Bistrot

Në vitet ‘60 ishin 200 mijë, ndërsa sot kanë mbetur vetëm 30 mijë të tilla. Kryeqyteti francez u thotë lamtumirë kafeneve të dikurshme ku artistët dhe filozofët shkruanin kryeveprat e tyre. Kriza ekonomike apo ndryshimi i stilit të jetës po varrosin ditë pas dite atmosferën e dikurshme

Lamtumirë kafeneve të vjetra të Parisit

Më në fund, përkrah varrezës Père-Lachaise, të zë syri një bistrot, ku me lajmërime të shkruara me dorë në mur ofrojnë shërbimet e tyre agjenti i takimeve (lërini numrin e telefonit djaloshit të barit), zgjidhësi i rebuseve, madje edhe shpëtimtari i shpirtrave që vuajnë. Janë “çmenduritë” e një arti të rafinuar parisian, ato të kafenesë së poetëve, shkrimtarëve dhe artistëve të mëdhenj francezë. Por sot Parisi dhe gjithë Franca po i kërkon me qiri kafenetë e saj të dikurshme. Ndërsa rrugëve ndizen dritat që ndriçojnë Senën të gjithë shkojnë të provojnë koktejet e famshme plot alkool në lokalet amerikane. I quajnë "speakeasy rive gauche" apo "speakeasy rive droite" kafenetë që në hierarkinë sociale kanë zënë vendin e antikeve "Flore" dhe "Deux Magots" të braktisura nga vendasit, por jo nga turistët e shumtë që kërkojnë ende të shohin mbi tavolina artistë që janë duke krijuar të tjera kryevepra, që ende besojnë se kishat e Parisit frekuentohen nga gungaçë të dashuruar, që mrekullohen kur shohin se në “Rue de Arcade” nuk gjen më bordellon e Prustit, por një bistrot që shërben birrë dhe verë.

Parisi, shkruante dikur Ernest Hemingway, ishte gjithmonë një festë e lëvizshme me qindra bistrot, ku nisnin dhe përfundonin ditët nga agimi në perëndim dhe anasjelltas. Por tani, kriza ekonomike e ka ndryshuar edhe këtë. Në ato vende dikur mund të takoje Hemingwayn, Francis Scott Fitzgerald, Gertrude Staein apo njerëz të thjeshtë të ulur jashtë apo brenda ambienteve karakteristike brenda lokaleve. Tanimë janë kohë të shkuara. Kush e kishte menduar se bistrotët e famshëm, krenaria franceze një ditë do të kërcënoheshin nga kaq shumë armiq: kriza ekonomike, ndryshimi i modës dhe shijes, ligjet antiduhan, revolucioni i zakoneve të klientelës, ritmet e jetës gjithmonë e më të shpejta, kostot e larta të administrimit. Por shifrat janë vërtet të frikshme: mesatarisht gjashtë bistrot të mbyllur në ditë dhe gjithsej dymijë të mbyllura vetëm në Paris dhe rreth 6 mijë gjithsej për vitin që shkoi. Vetëm në 2009 në gjithë rajonin parisien ishin rreth dy mijë bistrot që u detyruan të mbylleshin për shkak të falimentimit. Megjithatë, ashtu si ka shpjeguar sociologia Monique Elb, bashkautore e “Paris, shoqëria e kafesë”, janë zvogëluar bistorët popullorë, ekonomikë, atë të alkoolit dhe nikotinës, ata të studentëve dhe artistëve, që sot nuk ndihen të kënaqur nga zhurma e vezës gjysmë të zier mbi banakun prej zinku, e cila dikur frymëzonte shkrimet e filozofëve dhe shkrimtarëve të mëdhenj jo vetëm francezë.

Në Francë sot kanë mbetur 30 mijë të tilla. Por të mendosh që në  fillim të shekullit të kaluar ishin gjysmë milioni, 200 mijë në vitet 60 dhe 50 mijë vetëm dy vjet më parë. Bistrot karakteristikë të lagjeve janë zëvendësuar me të tjera lloje lokalesh nga ato që ofrojnë sushi e deri te piceritë italiane apo “kebap bar”. Klisheja romantike popullore - kamerierët e veshur me këmisha të zeza dhe përparëse të bardha, baguetë dhe vezë syze, era e fortë e cigareve, janë zëvendësuar nga aredime dhe arkitektura që imitojnë tendencat e reja moderne. Në Marsejë një ekspozitë interesante u është dedikuar kamerierëve të dikurshëm të kafeneve, të cilët në Francë nuk janë thjesht kamerierë si në vende të ndryshme të botës, por ikona urbane.

Me pak fjalë, Parisi i sotëm është bërë pak Manhatan, pak Tokio dhe pak Milano. Por në këtë vorbull ndryshimesh edhe personeli nuk mund të ishte i njëjti. Modele dhe studentë simpatikë shërbejnë në lokalet më në modë dhe jo rrallë janë më tërheqëse se vetë menyja. Edhe lokalet që i kanë rezistuar të gjitha epokave, “Les Deux Magots”, “Le Flore”, “Lipp”, “La Rotonde” kanë ruajtur agjentin dhe stilin e dikurshëm, por kanë ndryshuar klientelë. Pothuajse në çdo kohë i gjen të mbushur me turistë të huaj, kureshtarë për atmosferën e dikurshme. Zakonisht, në qytet tradita e vjetër e teatrit është zëvendësuar me atë të shopingut ndërsa bisedat në celular leximin e dikurshëm të gazetave brenda kafeneve të vogla. “Bistrotët po paguajnë mungesën e përshtatjes me format e reja të restoranteve dhe ndalimit të duhanit”, shpjegon eksperti Bernard Boutboul, drejtor i një qendre studimesh të sektorit. “Fenomeni është alarmant. Bistrotët në një farë mënyre janë përgjegjës për krizën. Konsumatorët nuk duan më vetëm të pinë një kafe dhe të tymosin”, thotë Bernard Quartier, president i shoqatës ku përfshihen rreth 41 mijë lokale përfshi këtu edhe diskoteka. Bistrotët që po i rezistojë më mirë kohës dhe kërkesave janë ata që kanë arritur të zgjerojnë ofertën duke futur brenda tyre televizorë të mëdhenj plazma për ndeshjet e futbollit, shitjen e gazetave apo lotaritë e përjavshme, duke u transformuar dhe sigurisht duke mos qenë më bistrot.

Google+ Followers