Tetova News

"Santa Maria della Salute", kisha e sekreteve

"Santa Maria della Salute" është një prej kishave më të bukura dhe madhështore të Venecias, një shembull mjeshtëror dhe magjepsës i barokut venecian



"Santa Maria della Salute" është një prej kishave më të bukura dhe madhështore të Venecias, një shembull mjeshtëror dhe magjepsës i barokut venecian. Por, mes mermerëve të saj të bardhë dhe pikturave të jashtëzakonshme, kjo bazilikë e mrekullueshme duket se fsheh edhe sekrete të lashtë dhe të pabesueshëm.

Ndërtimi i saj u urdhërua në tetor të vitit 1630 nga Senati Venecian pas një epidemie të tmerrshme murtaje, e cila kishte asgjësuar qytetin, me shpresën se ndërhyrja hyjnore e Virgjëreshës do të mundte të mbronte qytetin për të ardhmen.

Të drejtën për ndërtimin e bazilikës e fitoi nxënësi i ri në moshë i Paladios, Baldasare Longena. Në moshën 28-vjeçare, atij iu besua detyra për ndërtimin e Kishës së Shëndetit, pasi kish lënë prapa 11 konkurentë që kishin marrë pjesë bashkë me të në konkurs.

Në zonën ku ngrihet sot Kisha e Shëndetit ka qenë Konventa e Trinitetit të Shenjtë. Strukturat e saj ishin Kisha, manastiri dhe vetë konventa. Nën dyshemenë e kishës ishte një varrezë që shërbente për prehjen e fundit si të murgjëve, ashtu edhe të besimtarëve. Është interesante të dihet se në kishë ruhej Madona e Zezë, që venecianët e kishin sjellë aty në vitin 1939. Ruajtës të Madonës së Zezë ishin Kalorësit Teutonikë, një urdhër që e kish qendrën në Venecia, me Prioratin e Madh, për shkak të kontributit që kishin dhënë në betejën mes venecianëve dhe gjenovezëve.

Megjithatë, Kisha e Shëndetit ishte e destinuar të rrethohej nga misteri. Problemet nisën të shfaqen që në ditët e para të ndërtimit të saj. Themelet rrëshkisnin për shkak të brishtësisë së terrenit, ndërkohë që dëgjoheshin thirrje e ulërima të çuditshme dhe manifestoheshin fenomene që frikësonin dhe tmerronin punëtorët. Në fakt, në pjesën e nëndheshme të kishës së vjetër, xhandarët e dërguar gjetën të grumbulluar qindra trupa. Pas kësaj, ata mblodhën të gjithë eshtrat duke u organizuar atyre një varrim të denjë. Një akt i tillë mëshire, u dha fund këtyre manifestimeve.

Por, përtej legjendave, misteri duket se është një komponent thelbësor i jetës së vetë ndërtuesit të bazilikës. Baldasare Longena lindi në vitin 1598, ndoshta në Venecia, por familja e tij me origjinë hebraike vinte nga zona e Komos. Nuk ekzistojnë çertifikata pagëzimi, por është e qartë se Baldasare pati mundësinë të merrte nga i ati, që punonte si thyerës gurësh, sekretet e kabalasë dhe të numerologjisë hebraike. Arkitektët e mëdhenj, Skamoci, Sansovino me të cilët punonte tashmë babai i tij, ishin mësuesit e parë të Baldasare Longenës. Përveç këtyre mësimeve, Baldasare mundi të marrë edhe një dije të lashtë dhe misterioze. Raporti që ai pati me Kishën e Shëndetit të Mirë nuk ishte një raport normal, sepse për të ngritur në këmbë këtë kishë atij iu desh që të shfrytëzojë të gjithë njohuritë që kishte nga këndvështrimi i kabalasë dhe ezoterizmit, të lidhura këto edhe me njohuritë e të atit, Melshisedek. Një historian gjerman, Shiling, arriti që të demonstrojë përmes numerologjisë se Kisha e Shëndetit ishte ndërtuar në bazë të raporteve numerikë të aplikuar me modele që bazohen në seksionin e florinjtë. Numrat që nxorri Shiling ishin numri 8, simbol i rilindjes dhe numri me shumëfishët e tij. Supozohet se në po të njëjtën periudhë, Grali i Shenjtë ka qenë groposur pikërisht në Kishën e Shëndetit. Numri tetë shfaqet kudo, në gurin, në numrin e kolonave, në oktagonët e themelit të Kishës. Numri 11 përfaqëson një vlerë negative të krishtërimit, pasi është një shumë e dhjetë komandamenteve dhe mëkatit fillestar, por megjithatë në kabalanë e hebrenjve ai përfaqëson Zotin si dhe dhjetë parashikimet e tij për njeriun. 8 është një numër magjik në simbologjinë kristiane, që përfaqëson kurorën mistike të Virgjëreshës, Kishën e Vartit të Shenjtë, ringjalljen dhe përjetësinë. 15, një tjetër numër që shfaqet në shkallët e hyrjes, është një aludim për tempullin e Mbretit Solomon, por edhe për 15 misteret e kurorës së Rozarios. Baldasare Longena duket se ka lënë pas, përmes numerologjisë, një mesazh preçiz të fshehur në vetë ndërtimin e kësaj bazilike madhështore. Por ka edhe detaje të tjerë që lënë të nënkuptohet se si ky arkitekt misterioz kishte mundësi të posedonte dije të caktuara dhe që ndoshta ishte i lidhur me Rozikrucët, simboli i të cilëve, një kryq me një trëndafil në qendër, është riprodhuar në pika të ndryshme të kishës. Ky kryq të çon në zemrën e Jezusit dhe në pikat e gjakut të tij, që formojnë trëndafilin. Sipas traditës, kryqi përfaqëson edhe trupin fizik të njeriut dhe trëndafili i kuq përfaqëson shpirtin që kërkon dritën.

Nën kupolën e bazilikës, një tjetër kurorë me trëndafila si dhe një e dytë, më e vogël që ka në qendër një shkrim, i cili të çon tek shëndeti dhe tek shpëtimi i shpirtit. Por jo vetëm kaq... Vetë guri i të gjithë ndërtesës duket të jetë i mbivendosshëm në mënyrë perfekte me pentagonin e Solomonit, një prej simboleve të manualit më të përhapur të magjisë në vite. Po cili ishte në të vërtetë Baldasare Longena? Çfarë mesazhi kishte lënë ai me ndërtimin e kryeveprës së tij? Përgjigjja duhet të kërkohet në dyshemetë e mermerta dhe në mozaikët e kuq e hipnotizues, përmes simboleve të shumtë dhe arkitekturës së një prej veprave më madhështore të artit të Venecias dhe të të gjithë Venetos.

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Flurudha

Popular posts from this blog

Shkëputje nga libri "SEKRETI"

Si u krijua universi, teoritë dhe procesi i plotë

Numrat "Fibonacci", numrat që mundësojnë jetën