Fenomeni incestit, prejardhje kulturore apo pasoja biologjike

GERTJON ÇOBO

Lidhja ndërmjet dy individëve të të njëjtit gjak përbën problem substancial në themelimin e kohezionit social – kulturor ndërmjet një shoqërie dhe rrethi familjar. Kjo problematikë ka shqetësuar studiuesit për prejardhjen e incestit. Diskutimi nëse incesti ka prejardhje kulturore apo biologjike ka nxitur mendimet formale dhe jo formale brenda shoqërive të ndryshme. Incesti besohet t’i ketë fillesat e veta në fiset e lashta, si të Australisë ashtu edhe të Afrikës. Shenja të tij janë paraqitur gjithashtu edhe në fiset e sotme që jetojnë në brigjet e Amazonës. Incesti, në fiset e lashta paraqitej nëpërmjet Totemit. Totemi, që mund të ketë qenë kafshë, bimë etj.., të shenjtëruara nga vetë anëtarët, i atribuoheshin një fisi të caktuar dhe pjesëtarët e tij kishin marrëdhënie miqësore me njëri – tjetrin, duke përjashtuar marrëdhëniet seksuale brenda anëtarëve të të njëjtit Totem. Ruajtja e pasurisë, mbizotërimi i një anëtari të fortë të një fisi, konsiderohet se ka përjashtuar nga loja anëtarët e tjerë. Në fiset e lashta mbizotëronte një prijës, pavarësisht nëse ky i përkiste një qenieje njerëzore, anëtarët e fisit duhet t’i bindeshin për të ruajtur pastërtinë e tyre dhe naivitetin që karakterizonte pjesëtarët. 
Një pjesë të konsiderueshme të marrëdhënieve incestuale hasen në Bibël. Feja ka lënë gjurmën e saj në ndalimin e marrëdhënieve seksuale brenda të njëjtit fis, deri në gradën e katërt. Në Kuran shprehimisht thuhet, “është e ndaluar martesa me nënat tuaja, me vajzat tuaja, motrat tuaja, hallat e tezet, mbesat e nipat…” (Kapitulli 4, v27).
Por pyetja që na shqetësoi që në fillim lidhet me zanafillën e incestit. Por siç e pamë, incesti është formësuar dhe brendësuar nga vetë anëtarët e shoqërisë. Ata nuk kanë qenë në dijeni për pasojat gjenetike që ai mund të posedonte, por pavarësisht kësaj i ndaluan këto marrëdhënie. Teoritë biologjike, në fillimet e veta, duke u nisur edhe nga raste rastësore e lidhën incestin me pasoja të rënda që mund të ketë fëmija, lindur brenda kësaj marrëdhënie, si nga ana trupore ashtu edhe me prapambetje mendore. Tashmë, këto teori janë lënë pas, duke mos i shqetësuar më personat që stepeshin për këto arsye. Faktori kulturor ka qenë mbizotërues në ndalimin e marrëdhënieve brenda së njëjtës familje, por lind një pyetje mjaft e qartë, se përse gjatë gjithë kohërave apo edhe sot ndalohet incesti? Përgjigjet mund të jenë të larmishme dhe të variojnë në shoqëri të ndryshme. Megjithatë një gjë konsiderohet e sigurt, se faktori biologjik ka ardhur si përforcues i faktorit kulturor. Me shpalosjen e pasojave gjenetike që mund të kishte incesti, njerëzimi u difuzua nga një frikë, e cila iu shtua propagandimeve shoqërore. Pavarësisht përgënjeshtrimit, ai vazhdoi të ketë përkrahës në shumicën e shoqërisë perëndimore dhe jo perëndimore.
Fryma fetare erdhi si një përforcues në ndalimin e marrëdhënieve incestuale. Në shumicën e shoqërive ndalohej edhe që burrat të rrinin në të njëjtën dhomë me gratë dhe jo më të shiheshin. Megjithatë zanafilla e incestit shihet në fiset e lashta. Ato mund të konsiderohen si burimi i parë i ndalimit të marrëdhënies seksuale brenda fisit. Aty ku motra në moshën e menstruacioneve, ndalohej të takohej me vëllanë apo me babanë, për të shmangur kështu instinktin seksual. Megjithatë kur instinkti ndalohet të shfaqet, ai nuk zhduket por ndrydhet. Po t’i referohemi një nga psikoanalistëve më të njohur, Sigmund Frojd, ai shpjegon qartë marrëdhëniet incestuale në shpalosjen e kompleksit të Edipit apo Elektrës. Instinkti për të mbrojtur të ëmën nga i ati, apo e kundërta përforcojnë marrëdhëniet tinëzare midis tyre. A mund të shkaktonte kaos shoqëror pra, nëse vjen një moment dhe në shoqëri të bashkoheshin në marrëdhënie seksuale dhe të krijonin familje vëllezër e motra, prindër e fëmijë?
Unë i qëndroj mendimit se edukimi i shoqërisë vijon me proceset edukuese që vetë shoqëria zgjedh të implikojë. Pra, nëse që në lashtësi fiset nuk do ta paraqisnin si problem marrëdhëniet brenda një fisi, ky shkrim nuk do të ishte në duart tuaja. Ne flasim pas shumë e shumë dekadash kur fenomeni i incestit është dënuar rëndë. Njeriu nga natyra është i prirur për të prekur dhe pë t’iu afruar së ndaluarës. Në momente racionale, në një gjendje të ndërgjegjshme njeriu trembet edhe thjesht me idenë që mund të kryejë marrëdhënie me një të afërm të të njëjtit gjak. Por procesi i ndalimit dhe dënimit nga shoqëria bën që kjo vepër të shfaqet në mënyra të tjera. Disa njerëzve i atribuohet ky instinkt i ndalimit, me shfaqjen në ëndërr dhe kur individi zgjohet në mëngjes, i duhen disa ditë për t’u kthyer në gjendje të ndërgjegjshme. Ndërsa disa njerëz të tjerë e praktikojnë atë në fshehtësi, siç ishte rasti i austriakut para pak muajsh. Ky individ kishte izoluar të bijën për shumë vjet dhe kishte riprodhuar me të disa fëmijë. Pra dënimi i incestit nga shoqëria ka bërë që ai të mos kalojë në asnjë hallkë për t’u legjitimuar. Ndalimi i rastit të incestit qëndron në hyrjen e një gjaku të ri, në ndërthurjen e dy gjakrave të ndryshëm. Pra shoqëria ka zgjedhur, po them ka zgjedhur sepse zgjedhjet e fiseve të lashta mund të kapërceheshin nga brezi në brez. Pra ka zgjedhur të ketë ndërthurje gjakrash, duke pas ndërthurje do të ketë shkëmbime kulturore, ekonomike midis fiseve të ndryshme. Imagjinoni sikur çdo njeri të përqendrohej dhe martohej brenda një fisi. Mund të ishte shqetësuese për kohezionin social në çdo shtet, por edhe në shtete të ndryshme. Megjithatë kjo nuk është arsye reale për mos legjitimitetin e incestit. Përcaktimi i rregullave dhe se çfarë është e mirë dhe e keqe për një shoqëri nuk duhet të përcaktohet nga brezat pasardhës apo nga një grup njerëzish. Megjithatë nëse brezat paraardhës duhet t’i transmetojnë të gjitha vlerat brezit pasardhës është një çështje tjetër që do trajtim më të detajuar. Ajo që duhet të ekzistojë në shoqëri, ajo që duhet të mbizotërojë, është liria e zgjedhjes. Kanti fliste për liri zgjedhjeje, njeriu duhet të jetë i lirë të zgjedhë. Pra edhe incesti duhet parë nga një këndvështrim më i gjerë. Pra nëse liria e të qenurit njerëzor mund të ekzistojë, atëherë miratimi kundër intimitetit seksual me afrimitet gjaku, mund të qetësohet ose zhduket.

Google+ Followers