Ari i zi i Siberisë

Në gadishullin Yamal, në Siberi gjendet rezerva më e madhe e gazit në botë. Falë ndryshimeve klimatike tani është i mundur shfrytëzimi i tij, pasi ambienti është më pak i “ashpër”. Por, ata që rrezikojnë mbijetesën janë popujt që jetojnë aty prej 1500 vjetësh

Beteja e përjetshme mes rajoneve ekonomike të së nesërmes dhe atyre kulturore të së djeshmes është zhvendosur në Veri, pavarësisht se rezultati mund të ndryshojë në një farë mënyre jetën e të gjithëve. Poshtë kores së akullt të Siberisë, në një territor prej më shumë se 750 mijë kilometrash katrorë, fshihen rezervat më të mëdha të gazit në botë, janë më shumë se 50 miliardë metër kub. Për qindra vjet të mbrojtura nga temperatura rreth -30 gradë Celsius, tani janë nën shënjestrën e “Gazpromit” dhe aleateve të tij. Shfrytëzimi i pjesshëm, rreth 600 miliardë metra kub e resurseve natyrale të gadishullit, mbulon rreth 90 për qind të prodhimit total të Rusisë dhe 20 për qind të atij botëror. Por për 20 vitet e ardhshme gjiganti energjetik rus ka synime më ambicioze: t’i shtojë të paktën një zero prodhimit aktual, duke investuar me një shifër prej 60 miliardë dollarësh. Objektivi më i afërt është shfrytëzimi i rezervës së gazit natyral të Bovanenkovos, një parajsë ekonomike e vendosur në një territor të egër në qarkun polar arktik, ku temperatura shkon më shumë se -50 gradë, ku edhe rusët ndiejnë ftohtë. Por aty, prej më shumë se 1500 vjetësh, jetojnë në simbiozë me ashpërsinë e Polit 10 mijë nenets, me sytë e vegjël si bajame dhe flokët e dendur të zinj. Nenets janë një nga popullsitë e shumta indigjene tradicionale, që ekonomia jonë e globalizuar i ka shtyrë drejt zhdukjes. Në 300 vitet e fundit ata janë trefishuar me një lulëzim demografik nga vitit 1982 deri më sot. Një pjesë e mirë e tyre kanë ruajtur traditat dhe sot përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë së pastorëve nomadë të drerëve të planetit. Janë ata trashëgimtarët e vërtetë të babagjyshit të Vitit të Ri, ruajtësit e kafshëve më të dashura për fëmijët e gjithë globit. “Nenets u janë përshtatur epokave klimatike dhe situatave politike të ndryshme, duke treguar një fleksibilitet të madh”, shpjegon Florian Stammler, një kërkues i Qendrës Arktike në Universitetin e Laplandit në Finlandë, që prej vitesh studion popujt e gadishullit të Yamal-it. “Gjatë regjimeve më represive, si ai sovjetik, nuk shiheshin nëpër fshatra për muaj me radhë thjesht për të ruajtur stilin nomad të jetesës”. Por, në të ardhmen ka shumë mundësi që taktikat e vjetra të mos mjaftojnë më. Faji para së gjithash do të jetë i klimës, e cila sa vjen e çmendet dhe e ka bërë jetën për njerëzit e kafshët shumë më të vështirë. Me ngrohjen globale akulli do të shkrihet para kohe, duke nxitur migrimin nga një vend në tjetrin.

Rritja e temperaturës së planetit ka vënë në rrezik mbijetesën e shumë ekosistemeve. Në rrezik sigurisht që është edhe njeriu.

Nenets, popullsia indigjene që jeton në tundrën arktike, mund të zhduket duke krijuar jo shumë pak probleme edhe në Moskë.

Ata praktikojnë edhe një jetë nomade në Veri, që i spostojnë çadrat e tyre për të përmirësuar jetesën e drerëve që përfaqësojnë burimin kryesor energjetik për klanin që formon popullsia indigjene. Por me rritjen e temperaturave bimësia e tundrës po ndryshon në mënyrë thelbësore, duke zhdukur edhe ushqimin për drerët.

Gjithashtu janë edhe shumë kilometra linjë hekurudhore që tani lidhin gadishullin me Europën, ndërkaq edhe peshqit janë zhdukur nga lumenjtë arktikë. Peshkimi është mënyra më e mirë për të kaluar kohën nga punëtorët e gazit. Ata ndoshta nuk e dinë që në verë, kur nuk është e mundur të vrasësh drerët për të konsumuar mishin e tyre të gjallë, peshku është burimi i vetëm i ushqimit për nenets nomadë. Por siç thamë, edhe peshqit po shkojnë drejt zhdukjes. Ndërtimi i urave mbi lumenj dhe aeroporteve mbi liqene ka bllokuar riprodhimin dhe shtimin e tyre. Prania e punëtorëve të “Gazpromit” nuk ka sjellë vetëm pasoja negative për këtë popullsi. Kanë qenë pikërisht shoqëritë e naftës që u kanë shpëtuar jetën fëmijëve të sëmurë dhe nënave shtatzëna, duke i transportuar në kohë në spitalin më të afërt. Kanë qenë pikërisht ata helikopterë që kanë lehtësuar tregtinë e brirëve të drerëve, një mjet thelbësor në mjekësinë kineze; nenets nuk janë armiqësorë dhe do donin të çonin përpara një bashkëjetesë të qëndrueshme me të huajt. Por është thelbësor fakti që impakti i lënë prej tyre në ekosistem të jetë minimal dhe që këta persona të kuptojnë rregullat për të bashkëvepruar me ambientin dhe ta ruajnë atë. Mund të mjaftojë vetëm një kuti me vodkë për të shkatërruar një kulturë me tipare të dobëta. Alkoolizmi dhe shifrat e larta të vetëvrasjeve janë armiqtë që duhen luftuar. Por në lojë nuk është vetëm popullsia. E ardhmja e këtyre 10 mijë njerëzve dhe territoreve të tyre shkon përtej kufirit të Yamal-it. Akujt e Polit të Veriut po shkrijnë edhe rezervat e mëdha tw naftës që ato fshehin po bëhen gjithmonë e më të shfrytëzueshme. Fati i nenets dhe i territoreve të tyre arktike shumë shpejt mund të bëhen fati i përbashkët i qindra mijëra njerëzve të planetit tonë.

Google+ Followers