Stambolli/Vendi i sulltanëve dhe Pazareve përbri Bosforit

I barazvendosur mes feve dhe kontinenteve, Stambolli është shpallur kryeqyteti i kulturës për 2010



Barbara Ellen

Eshtë jo pak e sikletshme që një prej përvojave tona të para në Stamboll u prish për shkak të një "thumbi" si ata që u ngulen zakonisht turistëve rishtarë. Më ndodhi mua dhe shoqes së udhëtimit, Emës, tek morëm një taksi natën për në hotelin ku qëndronim, "Ciragan Palace Kempinski", në bregun perëndimor (europian) të Bosforit.

Taksitë po na rezultonin tashmë të kushtueshme - "Ciragan" është disi larg zonave kryesore për t'u vizituar dhe trafiku ishte veçanërisht i ngarkuar për arsye se vizita jonë përkonte me maratonën e përvitshme të Stambollit. Sado që e bënte qytetin të vështirë për t'u naviguar, ia vlente të shihje rrugët të zbukuruara me banderola shumëngjyrëshe, me imazhe të flamurit kombëtar, ngjyrat e fanelave të tifozëve fanatikë të ekipit kombëtar turk dhe mbi të gjitha, portrete të themeluesit të Republikës turke, Mustafa Qemal Ataturk.

Megjithatë, atë natë në taksi, ne nuk po admironim banderolat. Zilet e alarmit duhej të kishin rënë kur taksisti na tha të zbresim disa dhjetëra metra larg nga hoteli, duke u ndalur krejt papritur në anë të trotuarit. Më pas këmbënguli se kartmonedha 50 lireta që i kishim dhënë për faturën 40-lirëshe ishte në fakt pesëshe dhe na vërtiti një mu poshtë hundës për ta vërtetuar.

Vetëm, natën, pa ditur gjuhën, ishte e vështirë të kuptoje saktësisht se çfarë po ndodhte teksa taksisti po bëhej gjithnjë e më kanosës, duke na kërkuar një tjetër kartmonedhë 50-she. I thamë recepsionistit në hotel, por paturpësisht nuk arritëm kurrë të njoftonim stacionin e policisë për të bërë një ankim.

Kur u kthyem, Ema lexoi diku në një të përditshme amerikane një artikull me titull "10 mashtrime që duhet të shmangësh kur udhëton" - një prej të cilëve ishte "hileja e famshme e taksistëve turq, ku ata hedhin përtokë dhe shkelin me këmbë kartmonedhën tuaj 50-she dhe e ndërrojnë me një 5-she". Nëse ju ndodh, mos hezitoni të raportoni: autoritetet janë të prirur ta zhdukin këtë mashtrim të përhapur.

Megjithatë, do të duhej më shumë se sa një incident i izoluar për të të larguar nga një qytet i mrekullueshëm, origjinal, një qytet aq shumë i ngulitur në histori dhe plot vitalitet si Stambolli. Në të njëjtën kohë, mysliman dhe miqësor ndaj perëndimorëve, një urë lidhëse mes dy kontinenteve (në një pikë të Urës së Ataturkut mund ta kesh njërën këmbë në Europë dhe tjetrën në Azi), që mburret me shekuj të tërë kulturë, me xhamitë e tij, pallatet osmanë, hamamet dhe pazarët, Stambolli ka një vend të spikatur në botën moderne.

Në të vërtetë, pavarësisht gjithë panoramat e lashta, qyteti i kulturës i këtij viti është një qytet me mendësi ndërkombëtar që ecën me një ritëm të shfrenuar, i mbushur me hotele, galeri arti, parada shopingu, restorante, klube nate dhe bare - një modernitet i pandalshëm që ndërthuret natyrshëm me ndjesinë e historisë. Edhe gjërat që në pamje të parë mund të të duken acaruese, si thirrjet publike për falje disa herë në ditë, janë në fakt, shenja atmosferike pikësimi të eksperiencës së Stambollit, aq sa kur u ktheva në shtëpi më mungonin vërtetë.

"Ciragan Palace", i vetmi hotel me pesë yje në pjesën europiane të Bosforit, ishte në fakt madhështor, me helipadë, dyqane, kopshte dhe madje edhe një sallë balloje. Janë në fakt dy hotele dhe pjesa e pallatit është vendi ku jetonin sulltanët osmanë. Nëse dëshiron të qëndrosh në master suite, të nesërmen do të kesh 12 300 stërlina më pak. Por edhe dhomat standarde janë shumë luksoze - e jona kishte një ballkon me pamje nga Bosfori, një banjë me mermer, dhe çdo natë të sillnin çokollata të bëra vetë.

Aty ngjitur është një ish-harem që është transformuar në shkollë. Ndërtesa me histori të çuditshme duket se janë të zakonshme në Stamboll - hoteli "Katër Stinët", ku ne shijojmë çajin e pasdites, ka qenë një burg i famshëm.

Historia e Stambollit si një rrugë tregtie nënkupton që cilësia e kuzhinës indiane aty është e lartë. "Dubb" konsiderohet restoranti më i mirë indian në Sulltanahmet, apo qyteti i vjetër. Tryezat më të mira janë në majë të një tarace me një shkallare shumë të pjerrët. Kështu që, mos pini shumë, është shumë e vështirë të zbresësh edhe kur je esëll. Kur zë vend, ti ha pranë dritës së qiririt dhe përpara ke panorama spektakolare, përfshirë Xhaminë Blu dhe Aia Sofia, Kishën e Dijes Hyjnore.

Aia Sofia, dikur kishë, më pas xhami dhe tani muze, nuk është më pak mbresëlënëse gjatë ditës. Me hyrjen që kushton 20 lira (tarifa standarde për turistët në Stamboll) dhe shekuj të tërë imazhesh kristianë e myslimanë që ndërthuren bashkë, kjo ndërtesë e mrekullueshme e shekullit XVI është një përfaqësuese e denjë e bashkëjetesës harmonike të kulturave në Stamboll.

Brenda, njerëzit lëvizin në heshtje dhe bëjnë fotografi. Të tjerë, si ne, zgjedhin shkallët për të kaluar në katet e sipërm për të shijuar pamjen nga galeria lart. Teksa po largoheshim, disa gra me veshje tradicionale po mblidheshin përreth Kolonës së Lotëve, duke e prekur atë me duar. Legjenda thotë se ky është vendi ku Shën Gregori, mrekullibërësi u shfaq dhe që lagështia prej kolonës ka aftësi shëruese. Ema dhe unë guxuam që të fusim duart aty. "A iu bën gjë gripit të derrave", pyesnim njëra-tjetrën me shaka?

Aty pranë është Topkapi Palace, që ka shërbyer për shumë shekuj si qendra spirituale dhe politike e Turqisë. Jashtë, në kopshtet e zbukuruar, macet ngroheshin në diell. Macet nderohen në Stamboll, sepse mendohet që janë kafshë që sjellin fat.

Një labirint ndërtesash dhe oborrësh, Topkapi është pak si i madh për një vizitë të vetme. Disa ndërtesa kanë qenë për punë shtetërore, të tjera për qëllime të brendshme, si kuzhinat apo furrat. Në një sallë ka portrete të sulltanëve osmanë, ku të gjithë ngjajnë çuditërisht të ngjashëm. Pikturuesit e portreteve ishin Photoshopiu në ato kohë.

Ne mundëm të shohim Kryqin e Topkapit si dhe Diamantin e Lugëbërësit, i pesti në botë për nga madhësia. Gjithashtu, aty ka edhe shumë relike dhe sende fetarë ekscentrikë siu për shembull gjurma e Profetit Muhamed si dhe Tigan i i Abrahamit.

Për të hyrë në Haremin e Topkapit duhet të paguash sërish dhe radha është shumë e gjatë. Ishte zhgënjyese të mos shihje këtë fenomen sa të shthurur aq edhe shumë politik (disa prej të preferuarave të sulltanëve kanë patur fuqi të madhe prapa fronit). U përpoqa të shoh vjedhurazi nga një dritare anësore, por munda të shoh vetëm një copëz murale.

Topkapi të duket si një xhuxh i vërtetë para Pallatit Dolmahbace, i njohur si "Versaja e Stambollit". Jashtë, ushtarët ishin duke ndërruar shërbimin e rojës. Në Dolmahbace, ku Ataturku kaloi vitet e tij të fundit, thuhet se çdo gjë e verdhë është flori - dhe ka shumë ngjyrë të verdhë përreth. Për të mbrojtur parketin origjinal, duhet të vish vërdallë me mbulesa plastmasi për këpucët përmes sallave të pafundme me frone, sallave të ballos dhe zonave ku bëhen pritje shtetërore.

Xhamia Blu aty pranë, e famshme për dekorimin e saj me copëzave të panumërta mozaikësh ngjyrë blu është një kube mahnitëse në mes të shumë kubeve të Stambollit - vija qiellore të ngjan ndonjëherë me ato zilkat e vogla që përdoren për të tërhequr vëmendjen në hotelet e vegjël.

Në Xhaminë Blu, të gjithë vizitorëve u kërkohet të heqin këpucët dhe grave u kërkohet të mbajnë ferexhe, ndonëse jo pak prej tyre nuk e bëjnë. Në fakt, ndonjëherë në Stamboll na u duk se bindja jonë fetare ishte e tepruar. Jashtë Xhamisë Blu, Ema po mbante një ferexhe në kokë kur një rojë krejt papritur thirri: "Nuk mund të dalësh kështu!" Ajo ngriu: "Përse?"

"Ti je shumë seksi!", tha ai duke qeshur me të madhe dhe më pas u largua.

Natën në Stamboll ka një kulturë restorantesh të hapur buzë trotuareve në zona të tilla si Nevisade, Mayhene dhe Kumkapi. Por kini kujdes: cilësia ndryshon. Një natë, përfunduam duke ngrënë një meze kaq të keqe në një rrugë anësore në Kumkapi, saqë i rrasëm paratë mbi tryezë dhe u larguam pa e përfunduar duke e përfunduar vaktin tonë në një restorant më me gjallëri dhe më të mirë në rrugën ngjitur.

Ka shumë hapësirë për argëtim në Stamboll. U përpoqëm, por nuk arritëm të vizitojmë Dog Star, një klub "indie" shumë intrigues në lagjen aziatike. Ka shumë klube nate dhe bare, disa shik, të tjerë më pak, në shumë prej të cilëve luhet muzikë live.

Një natë shkuam dhe ndenjëm duke parë studentë tek hidheshin e përdridheshin në një "klub" me madhësinë e një dollapi këpucësh. Një tjetër natë e kaluam duke dëgjuar Muzak të mrekullueshëm në një klub kaq qesharak sa që edhe emrin nuk ia mbaj mend. Më i mirë nga të gjithë ishte Babilon, një klub nate me muzikë live. Në kohën kur ne shkuam, kitaristi Justin Adams dhe muzikanti afrikan Juldehj Camara luajtën një seri mrekullish. Babilon, që aktualisht feston përvjetorin e dhjetë, ka patur në gjirin e vet në koncerte edhe emra të tillë si Grandmaster Flash, Patti Smith dhe Arrested Development.

Kryeqytet Europian Kulture apo jo, ishte koha që të bënim thirrjen që bën çdo femër, që në agimin e kohërave: "Shkojmë bëjmë Pazar". Stambolli ka një Harvey Nichols, si dhe një zonë vetëm për këmbësorë në Taksim që mund të jetë fare mirë Oxford Street (sikur Oxford Street të kishte më shumë librari antike).

Në rrugët dytësore më pak turistike ndien kudo aromën e Stambollit, me barbeky në rrugë, ibrikë kafeje që ziejnë dhe cigaret e trasha që lëshojnë aromën tipike. Ka shumë parukeri - vajza me ngjyrën patëllxhan të flokëve, kaq shumë e favorizuar në Stamboll, qëndrojnë jashtë të ulura në shkallë të gurta, duke tundur në ajër tharëset e flokëve. Në zona të tjera si Nisantasi dhe Tesvikiye, Ema provoi unaza e varëse për të cilat diku tjetër duhej të kishe patjetër badigard me vete.

Asnjë udhëtim në Stamboll nuk do të ishte i plotë pa një vizitë në Pazarin e Madh. Eshtë më i madhi i llojit të vet në botë dhe statistikat vetë të lënë pa frymë: 60 rrugë, 4 000 dyqane, xhaminë e vet, zyrën e postës dhe bankën, madje edhe një qendër kujdesi shëndetësor. Në fakt, të ecësh nëpër pazarin e madh është njësoj si të gllabërohesh nga një kafshë gjigante mitologjike, ndonëse kjo është një kafshë me stomakun plot me sixhade, bizhuteri, sende antike, flori, lëkurë, qeramika, kaligrafi dhe pak a shumë çdo gjë tjetër ku të shkon mendja.

Unë s'para kam qejf të bëj pazar, ndonëse këtu kjo gjë duhet të jetë e mirëpritur. Por kur Ema u përpoq të bëjë pak pazar për një palë vathë, tregtari na tha të zhdukemi. Dhe teksa largoheshim, ulëriti: "Mos u ktheni më". Kaq e pat edhe përshtatja me zakonet vendase.

Ka kafene të shpërndara kudo nëpër Pazar. Më e mira është "Cafe Bedestan", ku ne pimë kafe dhe hëngrëm bakllava. Disa dyqanxhinj janë të mirësjellshëm dhe u ofrojnë klientëve një filxhan të vogël të qelqtë çaji vendas, teksa përpiqen që të hyjnë në këtë guvë Aladini. Në të vërtetë, pazari është kaq kompleks dhe imponues, saqë është gjë e mençur të mendosh një vizitë të dytë.

Ne po i afroheshim fundit të qëndrimit tonë, kështu që mëngjesin tjetër dolëm të shohim Stambollin modern, një hapësirë e mrekullueshme arti me një përzierje eklektike të kulturës tradicionale dhe veprave moderne.

Mu jashtë galerisë u ndalëm në një prej kafeneve ku tymoset nargjile. Këto po gëzojnë një rikthim mes të rinjve. Këto kohë, pipat janë për duhan dhe jo opium, ndonëse ende të duket si diçka dekadente të shohësh të rinj që vijnë vërdallë në karrike të kadifejta, duke thithur sa më fort që të munden.

Më pas ishte koha për t'i thënë lamtumirë Stambollit me një udhëtim nëpër Bosfor. Këtu ka ture të ndryshëm, por nuk kishim kohë për këtë. Sido që të jetë, varkat janë të shpejta, të lira dhe shumë argëtuese.

Përvoja jonë e pakënaqshme me shoferin e taksisë dukej tashmë një botë larg teksa ne rrëshkisnim nëpër ujë, duke u mahnitur sërish nga fakti që kubetë dhe frëngjijtë e Stambollit të vjetër përzihen me rrëmujën dhe dramën e qytetit modern.

Me të vërtetë një qytet kulture; por edhe shumë më tepër.

Google+ Followers