Truri, kur flemë merret me forcimin e memories

Studimi
Përse është kaq e vështirë për ne që të kujtojmë gjërat që nuk do të donim t’i harronim? Kjo çështje ka qenë në qendër të vëmendjes së shumë studimeve kohët e fundit dhe sipas disa rezultateve përgjigjja mund të ishte: ndoshta ne mendojmë më shumë se sa duhet për disa gjëra të caktuara. Mençuria popullore e ka përkufizuar mendjen gjatë pushimit si një motor të fikur. Për të marrë hollësira në lidhje me funksionimin e trurit, shkencëtarët zakonisht vëzhgojnë sjelljet dhe veprimet e personave që dalin vullnetarë për t’u bërë pjesë e studimeve. Ata matin kundërpërgjigjet dhe reagimet e tyre psikologjike apo biokimike, ndërsa kryejnë detyra të ndryshme mendore. Por së fundi, falë ndihmës që jep në kërkime imazhi i rezonancës magnetike, që harton aktivitetin e trurit bazuar në ndryshimet e nivelit të oksigjenit në gjak, neuroshkencëtarët kanë zbuluar që aktiviteti më i rëndësishëm i trurit që lidhet kryesisht me kujtesën dhe të mësuarit, kryhet kryesisht kur ky organ është në prehje.

Shumë studime të dhjetëvjeçarit të fundit kanë sugjeruar se gjumi është një faktor kyç për konsolidimin e kujtesës dhe të të mësuarit. Njerëzit që marrin një sy gjumë, pasi kanë mësuar diçka të re, për shembull, e ngulisin këtë risi shumë më mirë në memorien e tyre se ata që nuk flenë. Së fundi, një studim i Universitetit të Nju Jorkut ka zbuluar prova në lidhje me një sugjerim të tillë. Me pak fjalë, edhe kur trupi është në punë, truri i njeriut kryen veprimtari shumë të rëndësishme, madje primare në lidhje jo vetëm me memorien, por edhe me shumë funksione të tjera. Pra, ndërsa ne flemë, truri punon në favorin tonë. Sipas studimit, aktiviteti trunor te disa persona shtohet gjatë pushimit dhe ka lidhje të drejtpërdrejtë me konsolidimin e memories. Pushimi është aq i rëndësishëm sa pa dyshim që i bërë në kohën dhe sasinë e duhur mund të jetë një faktor i rëndësishëm për suksesin e fëmijëve në shkollë. Për studimin e mësipërm u morën në shqyrtim 16 vullnetarë, të cilët iu nënshtruan skanimeve ndërsa pushonin. Më pas secili nga vullnetarët u shtri në një shtrat të sheshtë pranë një skaneri MRI dhe para tyre nisën që të shfaqen imazhe të ndryshme, të cilat ata duhet t’i mbanin mend. Pas kësaj bënë disa minuta pushim dhe më pas u pyetën në lidhje me renditjen e pamjeve të mëparshme. Eksperimenti u përsërit disa herë dhe me persona të ndryshëm dhe si rezultat të gjithë kishin një memorie shumë të mirë të pamjeve krahasuar me një tjetër grup, i cili pasi i pa ato nuk pushoi për disa minuta. Ndërkohë që pushonin, skaneri vëzhgonte aktivitetin e atyre rajoneve të trurit që merren me kujtesën, si hipokampusi dhe korteksi vizual, bëhet fjalë për periudhën para, gjatë dhe pas pushimit. Aktiviteti më i madh i këtyre rajoneve ishte kur trupi pushonte. Kjo do të thotë se pas thithjes së një informacioni, truri për ta përpunuar dhe konservuar atë ka nevojë për një periudhë pushimi. Sa më i madh të jetë aktiviteti i trurit gjatë pushimit, aq më e mirë është performanca e vullnetarëve për kujtesën e pamjeve të shfaqura. Por, ndërsa qëllimi i këtij studimi ishte testimi i kujtesës në përgjithësi, studime të tjera shkencore janë fokusuar më shumë dhe më thellë në aktivitetin e trurit në gjendje pushimi dhe ndërkohë rezultatet kanë qenë po ato. Sipas një studimi të një tjetër universiteti, aktiviteti spontan i trurit në dy rajone të veçanta të korteksit cerebral del se ka lidhje me periudhën e pushimit të trurit. Një nga enigmat që kanë shkencëtarët është edhe ajo e veprimtarisë trunore pas pamjeve të ndryshme që iu paraqitën personave. Për shembull, truri funksionon më shumë në rastet kur personi sheh një peizazh në krahasim me rastet kur sheh një fytyrë të zakonshme. Kështu, njerëzit duket se kanë tendencë që të kujtojnë më shumë peizazhet se sa portretet dhe kjo mund të shpjegojë edhe diferencën në aktivitetin trunor.

Të gjitha studimet e sipërpërmendura kanë përdorur metoda të ndryshme, por kanë mbërritur thuajse në të njëjtin përfundim: “Truri merret me punë, me analizimin e ideve apo me sistemimin e tyre edhe kur ne vetë nuk jemi duke bërë gjë, apo për më tepër jemi duke pushuar”. Kjo është diçka që duhet ta kemi parasysh dhe ta kujtojmë e pse jo ta përdorim nëse duam që të arrijmë rezultate në shkollë dhe në punë.

Google+ Followers