FAMILJA BORGIA/Engjëj apo djaj?


Nga Pyetje: Çfarë është dlirësia? Përgjigje: është një vrityt që Papë dhe Kardinalë e përcjellin nga babai tek i biri. Ai që e ka sajuar këtë batutë me siguri ka patur parasysh shembullin e një familjeje të fuqishme italo-spanjolle të Rilindjes, prej të cilës dolën personazhe të famshëm, që për "trashëgimi dlirësie" ishin kampionë. Disa shembuj: një kardinal që kish tre fëmijë, një papë që kishte nëntë dhe një dukeshë që lindi tetë fëmijë me burra të ndryshëm, duke përfshirë ndoshta kardinalin dhe papën e sipërpërmendur, që ishin babai dhe vëllai i saj.

Të turpshëm

Në Spanjë i quajnë Borja, në Itali, Borgia. Një emër që në Itali ka famë shumë të keqe, jo pa arsye: kardinali Cezare (1475-1507) u bë një politikan dhe ushtarak me një cinizëm proverbial, që frymëzoi edhe Princin e Makiavelit; babai i tij, Rodrigo (1431-1503) quajtur ndryshe Papa Aleksandri VI e katandisi Romën në atë qytet bordello, që më pas Luteri e krahasonte me Sodomën; dhe në fund kontesha Lukrecia (1480-1519), intrigante dhe ndoshta incestuoze, kujtohet si prototipi i feminilitetit negativ, më e keqe se shtriga e Borëbardhës.

Ishin të shumtë ata që kontribuan për legjendën e zezë të Borgia-ve, por më shumë nga të gjithë Rodrigo, i lindur në Spanjë, i cili u bë Papë në vitin 1492 (viti i zbulimit të Amerikës) dhe që pa filluar ende tregoi se nga çfarë brumi ishte gatuar, duke blerë konklavën. Një historian romak i epokës, Stefano Infessura shkruante se një natë, katër mushka të ngarkuara me argjend shkuan nga pallati i Borgias tek ai i Ascanio Sforzas, kardinali kyç për rezultatin e votimit. Të nesërmen, Rodrigo u zgjodh dhe Ascanbio u bë zëvendës kancelari i tij (sot thuhet sekretar shteti).

Plot vese

Thuhet se dita e bukur duket që në mëngjes. Dhe në të vërtetë, 11 vitet e papatit që pasuan ishin një orgji nepotizmi, simonie, intrigash, tradhëtish dhe seksi. Nepotizëm: pesë nga Borgiat u emëruan kardinalë dhe tridhjetë të tjerë morën detyra të tjera. Simoni: dhjetëra tituj fetarë u shitën tek ofruesi më i mirë. Intriga dhe tradhëti: papa ishte në fillim armik i francezëve që donin të shtinin duart në Napoli, por sapo këta, pas pushtimit i hodhën sytë nga Roma, ai ndryshoi menjëherë front dhe u vu në ndihmë të fitimtarëve.

Dhe në fund seksi, që për Aleksandrin VI ishte një hob në 360 gradë, pa as më të voglin diskrecion, as diskriminime klasash, as edhe tabu lidhjes fisnore. Një prej të dashurave të Papës ishte Giulia farnese, e cila kishte një shtëpi që ishte drejtpërdrejtë e lidhur me Shën Pjetrin. Një tjetër e dashur ishte Giovanna Cattanei që thirrej Vannozza, e cila kishte në pronësi dhe menaxhonte tre hotele në qendër të qytetit dhe që lindi katër fëmijët e preferuar të Papës (Giovanni, Cesare, Lucrezia dhe Goffredo). Një e tretë, siç thuhej, ishte ndoshta vetë bija e tij Lucrezia.

Ai që nxorri hollësira mbi këtë sjellje të Papës Borgia ishte një peshkop nga Alsazia, mjeshtër i ceremonive në oborr: Johannes Buckhardt, që në Itali njihej si Burcardi i Strasburgut. Në shkrimet e tij lexohet që, kur Lucrezia u martua, të ftuarit i hynë një gare të ngjashme me basketbollin, duke bërë kosha me ëmbëlsira në sutjenat e grave. Kulmi i festave papnore ishte "vallëzimi i gështenjave", në të cilin 50 gra lakuriq shpërndaheshin nëpër dysheme dhe aty improvizonin lëvizje të ndryshme që argëtonin të pranishmit.

Këto "festa të Papës" provokuan reagime të skandalizuara në një pjesë të klerit. Kritiku më i ashpër ishte një frat fiorentin, Girolamo Savonarola, i cili nuk e kursente aspak kishën e asaj kohe: "Në luks qe shndërruar në një prostitucion të pafytyrë, ti je më keq se sa bisha, ti je një monstër e papërfytyrueshme". Aleksandri i VI fillimisht e la dhe më pas e përcaktoi tezën e Girolamos një "doktrinë të dëmshme". Dhe më vonë, frati përfundoi fillimisht i dëbuar, më pas u rrah dhe u dogj.

Duhet saktësuar se, Aleksandri VI nuk i lyente asnjëherë duart e tij me gjak: linte që ta bënin të tjerë. I pari, biri i tij, Cesare, që quhej Valentino i emëruar kardinal në vitin 1493 dhe i shpriftëruar në 1497 dhe që Nikolo Makiaveli e quante "zotëri i shkëlqyer dhe i mrekullueshëm, shumë i zoti në armë". Ishte Cesare që i nënshtroi zotërinjtë romanjolë, që nuk pranonin ti nënshtroheshin papatit; dhe ishte sërish ai që kujdesej për rendin publik në Romjë, duke eliminuar kundërshtarët.

I paepur

Se sa i "shkëlqyer" ishte në këto raste Valentino, këtë e tregojnë dy episode. Njëri, i njohur si "darka e Senigallias" është i vitit 1503: pasi kish bërë paqe me pesë fisnikë rebelë, Cesare i ftoi ata në një banket pajtimi; por në fund të darkës, ai i vrau katër prej tyre. Episodi tjetër i përket vitit 1497: një natë, fëmija i parë i Papës, Giovanni, u hodh në lumin Tiber nga vrasës me pagesë që më pas mbetën të panjohur. Kardinali Sforza i drejtoi dyshimet nga "persona të fyer për shkak të femrave", por vox populi akuzoi Cesaren, që ishte xheloz për favoret që babai bënte për vëllanë e tij.

Saga e kësaj familjeje me të afërm-gjarpërinj përfundoi keq: Alessandro VI vdiq në vitin 1503 me simptoma të dyshimta helmimi, pak, pasi kish darkuar në Monte Mario në shtëpinë e një kardinali, Adriano Castellesi. Sipas historianit Francesco Guicciardini bëhej fjalë për një gabim tragjik: papa kishte pirë nga "gota të spërkatura me helm që i ishin dhënë në mënyrë të pavetëdijshme një ministri", dhe që zakonisht Cesare i përgatiste për të tjerë. Pas vdekjes së Papës, Valentino pësoi një rënie të shpejtë: i arrestuar dhe liruar dy herë, ai vdiq në betejë në vitin 1507.

Rikthim në origjinë

Fundi i Borgiave? Në Itali po, por në Spanjë familja vazhdoi deri në vitin 1820, falë pasardhësve të Giovannit të vrarë, të cilët përveç mbiemrit trashëguan një pronë (Dukatin e Gandias, pranë Valencias) si dhe gjakun blu që i lidhte.

Megjithatë, në atë të Valencias, Boriat janë shumë: guida e telefonit ka sot 223 në listë. "Por bëhet fjalë për homonime, të vetmit trashëgimtarë të Boriave të vërtetë quhen osuna dhe ata janë në Madrid", saktëson Ramon Arnau, historian i Akademisë valenciane të gjenealogjisë.

Megjithatë, në Spanjë emri i papës Aleksandër VI nuk shfaqet vetëm në guidat telefonike: të udhëtosh mes Valencias dhe Gandiash do të thotë të zbulosh pallate, kisha dhe vepra arti që i referohen në mënyrë pak a shumë të drejtpërdrejtë familjes së famshme. E vërteta është që, përtej Pirenejve, Borgiat kanë lënë kujtime që ndryshojnë nga ata që kanë lënë në Itali: atje ata konsiderohen bamirës, ndonjëherë edhe heronj. Aq sa rrugë dhe statuja që u dedikohen atyre i gjen gjithandej. Ndërsa dy komuna në provincën e Valencias (Xativa dhe Canals) diskutojnë mes tyre rolin e djepit historik të familjes.

Rrënjët

Mes dy djepeve rivalë janë 6 kilometra. Xativa është një qytezë me 20 mijë banorë e njohur për fabrikat e saj të letrës (më të vjetrat në Europë) si dhe për një kështjellë madhështore. Ndërsa, Canals është një fshat i vogël, që jeton me industrinë tekstile. Cila prej dy komunave ka të drejtë? "të dyja", përgjigjet Teresa molla Andres, studiuese e kulturës së Canals. "Origjina më e lashtë e Boriasve është padyshim tek ne: mbetet një kullë, që është restuauruar së fundi e që do të bëhet muze. Por shekuj më parë ajo shtëpi ishte e përfshirë në territorin e Xativas".

Që Boriat aty janë kaq shumë popullorë, kjo nuk përbën habi: në fakt, në sagën e tyre të zezë ka patur edhe njolla të bardha. "Shumë i bardhë" ishte në fakt një stërnip i papa Alessandros, Francesco (1510-1572), dukë i katërt i Candias, më pas gjeneral i jezuitëve dhe në fund i shpallur shenjt: edhe ai, ashtu si stërgjyshi i tij kish patur fëmijë, por përpara se të bëhej prift. "I bardhë" ishte dhe Alonso (1378-1458), i quajtur ndryshe Callisto III: një tjetër papë i familjes, Alessandro VI që nuk u akuzua asnjëherë për vese, por vetëm për nepotizëm, një mëkat i falshëm.

Ishte pikërisht Alonso, i lindur në shtëpinë-kullë në Canals që nisi atje epopenë italiane të Boria, që deri në fillimet e viteve 400 ishin një familje e qetë fshatare, e njohur, por jo fisnike, që kishte për stemë një dem të kuq: një logo që përtej Pirenejve ka të njëjtën domethënie si një ulkonjë në Romë apo një gjarpër i madh në Milano. Ishte një familje ende e varfër në histori (vetëm tre breza të dokumentuar), por e pasur me burime të tjera: miqësia me mbretin e Aragonës, yje në ngjitje në Spanjën e krishterë.

Zhvendosje

Ajo jetë e thjeshtë, e ëmbël dhe monotone, si një aranciatë mori fund pikërisht me Alonson, i cili, pasi i ktheu shpinën agrumeve, iu përkushtua studimeve, mori tre diploma, fitoi një katedër të së drejtës në Ileida dhe u bë më pas zëvendës kancelar i mbretit të Aragonës, Alfonso V. Dhe duke qenë se trajtimi i pushtetit dhe ai i shpirtërave shpesh herë koincidojnë, ai bëri edhe karrierë eklesiastike: në moshën 51-vjeçare u emërua peshkop i Valencias, kur ishte 66 vjeç u emërua kardinal dhe në moshën 77-vjeçare, papë. Papati i tij zgjati vetëm tre vite, por ndryshoi shumë gjëra: Për Boriat, për Spanjën, për Kishën.

Boriat, mbi të gjitha ndryshuan atdhe (shumë prej tyre u transferuan në Romë pas papës), mbiemër (i italianizuar në Borgia pikërisht prej Callistos III) dhe status shoqëror (nga prodhues portokallesh në klerikë të lartë, juristë, funksionarë të lartë dhe pak dukë). Spanja ndryshoi qëndrimin artistik, duke zbuluar rilindjen italiane. Sa për Italinë, ajo ndryshoi aset politik dhe 50 vite më vonë, rrezikoi të unifikohej nga Cezari pervers.

Dhe në fund, Kisha ndryshoi ekuilibrat e saj. Callisto III ishte i pari Papë spanjoll dhe i pari joitalian prej tetë konklavash. Arnau komenton: "Ishte një revolucion i vërtetë, që përçau familjet patrice romane (Orsini, Colona, Piccolomini) që ishin mësuar ta trajtonin Papatin si "gjë të tyren". Dhe revolucioni vazhdoi edhe pas konklavës: nepotizmi, për të cilin Callisto III u akuzua më vonë prej kundërshtarëve, ishte vetëm një tentativë për të futur në aparatin e Vatikanit njerëz të besuar të tij për t'u hequr pushtet fisnikëve të Romës". Po si kishte arritur Alonso të shkonte kaq lart, duke u nisur nga kulla e Canals? Për këtë pikë ka dy shkolla mendimi.

Pakte të qartë

Për të kuptuar shkollën e parë, mjafton të shohësh altarin e Oratorëve të Kullës, një kishëz e vogël në Canals m'u përballë ish-shtëpisë të Boriave. Në pikturë shfaqet një predikues i shekullit 13, atë Vicente, i cili qëndron përpara një fëmije dhe i predikon: "Ti kur të rritesh do të bëhesh papë dhe mua do të më shpallësh shenjt". Fëmija pohon me kokë. Sipas legjendës, ajo marrëveshje këmbimi, pati një efekt të dyfishtë: kur u rrit, fëmija u bë Papa Callisto III; dhe atë Vicenze u bekua prej tij San Vicenzo Ferrer, patron i Valencias.

Shkolla e dytë e mendimit jep një tjetër version: Alonso, sipas saj bëri karrierë falë myslimanëve. Kur u hap konklava në vitin 1455, bota e krishterë po jetonte kohë të vështira. Në fakt, në lindje, turqit, pasi kishin marrë Kostandinopojën (1453) ishin duke iu ringjitur Ballkanit drejt Hungarisë, ndërkohë që në Perëndim morën vazhdonin të mbanin të pushtuar një pjesë të Spanjës, ndërkohë që në jug ishin të kudondodhur piratët saracenë. "Për të ndalur turqit duhej një papë që ishte mësuar t'i kundërvihej islamit: prandaj u zgjodh një spanjoll", konkludon Arnau.

Kryqëzatat

Për Boriat, myslimanët ishin fqinjë të urryer. Se sa të afërt ishin, këtë e kupton në qendrën historike të Xativas, një kryqëzim rrugicash në kodrinë që të kujtojnë kasbahun e Algjerit; apo pranë në Simat de la Valldigna, një fshat ku një konventë në të cilën kish qenë abat Alessandro VI (Santa Maria) bashkëjeton me Xaran, një ish xhami. Se sa të urryer, këtë mund ta shohësh në muzeun e arteve të bukura të Valencias, në veprat e Juan Rexach, piktor i viteve katërqind, i cili në Via Crucis u vendosi çallma arabe të gjithë "të këqijve", duke përfshirë edhe Ponc Pilatin.

Alonso Boria vinte nga e njëjta klimë kulturore e Rexaxh. Dhe kur u bë papë u përpoq të organizojë një kryqëzatë antiturke. Reagimi i mbretërve europianë erdhi me gjysmë zemre, por megjithatë pushtuesit u ndalën në portat e Beogradit. Pra, nëse gratë serbe nuk mbajnë sot vello islamike, kjo i dedikohet pak edhe Callistos III, "dhe nëse nuk mbajnë vello as andaluzianet, kjo i dedikohet pak Alessandros VI, mbështetës i mbretërve katolikë, të cilët u dëbuan orët e fundit nga Spanja", shton Vicente Ribes Iborra, historian nga Xativa dhe docent në universitetet e Valencias dhe Madridit.

Pra, Alessandro VI nuk ishte vetëm papë i "koshave në sutjena" dhe i ballove të gështenjave? Eshtë pikërisht kështu: përndryshe nuk do të kishte një statujë në Gandia dhe një tjetër në Xativa, përbri asaj të Callisto III. Edhe diçka tjetër: pa Alessandron dhe bijtë e tij, rajoni valencian nuk do të kishte monumente të rëndësishëm historikë. Në Gandia pallatin e Dukës, në Valencia universitetin dhe pallatin Benicarlo (ish-shtëpia e Boriave, sot ndërtesa e Parlamentit rajonal).

Efekti Borgia

Duke e thjeshtësuar pak, mund të thuhet se Borgiat ishin për Valencian, ajo çfarë në të njëjtën periudhë de Medicit ishin për Firencen. "Por, familja nuk ishte e rëndësishme vetëm në Spanjë", shton Ribes Iborra. "Në Itali, Alessandro VI dhe Valentino, ishin të parët që e konceptuan idenë që të bashkonin gadishullin nën një kurorë të vetme. Dhe kjo, 350 vite përpara Savojave. Nëse projekti i tyre do të ishte realizuar, ndoshta papati do të ishte transformuar në një monarki të trashëgueshme me karakter kombëtar".

Efekti Borgia u ndie edhe përtej Atlantikut. 'Në fakt, pas zbulimit të Amerikës, Alessandro VI arriti që të shmangë një luftë botërore mes Spanjës dhe Portugalisë, duke i ndarë Inditë perëndimore në dy zona influence: nëse edhe sot, nga Kili në Meksikë flitet spanjisht, ndërkohë që Brazili përdor gjuhën portugeze, kjo vjen për shkak të atij vendimi të lashtë papnor. Nuk është e gjitha: qyteti kalifornian i San Diegos, u krijua falë kapitaleve të Borgiave. Dhe epopeja e jezuitëve në Paraguaj, rrëfyer në filmin Mission me Robert De Niron, u krijua nga shenjti dhe duka Francesco".

Surpriza

Ish-familja e panjohur e Canals (apo Xativas) ka shkruajtur një copëz të historisë së botës. Ndërkohë, në Simat della Valdigna ka shkruajtur madje një histori të tolerancës ndëretnike, sepse Xara (xhamia) u ndërtua nga Cesare Borgia, ndërkohë që ky (ashtu si i ati) ishte abat i Manastirit të Santa Marias aty pranë, xhami që u përdor nga disa fshatarë arabë që qëndruan aty pas ripushtimit kristian.

Një xhest vërtetë i mirë. Mëkat që mihrabi, domethënë dritarëzja prej ku imami drejton faljen, nuk ishte i drejtuar nga Meka, siç e kërkon Islami. Kur e kuptuan këtë, fshatarët protestuan, por morën përgjigjen që, nëse xhamia nuk ishte sipas kërkesave të Kuranit, ata fare mirë mund ta kthenin në kishë dhe të bëheshin të krishterë. Përpara një logjike kaq kokëfortë, arabët e Simat u larguan për në Marok. Atje poshtë, sot, pasardhësit e tyre prodhojnë agrume nën kosto, i eksportojnë në Europë dhe nxjerrin jashtë tregu bujqit spanjollë. Edhe kjo është një trashëgimi e lënë nga Borgiat, dinasti e gjithanshme shenjtësh, helmuesish dhe shitësish të frutave.

Dukesha e mallkuar

Një kavalier francez, një farë Bayard e quante "dukeshë e mirë, perlë e kësaj bote". Peshkopi Burcardo i Strasburgut e akuzoi për incest me vëllanë Cesare dhe me të atin, me të cilin madje kish lindur edhe fëmijë, i cili hyri në histori si Fëmija Roman. Ajo, në një letër të shkruajtur në fund të jetës, u vetëshpall "kristiane, ndonëse mëkatare". Atëherë, cila ishte Lucrezia Borgia, bija e papës Alessandro VI?

Akuza e incestit nuk është provuar, por është e sigurtë se gruaja më e përfolur e Rilindjes kish patur një jetë seksuale të trazuar: që në moshën 11 -vjeçare kish patur dhe më pas prishur dy fejesa zyrtare; në moshën 13- vjeçare u martua për herë të parë, në moshën 19-vjeçare për herë të dytë dhe 21-vjeçare për herë të tretë. Bashkëshorti i parë, Giovanni Sforza, dukë i Spoletos, u dëbua i akuzuar për impotencë, i dyti, Alfonso i Aragonës vdiq pasi e vranë, ndërsa i treti, Alfonso D'Este, dukë i Ferrarës, i mbijetoi. Burrave i shtohen më pas shumë dashnorë, që nga humanisti Pietro Bembo, deri tek një shërbëtor i të atit, një farë Perotto.

Domethënë, një burrëngrënëse? Gojëdhëna thotë që po: sipas legjendës, 'dukesha e mirë" kishte një unazë me helm me anë të së cilës eliminonte meshkujt që i mërziteshin. Por, historianët modernë kanë prirjen që të rishohin gjithçka: ndoshta Lucrezia ishte vetëm pedinë dhe viktimë e lojërave të të tjerëve. Martesat e saj bëheshin dhe zhbëheshin nga i ati për arsye politike. Dhe i vetmi burrë që Lucrezia e dashuroi vërtetë (i dyti) u vra pothuajse me siguri nga vrasës të dërguar prej Cesare Borgias, për shkak të xhelozisë apo për arsye se qe bërë i pavolitshëm.

Google+ Followers