Gjyshërit e Kinës

Popullsia kineze po plaket me ritme të shpejta, ndërsa sistemi i pensioneve është thuajse inekzistent. Sot janë fëmijët që kujdesen për prindërit, por duhet patjetër ndërhyrja e shtetit

Liu Jinha ka punuar gjithë jetën. Dikur ka qenë punëtor në repartin e zjarrit, në fabrikën e çelikut në Changchun, një qytet me shtatë milionë banorë në verilindje të Kinës. Këtu në dimër ajri helmohet nga tymi i impianteve të ngrohjes me karbon. Aktualisht Liu Jinha është një pensionist 67-vjeçar, që i duhet të mbijetojë me rreth 20 euro në muaj. Nëse nuk do ta ndihmonte i biri që jeton më në veri, në qytetin portal të Dalianit, Liu nuk mund të plotësonte as kushtet minimale. “Nëse të gjithë do merrnin pak para, do të ishim në rregull. Por kur disa fitojnë tmerrësisht shumë dhe disa të tjerë asgjë, atëherë shteti duhet të ndërhyjë për të vendosur drejtësi”, tregon i veshur me kapotën e tij jeshile. Në Changchun, në korrikun e shkuar, erdhi goditja e fundit. Pronari i ri i fabrikës së shkrirjes së çelikut donte të nxirrte në pension rreth 5 mijë punëtorë. Pjesa më e madhe e tyre do të mbijetonin me një shumë nga 20 deri në 40 euro në muaj, ndërsa drejtuesi i stabilimentit sapo kishte marrë nga një shoqëri private metalurgjike e Pekinit rreth 440 mijë euro si çmim i fillimit të detyrës së re. U organizuan manifestime dhe protesta të mëdha. Pati përplasje me policinë, ku edhe drejtuesi i fabrikës, 37 vjeç, mbeti i vrarë. Pas revoltës, qeveria e Pekinit anuloi shitjen e stabilimentit. Këto çrregullime janë simbol i një problemi të madh. Nevoja për zhvillimin e një sistemi pensionesh të përshtatshëm po bëhet një çështje gjithmonë e më e rëndë për liderët kinezë. Kryeministri Wen Jiabao ka nënvizuar në shumë raste se rrjeti social duhet të forcohet. “Sa më shumë rriten vështirësitë, më shumë duhet t’i kushtojmë vëmendje harmonisë sociale dhe stabilitetit”, ka paralajmëruar duke iu referuar krizës ekonomike globale. Qeverisë i duhet të bëjë shumë për t’u siguruar pension të gjithëve në vendin më të populluar të botës. Në vitin 2030 mendohet se do të jenë 380 milionë qytetarë kinezë në moshë pensioni. Qeveria e Pekinit ka llogaritur se për t’i siguruar mbulimin e qytetarëve do të duhet të shpenzojë 57000 miliardë euro në dhjetë vitet e ardhshme. Në fakt, shoqëria kineze po plaket me ritme të shpejta dhe ky është një nga shqetësimet kryesorë të qeverisë vendase. Statistikat tregojnë se presioni social është i destinuar të rritet në të ardhmen. Pasojat e politikës së fëmijëve të vetëm për çdo familje do të përfundojnë duke e strukturuar shoqërinë në bazë të formulës 4-2-1: katër gjyshër, 2 prindër dhe 1 fëmijë. “Kina nuk është ende gati për një shoqëri që plaket”, tregon Ma Li, duke bërë një përmbledhje të situatës. Për këtë ai na jep edhe një shembull. Kështu, ndërsa numri i të moshuarve në botë është dyfishuar brenda 69 vjetëve, në Kinë kjo ka ndodhur për 27 vjet. Popullsia kineze po plaket me dyfishin e shpejtësisë së asaj amerikane. Për të shmangur këtë, në Shangai, verën e shkuar, autoritetet nisën një fushatë që i shtyn çiftet e formuara nga dy prindër, të cilët kanë qenë fëmijë të vetëm, për të bërë dy fëmijë. Fushata parashikonte konsulencë në shtëpi për të sapomartuarit, shpërndarjen e fletëve dhe një seri spotesh televizive. Duhet thënë që Shangai është paksa si Kina e së ardhmes. Rreth një e katërta e banorëve të Shangait janë më shumë se 60 vjeç dhe autoritetet parashikojnë se kjo shifër do të jetë një e treta e popullsisë brenda vitit 2020. Por kjo fushatë nuk është interpretuar njëlloj. Disa artikuj të shtypit vendas e kanë cilësuar si një sinjal shumë të keq për vendin. Në vitin 1973, para hyrjes në fuqi të ligjit për fëmijët e vetëm, qeveria kishte shpërndarë tri fjalët kyçe: wan, xi, shao (të martohesh vonë, të distancohen lindjet dhe të kufizohet numri i fëmijëve). Disa vite më vonë, një tjetër fushatë e qeverisë thoshte se “dy fëmijë janë mirë, tre janë shumë”. Në fakt, treguesi i fekondimit është reduktuar ndjeshëm, duke kaluar nga 5.7 në 2.8 fëmijë për grua. Zyrtarisht sot është 1.8, por sipas shumë demografëve, është diku te 1.5 apo 1.6. Por rregulli i fëmijëve të vetëm nuk aplikohet në të gjithë popullsinë. Ai aplikohet vetëm te 36 për qind e kinezëve, sidomos në qytetet mesatare dhe të mëdha. Në zonat rurale, ku jeton 53 për qind e popullsisë, çiftet mund të kenë një fëmijë të dytë nëse kanë një vajzë. Ndërsa minoritetet, që përbëjnë rreth 11 për qind të popullsisë, nuk kanë kufizime. Ekziston edhe mënyra për të kaluar limitin, duke paguar një gjobë që mund të kapë shifrën e rrogës mesatare të një viti. Por ndryshe nga sa mund të mendohet, popullsia kineze, e barabartë me 1.3 miliardë persona, nuk do të rritet në mënyrë të shfrenuar. Ekspertët vlerësojnë se mendohet që do ta arrijë pikun rreth viteve 2030-2035 me 1.45 miliardë qytetarë. “Popullsia do të rritet në mënyrë të pavarur nga politikat e adoptuara”, shpjegon demografi Wang Guangzhou. Ritmi me të cilin do e bëjë varet nga fakti se kur Pekini do të heqë dorë nga politika e fëmijëve të vetëm. “Jemi në një vonesë prej dhjetë vjetësh dhe po humbim kohë të çmuar. Demografia nuk është si ekonomia, ku mund të bësh një plan miliarda dollarësh që të prodhohen ndryshime në pak muaj. Sfida qëndron te ndryshimi i mentalitetit”, shpjegon Baochang Gu.

Shumë llogaritje

Kohët e fundit komisioni për planifikim familjar kinez ka thënë se politika e kontrollit të lindjeve duhet të ruhet edhe për një dhjetëvjeçar tjetër, për të shmangur rrezikun e një shpërthimi që mund të destabilizojë popullsinë. Por përtej ligjeve mbetet për të zbuluar se cila do jetë përgjigjja e brezave të rinj. Në Shangai, një sondazh mes çifteve të formuar nga një fëmijë i vetëm ka treguar që më pak se 20 për qind janë të gatshëm për të pasur dy fëmijë. Edhe në zonat rurale të Jiangsu, një studim ka dhënë pak a shumë të njëjtat rezultate. Çiftet me një prej prindërve që ka qenë fëmijë i vetëm janë të autorizuar të kenë dy fëmijë. Por vetëm 10 për qind do e bëjë këtë zgjedhje. Për të ardhmen, 21 për qind janë gati dhe 45 për qind thonë se do u pëlqente, por nuk munden, mbi të gjitha për probleme ekonomike.

Djemtë “kalojnë” vajzat

Nga viti 1980 e deri më sot, në vend kanë lindur rreth 38 milionë meshkuj më shumë se femra. Por përtej vështirësive të burrave për të gjetur një grua për t’u martuar, frika më e madhe është në aspektin social. Një numër më i madh meshkujsh të mbetur vetëm nuk do të ketë një familje ku të mbështetet e që mund t’i mbështesë gjatë pleqërisë.

Google+ Followers