Çfarë dimë për trurin?

Këtë javë shkencëtarët lajmëruan se kishin arritur sukses në komunikimin me një njeri që mendohej se ndodhej në një gjendje vegjetative, pra në mungesë të plotë të vetëdijes dhe ndërgjegjes dhe kjo për një periudhë 5-vjeçare, që pas një aksidenti të rëndë rrugor që kishte pësuar

Ata përdorën një skaner truri, përmes së cilit mundën që të lexonin mendimet e tij dhe të merrnin konfirmimin, apo kundërshtinë e tij për gjëra të caktuara. Kështu, ata e vendosën të imagjinonte sikur ishte duke luajtur tenis, nëse përgjigjet e tij ishin “po” dhe të imagjinonte se ishte duke shkuar në shtëpi, nëse zgjidhte përgjigjen “jo”. Duke bërë një hartë të pjesëve të ndryshme të trurit që aktivizoheshin në secilin prej rasteve të mësipërme, mjekët ishin në gjendje që të regjistronin rregullisht përgjigjet e tij.

Por çfarë rezultati jep në fund të fundit një eksperiment i tillë i suksesshëm? Në radhë të parë, që truri vazhdon të funksionojë, të gjenerojë mendime dhe të ketë ndërgjegje edhe kur së jashtmi një trup nuk jep shenja jete e ndërgjegjësimi. Më parë, mënyra e vetme që tregonte ndërgjegjësimin sado të vogël të një personi, ishte reagimi i tij vizual, auditiv apo edhe thjesht fizik. Nëse reagime të tilla nuk ekzistonin, atëherë mjekët nxirrnin konkluzionin se personi ndodhej në një gjendje vegjetative, pra thjesht ishte një copë trupi pa ndërgjegje. Në pacientët që kanë një gjendje të tillë, sytë qëndrojnë të hapur dhe ata kanë një cikël normal gjumi dhe zgjimi, por nga ana tjetër ata nuk shfaqin shenja ndërgjegjësimi ndaj asaj që kanë përreth dhe lëkunden mes ndërgjegjes dhe nënndërgjegjes. Në pacientin e mësipërm, skaneri trunor tregoi se ai ishte i ndërgjegjshëm, edhe pse nuk shfaqte asnjë shenjë gjallërie së jashtmi. Por cili është ndikimi i një zbulimi të tillë në njohuritë e deritanishme për aktivitetin e trurit në përgjithësi? Truri është organi ynë më i ndërlikuar dhe më pak i zbuluari për nga mënyra e funksionimit. Ne mund të njohim disa pjesë të tij për sa i përket funksionimit, gjithsesi njohuritë tona janë rudimentare. Por truri është mjeti më i rëndësishëm që na jepet për të bërë përpara në këtë botë. Truri njerëzor është 3 herë më i madh në përmasa se, të themi, truri i një majmuni, gjithmonë krahasimisht me përmasat e trupit. Pikërisht kjo rritje e përmasave të tij përgjatë miliona viteve të evolucionit, bën edhe diferencën mes nesh dhe botës së kafshëve dhe mbi të gjitha vendos ekzistencën tonë unike si humanë përmes tipareve shumë specifike, si të folurit, ndërgjegjja dhe krijimtaria. Po a kanë pjesë të ndryshme të trurit funksione të ndryshme? Po. Kjo është një e vërtetë që ne tashmë e dimë. Kur punonjësi i hekurudhës, Phineas Gage, bëri një vrimë në ballë pa dashje, ndërsa po shponte diçka tjetër me trapano në vitin 1848, ai padashur zbuloi një nga të fshehtat e para për trurin, pra funksionimin e tij. Dëmtimi i kokës së tij preku majën e kokës dhe si pasojë ai humbi menjëherë shikimin në syrin e majtë, por nuk pati ndonjë dëm tjetër. Por ajo që ra më shumë në sy ishte ndryshimi i menjëhershëm i personalitetit të tij. Nga një person i ndërgjegjshëm, i edukuar dhe i paqtë, ai u shndërrua në një individ të ashpër, të pamëshirshëm dhe të papërgjegjshëm shoqërisht. Ky rast ishte i pari i llojit të vet, që vërtetoi faktin se lobe të caktuara të trurit luajnë role të ndryshme. Kështu, lobi ballor që iu dëmtua personit në fjalë, ndikoi menjëherë në personalitetin e tij. A mund të ndryshojë funksionimi i trurit nga faktorë të jashtëm? Kjo në fakt mendohet se ndodh me njerëzit që vuajnë nga paranoja të cilat lidhen edhe me sëmundje mendore. Në disa raste është e vërtetë. Përmes përdorimit të një teknike që quhet stimulim magnetik transkranial (TMS), është e mundshme që të trullosësh një pjesë të trurit, për shembull atë që është e lidhur me kontrollin e të folurit, duke e bërë individin të paaftë për të shqiptuar fjalë të njohura dhe të zakonshme. Subjektet që i janë nënshtruar një prove të tillë deklaronin se ata i kishin fjalët para syve, por nuk ishin në gjendje që t’i shqiptonin e t’i artikulonin. Truri ndërkohë, në njerëz të ndryshëm është i ndryshëm. Ka një dallim të dukshëm mes trurit të muzikantëve që luajnë me një partiturë para syve dhe atyre që nuk luajnë me partitura, por improvizojnë. Studimet trunore kanë treguar se lobet frontale aktivizohen kur muzikantët lexojnë notat, por nuk funksionojnë kur janë duke improvizuar, duke i lënë kështu të lira idetë që të pluskojnë dhe të dalin në sipërfaqe. Për sa i përket zhvillimit, a zhvillohet truri në masën më të madhe të tij në fëmijëri dhe adoleshencë? Dikur merrej e sigurt nga neuroshkencëtarët që pas riorganizimit fillestar të qarqeve  neutralë të trurit në fëmijëri, zhvillimi i tij ndalonte aty. Po sipas kësaj pikëpamjeje, organi mbetej i tillë për gjatë gjithë pjesës së mbetur të jetës, duke mos përmendur humbjen graduale të qelizave trunore, fenomen që fillon të ndodhë në moshën e pjekurisë. Por ky këndvështrim ka ndryshuar. Shkencëtarët kuptojnë sot se truri i adoleshentit i nënshtrohet të njëjtit zhvillim e rritje si edhe pjesët e tjera të trupit, pa asnjë lloj dallimi e veçantie. Neuronet veçohen nga njëri-tjetri përmes një shtrese dhjami, që u jep mundësi të rriten dhe të ndërveprojnë më mirë me njëra-tjetrën. Një nga pyetjet që bëhen në mënyrë të vazhdueshme është: A ka mundësi që t’i vëmë në lëvizje gjërat përmes forcës së mendimit, pra të trurit? Shkencëtarët mendojnë se po. Aktualisht ka disa kompani që po zhvillojnë një lloj të caktuar kompjuteri, i cili ndërvepron me trurin, kryesisht për t’u ardhur në shërbim individëve që kanë të meta fizike e nuk mund të lëvizin. Kompjuterë të tillë bazohen në makinën elektroencefalografike, që mbledh sinjalet e trurit dhe i analizon ato. Për të gjeneruar sinjalet e pjesës së djathtë të trurit, individët shohin ekranin e kompjuterit dhe tentojnë që të lëvizin një objekt në të, duke përdorur vetëm fuqinë e trurit. Nëse ia dalin mbanë një ndërmarrjeje dhe përpjekjeje të tillë, atëherë veprimi ndodh dhe gjërat vihen në funksionim. Kjo teknikë, nëse do të rrijë që të bëhet masive, do të mundësojë edhe dërgimin e e-mail-ve, si dhe do të mundësojë krijimin e mënyrave shumë më të shpejta të komunikimit. Një tjetër pyetje në lidhje me trurin është: A përmban ai vallë një hapësirë që në njëfarë mënyre është magjike, i përket Zotit? Disa shkencëtarë besojnë se truri njerëzor është i programuar për të përjetuar përvoja fetare dhe kjo shpjegon arsyen se përse feja është një tipar universal njerëzor, që ka kaluar nga një mijëvjeçar në tjetrin dhe është pjesë e të gjitha kulturave dhe e të gjitha kohërave. Madje, sipas këtyre shkencëtarëve, nuk ekziston vetëm një pikë, por disa zona të trurit njerëzor që formojnë themelet biologjike të besimit fetar. Në një studim të vitit të kaluar, kërkuesit përdorën një skaner trunor shumë të avancuar, që tregon se njerëzit e feve të ndryshme, si dhe ateistët, tentonin që të përdornin të njëjtin cirkuit elektrik në tru për të zgjidhur çështje që kishin të bënin me moralin dhe i njëjti cirkuit përdorej edhe në rastet kur njerëzit i referoheshin konceptit të “Zotit”. Njerëz të ndryshëm kanë inteligjencë të ndryshme. Në këtë rast, pyetja e thjeshtë është: Njerëz të ndryshëm, a kanë vallë tru të madhësive të ndryshme? Apo përmasat e tij janë të njëjta te çdokush? Sipas specialistëve, truri i njerëzve të ndryshëm dallon nga përmasat, por nuk bëhet fjalë për ndryshime të mëdha. Jonathan Swift, autori i “Udhëtimet e Guliverit”, ka pasur një tru që peshonte 2 kilogramë kur vdiq në vitin 1754, ndërsa truri i Ivan Pavlov, psikologut të famshëm rus që zbuloi reflekset e kushtëzuara dhe të pakushtëzuara, peshonte 1.5 kilogramë. Në fakt, ajo që është e qartë, është se nuk ekziston një lidhje e mirëfilltë mes përmasës së trurit dhe performancës së tij, pra aktivitetit. Truri i Ainshtajnit, që iu hoq nga kafka pas vdekjes, kishte një mungesë mase në një nga lobet e tij. Bëhet fjalë për një nga zonat që ka të bëjë me shkencat ekzakte dhe të arsyetuarit. Nga studimet e mëvonshme mendohet se pikërisht një mungesë e tillë mundësoi neuronet në atë zonë, që të komunikonin në mënyrë më të lehtë mes njëri-tjetrit dhe ndoshta ky është një nga shpjegimet për talentin e tij të jashtëzakonshëm.

Google+ Followers