Si po përballen super të pasurit me krizën ekonomike

Super të pasurit kanë humbur shumë gjatë vitit 2009. Qindra syresh e humbën statusin e supermiliarderëve. Një bankier privat zviceran flet për pasojat që pati dhe vazhdon që të ketë kriza për klientelën e tij elitare, si dhe për “shërbimet e fshehta”, të cilat ai shpesh është i detyruar t’i bëjë në emër të klientëve, të tilla si blerje apartamentesh për të dashurat e pasanikëve të martuar e të tjera si këto
Kur nis e flet, të duket sikur ke të bësh me një psikoterapist, por profesioni i tij ka të bëjë me “shqetësimet” e asaj kategorie njerëzish që në fakt kanë shumë pak gjëra për t’u shqetësuar. Është një punë që Weber-i 46-vjeçar di ta bëjë fort mirë dhe e njeh deri në detaje. Gjatë punës së tij ka dëgjuar pafundësisht rrëfime dhe përralla nga klientët e tij super të pasur. “Ata që kanë lindur të pasur, janë të vetmit që kanë mundur të shohin edhe anën e errët të parave të mëdha”, rrëfen Weber, i cili mban një orë të artë dhe kostum shumë të shtrenjtë. Në fakt këta janë aksesorë të domosdoshëm për kë punon si bankier në bankat e shumta të Zvicrës. Personat me qindra miliona euro pasuri, sipas Weber-it, vuajnë nga “pritshmëria e lartë që kanë të tjerët ndaj tyre”. Veç kësaj, thotë ai, ata janë shumë dyshues dhe mosbesues, duke pasur bindjen se njerëzit që kanë rrotull janë të gjithë të interesuar vetëm në paratë e tyre. Ky është shpesh shkaku i problemeve të mëdha emocionale dhe depresive që ata kanë gjatë jetës, çka në më të shumtën e rasteve i çon në izolim. Sipas tij, disa nga klientët e tij super të pasur kanë nisur që të vishen me rroba të vjetra e të kenë makina të përdorura për të shpëtuar nga lukunia e njerëzve që ata mendojnë se u vijnë pas vetëm për shkak të parave. “Ata e quajnë pasurinë që kanë një damkë dhe duan që të gjejnë një mënyrë për të shpëtuar prej saj”, thotë bankieri.

Që nga rrënimi i bankës së madhe të investimeve, “Lehman Brothers”, klientët e Weber nëpër botë po përballen me një tjetër realitet. Ata po humbasin para, shumë para. Sipas gazetës së biznesit, “Forbes”, rrjeti i miliarderëve të botës është tkurrur nga 4.4 trilionë dollarë, në 2.4 trilionë gjatë krizës financiare. Dhe numri i miliarderëve të dollarit nga 1125 që ishte para recesionit, ka shkuar sot në 793. Disa nga figurat më të njohura të klubit të miliarderëve e kanë humbur një pjesë të mirë të parave në Gjermani. Kështu, investitori amerikan, Chistofet Flower, u la lamtumirën parave të tij dhe statusit prej miliarderi për shkak të falimentimit të institucionit të madh huadhënës gjerman, “Hypo Real Estate”. Madlejn Schickedanz, një aksioner shumë i fuqishëm në firmën tregtare “Arcandor”, humbi një pjesë të madhe të pasurisë së tij. Biznesmeni gjerman, Adolf Mercle, kreu vetëvrasje kur pa t’i shkërmoqej para syve perandoria e tij. Ndërkohë, këto ditë personat që janë më të zënë me punë janë konsulentët financiarë, edhe pse linja e tyre e punës është më e fshehtë se kurrë më parë dhe Weber e ka kohën shumë të çmuar. “Nëse je një person që e ndjen se nuk mund të rrish pa u treguar familjarëve apo miqve për jetën e klientëve të tu super të pasur, atëherë nuk duhet kurrsesi që të provosh karrierën e bankierit privat”, thotë Weber. Së fundmi ai ka publikuar një libër në të cilin rrëfen përvojat dhe përshtypjet e tij nga puna me super të pasurit e planetit. Në zhargonin e bankierëve, këta njerëz njihen si “individë tepër të lartë”. “Për fat të mirë, ime shoqe e di shumë mirë se çfarë është sekreti profesional, sepse është vetë gjinekologe, ndaj nuk më shqetëson me pyetje të shumta”. Ndërsa fëmijët e tij janë ende të vegjël për të bërë pyetje të rëndësishme. Për të përshkruar mënyrën e funksionimit të biznesit të tij, Weber përdor një thënie të Gëtes së madh: “Ata që duan të fshehin një sekret, duhet që të fshehin faktin se e kanë një të tillë”.

Dhe në një punë si e Weber-it, vetëm sekretet që nuk mungojnë, duke qenë se sot në botë jetojnë rreth 20 mijë individë super të pasur dhe rreth një e katërta e tyre ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të gjithë këta individë me miliarda dollarë kanë veç të tjerash diçka të përbashkët: asetet personale që i kalojnë të 50 milionët e dollarëve. Kohët e fundit biznesi më fitimprurës për konsulentët financiarë ka qenë menaxhimi i aseteve në periudhat e krizës. Weber thotë se puna e tij është si të bëjë pyetjet e duhura dhe të gjejë gjithashtu edhe përgjigjet. Veçanërisht kompanitë që janë në pronësi të familjeve të ndryshme, janë ato që po përballen më së shumti me pasojat e krizës dhe pjesa më e madhe e tyre janë në borxhe të mëdha. “Për shembull, një nga kërkesat që më bëhet shumë shpesh këto kohët e fundit, është që të gjej blerës për koleksione të ndryshme arti”, thotë Weber, i cili personalisht ka shumë pak ndjenja pozitive për klientët e tij, e aq më pak keqardhje a mëshirë. Dhe kjo mungesë keqardhjeje nuk është e pabazë. Ata që janë prekur nga kriza në përgjithësi, nuk kanë nevojë që të ndryshojnë asgjë në lidhje me mënyrën e tyre të jetesës, pra as të shesin vilat luksoze, makinat, jahtet. Thjesht kanë pësuar humbje në biznes, por vazhdojnë të jetojnë mes të mirave dhe luksit të shfrenuar.

Pjesa më e madhe e klientëve të Weber-it janë nga Lindja e Mesme dhe për ta sekreti bankar është një nga elementët që i japin më shumë rëndësi. Kjo jo aq për shmangien e taksave të larta, se sa për atë që Weber e cilëson “mbrojtja e zonës private”. Megjithatë, së fundmi në Zvicër ndalimi që i bëhet pas referendumit ndërtimit të minareve në Zvicër, nuk ka shkaktuar ndonjë tërheqje të parave të arabëve të pasur nga bankat zvicerane. Weber është më i shqetësuar në lidhje me daljen e paligjshme të të dhënave bankare të evidentuara së fundmi në rastet në të cilat u përfshinë disa banka. Në mesin e vitit 2007, një ish-punonjës i “LGT Bank” i shiti disa informacione shumë konfidenciale të klientëve të tij shërbimit sekret gjerman (BDN), për shumën 5 milionë euro. Një tjetër rast është ai i një nëpunësi të bankës “HSBC”, që informoi në lidhje me disa llogari private qeverinë franceze. Autoritetet e taksave në të dyja vendet e mësipërme i përdorën këto informacione për të përndjekur shmangësit e pagesës së këtyre taksave. Këshilla e Weber për bankat është mbrojtja ndaj ndodhive të tilla. “Informacionet për llogaritë bankare duhet të lidhen me emra të koduar dhe jo me emrat e vërtetë të klientëve”, thotë Weber. Për të shmangur daljen e paligjshme të informacioneve, ai rekomandon që kompjuteri i bankës të mos ketë porta dalëse për UBS, apo për CD dhe që dokumentet të mos dalin nga banka, përveç rasteve shumë ekstreme. Por, pavarësisht gjithë masave mbrojtëse që janë marrë dhe vazhdojnë të merren, Weber thotë se dalja e informacionit është e pashmangshme, madje edhe kur bëhet fjalë për anëtarë të familjeve mbretërore, me të cilët ai trajton vazhdimisht dhe për shifra të mëdha. Madje, sipas tij, ata janë edhe më të gjuajturit jo vetëm nga shërbimet sekrete, por edhe nga shtypi i skandaleve e paparacët.

Por ajo që mund të konsiderohet shumë interesante në lidhje me pasuritë e jashtëzakonshme të disa njerëzve, janë vetë këta persona, që sipas Weber kanë një informacion për gjëra të cilat njerëzit e zakonshëm as që e imagjinojnë që ekzistojnë. Sipas tij, shpesh pasuria të jep mundësi që t’i kesh këto lloj informacionesh, sidomos pasuria e stërmadhe me të cilën mund të blesh atë që do. Për Weber, që është një nga personat më të mirë të fushës së tij, me një përvojë të gjatë pune, “i pasur i krimbur” do të thotë për shembull të të ketë hipur oreksi për të dëgjuar një muzikë klasike cilësore, të kesh mundësinë që përmes një telefonate të ftosh në hollin e shtëpisë, brenda një kohe shumë të shkurtër, një nga orkestrat simfonike më të mëdha të botës dhe ku muzikantët të jenë më të shumë të numër se audienca. Sipas tij, lakmia dhe dëshira për t’u shfaqur nuk janë më faktorë të rëndësishëm mes anëtarëve të klubit të miliarderëve në botë. “Në fakt, bëhet fjalë për një ambicie më intelektuale, për nevojën për t’u treguar të tjerëve se kishe të drejtë për ndërmarrjen e një vendimi ‘jokonvencional’”. Por ndërkohë edhe vetë ai e di se kjo është vetëm gjysma e së vërtetës.

Mes multimilionerëve dhe investitorëve të vegjël, nuk ka ndonjë dallim të madh për sa i përket dëshirës që kanë për të bërë para. Për shembull kanë qenë të shumtë ata që mezi prisnin rastin për të vënë paratë e tyre në duart e mashtruesit të famshëm amerikan, Bernard Madoff, që u dënua së fundmi me 150 vite burg. Bëhet fjalë për superpasanikë dhe për investitorë të vegjël. Të dyja palët ishin të etur për të shumuar paratë e tyre përmes investimeve dhe skemave financiare për të cilat nuk kishin informacion dhe transparencë. Dhe ajo çka është më e rëndë, është fakti se askush nga ata që bashkëpunuan me Madoff nuk dyshoi për asnjë çast në lidhje me parregullsitë që fshihnin manovrat e tij financiare. Madje jo vetëm njerëzit, por edhe vetë bankat, si UBS e Zvicrës, i aprovuan deri në fund të gjitha praktikat financiare të skemave të Madoff. Për Weber, e gjithë kjo “verbëri” është krejtësisht e pashpjegueshme. Klientët me të cilët punon ai dhe që janë miliarderët e botës, nuk janë nga ata që merren vetëm me blerje makinash të shtrenjta. Pasi i kanë bërë të gjitha qejfet e mundshme në këtë planet, ata natyrshëm janë në kërkim të pavdekësisë. Për shembull, ata jepen pas krijimit të koleksioneve gjigande të makinave të vjetra dhe të reja që vlejnë njëra syresh më shumë se 500 mijë euro, ose blejnë godinën më të famshme dhe më të vjetër të qytetit në të cilin jetojnë. “Projektet trofe” janë ato që bankierët e këtyre superpasanikëve i cilësojnë si marrëveshje që nuk bëhen sipas kritereve strikte ekonomike.

“Kur duan që të arrijnë një fiksim që u hipën në kokë, këta super të pasur janë gati që të blejnë diçka edhe me dhjetëfishin e çmimit, mjafton që ta kenë të tyren. Kjo do të thotë se godina apo investimi nuk e ka kurrë vlerën e parave që jepen në këmbim të saj”, thotë Weber. Për shumë pasanikë, emocionet nuk luajnë asnjë lloj roli në vendimmarrjet financiare apo në investimet që bëjnë. Por ama, kur është fjala për çështje private, ata duan patjetër ruajtjen e sekretit. Dhe këto sekrete “përvëluese” ua besojnë vetëm bankierëve personalë. Ndodh që Weber-in mund ta telefonojnë në mesin e natës për çështje të ndryshme, apo ta ftojnë në kokteje ku ta pyesin në lidhje me shumë çështje, që nga ato të investimeve e deri te mendimet në lidhje me bukurinë e femrave të ndryshme. Weber ka kryer shumë “detyra” diskrete për pasanikët, për të cilat nuk ka dëshirë që të flasë. Megjithatë, më të shpeshta janë rastet kur i kërkohet blerja e apartamenteve që pasanikët e martuar ua dhurojnë të dashurave të tyre. Apartamentet janë shumë të shtrenjta dhe bëhet fjalë për kryeqytete si Roma, Parisi apo Londra.

Google+ Followers