Sekretet e pazbuluara të thellësive

Ideja që qytete të mëdhenj, të pasur me dije dhe thesarë të harruar qëndrojnë të fshehur në thellësitë e deteve josh shumëkënd. Rrallë ndodh që të kalojë një vit pa dalë dikush që të pretendojë se ka gjetur Atlantidën



Ideja që qytete të mëdhenj, të pasur me dije dhe thesarë të harruar qëndrojnë të fshehur në thellësitë e deteve josh shumëkënd. Rrallë ndodh që të kalojë një vit pa dalë dikush që të pretendojë se ka gjetur Atlantidën. Po çfarë ka në të vërtetë atje, poshtë dallgëve?

Heraklioni dhe Kanopusi Lindor, Egjipt

Në bregun verior të Egjiptit, aty ku delta e Nilit takon detin, qëndronin një herë e një kohë dy qytete me një pasuri dhe madhështi të tillë, saqë ishin shumë të famshëm në të gjithë botën e lashtë. Sot, ajo çfarë ka mbetur prej tyre qëndron e varrosur poshtë një cekëtine. Rreth vitit 500 para Krishtit, portet e Heraklionit dhe Kanopusit Lindor ishin qendra tregtare të lulëzuara, portat hyrëse për në Egjipt për anijet greke që kalonin poshtë Nilit. Këto qytete ishin gjithashtu qendra shumë të rëndësishme fetare, me tempujt e tyre që joshnin mijëra pelegrinë çdo vit. Megjithatë, deri kohët e fundit, pothuajse çdo gjë që dihej në lidhje me ta vinte prej teksteve të lashtë. Historiani grek, Herodoti shkruante në shekullin V para Krishtit, se ata dukeshin si ishujt e Egjeut, por ishin ngritur në mes të një kënete. I frymëzuar nga këto rrëfime, biznesmeni francez dhe arkeologu Franck Goddio nisi të vëzhgojë zonën disa kilometra në perëndim të Deltës së Nilit, e quajtur gjiri i Abu Kir. Goddio ka kryer gërmime nënujorë në Aleksandrinë aty pranë që nga fillimi i viteve '90. Por Abu Kir mund të sjellë rezultate edhe më entuziazmuese.

Në vitin 2000, Goddio bëri të ditur zbulimin e dy grupeve rrënojash, duke përfshirë mure, tempuj etj. Ekipi identifikoi gjithashtu dy tempuj, që i dedikoheshin heroit grek, Herakliut si dhe perëndisë Amon (versioni grek i hyjit egjiptian, Amun). Pak më në veri të tempullit të Herakliut, zhytësit zbuluan shumë objekte bronzi, të cilët me siguri janë hedhur si dhurata në një lumë të lashtë. "Kemi gjetur depozita ritualësh që ishin bërë prej priftërinjve në vende që vetëm ata vetë i dinin", thotë Goddio. "Ndihemi sikur jemi, duke penetruar në zemër të liturgjisë së lashtësisë". Disa kilometra më tutje, grupi i dytë i rrënojave janë identifikuar si Kanopusi Lindor. Aty, zhytësit kanë zbuluar qeramikë, pjesë dyersh të tempujve, monedha me profilin e Kleopatrës, e cila sundoi Egjiptin në shekullin I para Krishtit si dhe një faltore graniti ngjyrë të zezë nga shekulli IV para Krishtit, dedikuar nga Nektanebo I, e cila përmban një seri mbishkrimesh astronomikë dhe kalendarikë. Të dy qytetet ishin të lidhur nga një rrjet kanalesh dhe lumenjsh me një degëzim sot të palundrueshëm të Nilit. Ndërtesat e mëdha prej guri të qytetit kishin zënë vend në mbetjet e lumit, të varrosura nën rërë, të ndërtuara mbi baltë dhe rërë, pa patur një themel solid. Kur Nili kishte përmbytje shumë të mëdha, pesha e shtuar e ujit do të ketë shkaktuar shembjen e terrenit nën ndërtesa. Dëmi mund të mos kish qenë kaq i rëndë në fillim. Të çara të mëdha nën disa prej ndërtesave në Kanopusin Lindor ishin mbushur qëllimisht me rërë dhe sendet e gjetura si dhe monedhat e gjetura në këtë vend datojnë që nga viti 740. Megjithatë, kolona dhe statuja të shembura, si dhe skelete njerëzore bashkë me sende të vyera të gjetura nën muret e shembur, tregojnë se fundi ka ardhur shumë shpejt. Pas vitesh të tërë përpjekjesh me rrëshkitjen, një vërshim shumë drmamatik që mendohet të ketë ndodhur në 741 apo 742 solli fundin e qytetit. Gjatë po këtij vërshimi, kjo degë e Nilit mund të jetë zhvendosur në lindje. Për banorët e qyteteve, avantazhet ekonomikë të ndërtimit në një vend kaq me rrezik ndoshta kanë eklipsuar gjykimet afatgjatë mbi sigurinë, një paralajmërim ky për qytetet bregdetarë të kohëve të sotme.

Port Rojal, Xhamajkë

I njohur si një shtrat i nxehtë piraterie dhe prostitucioni, qyteti i shekullit XVII në Karaibe, Port Rojal njihej si "qyteti më i ligë në botë". Më pas, një ditë, ai u gllabërua prej detit. Port Rojal, me vendndodhje në qendrën e Portit Kingston, në Xhamajkë ishte dikur kolonia më e madhe angleze në Botën e Re, me një popullsi prej afro 10 000 banorë. Pjesa më e madhe e pasurisë vinte prej piratëve dhe anijeve pirate që sulmonin anijet me thesarë që riktheheshin në Evropë nga kolonitë spanjolle. Rënia e qytetit nuk erdhi prej shthurjes morale, por nga fakti se ai qe ndërtuar në një gjuhë toke mbi rërë, më pak se një metër mbi shtratn e ujit. Kur një tërmet goditi zonën pak përpara drekës së 7 qershorit 1692, lëkundjet shkaktuan lëngëzimin e rërës.

"Ndërtesa që dikur ishin mbi themele solidë, tashmë qëndronin mbi ujë", thotë Donny Hamilton, një arkeolog në Universitetin e Teksasit. "Një ndërtesë mund të bjerë 500 cm poshtë pa u zhvendosur as edhe një tullë në themel". Dy të tretat e qytetit u fundos në port, duke shkaktuar vdekjen e 2000 vetëve atë ditë. Hamilton udhëhoqi në seri gërmimesh në këtë vend mes viteve 1981 dhe 1990. Bimësia nënujore ka mbuluar tashmë shtratin e portit, duke mbivendosur një shtresë të trashë koralesh të vdekur të depozituar nga një uragan në 1744. Kjo mbuloi ndërtesat, duke i lënë shumë prej tyre të paprekura - shtëpi shumëkatëshe me tullë dhe dyqane të ndodhur pranë ndërtimeve më të këqia. Përmbajtja e tyre zbulon jetën si ka qenë në momentin kur goditi fatkeqësia. Në një shtëpi, "ne gjetëm pjata dhe enë kallaji, tiganë prej hekuri, qymyr druri në vatra, thika, lugë pirunj", thotë Hamilton. "Gjithashtu, gjetëm tre fëmijë poshtë mureve". Ndoshta zbulimi më dramatik në Port Rojal i takon një ekspedite të viteve '60: një orë xhepi, me akrepat të ndalur pikërisht në 11:43 të mëngjesit.

Atlit-Jam, Izrael

Një kilometër në brendësi të Detit të Mesdheut, pranë Haifas, Izrael, një fshat i lashtë qëndron poshtë dallgëve. Ai është ruajtur aq mirë nga shtrati me rërë i detit, saqë mizat e grurit vazhdojnë të qëndrojnë në dyqanët e drithit, skeletë njerëzish prehen të pashqetësuar në varret e tyre dhe një rreth misterioz prej guri vazhdon të qëndrojë aty ku ka qenë ngritur fillimisht. Ky është Atlit-Jam. Sipërfaqja prej 40 mijë metrash katrorë i përket vitit 7000 para Krishtit, që e bën atë një prej vendbanimeve më të hershëm - dhe të mëdhenj - që janë fundosur. Nuk ka patur rrugë të organizuara, kështu që ai përshkruhet më shpesh si një fshat se sa një qytet, por banorët e tij jetonin në shtëpi të mëdha prej guri, të kompletuara me dysheme, oborrë, vatra zjarri, bodrume dhe puse. Vendi mbeti i varrosur nën ujë për 9000 vite, deri kur gërmimet për rërë zbuluan disa prej rrënojave të lashta. Ato u pikasën në vitin 1984 nga Ehud Galili, një arkeolog detar dhe pjesëtar i Shoqërisë Prehistorike të Izraelit, në kohën kur ishte duke vëzhguar hapësirën për anije të mbytura. Megjithatë, ekspozimi ka vënë në rrezik shumë prej sendeve të gjetura. Që nga viti 1984, Galili është zhytur në këtë vend çdo dimër. Ai pret që stuhitë të zhvendosin rërat, më pas nxiton që të skicojë zonat që bëhen të dukshme dhe të largojë objekte që mund të dëmtohen nga deti. "Ne gërmojmë vetëm atje ku ka rreziqe të afërt për shkatërrim të kësaj pasurie nënujore", thotë ai. Ky vend ofron informacion shumë të madh në lidhje me jetën në kohërat Neolitike - kur njerëzit sapo kishin zbuluar se si bënin shtëpiakë kafshët dhe bimët. "Ishte revolucioni më i madh në historinë e njerëzimit", thotë Galili. Kockat e kafshëve tregojnë se, banorët e Atlit-Jam gjuanin kafshë të egra, por gjithashtu mbanin dele, dhi, derra, qenë dhe bagëti.

Vitin e kaluar, skeletët e një gruaje dhe një fëmie zbuluan madje rastet më të hershëm që njihen të sëmundjes së tuberkulozit. Varre njerëzish janë të shpërndarë nëpër shtëpi dhe nuk janë në një varrezë të veçantë, dhe fshati kishte shumë burime dhe puse të shtruar me gurë. Por më intrigues është një gjysmërreth prej guri i përbërë nga shtatë megalite 600 kilogramësh. "Tamam si Stonehenge, por më i vogël", thotë Galili. Kishte një burim me ujë të freskët m'u në mes të tij, kështu që mendohet se monumenti mund të jetë përdorur për ndonjë lloj rituali. Në të njëjtën kohë, nivelet e deteve kanë vazhduar të rriten pas epokës së fundit të akullnajave. Galili beson se, puset e Atlit-Jam u kontaminuan gradualisht me ujë me kripë - ai zbuloi se në kohë të mëvonshme njëri prej tyre është përdorur për të hedhur mbeturina. Kjo gjë do të ketë detyruar njerëzit të braktisin shtëpitë e tyre dhe fshati më pas u gllabërua prej dunave të rërës e më vonë u fundos.

Jonaguni, Japoni

Ishulli i vogël japonez i Jonagunit, pranë Taivanit është bërë i famshëm për strukturat shumë të mëdha shkëmbore të fundosura që janë gjetur pranë brigjeve të tij - qytet i lashtë i një qytetërimi të humbur, pretendojnë disa. Seri shkallësh dhe terracash ngjiten mespërmes ujit të pastër nga një thellësi 25 metra.

Strukturat, me sipërfaqet e tyre të sheshta dhe me këndet thuajse të drejtë, sigurisht që duken të formësuara apostafat. Masaaki Kimura, një gjeolog në Universitetin e Riukiusit në Okinava, pretendon se ka identifikuar një piramidë shumë të madhe, bashkë me kështjella, monumente dhe një stadium të madh, të gjitha të lidhura me rrugë mes tyre. Ai thotë se, ka gjetur gjithashtu mure dhe kanale uji, si dhe shenja gërmimesh, mjete guri dhe një pllakë guri me mbishkrime të lashtë. Ndonëse shumë të përhapura, pretendimet e Kimuras në lidhje me Jonagunin janë të shumë diskutuara. Robert Schoch, një gjeolog në Universitetin e Bostonit që është zhytur shumë herë në Jonaguni, mendon se formacionet janë kryesisht natyrorë.

Ata janë të pandarë dhe Schoch pretendon se, shkëmbinjtë janë sedimentarë, me shtresa horizontale që thyhen në vija paralele teksa gërryhen. Veprimtaria tektonike e rajonit e ndan gjithashtu shkëmbin përgjatë vijave vertikale. Kështu që rrymat e fuqishme që përshkojnë këtë zonë do ta kishin gërryer shkëmbin përgjatë këtyre linjave, duke krijuar kështu platforma dhe shkallë, thotë ai. "Kështu e përfton në mënyrë thuajse natyrore një strukturë me blloqe".

Muret e Kimuras mund të jenë platforma horizontale që kanë rënë në një pozicion vertikal kur shkëmbi poshtë tyre pësoi gërryerje. Dhe Schoch thotë se, "rrugët" janë thjeshtë kanale që janë pastruar prej rrymave.

Për më tepër, Kimura pretendon se strukturat janë krijuar më shumë se 6000 vite më parë, atëherë kur zona mendohet të ketë qenë mbi nivelin e detit. Por në punimet e tij më të fundit, të raportuara në Kongresin e Shkencave të Paqësorit në 2007, tregohet se ata mund të jenë ndërtuar vetëm mes viteve 3000 dhe 2000, atëherë kur niveli i deteve ishte afërsisht sa ai i shekullit XX. Kimura spekulon se, veprimtaria tektonike ka shkaktuar fundosjen e tokës me dhjetëra metra pas kësaj kohe, por nëse ka ndodhur kështu kjo do të kish qenë shumë e habitshme, thotë Richard Pearson, një specialist në arkeologjinë e Azisë Lindore, që e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës në Universitetin e Kolumbisë Britanike, në Vankuver, Kanada.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers