Italia

Në vitin 2010 do të jenë 7 milionë italianët që kanë bërë një zgjedhje të tillë, duke e renditur Italinë të parën në kontinentin europian. Nga shëndeti te respekti për kafshët, ja arsyet pse i kanë thënë lamtumirë mishit

Mirë se erdhët në vendin më vegjetarian të Europës

Faji ishte i gjithi i një frigoriferi të mbushur plot e përplot. “Pashë biftek, proshutë, pulë. Ishin vetëm produkte të blera në supermarket. Atë ditë e kuptova se frigoriferi ishte plot kafshë të vrara dhe të prera në copa, për t’u bërë ushqimi im i përditshëm. Që atëherë kanë kaluar 25 vjet. Dhe unë tani jam një vegjetarian”. Ishte thuajse një dashuri me shikim të parë për Franco Castorinën, koordinatorin e shoqatës vegjetariane të Gjenovas. Luciana Baroni, mjeke dhe themeluese e shoqatës shkencore të ushqimit vegjetarian, u largua nga mishi dhe peshku ditën kur mbushi 40 vjeçe: “Mendoja edhe më parë për vuajtjet e kafshëve. Por nuk po arrija të vendosja, pastaj mendova t’i bëja vetes një dhuratë për ditëlindje: të ushqehesha pa shkaktuar dhimbjen e kafshëve. Për më tepër, kam zbuluar se kështu mund të jetohet edhe më mirë”. Në grupin e vegjetarianëve përfshihen shumë kategori: në të parën bëjnë pjesë ata që përfshijnë në dietën e tyre qumështin, vezët dhe perimet e ndryshme, duke përjashtuar mishin, peshkun dhe produktet e detit. Në të dytin janë ata që përfshijnë qumështin dhe përjashtojnë vezët e derivatet e saj. Pastaj janë edhe ata që përjashtojnë totalisht qumështin dhe vezët nga dieta e tyre ushqimore. Në Itali, sipas një studimi të “AC Nielsen”, numërohen rreth 6 milionë vegjetarianë, shifër kjo që do të shkojë në 7 milionë brenda këtij viti, duke e renditur kështu Italinë në vendin e parë në Europë për sa u përket njerëzve që nuk konsumojnë mish. “Në shoqatën tonë të ushqimit vegjetarian jemi rreth 400 veta dhe të gjithë jemi profesionistë. Përpiqemi të shpjegojmë se çfarë është me të vërtetë vegjetarianizmi dhe se si një dietë me bazë ushqimesh bimore është një nga mjetet më efikase për të qenë të shëndetshëm. Jemi në shërbim të atyre që kërkojnë një ushqyerje më të shëndetshme”, tregon Luciana Baroni. Prej disa vjetësh, doktoresha është bërë edhe vegane (që nuk konsumon as qumështin dhe as vezët). Shoqatat e vegjetarianëve janë të ndryshme, por mesazhi është i njëjtë: “Vegjetariani nuk heq dorë, por zgjedh. Vegjetariani është i lumtur. Sot, për shembull, kam bërë makarona me brokoli, pastaj kam përgatitur edhe një salcë me krem susami. Nëse bëhesh vegjetarian, nuk i humbet miqtë. Ata që më vijnë për darkë, më kërkojnë recetat. Nëse shkoj për darkë në ndonjë vend tjetër, i informoj më përpara që një rizoto apo thjesht një pjatë makarona mjafton”, tregon ajo. I lumtur për zgjedhjen e tij është edhe Francesco Castorina. “Sot kam përgatitur makarona me misër dhe hamburger me thjerrëza. Ushqimi është i rëndësishëm në mesazhin tonë”. Në fakt janë të shumta pyetjet që u drejtohen këtyre personave. A është e rrezikshme një dietë vegjetariane? A mund të jetohet pa mish? “Dieta jonë është e rrezikshme nëse nuk zgjidhen ushqimet e duhura. Indianët për shekuj me radhë nuk janë ushqyer me mish. Për sa i përket hekurit dhe kalciumit, mjafton të zgjedhësh perimet e duhura”. Të jesh vegjetarian është një zgjidhje, por kjo nuk i bën këta persona të ndihen superiorë në krahasim me të tjerët. Për të hyrë në shoqatën e vegjetarianëve në Gjenova, nuk paguan asgjë. Mjafton të regjistrohesh në faqen e tyre të internetit. Të gjithë të bashkuar për shëndetin e tyre dhe të atyre që duan të bëjnë këtë zgjedhje. Vegjetarianët dhe veganët, sipas informacioneve që kanë, tregojnë se për të prodhuar vetëm një kilogram mish duhen nga 6 deri në 16 kilogramë sojë apo drithëra të tjera, 15.500 litra ujë i pastër dhe 323 metra katrorë kullotë. Këtë kilogram mish e konsumon kush mundet në botën e industrializuar, ndërsa në vendet e botës së tretë të varfrit duhet të heqin dorë edhe nga drithërat. Për të treguar se dieta pa mish dhe peshk nuk është e dëmshme, përkundrazi, po citojmë emrat e disa atletëve që kanë çuditur botën: nga Carl Lewis te Martina Navratilova, nga Pavo Nurmi tek Edwin Moses. “Ndërsa një dietë vegjetariane nuk ka asnjë problem për shëndetin, ndonjë dyshim i vogël mund të jetë për atë vegane. Proteinat gjenden edhe te drithërat dhe bishtajoret, por vitamina B12 nuk gjendet te vegjetalet, përveçse te disa alga të caktuara. Kështu që ata të cilët heqin dorë nga qumështi dhe veza, mbeten fare pa të. Për këtë arsye, veganët duhet ta marrin në formë tabletash këtë lloj vitamine. Unë jam vegjetarian, por nuk jam vegan. Nuk mund të themi se për shekuj me radhë njeriu ka mbijetuar duke ngrënë vetëm perime. Kush hante bimë në të kaluarën, hante edhe insektet që gjendeshin në to. Higjiena jonë ka ndryshuar mënyrën se si i konsumojmë ato tani, ndryshe nga e kaluara”, tregon profesor Vinceziano Siani, profesor i ekologjisë së ushqimit në universitetin “Tor Vergata” në Romë. Por, numri i veganëve sa po vjen e po shtohet. “Kush nga një person që i ha të gjitha shndërrohet në një vegjetarian, fillimisht pasi heq dorë nga peshku dhe mishi, i drejtohet djathit, duke e tepruar paksa. Mendon se djathi i bën keq, por kjo ka lidhje vetëm me teprinë ndaj këtij ushqimi. Kështu që vendos të heqë dorë. Unë vazhdoj të konsumoj qumësht dhe derivatet e tij, edhe pse në sasi të vogla. Do të dukej absurde t’u drejtohesha pilulave”. Në Verona, në qershorin e kaluar, u hap ambulanca e parë pediatrike për fëmijët vegjetarianë në Itali. “Vegjetarianët duan që edhe fëmijët e tyre ta bëjnë këtë zgjedhje, por nuk dinë kujt t’i drejtohen. Pediatrit nuk janë të përgatitur dhe zemërohen. I çudit fakti që prindërit duan t’i rrisin fëmijët pa u dhënë mish apo peshk”, tregon Leonardo Pinelli, specialist për ushqyerjen e fëmijëve. “Ne e dimë se dieta vegjetariane është e shëndetshme, e dimë se 40 për qind e sëmundjeve nga diabeti te kolesteroli e deri te hipertensioni, mund të përballohen me një dietë vetëm me perime. Janë të shumtë prindërit që nisin të kërkojnë informacion se si duhet ta ushqejnë fëmijën në kohën kur fillon t’i jepet ushqim. Sigurisht që zgjedhja vegjetariane e prindërve për fëmijët mund të na çudisë, megjithatë, kur të rriten ata mund të vendosin vetë. Pastaj prindërit vijnë te ne edhe për një arsye tjetër: për të bindur veten dhe ata që i rrethojnë se një dietë e tillë është e bazuar në fakte shkencore dhe se të bën mirë për shëndetin”, përfundon ai.

Google+ Followers