TABLET/"Apple" ecën në territor të "minuar"

Apple ka një huq që pikas probleme, të cilat ne nuk e dinim që i kishim. Mund të na bëjë të ulemi e të vrasim mendjen si ka mundësi që kemi mbijetuar pa librari super të mëdha muzikore dhe shfaqje televizive në xhepat tanë, apo rehatinë e të diturit që "për këtë gjë nuk ka program".

Tani, po rritet gjithnjë e më shumë sasia e spekulimeve se brenda dy javëve, Apple do të zbulojë një kompjuter me prekje të tipit tabletë, i cili është më i madh se iPhone, por më i vogël se sa laptopi standard. Nëse kjo do të jetë me të vërtetë lëvizja e radhës e Apple - kompania nuk pranon të komentojë - atëherë ajo do të duhet të na tregojë se përse duhet të paguajmë për një tjetër ekran me lidhje interneti, ky mbi televizorët, kompjuterat dhe telefonat celularë që tashmë i kemi.

Tabletët, që quhen gjithashtu edhe "slates", janë kompjutera njëbllokësh me ekrane të mëdhenj dhe pa tastierë, ndonëse disa modele mund të shndërrohen nga një laptop i zakonshëm në një tabletë thjeshtë duke rrëshkitur ekranin për të fshehur tastierën.

Pajisje të tilla kanë qenë në qarkullim që në fillimin e viteve nëntëdhjetë, duke përfshirë një nga Toshiba me peshë 3.3 paundë dhe që kushtonte afro 3500 dollarë. Megjithatë, nuk është se tabletët kanë patur ndonjë sukses të madh. Në kulmin e suksesit, në vitin 2007 prodhuesit nxorrën rreth 1.5 milionë në të gjithë botën - më pak se 1 përqind e kompjuterave personalë që u prodhuan atë vit, sipas kompanisë kërkimore IDC. Vetëm afro një e treta e atyre tabletëve ishte për konsumatorë. Pjesa tjetër u përdor në zyra të specializuara, si spitale apo magazina.

Bill Gates, bashkëthemelues i armikut të Apple, Microsoftit, parashikoi në mënyrë të përsëritur gjatë viteve 2000 se po vinte momenti i tabletëve. Ai gabohej, sepse ato tabletë kërkonin që njerëzit të përdornin një majë shkruese në formë lapsi për të shtypur butona apo shkruajtur mbi ekran, gjë që ishte tërheqëse në vende pune ku punonjësit duhej të bënin verifikime në kuti apo të plotësonin formularë. Por, për shumicën e njerëzve, përdorimi i një maje shkruese për punë të zakonshme në kompjuter si për shembull punimi në excel, ishte më i pavolitshëm se sa përdorimi i një tastiere dhe një mausi.

Deja vu

Megjithatë, duket se do të jetë Steve Jobsi i Apple që do të zbresë me një tabletë që shfrytëzon përmirësimet e fundit të teknologjisë si dhe siguron më shumë publicitet. Dell dhe HP nuk paraqitën një tabletë të gatshme për shitje për arsye se kompanitë duan që të jenë në gjendje të përshtaten nëse vizioni i Apple do të rezultojë radikalisht i ndryshëm, thonë analisti i industrisë së kompjuterave, Roger Kay i Endpoint Technologies Assovciates. "Nëse Apple bën bujë, atëherë e dimë se kështu do të ngjajë hapësira e këtij tregu për pak kohë", shton ai.

Ndërkohë që tabletët më të hershëm nuk janë programuar si pajisje për të lundruar në internet, ato modernet do të jenë në gjendje për të përfituar prej aksesit jokabllor në internet, si dhe prej gatishmërisë sonë për të paguar çdo muaj për data plan-e për celularët si dhe kompjutera të vegjël portativë.

Ekranet me prekje dhe programet kompjuterikë që u vendosen atyre janë gjithashtu shumë më të mirë sot dhe ne tashmë jemi mësuar të prekim dhe përdorim tastiera virtuale në ekrane falë popullaritetit të madh të iPhone-t të Apple. Këto pajisje - sidomos ato që prodhohen nga Apple - janë gjithmonë e më të holla e më të lëmuara, gjë që i bën ato më lehtësisht të lëvizshme se sa tabletët e hershëm. E kemi parë këtë gjë të ndodhë edhe më parë: pajisje muzikore portabël dhe telefona celularë të quajtur smartphone kanë ekzistuar përpara se të vinin iPod dhe iPhone, e megjithatë ishte Apple që u dha një kuptim të ri këtyre kategorive.

A do të ndodhë sërish?

Megjithatë, një tabletë e Apple mund ta ketë shumë më të vështirë të hyjë në treg me sukses sot, se sa ato pajisje, qoftë edhe për arsyen se nuk ekziston një arsye imponuese për të patur një të tillë. Në mungesë të konfirmimit nga Apple, analistët kanë shumë hamendje në lidhje me atë se si Jobs do të poziciononte një tabletë të Apple. Disa mendojnë se do të jetë thjeshtë një iPod me prekje e zmadhuar, një luajtës muzikor që përdoret gjithashtu për të parë filma, për foto familjare si dhe shërbime të tjerë multimedialë. Të tjerë besojnë se Apple po e ndërton tabletën duke patur një sy nga tregu në lulëzim i librave elektronikë (ndonëse vetë Jobs tha në vitin 2008 se "njerëzit nuk lexojnë më"). Ndërsa të tjerë e shohin si një ekran shoqërues që e përdor teksa sheh televizor - tableta do të ofronte informacion në lidhje me programin që është duke u transmetuar në TV.

Megjithatë, mekanika e trupit të njeriut mund të jetë më e fortë se sa karizma e Steve Jobs. Ne tolerojmë pajisje të tilla si telefonat me ekranet e tyre të vegjël si dhe tastierat e sikletshme, pasi këto janë mirë për atë për të cilën na nevojiten - leximi dhe shkëmbimi i mesazheve, ndërkohë që jemi në lëvizje. Sapo ekrani nis e zmadhohet, njerëzit kanë prirjen që të kërkojnë të bëjnë më shumë gjëra me pajisjen, si për shembull të shkruajnë mesazhe më të gjatë zyrtarë, thotë Mark Roltson, drejtor i zyrës së krijimit për Frog Design, një kompani që ka dizenjuar një prej kompjuterëve të parë të Apple. Në atë pikë, kufizimet e ekraneve të vegjël dhe mungesa e një tastiere reale mund të jenë të patolerueshme dhe kështu njerëzit mund të jenë gjithnjë e më të prirur të blejnë një laptop të vogël.

Jon Gibs, zëvendëspresident për kërkimet në media në "The Nielsen Co", thotë se nuk mund të mendojë një situatë kur një ekran tableti do të ishte më i miri në dispozicion për të parë video. Në shtëpi, televizori është zgjedhja më e natyrshme, ndërkohë që në lëvizje, madhësia e një iPhone do të ishte më e përshtatshmja.

Rolston beson se Apple nuk do të nxjerrë në treg një tabletë si një zëvendësuese për një laptop që punon si "kalë pune". Në vend të kësaj, fillimisht Jobs do të përshkruajë një seri të kufizuar përdorimesh për pajisjen, thotë Rolston dhe më vonë Apple mund të zgjerojë mënyrën se si do të reklamojë tabletën. Ai përmend për të ilustruar këtë ide mënyrën se si iPhone evoluoi nga një telefon i lehtë në përdorim në një kompjuter xhepi shumëpërdorimësh, vetëm një vit pas debutimit të tij me daljen e AppStore, ku shiten programe të çdo lloji.

Një Mesia?

Ndoshta shpresat më të mëdha për tabletët mund të ekzistojnë tek kompanitë mediatike që nuk kanë arritur të thithin aq shumë reklamë sa duhet dhe tashmë kërkojnë mënyra të reja për të shitur materiale interaktivë. Diçka e ngjashme me programin iTunes të Apple, që u mundëson njerëzve të blejnë këngë, seriale televizivë dhe filma për t'i hedhur në iPd apo në Iphone mund të përdoret për të shpërndarë gazeta dhe revista apo programet televizivë.

Që tani botuesit kanë nisur të rendin drejt lexuesve të librave elektronikë si "Kindle" i Amazon, por revistat e mbushura me fotografi dhe grafikë nuk është se duken dhe aq mirë në ekranet e teknologjisë e-ink me ngjyra bardhë, zi dhe gri të lexuesve të librave elektronikë.

Ndërkohë, një tabletë me ekran me ngjyra mund të krijojë mundësi të reja. Sports Illustrated botoi një filmim në internet të një reviste dixhitale në tabletë që i lejon lexuesit të shfletojnë elektronikisht përmbajtjen e saj, të kalojnë nga një fotografi e vetme në një galeri të tërë, të shohin ekskluzive dhe reklama bashkë me segmente filmimesh, si dhe të luajnë lojëra apo të shohin evente sportivë tamam si në televizor.

Revista "Wired" është duke parë gjithashtu një edicion të sajin të realizuar posaçërisht për tabletë. Ndërkohë që modeli i biznesit nuk është përfundimtar, "Wired" do të vendosë një pagesë për një pjesë apo për të gjithë versionin e vet të tabletës.

Ekranet e celularëve me prekje janë shumë të vegjel për të lexuar për një kohë të gjatë, ndërkohë që ekranet e kompjuterëve personalë kërkojnë që njerëzit të përkulen mbi tastierë për të lexuar. Ndërsa një tabletë do të kishte si familjaritetin ashtu edhe ekranin për t'iu përafruar eksperiencës së leximit të një reviste, - thotë Anderson.

Pritshmëritë e mëdha të Wall Street

Aksionet e Apple u rritën më shumë se dyfish vitin që kaloi, pjesërisht për shkak të pritshmërive të investitorëve që kompania pritet të nxjerrë në treg një pajisje të re që do të bëjë mrekullira, ashtu si iPhone. Por tabletat ende nuk kanë shkuar në duart e konsumatorëve, gjë që e bën çmimin ndoshta pikëpyetjen më të rëndësishme.

Nëse tableta nuk zëvendëson laptopin apo ndonjë pajisje tjetër, atëherë do të duhet të jetë aq e lirë sa që të ndihet si një aksesor dhe jo si një investim. Megjithatë, do të duhet gjithashtu të vijë me një data plan celulari të shpejtë për të siguruar që njerëzit mund ta përdorin kudo ku ndodhen. Kjo do të thotë të paguash edhe një tjetër 30 dollarësh në muaj mbi atë që njerëzit paguajnë aktualisht për celularin, televizorin apo shërbimin e internetit.

Thuhet se njerëzit mund të jenë gjithsesi të interesuar. "Me këtë status dhe pritshmëri që ka sot, përgjigjja është absolutisht po".

Google+ Followers