Edvard Munch, “një klithmë” në kanavacë

Edvard Munch konsiderohet si një nga pionierët e ekspresionizmit në pikturë. Vepra e tij ka luajtur rol të veçantë në pikturën moderne dhe është mjaft e njohur në Europë e kudo në botë

Lindur më 1863-shin, në Loeten (Norvegji), Edvard Munch ishte i dyti prej pesë fëmijëve të një mjeku ushtarak e gruas së tij. Kur ishte pesë vjeç, e ëma i vdiq nga tuberkulozi. Pas kësaj, një jetë e zymtë pllakosi gjithë familjen. I ati u tërhoq pak e nga pak drejt përkushtimit fetar, ndërkohë që Sofia, motra e dashur, një vit më e madhe se ai, bie ashtu si nëna, viktimë e po asaj sëmundjeje të mallkuar. Edvard i qëndron pranë dhe përjeton deri në fund agoninë e saj të llahtarshme. Më 1880-n, ndërkohë që sapo kishte mbushur shtatëmbëdhjetë vjeç, ai ndërpret studimet për inxhinieri dhe vendos të bëhet piktor. Më 1889-n, ndërkohë që i vdes i ati, Munch hap ekspozitën e tij të parë në Oslo dhe fiton një bursë shteti për të kryer studime në Francë, ku do të qëndrojë deri më 1892-shin. Por, ishte në Gjermani, në Berlin, që legjenda e këtij piktori nis të hedhë rrënjë e ku do të lindë talenti i tij i madh, në rrethana pak a shumë të rastësishme.

Duke mos ditur pothuajse asgjë rreth krijimtarisë së tij, por e influencuar prej rekomandimit të akademikut norvegjez, Adelsteen Normann, Shoqata e Artistëve Berlinezë (“Berliner Kunstverein”) e fton atë të organizojë një ekspozitë vetjake në “Shtëpinë e Arkitektëve”. Por, reagimi i kritikës dhe pakënaqësia e publikut ishte aq e fortë, saqë ajo u mbyll shtatë ditë pas përurimit. Mes të rrallëve të cilët mbrojtën artistin e ri, ishte shkrimtari polonez Stanislaw Przybyszewski (1868-1927), i cili në krijimtarinë e Edvard Munch zbulon për herë të parë frymën e saj fantastike dhe njëkohësisht satanike. Më pas, vepra e Munch do ta ndiejë dukshëm influencën e këtij shkrimtari të çuditshëm e jo vetëm atë, por edhe të gruas së tij, të bukur e diabolike, një femër e rrethuar gjithandej nga burra lakmitarë që vdesin për të. Munch i rënë keqas në dashuri, kalon një periudhë ankthi, vetmie dhe xhelozie. Kjo gjendje, padyshim që do të lërë vragë të thella e do të ndikojë jo pak në vizionin e tij rreth femrës: njëherazi tërheqëse e të frikshme, erotike dhe vdekjendjellëse.

Ndërkohë, siç ka ndodhur e ndodh rëndom në botën e artit, skandali i mbylljes së ekspozitës së tij në Berlin do të ngjallë interes të veçantë rreth tij, si njeri e si piktor. Kështu, punët e Munch kërkohen gjithmonë e më tepër e ai, paskëtaj, do të jetojë vetëm në sajë të shitjeve të pikturave të tij. Më 1893-shin ai realizon tablonë e njohur “Klithma”, e cila simbolizon vetminë e njeriut në ekzistencën e vet e që do të mbetet, ndofta, një nga veprat më të riprodhuara në historinë e artit (Munch vetë ka bërë nja pesëdhjetë variante të saj). Ndërkohë, më 1895-n ndodh një tjetër fatkeqësi, i vdes i vëllai, Andreas. Pas kësaj, Munch do të obsedohet edhe më tepër nga ideja se shumë shpejt e gjithë familja e tij do të shuhet po në të njëjtën mënyrë.

Edvard Munch ishte burrë tepër tërheqës. Bukuria e tij, disi e ashpër, shkaktonte një tërheqje të veçante te femrat. Por, natyra e tij, pak e vrazhdë e njëkohësisht e ndrojtur, e mbante larg prej tyre. Mbas vdekjes së Dagny Juell Ducha, e cila kish lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e Munch, një femër tjetër ia shtoi tragjikisht edhe më tepër paranojën shpirtit të tij të ndjeshëm. Në fakt, nuk dihen shumë hollësira rreth kësaj femre nordike flokëkuqe (si Ducha) të quajtur Tulla Larsen, e cila ra aq çmendurisht në dashuri me Munch, saqë ishte gati të martohej me të. Por, Munch nguli këmbë e nuk pranoi për arsyen, siç shprehej ai, se ajo në krahasim me të ishte shumë e pasur e kjo gjë e vinte në siklet, ngaqë të ardhurat e tij si piktor nuk ishin aspak të sigurta.

Një ditë, në shtëpi atij i erdhën papritur ca miq dhe i dhanë lajmin tragjik se Tulla kishte vdekur. Ata e shoqëruan në shtëpinë e saj, ku kishin sajuar një shaka vërtet makabre. Trupi i pajetë i gruas ishte vendosur mbi një shtrat. Por, në çastin kur Munch po shihte me pikëllim të thellë atë që ai kish dashur aq shumë, trupi i saj lëvizi. Ishte një skenë e stisur! Tulla Larsen ishte e bindur se Munch, duke parë se ajo po “ringjallej” para syve të tij, do të vendoste më së fundi të martohej me të. Por Munch u zemërua keqas nga ajo lojë dhe mes tyre plasi një zënkë, e cila përfundoi me një krismë revolveri. Një plumb e goditi atë në dorë e një prej gishtave i ra i këputur për tokë. Tashmë, ideja e tij se gruaja ishte mishërim i së keqes, qe bërë realitet. Ai s’u martua kurrë, edhe pse pas asaj ngjarjeje u njoh me shumë gra të tjera. Pas asaj ngjarjeje ai ra në depresion të thellë dhe u shtrua në spital, duke e cilësuar periudhën që ndenji në të si “fundin e një epoke” të jetës së tij. Me një qartësi gjykimi të pashoq, lidhur me këtë ai pati shkruar: “Dobësitë që kam, janë pjesë e vetvetes sime. Unë s’kam dashur të shpëtoj nga sëmundja që kam, sepse arti im është fryt i saj”.

Është fillimi i vitit 1909. Pas shtatë muajsh qëndrimi në spital, Edvard Munch del nga klinika neurologjike e profesorit Jacobson në Kopenhagë. Nga periudha e ndenjjes në atë klinikë, kanë mbetur disa punime. Në një prej tyre, Munch paraqitet ulur në një tavolinë, mbi të cilën ka aparate elektrike. Një infermiere, me profil tërheqës (pa dyshim asistentja e profesorit, zonjusha Schacke), është duke i dhënë profesorit Jacobson një kabllo, i cili del prej aparaturave dhe prek kokën e piktorit. Në tri rreshta, shkruar me dorë në fund të vizatimit, shkruhet: “Profesori Jacobson, duke i bërë elektroshok trurit delikat të piktorit të famshëm Munch, i jep atij një forcë pozitive mashkullore e një force negative femërore”.

Pas daljes nga klinika, duket se ai është shëruar dhe vazhdon të bëjë një jetë pak a shumë të qetë, por ai nuk do të pikturojë kurrë më si më parë. Në disa shënime të mëvonshme, mes të tjerash ai ka shkruar: “Pa frikën dhe sëmundjen, jeta ime do të kish qenë si një varkë pa rrema”. Duket se me këto fjalë ai ka dashur të thotë se burimi i anktheve e për pasojë edhe i vetë artit të tij i kanë pasur rrënjët thellë, qysh në fëmijërinë e tij. Edvard Munch vdiq në Ekley, pranë Oslos (Norvegji) më 23 janar 1944, në moshën 80-vjeçare. Ai la pas një trashëgim artistik prej rreth njëmijë tablosh, 4500 vizatimesh, akuralesh, si edhe gjashtë skulptura. Një pjesë të madhe të tyre ai ia la trashëgim qytetit të Oslos, i cili krijoi me to Muzeun Munch, në qytetin Toyen.

Google+ Followers