DERISA VDEKJA TE NA NDAJE

Historiania nga Berlini,
Heike Gwrtemaker, ka
prova të besueshme se
Braun ishte për Hitlerin
më shumë se një “e
re tërheqëse” tek e
cila diktatori “kishte
gjetur, pavarësisht
apo ndoshta për shkak
të dukjes së saj të
pashije, llojin e relaksimit
dhe qetësisë që
kërkonte”, siç do të
thoshte më vonë fotografi
personal i Hitlerit,
Heinrich Hoffmann.

Kërkimet për detajet e
marrëdhënies mes Adolf
Hitlerit dhe Eva Braunit nisën,
ndërkohë që diktatori
ishte ende gjallë. Fyhreri përgjithësisht
binte vonë për të fjetur.
Mëngjesin e vonë, pasi largohej
nga dhoma e gjumit, që nga dera
e cila e lidhte me vendbanimin
e Braun e teksa stafi ndërronte
çarçafët, punonjësit kuriozë
i shihnin me shumë vëmendje
këta dhe këllëfët e jastëkëve, në
kërkim të shenjave se çfarë kish
ndodhur aty një natë më parë.
“E zhbironim përreth krevateve”,
ka thënë disa dekada më vonë
në një intervistë televizive Herbert
Dwring, menaxher i Berghof,
shtëpia e Hitlerit në alpet bavareze.
Por, ata nuk gjenin asgjë, gjë
që e bënte Dwringun të mendonte
se marrëdhënia mes diktatorit
dhe Braun, 23 vite më e re se ai,
duhet të kenë qenë platonike.
Në Rajhun e Tretë, Dwhring
ishte njëri i një grupi shumë të
vogël njerëzish që kishin dijeni
për marrëdhënien e ngushtë të
Braunit me Hitlerin. Ndërsa publiku
vetëm pas lufte e mori vesh
se diktatori kishte kaluar shumë
muaj nën shoqërinë e një biondeje
tërheqëse nga Mynihu, me
të cilën u martua vetëm pak orë
para se të kryenin vetëvrasje,
në 30 prill 1945, në bunkerin e
Fyhrerit në Berlin.
Fshehtësia e tyre bazohej në
përllogaritje politike. “Shumë
gra më gjejnë tërheqës sepse
jam i pamartuar”, besonte Hitleri.
“Është e njëjta gjë me një aktor
filmi: kur martohet, ai humbet
diçka mes grave që e adhurojnë
dhe këto nuk e duan më aq sa
më parë”.
Për shkak të natyrës relativisht
të fshehtë të marrëdhënies së
tyre, pas luftës publiku ishte
edhe më i intriguar nga historia
e bijës së një mësuesi shkolle nga
Mynihu, që kish kaluar një dekadë
e gjysmë krah tij - kryesisht
në Berghof në Alpet gjermane,
dhe herë pas here në Berlin. Por,
përgjigjet e para nuk e kënaqën
kuriozitetin. Historiani britanik,
njëkohësisht oficer i zbulimit,
Hugh Trevor-Roper, i cili mori
në pyetje shoqëruesit e Hitlerit
menjëherë pas fundit të luftës,
përfundoi se Eva Braun ishte “jointeresante”.
Çdo biograf i njohur
i Hitlerit do të mbërrinte më
vonë në të njëjtin konkluzion.
Por, a është e vërtetë?
Historianja nga Berlini, Heike
Gërtemaker, ka marrë tashmë
përsipër detyrën e korrigjimit të
këtij imazhi të Eva Braunit, duke
shkruar biografinë e parë të saj.
Vepra e saj është paraprirë nga
disa të tjera më të lehta.
Me një qasje kryesisht akademike,
Gërtemaker arrin të përjashtojë
shumë prej anekdotave
që kanë argëtuar lexuesit. Sipas
njërës prej këtyre historive, supozohet
që Braun të jetë ankuar
në bunkerin e Fyhrerit për zënkat
e vazhdueshme me Hitlerin në
lidhje me vaktet e ngrënies. Hitleri,
një vegjetarian i paepur, thuhet
se kërkonte që ajo të hante vetëm
qull dhe lëng kërpudhash, të cilat
asaj ia shpifnin (“Nuk mund t’i ha
këto gjëra”).
Sipas një tjetër historie, rrëfyer
nga një prej sekretareve të diktatorit,
Brauni godiste në fshehtësi
me shkelma qenin gjerman të Hitlerit,
Blondie, sipas këtyre zërave
sepse ajo ishte xheloze për të.
Thuhet se ajo rrinte e vështronte
e kënaqur teksa qeni ulërinte nga
dhimbjet (“Adolf është i habitur
nga sjellja e çuditshme e kafshës.
Kjo është hakmarrja ime”).
Gërtemaker i kushton shumë
pak vëmendje historive të tilla për
tabloidë. Historianja shkruan se
çifti ka pasur një jetë normale,
të ngushtë, siç do të tregonin
më vonë miqtë dhe të afërmit e
Braun. Sipas atyre rrëfimeve, kur
Braun kishte parë fotografinë ku
kish dalë kryeministri britanik,
Neville Chamberlain, i ulur në divan
në apartamentin e Hitlerit në
Mynih, në vitin 1993, kish qeshur
dhe kish thënë: “Sikur ta dinte ai
historinë e atij divani”.
Historianja e merr seriozisht
personazhin në qendër të librit
të saj dhe në materialin që ka
analizuar ka prova të besueshme
se Braun ishte për Hitlerin më
shumë se një “e re tërheqëse” tek
e cila diktatori “kishte gjetur, pavarësisht
apo ndoshta për shkak
të dukjes së saj të pashije, llojin
e relaksimit dhe qetësisë që kërkonte”,
siç do të thoshte më vonë
fotografi personal i Hitlerit, Heinrich
Hoffmann.
Në testamentin e tij, që Hitleri
e shkroi në 1938, emri i Braun
shfaqej menjëherë pas atij të
Partisë Naziste. Sipas kushteve të
testamentit, partia do të duhej t’i
paguante asaj një goxha pension
të përjetshëm, që do të përftohej
prej aseteve të tij. Ministri i Propagandës
dhe i besuari i Hitlerit,
Joseph Goebbels, vërente disa
herë se sa shumë e vlerësonte
Fyhreri të dashurën e tij (“Një
vajzë e mençur, e cila ka shumë
rëndësi për Fyhrerin”).
Ajo u angazhua në planet për
shndërrimin e qytetit austriak të
Linzit në kryeqytetin kulturor të
Fyhrerit, ku Hitleri, i cili ishte lindur
në Austri, kish në plan të tërhiqej
pas fitores përfundimtare
të nazistëve. Dhe po t’i kish ecur
ashtu si kish menduar, Brauni
do t’i kish mbijetuar edhe rënies
së Rajhut gjerman. Ai i kërkoi
asaj në mënyrë të përsëritur që
të largohej nga Berlini në ditët e
fundit të luftës dhe të shkonte në
Bavari. Por, Braun refuzoi. Deri
në fund fare, Hitleri fliste për “të
me shumë respekt dhe nderim”,
ka thënë Albert Speer, princi i kurorës
i Hitlerit, në deklaratat e tij
të para për aleatët në 1945.
Ideja që Braun kish rëndësi
për diktatorin nuk është aq banale
sa mund të duket në pamje
të parë. Perceptimi për të si një
vegël e parëndësishme kontribuoi
shumë për imazhin e Hitlerit
si një qenie e pastër politike. Ky
është një këndvështrim që është
përcjellë nga biografë me libra
bestsellerë mbi Hitlerin si Joachim
C. Fest, Sebastian Haffner
dhe Ian Kershaw.
Sipas versioneve të tyre, Hitleri
bëri një jetë pa miq, pa dashuri
dhe pasion - një jetë që ishte e
lehtë ta hidhje poshtë dhe, kështu
që, ai ka qenë shoqëruar gjithmonë
nga një gatishmëri konstante
për të kryer vetëvrasje. Të
paktën për Haffnerin, vetëvrasja e
Hitlerit në vitin 1945 në bunkerin
e tij në Berlin “duhej pritur”. Në
një kuptim më të gjerë, politikat
gjithçka ose asgjë që ndoqi Hitleri
deri në humbjen totale mund të
interpretohen gjithashtu si një
pasojë e boshllëkut emocional të
diktatorit.
Gërtemaker shmang kritikën e
drejtpërdrejtë ndaj këtij interpretimi,
por është e qartë se rrëfimi i
saj e ngre si çështje, edhe një herë,
psikikën e Hitlerit. Sigurisht, libri
i saj tregon edhe se sa e vështirë
do të jetë të gjenden përgjigje për
shkak të urdhrit që Hitleri nxori në
1945 për të shkatërruar të gjitha të
dhënat private. Me shumë gjasa
urdhri u shtri edhe në korrespondencën
e tij me Braun, që është
vërtetuar se ka ekzistuar dikur.
Për këtë arsye, historianja mund
të shfrytëzojë vetëm disa letra që
Braun ua niste shoqeve të saj dhe
të afërmve, si dhe disa fragmente
të një ditari të vitit 1935, ndonëse
autenticiteti i tyre është vënë në
diskutim. Ajo përdor gjithashtu
deklarata të bëra nga shërbëtorë
të Hitlerit, truproja i tij, si dhe disa
zyrtarë të lartë nazistë në dekadat
e para pasluftës, megjithëse këtë
informacion ajo e trajton me një
goxha dozë skepticizmi dhe me
të drejtë. Një linjë konstante gjatë
gjithë librit është pranimi prej
Gërtemaker se ka shumë pyetje, të
cilave ajo nuk u jep dot përgjigje.
Edhe fillimi i lidhjes është relativisht
i turbullt. Hitleri u takua
me Braunin në vitin 1929, kur ajo
ishte 17 vjeç në ‘NSDAP PHOTOHAUS
HOFFMANN”, një dyqan
fotografish në Amalienstras në
Mynih. Vajza e re, që në fotografi
duket çapkëne dhe e hedhur,
kish vazhduar më parë një shkollë
vajzash për ekonomi dhe menaxhim
zyrash, dhe tani punonte në
dyqanin e fotografive. Shefi i saj,
Heinrich Hoffmann, që më vonë
u përzgjodh si fotografi zyrtar i
Hitlerit, ishte një nga anëtarët
e hershëm të Partisë Naziste në
Gjermani. Një antisemitist që
pinte shumë alkool, Hoffmann
fitoi shumë para me fotografi propagande
dhe libra me foto, duke
përfshirë edhe një libër me titull
“Hitleri që askush nuk e njeh”.
Për Hitlerin, në atë kohë një politikan
opozitar 40-vjeçar, kishte
shumë shanse për të bërë vizita
në dyqanin e Hoffmann. Zyra
Kombëtare e Partisë Naziste ishte
prapa qoshes, po kështu edhe
zyrat e gazetës së partisë Völkischer
Beobachter ashtu sikurse
dhe restoranti i preferuar i Hitlerit,
Osteria Bavaria.
Kur ishte me gra, sjelljet e vrasësit
masiv rafinoheshin dhe ai
asnjëherë nuk tregonte as prirjen
më të vogël për t’u dhënë pas femrave.
Eva Braun, një vajzë naive,
e cila fantazonte për botën e
filmave dhe që pëlqente shumë
revistat e modës, u përthith prej
fuqive të forta e të sugjestionuara
që edhe vëzhguesit më neutralë
ia kanë atribuuar Hitlerit. Menjëherë
pasi takoi Braunin, lideri
nazist urdhëroi që të shihej se mos
familja Braun kishte ndonjë paraardhës
hebre.
Askush nuk e di se kur ngacmimi
u kthye në një marrëdhënie.
Në vitin 1932, Braun u përpoq
të kryejë vetëvrasje me armën e
babait të saj, që disa bashkëkohës
dyshonin se kish qenë një
përpjekje për t’i bërë presion Hitlerit
që t’i kushtonte më shumë
vëmendje asaj. Lideri nazist e
kishte syrin nga kancelaria dhe
kjo do të ishte vetëvrasja e dytë
e një vajze të re, që kishte lidhje
me Hitlerin. Mbesa e tij, Geli Rauball
qëlloi vetveten për vdekje,
thuhet për t’i shpëtuar xhaxhait
të saj xheloz.
E reja Eva Braun, nga ana tjetër,
dukej se kish vuajtur nga një mungesë
vëmendjeje nga Hitleri. Veterani
i Luftës së Parë Botërore,
që në jetën civile kish qenë një
dështim, vazhdoi të bëjë një jetë
boheme, pasi erdhi në pushtet në
1933. Ai shpeshherë mungonte
me ditë nga puna e drejtimit të
qeverisë në Berlin. Kohën e kalonte
duke bredhur nëpër Mynih,
duke shkuar në opera dhe teatër
me shoqëruesit e tij misteriozë
dhe duke vizituar sheshe ndërtimi
që Hitleri, një i dashuruar
pas arkitekturës, i konsideronte
të rëndësishëm. Në kohë të mirë,
grupi do të shkonte në fshat dhe
shpeshherë në këto dalje shkonte
edhe Braun.
Braun kish vendosur tashmë të
qëndronte me Fyhrerin. Ajo madje
i kërkoi dikujt ta mësonte si të
përdorte pistoletën kur Ushtria e
Kuqe të hynte në Berlin. “Këtu po
luftojmë deri në fund”, i shkruante
ajo nga bunkeri i Fyhrerit, në 22
prill, një mikeshës së saj. “Do të
vdes ashtu si kam jetuar. Nuk do
të jetë e vështirë për mua”.
Sipas të dhënave të Gjykatës
së Distriktit të Berschtesgaden,
Eva Braun vdiq më 30 prill 1945,
në orën 3:28, pasi piu një kapsulë
cianid kaliumi. Hitleri e ndoqi pas
dy minuta më vonë.
Tashmë mund të fillonte thurja
e legjendave.

(Die Zeit)

Google+ Followers