Garda Revolucionare, si po e sundon Iranin me dorë të hekurt

Garda Revolucionare e Iranit, e njohur ndryshe edhe si “Pasdaran”, është një nga burimet më të rëndësishme që mbështet regjimin aktual iranian. Kjo organizatë e fuqishme është e para kur vjen fjala për të shpërndarë protestat anti-qeveritare, spiunon liderët e opozitës, si dhe mban nën kontroll programin bërthamor. Ajo është edhe në objektivin e Kombeve të Bashkuara për ndërmarrjen e sanksioneve të reja

A mund të ndodhë që 44 laureatë të çmimit “Nobel” të gabohen? Grupi i nobelistëve, si Betty Williams dhe Jody Williams, shkrimtarja Wole Soyinka dhe ekonomisti James Heckman, si dhe shumë figura të tjera prominente të fushave të ndryshme të kimisë, mjekësisë, ekonomisë e fizikës, kanë bërë një apel të publikuar në media drejtuar liderëve të vendeve më të fuqishme të botës: “I dashur Presidenti Obama, Presidenti Sarkozi, Presidenti Medvedev, Kryeministri Braun dhe Kancelarja Merkel!”, nis letra. “Edhe për sa kohë akoma do të qëndrojmë pasivë përpara skandalit iranian”?

Në apelin e tyre, 44 laureatët nobelistë u bënë thirrje liderëve botërorë që më në fund t’i jepnin një përgjigje regjimit iranian dhe ambicies bërthamore të këtij vendi përmes ndërmarrjes së “sanksioneve të ashpra e duke mbështetur protestuesit e opozitës”. Kjo ndërmarrje u iniciua dhe u mbështet nga Elie Wiesel dhe fondacioni i të mbijetuarve të Holokaustit, fitues i çmimit “Nobel” për paqen i vitit 1986. Këtij apeli iu përgjigjën menjëherë shumë politikanë të ndryshëm, secili në mënyrën e tij. Sekretari i Mbrojtjes, Robert Gate, tha se presioni i vetëm ishte presioni ndaj Iranit, ndërsa ministri i Jashtëm francez, Kushner, tha se, duke qenë se negociatat janë të pamundura, e vetmja gjë që mbetet për t’u bërë janë sanksionet. Politikanët izraelitë, nga ana tjetër, dhe senatori amerikan me shumë influencë, Joe Lieberman, i pavarur, mbështesin opsionin luftarak. Së fundmi duket se përshkallëzimi i konfliktit me Iranin është shtuar shumë.

Ai u parapri nga një deklaratë e beftë e Presidentit të Iranit, Ahmadinexhad, për të bashkëpunuar dhe për të bërë kompromise, por më pas ministri i Jashtëm i Iranit vuri parakushte të reja për çdo lloj marrëveshjeje dhe dha përshtypjen se Irani është duke luajtur lojën e maces me miun me Perëndimin, ndërkohë që vazhdon sipas planit projektin e tij bërthamor.

Ndërkohë, sundimtarët e Iranit u kanë mbijetuar 3 sanksioneve të mëparshme të ndërmarra, të cilat nuk kanë pasur ndonjë ndikim të dukshëm në ekonominë e vendit. Për sa u përket sanksioneve të mundshme, ato duhet të jenë të tilla që të godasin establishmentin politik, duke shkaktuar sa më pak dëme te njerëzit e thjeshtë. Nën drejtimin e Francës, Këshilli i Sigurimit të OKB-së do të fillojë negociatat këtë javë dhe aprovimi i sanksioneve të reja pritet që të bëhet në fillim të muajit mars. Edhe përfshirja e Moskës këtë herë në sanksione duket e mundshme, ndërkohë që ende nuk dihet pjesëmarrja e Kinës, e cila ka një marrëdhënie shumë të rëndësishme tregtare me Iranin dhe vë në lojë fatin e miliarda dollarëve. E vetmja gjë deri tani e qartë është objektivi i sanksioneve, një organizatë e mbështjellë me pushtet dhe fshehtësi: Sepah-e Pasdaran-e Enghelab-e Islami, ose Ushtria e Rojeve të Revolucionit Islamik, që ka mbrojtur dhe mbron teokracinë nga armiqtë e saj, përfshi kundërshtarët brenda vendit, të paktën përgjatë një periudhe 30-vjeçare. Kjo gardë, si një oktapod i vërtetë i ka shtrirë krahët në të gjitha qendrat më nevralgjike të vendit. Ajo kontrollon sektorët e ekonomisë, përfshi industrinë bërthamore dhe është shumë më e efektshme se një ushtri. Kudo që shkon dhe futet, vepron si një zgjatim i pushtetit të reagimit në fuqi. Forca milicore elitë u shfaq sërish disa ditë më parë, kur kundërshtoi me ngulm liderët e opozitës iraniane, që paralel me shfaqjen-propagandë të qeverisë me rastin e 31-vjetorit të revolucionit, po organizonin një demonstratë proteste pikërisht kundër regjimit. Lideri opozitar, Mehdi Karroubi, u sulmua. Kur bëhet fjalë për trashëgiminë e ish-liderit suprem të vendit, Ajatollah Ruhollah Khomeini, Garda nuk njeh masë e kufij në shfaqjen e ashpërsisë së saj. Ishte vetë Khomeini njeriu që rrëzoi nga pushteti Shahun dhe urdhëroi krijimin e Gardës Revolucionare më 5 maj të vitit 1979. Me anë të kësaj krijese, Khomeini donte që të krijonte një kundërpeshë ndaj ushtrisë që ishte krijuar nga Shahu Mohammad Reza. Ndryshe nga ushtarët e ushtrisë, që mund të jenë edhe shekullarë, anëtarët e Gardës janë fetarë të thekur e të zellshëm, dhe të betuar për të mbrojtur dhe mbështetur liderin e tyre. Mohsen Sazegara, 55 vjeç, është një bashkëpunëtor i afërt me Khomeinin, një nga liderët fillestarë të Gardës. Sot ai ndodhet në mërgim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është një nga kritizerët më të ashpër të organizatës. Plani origjinal ishte krijimi i një grupi prej 500 oficerësh, që do të ishin të aftë të drejtonin rreth 500 mijë vullnetarë. Ndërsa sot Garda është shumë më tepër se një milici. Ajo është një përzierje e ushtrisë me milicinë, organizatat terroriste dhe mafien, ose më mirë një shtet brenda shtetit.

Sipas tij, kjo njësi fillimisht modeste është shndërruar në një nga kartelet më të fuqishme në botë dhe kjo ngjitje nisi në vitin 1981, nën komandën e Mohsen Rezait, i cili e drejtoi Gardën Revolucionare për 16 vjet. Ai përfitoi nga lufta që Iraku pati me Iranin, për ta pajisur këtë milici më së miri ushtarakisht dhe organizata shumë shpejt ngriti edhe shërbimin e saj inteligjent, që kishte për synim mbledhjen e të dhënave për kritikët e regjimit dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete kundër elementëve të rrezikshëm. Forca Quds, emëruar kështu duke pasur parasysh emrin arab për Jerusalemin, u shndërrua në një forcë legjendare dhe është ende sot përgjegjëse për operacione në territoret armike. Presidenti Ahmadinexhad ka qenë vetë një anëtar i kësaj force në luftën kundër Sadam Huseinit dhe mendohet të ketë drejtuar edhe operacione në rajonin e kurdëve. Anëtarët e kësaj force mendohet që më pas të jenë përfshirë në një numër vrasjesh të liderëve të opozitës, përfshi edhe Hezbollahun në jug të Libanit. Që në fillim ishte dikush që e mbikëqyri me shumë kujdes këtë gardë dhe promovoi ngritjen e saj në pushtet: Ayatollah Khamenei, përfaqësuesi personal i Khomeinit dhe pasardhës i tij, i cili ka qenë lideri suprem  i vendit për 20 vjet. Ai që në fillim ishte i bindur se garda do të ishte një nga pikat e tij më të forta të pushtetit dhe që në fillim u dha anëtarëve të saj shumë privilegje. Aktualisht Garda përbëhet nga 125000 anëtarë, që përbëjnë edhe një të tretën e ushtrisë së rregullt.

Lideri i saj, Mahammad Ali Jafari, është padyshim gjenerali më i fuqishëm në të gjithë vendin. Ai gjithashtu kontrollon edhe 300 mijë rezervistë dhe çka është më e rëndësishme, edhe fanatikët vullnetarë të Basij, një milici që mendohet se ka rekrutuar rreth 1 milion rezervistë. Është një lloj policie morale, që nën komandën e Gardës ka qenë shumë aktive në shtypjen e opozitës verën e kaluar. Gjenerali është shndërruar në shtyllën kurrizore të regjimit. Ndryshe nga kolegët e tij të ushtrisë së rregullt, ai kontrollon edhe një perandori të vërtetë ekonomike. Garda ka grabitur në mënyrë të pamëshirshme ekonominë e vendit të saj me mbështetjen e liderit suprem. Askush nuk mund ta dijë saktësisht se sa kompani ka të sajat Garda, por sipas disa zërave, mund të bëhet fjalë për mbi 100 biznese të ndryshme. Sipas muhaxhedinëve të popullit të Iranit, që është kundërshtare e regjimit jashtë vendit, Garda Revolucionare kontrollon më shumë se gjysmën e importeve të vendit dhe thuajse një të tretën e bizneseve eksportuese. Gjithashtu kontrollon edhe portin më të madh të vendit, Bandar Abbas dhe aeroportin e Teheranit. Nën ombrellën e Gardës janë edhe kompanitë e ndërtimeve dhe uzinat industriale, në të cilat janë punësuar qindra mijëra vetë. Ndërsa për të penetruar në biznesin shumë fitimprurës së naftës dhe gazit, Garda nuk ka mënuar që të organizojë edhe luftëra të vogla me ata që i kanë bërë rezistencë. Pronarët e mëdhenj të Iranit ende e mbajnë mend se si në vitin 2006 Garda Revolucionare mori me dhunë një platformë nafte. Pas kësaj, pronari i ligjshëm e braktisi biznesin, i cili kaloi menjëherë në duart e Gardës. Vjeshtën e kaluar ata u përqendruan në industrinë e telekomunikacionit, ndaj një konsorcium i afërt me Gardën bleu një numër të madh aksionesh në Telekomin iranian. Si pasojë, aktualisht Garda kontrollon dy kompani telefonie celulare dhe një interneti, si dhe ka synime të tjera shumë të mëdha. Por mbi të gjitha, tentakulat e saj janë ngulur te politika përmes një “grushti shteti gradual”. Ndërsa shumë iranianë shpresonin për më shumë liri dhe liberalizim në vend nën udhëheqjen e ish-presidentit Khatami, Garda me bekimin e liderit suprem po përgatitej për një kundërgoditje dhe kështu në vitin 2005 e ndihmoi Ahmadinexhadin që të vinte në pushtet. Në administratën e parë ai ua shpërbleu “mirëbërësve” të tij, duke u dhënë 21 vende në kabinet dhe grupi që nga ajo kohë ka marrë kontrata shumë fitimprurëse nga qeveria, përfshi ndërtimin e një gazsjellësi me Pakistanin. Aktualisht në qeveri ata kanë 13 vende. Ndaj sanksionet e ardhshme do të kenë një objektiv shumë të qartë ndaj kësaj Garde dhe veprimtarive të saj të biznesit.

Google+ Followers