Kompjuterët me “zemër”

Të inatosesh nga kompjuteri personal nuk është ndonjë gjë e re, por çfarë do të ndodhte sikur ai në vend të kësaj të na përmirësonte humorin. Së afërmi pritet shfaqja e disa makinave që do të jenë të afta të na lexojnë emocionet. Këto mund të vendosen pranë kompjuterit në tryezën e punës. Ja përse bëhet fjalë.

Në filmat fantastiko-shkencorë kur një kompjuter ndërthuret me botën e  emocioneve ndodhin çudira të mëdha madje mund të ndodhë që makina të dashurohet me njeriun. Deri këtu po flasim për fantashkencë, por realiteti i së ardhmes së afërt nuk është shumë larg ngjarjeve të tilla. Madje ”emocionaliteti” i makinerive të ndryshme është një nga fushat më kreative e më shumë të investuara të teknologjisë së sotme. Bëhet fjalë kryesisht për prodhimin e makinerive që hyjnë në kontakte emocionale me njerëzit. Nuk bëhet fjalë për ngarkimin e kompjuterit personal me një ”artileri të rëndë” të mbushur me ndjenja, por për përmirësimin e komunikimit mes nesh, pra njerëzve dhe PC-ve. Kjo përmes përmirësimit të interaktivitetit të tyre dhe shtimit të intuitës. Për shembull kompjuterë që arrijnë të ndiejnë kur një përdorues është duke u stresuar apo duke u mërzitur. Deri më sot është arritur që të prodhohen makina që sinjalizojnë kur shoferit është duke i ardhur gjumë dhe në një rast të tillë ata japin alarmin. Por kompjuteri është  një makineri që i ndodhet më pranë njeriut gjatë ditës, kryesisht gjatë punës, por edhe në kohën e lirë. Por pavarësisht kësaj është bërë shumë pak deri më tani në fushën e përmirësimit të marrëdhënieve mes makinës dhe përdoruesit të saj. Një kompjuter mund t’ju ofrojë shumë informacione, por nuk mund të vërë re kurrsesi një situatë tuajën të ngarkuar dhe të stresuar. Ndërtimi i një sistemi ndërgjegjësimi për gjendjen shpirtërore të njeriut, është një hap shumë i madh përpara në teknologjinë kompjuterike drejt arritjes së të cilit janë përqendruar shumë forca. Një gjë e tillë mund të arrihet përmes analizimit të fjalëve, monitorimit të zërit apo edhe analizës së gjestikulacionit. 
Kështu, në kërkim të një intimiteti më të madh me kompjuterin, shkencëtarët e Institutit të  Teknologjisë në Masaçusets mendojnë se ”emocioni është themelor për sa i takon natyrës njerëzore, përvojës njerëzore, nxitjes së njohjes dhe perfeksionimit të memories, perceptimit, kryerjes më mirë të detyrave të përditshme si të mësuarit, komunikimit dhe çdolloj veprimtarie vendimmarrjeje. Megjithatë, teknologët e kanë injoruar një gjë të tillë për një kohë të gjatë, ndërsa kanë qenë gjithmonë të përqendruar në perfeksionimin e funksioneve mekanike, duke krijuar kështu shpesh makineri që i frustrojnë njerëzit”.

Një kompjuter nuk mund ta dijë kurrë që je i frustruar. Ai ka aftësi vetëm të dijë se çfarë je duke bërë keq dhe çfarë je duke bërë mirë për sa u përket programeve të ndryshme. Për të vënë re hollësi të tilla emocionale duhet që të jesh qenie njerëzore, ose të paktën një kafshë shtëpiake. Një muaj më parë në një panair shumë interesant të elektronikës në Shtetet e Bashkuara, Asus (krijuesi i Eee PC) reklamoi një sërë konceptesh kompjuterike të quajtur “Ëaveface”. Në këtë lloj mekanizmi të posaçëm paraqitet një orë, një laptop dhe një TV dhe ai funksionon edhe me prekje të ekranit dhe paraqet pamje High Definition dhe mbi të gjitha është i pajisur me një inteligjencë emocionale. ”Çdo element që ndodhet përreth ambientit të përdoruesit të tij, mund të përbëjë një burim të dhënash për t’u analizuar dhe për të ofruar shërbimin e duhur në kohën e duhur. Një aparaturë e tillë ende eksperimentale, komplekse, por edhe e ndjeshme do të jetë në një të ardhme të afërt shumë e përdorur nëpër zyra dhe vende ku kompjuteri përbën edhe mjetin kryesor të punës. Gjithsesi, bëhet fjalë për një epokë kur e gjithë memoria kompjuterike do të jetë e vendosur në një të ashtuquajtur ”re kompjuterike” në të cilat mbarten shumë informacione. Kjo do të mundësojë aksesimin e internetit nga çdo cep i botës dhe sasia e informacionit dhe shpejtësia e tij, sigurisht që do të jenë shumë më të mëdha se me memorien e kompjuterëve personalë. Një tjetër problem i madh është edhe përzgjedhja e informacionit të duhur. Për këtë qëllim pritet ndërtimi i disa mekanizmave të padukshëm në shërbim të përdoruesit të kompjuterit që veprojnë në dobi të tij. Bëhet fjalë për disa që quhen ”agjentë inteligjentë”  që përpiqen t’i sjellin përdoruesit nga moria e informacioneve atë të duhurin në një kohë shumë të shkurtër. Qëllimi është arritja e një informacioni në kohë reale. Detajet e produkteve të reja që janë ende në eksperimentim janë të shumta dhe sigurisht që ruhen me shumë fanatizëm deri në momentin e bërjes publike dhe të shitjes, por produkte në cilësitë e mësipërme mund të priten të shfaqen në treg ndoshta gjatë 5 viteve të ardhshme që do të shënojnë sipas shumë specialistëve edhe një lidhje më të ngushtë emocionale të njeriut me kompjuterin dhe në përgjithësi me të gjitha aparaturat që ai përdor gjatë jetës në punë dhe në kohë të lirë. Por nuk janë vetëm prodhuesit e kompjuterëve ata që janë të intriguar nga mënyrat e reja të interaktivitetit mes makinave dhe njerëzve. Edhe kompani të tjera kanë hedhur shumë para në këtë fushë, përfshi edhe prodhuesit e makinave. Toyota bëri bujë në vitin 2005 me Pod, një makinë eksperimentale që arrinte të perceptonte dhe sinjalizonte gjendjen shpirtërore të shoferit. Këtë e bënte përmes ndryshimit të ngjyrave në një ekran që ndodhej në afërsi të timonit. Makina ishte pajisur edhe me një zë të posaçëm që i fliste shoferit gjëra që presim të dëgjojmë kur jemi të gëzuar, të trishtuar e të tjerë. Më pas nëse shoferi do të ishte i stresuar, makina do të lëshonte një lloj arome që zakonisht përdoret nëpër sauna për të relaksuar e qetësuar njerëzit nga ana mendore dhe shpirtërore. Ose mund të lëshonte në sfond një muzikë të përshtatshme për një gjendje të tillë. Kjo vlen edhe për rastet kur shoferi mund të ishte i gëzuar, po mund të përjetonte ndjenja të tjera. Por në rastin e stresit ai zakonisht i bën shoferët që të sillen shumë keq me makinën dhe me rrugën, ndaj në një situatë të tillë u duhet ardhur në ndihmë në mënyrë që të shmangen aksidente apo situata të ndryshme të pakëndshme. Psikologë të ndryshëm janë pro këtij interaktiviteti mes makinës dhe njeriut. Sipas tyre është mirë kur kompjuteri e njeriu kanë lidhje emocionale, ose kur kompjuteri ka aftësinë e njohjes së gjendjes emocionale të njeriut. Në fakt, ne edhe pse nuk është e vërtetë i trajtojmë kompjuterët, apo edhe makinat tona sikur ato të kishin ndjenja e të na kuptonin. Madje janë bërë edhe studime për lidhjen që e kanë tashmë makinat me qeniet njerëzore edhe pse në këto lidhje sigurisht që nuk ka reciprocitet nga ana e makinës. Një tjetër e mirë e madhe e kompjuterëve me interaktivitet emocional është se makineri me sensitivitet të tillë i përfshijnë njerëzit dhe kjo përfshirje është shumë më pozitive dhe më produktive në punë, apo në veprimtarinë që ata kryejnë. Madje, ka nga ata që po përgatisin programe që do të arrijnë të punojnë me veset e njerëzve, si për shembull do t’i bindin të hanë në mënyrë të shëndetshme e të tjerë.

Një nga shembujt e hershëm të interaktivitetit të kompjuterit me njeriun është edhe i famshmi “Paperclip” i Microsoft. Për shumë njerëz, shfaqja e këtij detaji herë pas here në ekranin e tyre ishte një lloj mënyre komunikimi apo krijim ideje se ata nuk ishin vetëm dhe se diçka ishte aty për ta në një moment të caktuar.

Google+ Followers