Historia në mure


Më shumë se 20 vjet më parë, në 9 nëntor 1989 rënia e papritur e Murit të Berlinit shënoi epilogun e Luftës së Ftohtë, duke hapur kështu një epokë të re. E nëse fundi ishte i shpejtë, fillimi nuk kishte qenë më pak i tillë.

Një orën një e pesë minuta të natës së të dielës, 13 gusht 1961, në Berlin u fikën dritat përreth portës së Brandenburgut. Më shumë se 10 mijë ushtarë të Gjermanisë Lindore morën pozicion përgjatë vijës që, nga fundi i Luftës së Dytë Botërore kishte ndarë qytetin në dy zona influence, njëra amerikane dhe tjetra sovjetike. Një orën një e 54 minuta, metrotë që vinin nga perëndimi u ndaluan dhe u kthyen mbrapsht dhe nga 81 pikat e kalimit vetëm 12 prej tyre mbetën të kalueshme, ndërkohë që të tjerat u bllokuan me tela me gjemba dhe me ushtarë. Në 15 gusht, teli me gjemba u zëvendësua prej betonit. Kishte lindur "Muri". Ai rrethonte krejtësisht Berlinin lindor, një enklavë perëndimore në territorin e Republikës Demokratike Gjermane. Të mbyllur në një komb që u transformua në një burg të madh, gjermano-lindorët jetuan për 28 vjet me radhë duke u përpjekur për të gjetur një mënyrë për të ikur: mijëra vdiqën në këtë tentativë, mbi 200 vetëm në Berlin.

Perde

I lartë 4 metra, 12 nga viti 1975 i përbërë nga 45 mijë blloqe betoni 1.5 metra të gjatë dhe i mbrojtur, "në rripin e vdekjes" nga tel me gjemba, llogore, më shumë se 300 kulla roje, 20 bunkerë dhe një rrugë për patrullime, ai i Berlinit megjithatë nuk ka qenë as i pari dhe as i fundit mur i ngritur përgjatë historisë.

Sa për të filluar, vetë Jgermania ishte e ndarë nga Perdja e Hekurt, e cila që nga viti 1945 kishte ndarë më dysh Europën, që nga Szczecini në Poloni, në Gorizia, në Friuli-Venezia Giulia: një larmi muresh e pengesash që vinte deri në Itali.

Edhe në Itali ekzistonte një mur mes Lindjes dhe Perëndimit, i ngritur në vitin 1947 për të ndarë italianen Gorizia nga Nova Gorizia e Jugosllavisë: një mur i vogël me kangjella, i hequr në vitin 2004 dhe mbajtës kështu i titullit sa i përket kohëzgjatjes, mes mureve modernë europianë të pasluftës.

Mure

Ideja për të ndërtuar mure për të ndalur ushtritë armike apo për të penguar migrimet e popullsive të konsideruara armiqësore (edhe pse Perdja e Hekurt shërbente mbi të gjitha për të mos lejuar daljen jashtë të qytetarëve të Lindjes, më shumë se sa për të penguar hyrjen e të huajve) është megjithatë shumë antike.

Shembulli më i largët vjen nga Mesopotamia. Dinastia e tretë sumere e Ur, në fundin e mijëvjeçarit të tretë para Krishtit ndërtoi në atë që është Iraku i sotëm një mur mes lumenjve Tigër dhe Eufrat për kundërpeshë ndaj pushtimeve prej veriut të nomadëve Amorrei. Shu-sin (në fronin e Ur në periudhën mes 2037 dhe 2029 para Krishtit) urdhëroi ngritjen e një vije fortifikimesh 270 kilometra të gjatë, pak më në veri të Babilonisë. Ishte një dështim dhe nomadët Amorrei arritën të kalojnë gjithsesi.

Më jetëgjatë ishte Muri thuajse bashkëkohës i Princit, një vijë fortifikimesh e ngritur nga faraonë të dinastisë së XII egjiptiane në Sinai, për të penguar hyrjen në mbretërinë e tyre të popullsive semite të Sitisë dhe Palestinës. Por pushtimi nga Hyksosët luftëdashës ndodhi gjithsesi.

Në rend kohor, këtë mur e pasoi Muri i Madh Kinez (i cili ndonëse është shumë i gjatë, nuk është i dukshëm nga sipërfaqa e Hënës, ashtu si thuhet). I konsideruar me një gjatësi rekord deri 7 mijë kilometra në bazë të burimeve nga lashtësia, sipas matjeve më të fundit satelitore mendohet që në të vërtetë të jetë rreth 2 mijë kilometra më i gjatë.

Në distancë

Ideja e një muri për të mbajtur larg nomadëd paraardhës të Hunëve dhe Mongolëve të çon deri në projektet ambiciozë të perandorit të parë të Kinës: Qin Shi Huang, i cili sundoi në perandorinë qiellore në periudhën nga 229 deri në 221 para Krishtit. Por, disa të dhëna të çojnë edhe disa shekuj më herët, ndërkohë që një pjesë e madhe e ndërtimit aktual ka ndodhur në periudhën e dinastisë Ming (1368-1662). Ndërkohë që emri i tij në gjuhën kineze "Wanli changcheng" do të thotë "Muri i madh prej 10 000 li" dhe li është një njësi matjeje e barabartë me 500 metra, barriera është në fakt një kompleks linjash të ndryshme të fortifikuara dhe zgjatet deri në 8850 kilometra, nga të cilët: 360 kilometra llogore dhe 2230 barriera natyrore të lidhura mes tyre nga afro 6 mijë kilometra mure dhe të gjitha me pika për vendroje.

Qytetërimi romak

Në anën tjetër të botës, qytetërimi mjeshtër sa u përket mureve ishte ai romak. Dy mijë vite më parë, Perdja e Hekurt quhej "limes" (kufi) dhe u ngrit në momentin kur Perandoria Romake pushtoi së zgjeruari, diku rreth shekullit të dytë pas Krishtit. Në të vërtetë, edhe në këtë rast bëhej fjalë për mure të ndryshëm. Më i njohuri dhe që është pjesërisht i dukshëm ende dhe sot e kësaj dite është Muri i Adrianit. Perandori urdhëroi dhe Muri u ngrit në periudhën mes viteve 122 dhe 127 me vendndodhje mes Skocisë dhe Anglisë, me qëllimin që të kufizonte sa më shumë inkursionet e fiseve skocezë (veçanërisht të Pitëve). I gjatë 117 kilometra, nga Lumi Tin deri në Gjirin e Solway, Muri ishte në pjesën më të madhe 4 apo 5 metra i gjatë. Perimetri i tij plotësohej nga 14 fortesa të vogla, 80 vendroje pranë portave si dhe 158 kulla vrojtimi dhe sinjalizmimi.

Për të ruajtur ishin vendosur plot 9 mijë ushtarë. Një strukturë të ngjashme kishte Muri i Antoninit, i ndërtuar 120 kilometra më në veri nga Perandori Antonini Piu mes viteve 142 dhe 144. Ai bllokonte një hapësirë më të ngushtë të Skocisë dhe ishte i gjatë vetëm 60 kilometra, por megjithëkëtë u braktis shumë shpejt. E megjithatë, muret e ndërtuar prej romakëve që shënuan rekord nuk kanë qenë ata britanikë.

Duke parë rezultatet e mangët në Europën Lindore, Roma i ngriti limes-ët e vet përgjatë dy lumenjve të mëdhenj, Renit dhe Danubit. Për këtë qëllim u ngritën kufijtë gjermanikë-retikë, në qytete aktualë të Rheinbrohl mbi Kelheim an der Donau: 548 dilometra mure, gardhe, kulla vrojtimi. Fillimi i projektit ndodhi që në kohën e Vespasianit, por një impuls i madh erdhi prej Adrianit.

Sy më sy

Përreth mureve, për shekuj të tërë janë zhvilluar beteja. E fundit, në vitin 1864 në Davenirke (një mur që ekzistonte në Danimarkë që në kohën e Vikingëve, në shekullin IX) gjatë luftës së Dukatëve mes Danimarkës dhe Prusisë. Gjashtë vite më vonë, në vitin 1870 do të binte në Romë një tjetër Mur shumëshekullor, ai i getos hebraike që ishte ngritur në 1555. Por ndonëse nuk janë më në qendër të përplasjeve të nxehta, muret janë sërish të shpërndarë në të gjithë botën. Disa janë të mbetur nga Lufta e Ftohtë, të tjerë janë risi absolute.

Mes të parëve është barriera që prej mbi një gjysmë shekulli e ndan gadishullin korean në lartësinë e paralelit 38 gradë. Eshtë kufiri më i dashur në botë, vulosur që në vitin 1953, përgjatë 246 kilometrave të tij. Në veri, një diktaturë me frymëzim komunist, në jug, turbokapitalizmi i një (ish) "tigri aziatik". Në mes, një zonë e demilitarizuar e gjatë 4 kilometra që vetëm kohët e fundit ka parë një farë spirale hapjeje. Në mesin e zonës së demilitarizuar ndodhet madje edhe një dhomë për bashkëbisedime diplomatike me një tavolinë nën të cilën kalon tashmë ajo vijë historike kufiri, një mur i padukshëm i shenjuar vetëm nga një kabëll mikrofonësh, por i pakalueshëm.

Gjithmonë pas Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1947, lindi vija e fortifikimeve prej 2 mijë kilometrash që ndan Indinë dhe Pakistanin, në Kashmir, zona e kontestuar mes këtyre dy shteteve. Eshtë tashmë mbi 30-vjeçar edhe muri që ndan më dysh Qipron, në zemër të Mesdheut; Vijë e gjelbërt kalon nga bregu në breg për 180 kilometra, duke ndarë më dysh qytetin e Nikosias.

Barriera u ngrit në vitin 1974 pasi Turqia pushtoi zonën veriore të ishullit për të mbrojtur turko-qipriotët nga një grusht shteti filogrek. Situata nuk u zgjidh as edhe pas futjes së Qipros në Bashkimin Europian (2004), edhe pse u hapën gjashtë pika në kufi.

Qytete mure

Në muret e Qipros, murales-ët kujtojnë të vdekurit dhe të zhdukurit e atyre viteve. Por pikturat murale më të famshme, pas atyre të Berlinit, mund të gjenden në Belfast dhe në Derry, në Irlandën e Veriut. Këtu, Lufta e Ftohtë nuk ka fare të bëjë. Muret ndajnë lagjet katolike dhe ato protestante dhe ata u ndërtuan nga ushtarët anglezë në periudhën mes viteve 1969 dhe 1971. Që atëherë, vetë banorët kanë ngritur të tjerë, për të penguar hedhjen e bombave. Prapa këtyre mureve ndarës, që ironikisht në kompleks janë quajtur Peace line (Vija e paqes), jeton 53% e popullsisë së Irlandës së Veriut.

Modeli i Belfastit është duke u përhapur edhe në vende të tjerë. Për shembull në Bagdad. Kryeqyteti iraken është i ndarë sot në lagje mbi baza fetare (sunitë apo shiitë), apo etnike (kurdë), të ndarë nga mure betoni dhe postblloqe kontrolli. Ish-kryeqyteti i kalifëve ka marrë sot emrin Madet al Judran, Qyteti i Mureve. Sa për zonën e gjelbër, "getoja" e hoteleve dhe e të huajve, ajo është një fortesë e superblinduar.

Nën akuzë

Që nga viti 2004, në Izrael, qeveria e Tel Avivit ka nisur në fakt ndërtimin e një barriere të madhe, që sipas pretendimeve të saj duhet të mbrojë prej infiltrimeve terroriste. Një projekt prej pothuajse 700 kilometrash, shumë i kritikuar nga komuniteti ndërkombëtar sepse ka izoluar shumë vendbanime, duke i penguar praktikisht palestinezët që të lëvizin lirisht e si rrjedhim edhe të veprojnë. Në pjesën më të madhe bëhet fjalë për një mur betoni 3 metra i gjatë me barrikada të vëna në rresht, telekamera, sensorë elektronikë, rërë për të zbuluar gjurmët, mburoja antitank.

Një mur i ngjashëm është ngritur në kufirin mes Izraelit dhe Egjiptit, ndërkohë që një Vijë e Gjelbër në vitet '80 ndante Beirutin në Liban në dy sektorë: në atë të krishterë dhe në atë mysliman.

Më pak i njohur është Muri i ngritur prej marokenëve në Saharanë Perëndimore: barriera dhe fusha të minuara të zhvilluara në gjashtë faza, nga viti 1982 deri në vitin 1987, dhe që përgjatë 2720 kilometrave të tij pengon popullin e Saharavit që të pushtojë tokat që i pretendon si të tijat.

Në shkretëtirat afrikane edhe Italia ka ngritur murin e saj, atë të Giarabub, mes Cirenaikës në Libi dhe Egjiptit. I kërkuar prej kolonialistëve italianë për t'iu kundërvënë indipendentistëve libianë, ai ekziston që nga viti 1931 dhe që në një pjesë të tij përdoret ende si pengesë kundër imigrimit.

Dhe nesër...

Ndalimi i imigrantëve është qëllimi për të cilin janë ngritur edhe muret që rrethojnë, në Marok, enklavat spanjolle të Ceutas dhe Melillas, shembuj të vetëm të barrierave mes Afrikës dhe Europës. Apo Muri i Tijuanas mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Meksikës, i gjatë 1200 kilometra dhe që për çdo vit mijëra meksikanë përpiqen që ta kalojnë duke lënë ndonjëherë edhe jetën aty.

Ndërtimi i mureve për të ndarë është gjithmonë në modë. E demonstron këtë barriera ciklopike prej 4100 kilometrash që është projektuar nga inxhinierët indianë në kufirin me Bangladeshin. Do të ngrihet përgjatë lumit Brahmaputra dhe për ta realizuar do të përdoren edhe ishuj gjigantë lundrues.

Kur muri bëhet simbol

Muret nuk janë vetëm simbole ndarjeje. Qytetërimet urbanë nisën kur 10 mijë vite më parë, mure si ata të Xherikos në Palestinë filluan që të mbrojnë qytetet nga rreziqet e jashtëm. Dhe shumë shpejt fortifikimet u ngarkuan me domethënie mitike. Që nga muret e Xherikos, për Biblën të pakapshëm, deri tek ata të Romës, burim për legjendën e perimetrit e themelit të vendosur prej Romulit.

Muri simbolik më i njohur është megjithatë sot Muri Perëndimor i Jeruzalemit, i njohur gjithashtu dhe si Muri i Lotëve: është gjithçka çfarë mbetet nga Tempulli antik i Solomonit, i shkatërrur në fillim nga babilonasit, i rindërtuar dhe i shkatërruar përfundimisht nga romakët në vitin 70. Për hebrenjtë ai është vendi më i shenjtë në botë.

Më pak e njohur është historia e një muri të thjeshtë të ngritur në një ishull në Botën e Re: ai i ngritur në vitin 1624 nga ana e kolonëve holandezë për të mbrojtur Amsterdamin e ri nga inkursionet e indianëve dhe armiqve anglezë. Vendbanimi kaloi gjithsesi në duart e britanikëve dhe mori emrin New York. Por kujtimi i atij muri të drunjtë mbijeton në emrin e rrugës që shtrihet përgjatë gjurmës së tij dhe që është në vetvete një rrugë simbolike: Wall Street.

 

Google+ Followers