Ditët e vështira të një miti

Zvicra

Kriza ekonomike dhe ksenofobia gjithnjë e në rritje. Këto janë  dy nga problemet me të cilat po përballet Zvicra, probleme që po i kërcënojnë ekzistencën si një shtet që deri tani është konsideruar “model”

Në librin e tij “Njeriu i tretë”, Orson Wells ironizon Zvicrën duke thënë: “Çfarë kanë prodhuar 500 vjet demokraci dhe paqe në Zvicër? Thjesht ca orë të mira”. Por gjithsesi, kjo nuk është tërë e vërteta në lidhje me këtë shtet të veçantë. Ndërsa në shekullin e kaluar, Zvicra shfaqi një efikasitet të rreptë si tik-taku i një ore , me një forcë pune të kualifikuar e të aftë dhe një linjë hekurudhore perfekte që shtrihet në të gjithë vendin, mes të tjerash ajo përfaqësonte diçka edhe më të thellë dhe më interesante. Uniciteti i përzierjeve të kombësive të ndryshme, gjuhëve, besimeve fetare, fermerëve, bankierëve dhe inxhinierëve tregoi se në ç’mënyrë forca që do të kishin ndarë çdo shtet tjetër, mund të bashkëjetonin e madje bashkëvepronin në një harmoni relative. Edhe Forumi Ekonomik Botëror jo më kot mblidhet në Davos, në këtë resort malor. Zvicra për një kohë të gjatë ka përfaqësuar një komb model. Në këtë vend kombinoheshin thuajse në mënyrë perfekte ekonomia me taksa të ulëta me një respektimin deri në detaje të  shtetit të së drejtës dhe demokracisë. Ai u shndërrua në vendin e parë për refugjatët që donin t’i iknin komunizmit në fillimet e tij në vitin 1917, apo edhe nazizmit në vitin 1933. Ajo u ofronte këtyre të ikurve, por edhe të tjerëve më të famshëm si Voltaire, James Joyce dhe Lenin, një strehë të sigurt. Gjeneva u shndërrua në një kryeqytet të përbotshëm me Lidhjen e Kombeve, Kryqin e Kuq Ndërkombëtar dhe agjencitë kryesore të Kombeve të Bashkuara që vendosën të ngrinin aty zyrat kryesore. Vendi alpin u shndërrua në një ishull të lirisë, gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore. Churchill shkoi në Zyrih për t’i bërë thirrje Europës për unitet në vitin 1945. Diplomatët nënshkruan traktate paqeje në Zvicër në vitin 1950 dhe 1960. Vendi u shfaq që në fillim si një shtet neutral, i lirë nga rreshtimet e Luftës së Ftohtë dhe Bashkimit Europian. Regan dhe Gorbaçov u takuan pikërisht në Zvicër për t’i dhënë fund Luftës së Ftohtë. Pra shumë shpesh bota shkonte në Zvicër për të gjetur zgjedhje për problemet e saj, apo për të vendosur për pakte e traktate.

Por sot qytetet e Zvicrës janë të pista, trenat vonohen gjithnjë e më shumë në stacionin e mbushur me pasagjerë që presin, hekurudhat janë në mënyrë të vazhdueshme në remont dhe politikanët e këtij vendi duken që larg se janë shumë provincialë. Kjo parajsë është shndërruar në një vend jo fort të bukur, ndërkohë që ksenofobistët dhe populistët dhanë votën e tyre për moslejimin e  ndërtimit të minareve në këtë vend, pra me pakë fjalë votuan për t’ua mbyllur derën të huajve, përveç rastit kur bëhet fjalë për të huaj super të pasur. Zvicra po i ngjan gjithnjë e më tepër një shteti të vogël europian. Ndërsa Europa po përpiqet që të shtrijë dhe forcojë rolin e saj në arenën dhe vendimmarrjet ndërkombëtare, Zvicra po shfaqet gjithnjë e më e pafuqishme për sa i përket vendimmarrjes në çështjet me rëndësi globale. Ndërkohë, zviceranëve sa vjen e po u shteron forca që u jepte miti i vendit. Le të marrim për shembull rastin e sekretit bankar, një nga krenaritë dhe gjërat unike me të cilat Zvicra është mburrur gjithmonë. Kjo traditë nisi në vitin 1930, kur Zvicra strehoi qeveritë franceze në mërgim, që i përkisnin së majtës dhe më pas u bëri vend edhe parave të hebrenjve që tentuan t’u iknin nazistëve. Ideja ishte që tregimi i sekretit bankar të konsiderohej një krim, madje ai nuk duhej të binte as në veshin e vetë autoritetit taksor të vendit. Pas këtyre fillimeve vendi nisi që të shndërrohej në një fortesë të vërtetë të depozitimeve për të cilat askush nuk guxonte të pyeste, sepse përgjigje nuk do të kishte kurrë.

Por tashmë edhe sekreti bankar është diçka që i përket së shkuarës. Një dhjetëvjeçar më parë Zvicra u detyrua që të dorëzonte të gjitha paratë e padeklaruara të hebrenjve të depozituara në periudhën e nazistëve nga persona që më pas për një arsye, apo për një tjetër u zhdukën. Më pas Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kërkim të amerikanëve që u janë shmangur taksave,  kërcënuan Zvicrën me embargo nga tregu amerikan, nëse ajo nuk do të jepte detajet e parave amerikane të fshehura. Uashingtoni e shtrëngoi Zvicrën që të paguante  një gjobë jashtëzakonisht të madhe për akuzat e thyerjes së sanksioneve amerikane  ndaj Iranit. Tashmë Zvicra ka pranuar  që të taksojë kursimet e qytetarëve europianë që kanë llogari bankare në Zvicër, ndërkohë që nëpunës të pakënaqur të bankave zvicerane u kanë shitur detaje të depozitave të caktuara autoriteteve gjermane të taksave. Edhe Italia, që zor se mund të merret për ndonjë model për korrektësi taksore, ka përdorur një amnisti taksash  për të ndjekur pasanikët vendas që të nxjerrin paratë e tyre nga bankat e Zvicrës e t’i sjellin në atdhe.  Aktualisht, bankat zvicerane mund të pranojnë paranë me shumicë, por nuk janë më të afta që të garantojnë sekretivitetin.

Ndërkohë, është në krizë edhe një nga vlerat e mëdha të vendit, toleranca dhe integrimi. Sot zviceranët francezë, zor se mund të ulen që të mësojnë gjermanisht, ndërkohë që gjermanët e kanë harruar frëngjishten me kohë. Gjuha e dytë më e përhapur është anglishtja dhe ajo nuk është aspak një nga 4 gjuhët zyrtare të vendit. Zviceranët janë duke e humbur durimin edhe me të huajt. Në vitet ’90 në këtë vend u strehuan në masë kosovarët që iknin nga tregimi kërcënues i Sllobodan Millosheviçit e megjithatë, kjo nuk i pengoi ata që nëntorin e kaluar të miratonin një ligj të ri që në fakt amendoi edhe Kushtetutën dhe që ndalonte ngritjen e minareve. Të mendosh që pjesa më e madhe e të huajve në Zvicër vijnë nga vendet e Ballkanit. Ky model, pra fillimisht mikpritja ndaj refugjatëve dhe më pas reagimi i keq ndaj tyre, është në fakt pjesë e një paradoksi të Zvicrës. Para vitit 1939, vendi strehoi shumë hebrenj, ndërkohë që britanikët ua mbyllën duart e megjithatë, Zvicra mbahet mend për vendosjen e germës “j” në pasaportat e hebrenjve për t’i dalluar nga të tjerët. Madje, edhe vetë Davosi që sot është sinonim i globalizmit kohë më parë ka qenë i famshëm për krejt tjetër gjë. Në vitet 30, Partia Naziste kishte në këtë vend degën e saj më të madhe jashtë Gjermanisë. Një tjetër veçori e Zvicrës është edhe refuzimi për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Por ky refuzim e lejoi që të ruante sovranitetin dhe të ruante një lloj distance ndaj vendeve të tjera që duhet të faleshin edhe në Bruksel. Por sot shumë ligje të Zvicrës janë ndrequr në përputhje me ato të BE-së, që është një kërkesë e organizmit për sa u përket shkëmbimeve tregtare. Një vit më parë, Zvicra hyri në zonën e Shengenit, diçka që Britania e Madhe ende nuk e ka bërë. Si rezultat 3000 gjermanë aktualisht shkojnë të punojnë e të kthehen në Zvicër brenda ditës. Sigurisht, bëhet fjalë për zonat kufitare. Sipas një politikani zviceran, vendi është një anëtar pasiv i Bashkimit Evropian , një status ky që i jep disa përparësi, por nga ana tjetër, Zvicra nuk ka zë në vendimmarrje. Kështu kanë dalë herë pas here thirrje për anëtarësimin e vendit në BE, thirrje që janë hedhur poshtë nga anëtarët e Partisë Nacionaliste të Popullit që ishte edhe iniciatorja e referendumit kundër minareve. Kjo është një parti që gëzon një mbështetje prej 30% te njerëzit, ndërkohë që asnjë nga partitë e tjera nuk gëzon më shumë se 20% të mbështetjes mbarëpopullore. Aktualisht, nacionalistët po bëjnë fushatë për kufizimin e futjes në vend të kuadrit të lartë nga Gjermania. Me një politikë anti-emigracion dhe ksenofobike  në Zvicër po gjen një hapësirë gjithnjë e më të madhe “Schwizerdutsch” dialekti tipik zviceran dhe shumë programe televizive po krijohen dhe transmetohen në këtë gjuhë. Me kalimin e kohës, neutraliteti i vjetër i vendit po zhduket dalëngadalë. Në shekullin XX, Zvicra refuzoi fashizmin dhe komunizmin, por nuk u përfshi as në aleanca të ndryshme që do të kishin mundur t’i sillnin përfitim. Megjithatë, ajo ndodhej në kampin perëndimor të tregut të lirë, por në botën e sotme që nuk është e polarizuar e me shumë vende të fuqishme që synojnë supremaci lokale si Shtetet e  Bashkuara, Bashkimi Europian, Kina, Rusia e të tjerë mosintegrimi i Zvicrës po shndërrohet në irritues. Si pasojë, diplomatët zviceranë po refuzohen gjithnjë e më shpesh nga tryezat e negocimeve ndërkombëtare. Një nga pikat e forta të Zvicrës është ekonomia. Edhe pse gjatë këtyre viteve të vështirë të krizës financiare mund të ketë pasur një rritje të lehtë të papunësisë, ajo është shumë më e ulët se në pjesën tjetër të Europës e mbi të gjitha Zvicra nuk ka përjetuar kriza buxhetore të tilla si Irlanda, Greqia apo Spanja. Në këtë vend përdorimi dhe shtrirja e industrisë ekologjike është në masën më të madhe se në shumë vende të tjera për të mos folur për respektimin e ligjeve, shtypin shumë korrekt dhe thuajse mungesën e plotë të korrupsionit shtetëror. Por sipas disa analistëve, vendit i mungojnë politikanët vizionarë dhe guximtarë. Ata që janë aktualisht në pushtet tentojnë që të ndjekin linjën e vjetër dhe të mbajnë gjallë mitet e së shkuarës. Por në shumë aspekte dhe sektorë, mënyrat e vjetra nuk po funksionojnë më. Sot, Zvicra është një vend i vogël europian, i paangazhuar dhe me një ndikim në sferën ndërkombëtare gjithnjë e më të vogël. Për shumë analistë, ajo ndodhet në prag të ndryshimeve, të cilat në një mënyrë, apo në një tjetër kanë nisur tashmë që dhjetë vite të shkuara.

Google+ Followers