Afrika e Jugut dhe Shqipëria – të ngjashme dhe të ndryshme

(Mbi trajtimin e kriminelëve të një regjimi të mëparshëm)

Njëzet vjet më parë, më 2 shkurt të vitit 1990, Presidenti i bardhë  i Afrikës së Jugut, F.W. de Klerk, në një fjalim që mbajti në Parlament, ndërmjet të tjerave, njoftoi për heqjen e ndalimit të partive opozitare (kryesorja ishte Kongresi Kombëtar Afrikan, partia e Mandelës) si dhe të organizatave të tjera antiaparteid; për heqjen e dënimit me vdekje, si dhe për lirimin nga burgu të aktivistëve antiaparteid, ndërmjet të cilëve edhe Mandelën. Më 11 shkurt, pasi qenë liruar nga burgjet të gjithë të burgosurit e tjerë, me këmbënguljen e tij, i fundit u lirua Nelson Mandela, pasi ndenji aty 27 vjet. Ai u prit në mënyrë shumë entuziaste nga populli dhe kronika e ditës së tij të parë në liri u filmua dhe, nëpërmjet televizionit, u transmetua dhe u pa në të gjithë botën. Kjo ngjarje shënoi përfundimin e aparteidit në Afrikën e Jugut dhe nisjen e procesit të pluralizmit të vërtetë politik me pasojë rënien e regjimit kriminal racist dhe triumfin e lirisë.

Tashti që ka filluar të diskutohet përsëri te ne për të gjetur dhe për të mënjanuar disa kategori njerëzish që kanë pasur lidhje me dhunën e regjimit komunist dhe që janë në disa lloj punësh apo që i pretendojnë ato, sesi më shkoi mendja dhe kujtova se ç’ndodhi në Afrikën e Jugut dhe ç’ndodhi në Shqipërinë tonë para dhe pas rënies së regjimeve terroriste dhe të bëja një krahasim midis tyre. Dikujt mund të mos i vijë mirë që Shqipërinë “europiane” që e ka pranuar NATO-ja, që qytetarët e saj pritet të lëvizin së shpejti në Europë pa viza dhe që jo shumë larg do të futet edhe në Bashkimin Europian, ta krahasojmë me një vend afrikan me të kaluar raciste. Por ja që ka disa ngjashmëri interesante dhe pse ka edhe disa ndryshime po interesante.

Afrika e Jugut dhe Shqipëria kanë qenë dy shtete me regjime imorale, të cilat shtypnin pa mëshirë popullin e tyre: në Afrikën e Jugut për hir dhe në emër të supremacisë së racës së bardhë, kurse në Shqipërinë komuniste për hir dhe në emër të diktaturës së proletariatit. Në Afrikën e Jugut preteksti i shtypjes ishte ngjyra e lëkurës që lidhej me inferioritetin e racës jo të bardhë, e cila duhej të jetonte e të zhvillohej pa u përzier me racën e bardhë, gjë që do të ishte “në të mirë të të dyja racave dhe do të bënte vendin të ecte përpara!” Në Shqipërinë komuniste, preteksti i shtypjes ishte ndarja e vendit në klasa dhe lufta ndërmjet tyre: luftë midis klasës “përparimtare, proletariatit” dhe klasës “reaksionare, borgjezisë”, luftë e cila, sipas regjimit, “nuk do të shuhej kurrë dhe do të ishte forca lëvizëse e ecjes përpara të shoqërisë dhe vendit!”

Duke e parë problemin nga një këndvështrim filozofiko-moralo-fetar, Martin Luter Kingu ishte i bindur në falimentimin dhe ndryshimin e pashmangshëm të sistemeve të padrejta, të sistemeve imorale. Ai thoshte: “Këto ndryshime të mëdha nuk janë thjesht politike dhe sociologjike. Këto përfaqësojnë zhdukjen e sistemeve që janë lindur në padrejtësi, që janë ushqyer me pabarazi dhe që janë mbajtur me shfrytëzim. Këto përfaqësojnë kalbjen e pashmangshme të çdo sistemi të bazuar në parime që nuk janë në harmoni me ligjet morale të universit… Universi ynë është një univers moral, ai ka ligje morale që u duhet bindur njëlloj si ligjeve fizike. …Ai mbahet në baza morale.” 
Afrika e Jugut dhe Shqipëria shpëtuan nga këto lloj regjimesh imorale dhe tiranike gati në të njëjtën kohë: Afrika e Jugut në vitin 1990, Shqipëria në fund të vitit 1991.

Në të dyja shtetet ndryshimi i regjimit nuk erdhi si pasojë e ndonjë kundërshtimi të papërballueshëm të pjesës së shtypur të popullsisë ndaj regjimit në fuqi, por si pasojë e tërheqjes së atyre regjimeve nga gjendja e pashpresë e tyre dhe e vendit, nga presioni ndërkombëtar si dhe, për fat, nga të kuptuarit prej drejtuesve kryesorë të vetë atyre shteteve se ajo gjendje nuk mund të vazhdonte të mbahej dot për kohë të gjatë dhe, po të shtyhej, ndofta do të acarohej deri në atë shkallë, sa t’u dilte krejt nga kontrolli, gjë që do të ishte më keq për ta.

Të dyja regjimet në fuqi që përpara tërheqjes dhe lënies së pushtetit, nisën disa reforma zbutëse, në mos me qëllimin, me pasojën e bindjes së fanatikëve të sistemeve të tyre për lëshim dhe të nxitjes së kundërshtarëve të sistemeve të tyre për guxim.

Të dyja regjimet në fuqi që përpara tërheqjes dhe lënies së pushtetit piketuan dhe përgatitën njerëzit më të përshtatshëm dhe më të leverdishëm, për t’i vënë në krye të regjimeve të ardhshme. Ato i gjetën ata dhe i vunë në krye.  
Në të dyja shtetet fillimisht bashkëqeverisën persona nga të dyja regjimet.

Të dyja shtetet, pas rënies së regjimeve shtypëse, u morën me trajtimin e instrumenteve të dhunës, të regjimeve të mëparshme dhe të dyja shtetet, sipas mendësisë, psikologjisë, nivelit politiko-kulturor dhe interesave, gjetën zgjidhje: Shqipëria e gjeti zgjidhjen me “Komisionet Mezini dhe Bezhani” që nisi pesëmbëdhjetë vjet më parë, në vitin 1995, i cili do të kishte për detyrë të identifikonin njerëz të lidhur me Sigurimin e Shtetit Komunist dhe t’i mënjanonte ata nga disa lloj punësh dhe tashti së fundi edhe me përpjekjen për të vënë në zbatim “Ligjin e Lustracionit” që mund të thuhet se është një vazhdim i Komisioneve të mëparshme; Afrika e Jugut e gjeti zgjidhjen me “Komisionin për Të Vërtetën dhe Pajtimin”, për të cilin u vendos po 15 vjet më parë, në të njëjtën kohë si edhe te  ne, por që filloi punën në vitin 1996 dhe e përfundoi atë në vitin 1998. Ky komision kishte për qëllim jo të dënonte, as të hiqte nga punët dhe as të mos linte të punësoheshin në disa lloj punësh njerëz të implikuar me dhunën e sistemit të kaluar, por të evidentonte dhe të shpallte të gjithë ata, pavarësisht nga posti apo sektori ku kishin punuar a ku punonin, që kishin kryer krime.

Dhe tashti të ndalim pak më gjerë te ngjashmëria dhe, njëkohësisht, te ndryshimi, i trajtimit të njerëzve të lidhur me krimet e regjimit të mëparshëm që sot përbën edhe një pjesë të temave të bisedave e të diskutimeve në Shqipëri.

Komisioni “Mezini”, i vazhduar nga “Bezhani”, kishte për detyrë të hetonte dosjet Sigurimit të Shtetit Komunist të disa kategorive zyrtarësh të lartë apo të pretendentëve për disa poste të rëndësishme të regjimit të ri. Veprimtaria e tij u zhvillua në fshehtësi të plotë dhe ajo fshehtësi la shteg për dyshime, dyshime që u lidhën me mundësinë e fshehjes së të vërtetës për disa persona që qenë të lidhur me pushtetin apo me akuza të rreme ndaj personave të tjerë që qenë kundërshtarë të pushtetit. Asnjë nuk mori vesh se cilët persona qenë bashkëpunëtorë në krim të regjimit të vjetër, me përjashtim të Rustem Gjatës, në atë kohë Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, i cili e refuzoi raportin e atij komisioni dhe Komisioni u detyrua të publikonte faktet për të. Tashti, pas pesëmbëdhjetë vjetësh të fillimit të punës së atij komisioni, kërkohet përsëri me një ligj të ri, që i kanë vënë emrin më të çuditshëm e më të pakuptimshëm që mund të bëhet: “Ligji i Lustracionit”, të mënjanohen nga detyrat një kategori tjetër njerëzish.

Detyra e komisionit që funksionoi duket se u lidh më shumë me eliminimin e disa kategori personash, të cilat paraqisnin konkurrencë për persona të tjerë më të privilegjuar dhe jo për të ndëshkuar në njëfarë mënyre, apo për të shpallur ata që qenë lidhur me dhunën komuniste.
Në Afrikën e Jugut, për të trajtuar problemin e bashkëpunëtorëve të regjimit të vjetër, u përdor një mënyrë që nuk i shëmbëlleu as asaj të zbatuar nga komuniteti botëror kundër nazizmit, pra “drejtësisë së fituesit”, drejtësisë së “Gjyqit të Nyrembegut,” drejtësisë retributive, drejtësisë shpaguese, drejtësisë proporcionale, drejtësisë “një sy për një sy, një dhëmb për një dhëmb”, drejtësisë hakmarrëse e as modelit që u zbatua në vendet e ish-Europës Lindore, në trajtimin e diktaturave komuniste dhe njerëzve të tyre, të cilët kishin kryer krime në shërbim të atyre diktaturave. Në këto vende, pas rënies së diktaturave, u fol në mënyrë abstrakte për krime, por nuk u mor kurrë ndonjë masë reale ndaj kriminelëve, nuk u shpallën kurrë zyrtarisht ata dhe nuk u njohën plotësisht krimet e tyre. Në këto vende u bë dhe bëhet shumë zhurmë për hapjen e dosjeve të spiunëve, ndonëse spiunët ishin vetëm një hallkë, shpeshherë e mjerë, e një zinxhiri të gjatë kriminelësh që kryesohej nga ideatorët e krimit, që vazhdonte nga miratuesit dhe mbështetësit e krimit dhe, që përfundonte nga një seri kriminelësh e sadistësh ordinerë që realizonin materialisht krimin.

Në Afrikën e Jugut, një vit pasi Mandela u bë President, në vitin 1995, për t’u marrë me krimet dhe kriminelët e së shkuarës, për t’i evidentuar dhe për t’i dënuar, qoftë edhe moralisht ata, u krijua dhe filloi nga puna një komision hetimor që u quajt ‘Komisioni i së Vërtetës dhe i Pajtimit’. Vini re, emri është zgjedhur me shumë kujdes e me shumë domethënie. Ky Komision, krejtësisht i paanshëm, krejtësisht i pavarur nga qeveria dhe krejtësisht i hapur, kryesohej nga një prej personave më me integritet të Afrikës së Jugut, prej Kryepeshkopit Desmond Tutu, laureat i çmimit “Nobel për Paqe”. Komisioni kishte për detyrë të nxirrte në dritë të gjitha llojet e krimeve dhe të gjithë kriminelët që kishin marrë pjesë në ato krime.

Puna e atij komisioni kryhej në këtë mënyrë: secili që e dinte se i kishte shërbyer regjimit duke kryer krime politike, do të shkonte vetë të dëshmonte për krimet e kryera para komisionit, në prani të popullit, të televizioneve, të gazetarëve, të viktimave dhe të familjarëve të tyre. Pra, kriminelin nuk e shpallte shteti, por detyrohesh të vetëshpallej. Në shkëmbim të të vërtetave që do të thoshte para Komisionit, ai komision do t’i jepte apo do t’i refuzonte amnistinë. Proceset ishin krejtësisht transparente, nuk mund të kishte as mbulesa dhe as sajesa krimesh nga shteti, apo njerëz të rëndësishëm të tij. Në hyrje të sallave ku zhvilloheshin procedurat e dhënies së dëshmive shkruhej: “The truth shall set us free”, (E vërteta do të na çlirojë,) apo “The truth leads to reconciliation”, (E vërteta çon drejt pajtimit,) apo “The truth heals”, (E vërteta shëron.) Në qendër të vëmendjes ishte e vërteta, jo dënimi, jo hakmarrja. Të gjithë, pasi bënin dëshmitë, që duhet të ishin të sinqerta e të plota dhe, duke qenë të tilla, ishin edhe shumë tronditëse, amnistoheshin. Amnistia jepej rast për rast dhe jo në grup. Të amnistuarit rifillonin jetën normale pa asnjë pengesë, as për punë dhe as për gjë tjetër. Ata që kishin kryer krime dhe nuk paraqiteshin para këtyre komisioneve, në bazë të dosjeve të tyre, apo të padive të viktimave, gjykoheshin dhe dënoheshin nga gjykatat e zakonshme sipas shkallës së fajit. I gjithë procesi zhvillohej midis kriminelëve dhe viktimave të tyre. Shteti nuk kishte asnjë rol.

Qëllimi i kësaj metode, ishte nisja e një jete të re për të gjithë: për popullin duke falur, por duke mos harruar; për ata që kishin kryer krime, duke i njohur krimet, duke i deklaruar dhe duke shprehur pendesë për to. Metoda e përdorur do të ndihmonte në procesin e pajtimit kombëtar. Në të vërtetë, ajo do të ishte njëfarë sakrifikimi i drejtësisë, por jo sakrifikimi i së vërtetës. Çdo njeri i regjimit të mëparshëm që kishte kryer krime tashti e dinte se ishte falur, se ishte amnistuar, por jo se ishte shlyer, se ishte larë, se ishte i pastër, se nuk kishte kryer asgjë të keqe. Ai nuk mund të fshihej më mbas padijes, gënjeshtrës, heshtjes, apo mbrojtjes së një të fuqishmi në shtet; ai nuk mund të sillej më si arrogant, si kapadai a si fodull; ai nuk mund të vazhdonte të urrente dhe të luftonte viktimat e tij që ishin dëshmitarë të krimeve të tij dhe që, ashtu siç thoshte Ainshtaini: “Sa më mizore të jetë sjellja e dikujt ndaj një personi apo ndaj një populli, aq më e thellë është urrejtja dhe cinizmi i tij ndaj tyre”.

Në vitin 1998, tre vjet pasi filloi punën,  Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit e përfundoi detyrën dhe botoi raportin e tij në pesë vëllime, të cilin mund ta lexonte kushdo dhe ku dokumentoheshin të gjithë kriminelët dhe krimet e kryera prej tyre.

Me këtë mënyrë të trajtimit të krimit, në të cilën duhet të dalë me çdo kusht e vërteta, në të cilën e vërteta duhet njohur sado e hidhur dhe e shëmtuar që të jetë, në të cilën brezat e rinj duhet të njohin se ç’kanë bërë brezat e mëparshëm, në të cilën fëmijët duhet të dinë se ç’kanë bërë prindërit e tyre, në të cilën të dënohet kryesisht krimi dhe jo krimineli, në të cilën mjetet duhet të jenë po aq të mira sa dhe qëllimi, Afrika e Jugut i dha fund një të kaluare mizore, si dhe armiqësive që mund të vazhdonin prej saj edhe për shumë kohë më pas, duke i dhënë një shembull të posaçëm botës. Disa vende e shfrytëzuan atë shembull, por mjerisht jo vendet që dolën nga komunizmi.

Në Shqipëri, krimi politik, krimi shtetëror, mbeti i pazyrtarizuar, ai mbeti i pashpallur, ai mbeti jetim, ai nuk u dokumentua, ai nuk u dënua dhe për këto arsye ky vend do të vuajë edhe më tej nga kriminelë kapadainj e nga pasardhës të tyre, nga politikanë me prejardhje nga krimi, nga krime të mbuluara, nga armiqësi të shkuara, nga armiqësi  që mendohen si të mbyllura, por që zhvillohen në një terren të ri. Shqipëria merret ende, edhe pas njëzetë vjetësh, me një problem që duhej ta kishte zgjidhur, e shumta në pesë vitet e para pas ndërrimit të sistemit.

Google+ Followers