturës urrenin kompjuterat dhe çdo gjë rreth tyre. Ata shiheshin si pjesë e Makinerisë së Luftës së Departamentit të Mbrojtjes si dhe të lidhur me depersonalizimin në masë të shoqërisë.

Por brezi i boomer-ave nuk mendonte kështu. Kishte edhe përjashtime gjeografike ndaj këtyre objeksioneve politike. Në Karolinën e Veriut - shtëpia e industrisë së chip-eve - lindi ideja që kompjuterët mund të fuqizonin njerëzit. Dy libra rezultuan kritikë për kalimin nga vizioni në veprim. I pari ishte "Computer Lib", i Ted Nelson, një manifest i rrëmujshëm që bënte thirrje për ndriçim të mendjes përmes kompjuterave. Teksti i dytë qe numri i janarit 1975 i Popular Electronics, që dha lajmin për kompjuterin e parë personal, Altar 8800 (një pajisje primitive që vinte në kuti dhe nuk kish tastierë apo monitor). Ngacmimi për këtë lajm bëri që aktivisti politik, Fred Moore të organizonte një grup të quajtur Homebreë Computer Club, i cili u mblodh fillimisht në mars 1975. Më pas, ai do të prodhonte një dyzinë kompanish, përfshirë Apple Computer.

Ndjesia e të mundshmes i bëri pjesëtarët e atij brezi që të bëhen pionerë të revolucionit. "Ata e shihnin teknologjinë si zgjeruese të mendjes", thotë John Markoff, autori i "Çfarë tha Gjeri". "Ishte pjesë e një përpjekjeje për të shpërthyer kufijtë e realitetit të viteve '50".

Sigurisht, ky qe rasti i Steve Jobs, i lindur në Valhalla, në 1960 në rrethinat e Silicon Valley, aty ku fqinji i derës ngjitur mund të të sillte chip-in drejt e nga fabrika për të luajtur. Ai shkoi në Kolegjin Reed, u përjashtua, shkoi në Indi dhe u rikthye në Silicon Valley, ku u rilidh me shokun e dikurshëm të shkollës, Steve Vozniak. Voz, siç e thërrisnin atë, ishte një njeri i pandikuar prej kundërkulturës. Kur ai i tregoi Jobs pajisjen mbi të cilën po punonte - një kompjuter që kish ndërtuar për klubin - Jobs u bë menjëherë partner i tij. Më pas, Jobs bindi Vozin hezitues që të largohej nga puna në Hewlett-Packard dhe të krijonin Apple, një kompani të cilës Jobs i vuri emrin sipas tekave të tij. Natyrisht, vlerat e brezit të tyre u pasqyruan në qasjen e tyre në dizenjimin e produkteve (konkretisht Apple II, që u bë i pari kompjuter personal në shitje në masë) dhe ndërtimin e kompanisë. Kur Jobs orkestroi daljen e kompjuterit Macintosh në 1984, ai preku pikërisht telat që njiheshin mirë nga brezi i tij, duke u bërë thirrje njerëzve të mos e shihnin si një produkt, por si një lëvizje.

Edhe më herët në lojë ishte Bill Gates, që nuk qe shumë i dhënë pas politikës, por që me ndihmën e shokut të shkollës, Paul Allen bëri bashkë copëzat dhe kuptoi se diçka e madhe do të ndodhte. Ai qe një student i vitit të dytë në Harvard në vitin 1974, kur Allen i tregoi atë numër të Popular Electronics. "Ne thamë, o Zot, mos vallë kjo do të ndodhë pa ne?" dhe në atë çast të dy u betuan të krijojnë programe për Altair. "Ne shkruajtëm sloganin tonë - një slogan shumë modest - një kompjuter në çdo shtëpi dhe në çdo tryezë në vitin 1975", thotë Gates. "Ishim të stuhishëm". A nuk iu duk e çuditshme që njerëzit që drejtonin kompani kompjuterash nuk mendonin kështu? "Rinia ka disa avantazhe", thotë ai, "është pak a shumë si fizika - Einstein pa relativitetin, të tjerët jo - por pastaj ai nuk kuptonte dinamikën kuantike, të cilën e kuptoi brezi i ardhshëm. Ka diçka në këto ndryshime të mëdha që është e vështirë të shihet".

Google është vetëm një prej kompanive më të fundit të teknologjisë së lartë që tërheq vëmendjen tonë, imagjinatën tonë dhe kohën e lirë. Brezat pasues të brezit të baby boomers krijuan gjigantë të internetit si Amazon e eBay dhe tani një tjetër student i larguar nga Harvard, Mark Zuckeberg drejton Facebook.

Asgjë nga këto nuk do të kishte ndodhur nëse vetë teknologjia nuk do të ishte pjekur dhe që për herë të parë të bëhej e mundur që të ndërtoheshin kompjutera personalë dhe të shkruheshin programe për ta. Por elementi tjetër ishte natyra e përgjithshme e inovatorëve. Magjia qëndron në faktin që këta dy faktorë u bënë bashkë dhe si rezultat, jetët e hershme të baby boomers-ave do të bëhen po aq të çuditshme për nipërit e tyre, sa ishin të çuditshme rrëfimet e gjyshërve të këtyre të fundit.

Google+ Followers