Joga, disiplina e vjetër që vazhdon të mbetet në modë

Në ujë, hamak, në mal, ose duke udhëtuar... Arsyeja? Për të tonifikuar muskujt, ose luftuar celulitin. Tashmë teknika mijëravjeçare indiane ka filluar të bëhet pjesë e shumë shkollave. Ja disa këshilla për të zgjedhur disiplinën e duhur

Ka nga ata që e praktikojnë jogën në ujë, të tjerë të mbështetur në një hamak, disa të tjerë kur janë duke udhëtuar, ose nën shoqërinë e qenit. Joga është një teknikë që shoqërohet gjithmonë me konceptin e mirëqenies dhe shëndetit. Joga është mënyra më e mirë për ta njohur këtë disiplinë indiane që punon për të arritur harmoninë mes trupit dhe shpirtit. Njerëzit që praktikojnë jogën janë në Europë rreth një milion e dyqind mijë dhe shkollat në të cilat kryhet kjo disiplinë janë 830. 
Nëse keni një humor të mirë që ju shoqëron gjatë gjithë ditës, nëse rritet aftësia juaj për të reaguar, nëse gjendja juaj fizike dhe psikologjike është e mirë, nëse vështirësitë e përqendrimit janë më të vogla, nëse harmonia bëhet pjesë e jetës suaj së përditshme, atëherë pa dyshim që po praktikoni joga. Trupi juaj do të jetë më elastik dhe ju personalisht jeni më të ndërgjegjshëm dhe më të kujdesshëm për të zhvilluar aftësitë lëvizëse të trupit tuaj. Është normale që të rritet çdo ditë numri i të pasionuarve pas kësaj disipline lindore. “Në shkollat tona mësohen shumë lloje disiplinash, të cilat janë lëvizje fizike që e stërvitin njeriun për një shëndet sa më të mirë”, thotë një profesor joge. 
Duken të largëta kohët kur fjalët si “asana” (pozicion) dhe “chakra” (burim force) njiheshin vetëm nga një numër i vogël njerëzish. Sot vazhdon të rritet numri i shkollave ku mund të ndjekësh çdo lloj kursi. Mes disiplinave të ndryshme të jogës, përmendim “power yoga”, që tonifikon muskujt, “yoga pilates” që bashkon dy disiplina, “woga” ose “joga ujë”; “antigravity yoga” që përdor një hamak për të bërë ushtrime, duke sfiduar gravitetin. Disiplinat më dinamike janë “running yoga” dhe “trekking yoga” (joga që praktikohet në vende malore). Nuk është e thjeshtë të zgjedhësh mes dhjetëra teknikave, pasi ekzistojnë më shumë se katër milionë të tilla dhe vazhdimisht lindin disiplina të reja. Një nga disiplinat e konsideruara “historike” për nga sforcoja është “hatha yoga”, e cila ka më tepër lidhje me anën fizike; “raja yoga” quhet ndryshe “klasike”, ose disiplina e meditimit; “jnana” ose “joga e njohjes” përqendrohet tek ekuilibri i brendshëm; ndërsa “karma” është joga e veprimit. Gjithashtu, një disiplinë tjetër shumë e praktikuar është edhe “iyengar yoga”, që e ka marrë emrin nga një mjeshtër indian; “nidra yoga” konsiston në qetësimin e trupit, ndërsa “kundalini” përqendrohet tek energjitë e brendshme. Joga garanton elasticitetin e muskujve dhe të gjymtyrëve, por ndihmon edhe në shërimin e disa sëmundjeve. “Joga ndihmon për të mbajtur në formë trupin, në lehtësimin e dhembjeve të shtyllës kurrizore, qafës dhe në largimin e patologjive kardiovaskulare”, thotë një mjeshtër joge. “Gjithashtu është e dobishme në rastet kur ka probleme me frymëmarrjen, si dhe u vjen në ndihmë pacientëve që duhet të rikuperojnë ekuilibrin. Joga kuron sistemin nervor dhe përdoret për të luftuar varësitë ndaj ushqimeve të ndryshme, bixhozit, alkoolit dhe drogës”. Shumë studime vërtetojnë efikasitetin e jogës mbi sëmundje të ndryshme, edhe pse një pjesë e botës shkencore mendon se bëhet fjalë për një “efekt placebo”.

“Qëllimi është ai për të ‘rizgjuar’ një individ të caktuar që të gëzojë shëndet të mirë dhe të jetë plot energji”, thotë mjeshtri. “Veç të tjerash, joga ndikon pozitivisht në mirëqenien fizike: flokët rriten më shumë, qarkullimi i gjakut funksionon më mirë, përmirëson gjendjen e kapilarëve, madje disa pozicione të caktuara të jogës ndihmojnë edhe në luftimin e celulitit dhe në një tretje më të mirë. Joga ndihmon në mirëfunksionimin e mëlçisë, sistemit imunitar; ndikon pozitivisht gjatë periudhës së menopauzës dhe para lindjes së parë. “Në Perëndim njerëzit mbështeten shumë tek aspekti fizik i jogës, por nuk duhet harruar që është një disiplinë psikofizike: nuk mund të flasim për jogën vetëm nëse e praktikojmë për të mbajtur në formë trupin”, thotë mjeshtri. “Shkrirja mes mendjes dhe trupit ndihmon për të kapërcyer pengesat që lidhen me anën emocionale dhe frikat e njerëzve”, shton ai. 
Joga përkthehet ndryshe: të kurosh trupin dhe mendjen, duke kërkuar një mirëqenie të përgjithshme. Por e gjitha kjo mund të arrihet duke gjetur mësues të kualifikuar. “Një mësues e ndihmon nxënësin të gjejë disiplinën që i përshtatet më shumë”, përfundon ai.

Google+ Followers