SALADINI Sa shumë përpjekje për të imituar Sulltanin e Madh

Shumica e të krishterëve në film janë luftëdashës, makutër dhe hipokritë, me përjashtim vetëm të Rikard Zemërluanit - kundërshtari i denjë i Saladinit të madh. Duke shfaqur një humanizëm që u mungon shumë prej të tijëve, mbreti anglez shqetësohet për humbjet në trupa dhe kjo e sjell atë në tryezën e negociatave. Saladini thekson se, "Jeruzalemi u përket arabëve" dhe ai i thotë Rikardit të informojë njerëzit në Perëndim se "lufta nuk është gjithmonë zgjidhje", një tjetër reflektim i imazhit të dëshiruar të Nasserit. Rivali i tij e pranon fitoren e arabëve dhe Zemërluani pritet prej Sulltanit në portat e Jeruzalemit (një skenë krejt e sajuar - dy burrat nuk janë takuar asnjëherë).

Nasser vdiq në vitin 1970, por identifikimi entuziast me Saladinin u mor prej liderit sirian, Hafiz al-Asad, një njeri i vendosur të dëbojë "neokryqëzatorët" në Izrael. Kur ish Presidenti i SHBA, Jimmy Carter vizitoi Assadin në Damask në vitin 1984, ai pa një pikturë gjigande në murin e zyrës së tij ku paraqitet fitorja e Saladinit në Hattin. Carter vërejti: "Teksa Asadi qëndronte përpara asaj skene brilante dhe diskutonte historinë e kryqëzatave si dhe betejat e tjera të lashta në Tokën e Shenjtë, ai krenohej veçanërisht tek tregonte e ritregonte historitë e sukseseve të arabëve, në të kaluarën dhe në të tashmen. Ai dukej sikur fliste si një Saladin modern, që ndjente se e kishte detyrim që të pastronte fenë nga të gjithë pranitë e huaja". Trashëgimia më publike e admirimit të Asadit për saladinin qëndron në fortesën e Damaskut: një statujë kalorësiake e sulltanit i rrethuar nga një njeri i shenjtë dhe një luftëtar xhihadist, dhe zvarrë pas tyre vijnë dy luftëtarë të krishterë të kryqëzatave. Mesazhi është i qartë: ashtu si Saladini triumfoi ndaj kryqëzatave, do të triumfojë edhe Asadi.

Lideri më i fundit nacionalist që kujtonte Saladinin ishte Sadam Huseini. Ata kishin lindur në të njëjtin vend - në Tikrit - një fakt që lideri iraken e përmendte shpesh e me mburrje. Libra për fëmijë, piktura dhe pulla poste e lidhnin atë me njeriun që kish mposhtur Perëndimin e krishterë, ndonëse origjina kurde e Saladinit injorohej nga një njeri që i kish persekutuar aq shumë kurdët në kohërat moderne.

Në kontrast me këto shprehje kryesisht laike, deklaratat e Osama bin Ladenit e kanë portretizuar konfliktin me Perëndimin kryqëzator në terma të fortë fetarë. Xhihadi është një koncept qendror i fesë islame, ndryshe nga kryqëzatat që u shpikën shumë vite pas Krishtit. Eshtë xhihadi më i lartë, ai i shpirtit, dhe ai më i pakët, që synon të sjellë botën nën ndikimin e Islamit. Ashtu si kryqëzatat, ka edhe një aspekt mbrojtës të xhihadit, që përmendet shpesh nga nacionalistët dhe islamistët. Sipas Kuranit, nëse tokat myslimane dhe/ose besimet myslimanë sulmohen, atëherë është detyrë fetare që të rezistosh - nëse janë pak besimtarë që mund ta bëjnë, atëherë fqinjët duhet të ndihmojnë: "Nëse të kërkojnë ndihmë, për shkaqe feje, e ke për detyrë të ndihmosh". Bin Laden bën këtë thirrje për të luftuar atë që e quan një aleancë "Judeo-Kryqëzatore" kundër Islamit. Ai i drejtohet komunitetit mysliman si një i tërë dhe e fut konfliktin në terma fetarë, dhe jo në terma të betejës imperialiste, tezë që e përdorin nacionalistët arabë. Kur Presidenti Bush përdori termin kryqëzatë në reagimin e tij ndaj sulmeve të 11 shtatorit, Bin Ladeni përsëriti atë që kish thënë prej vitesh: "Bushi e deklaroi vetë, është sulm kryqëzatë".

Një tjetër rol e pret Saladinin në vitin 2010. Si për të demosntruar përshtatshmërinë e tij të jashtëzakonshme, ai do të shfaqet në një seri të re me kartona, si "heroi i fundit: kurajoz përpara rrezikut, asnjëherë i gatshëm të pranojë humbjen dhe argëtues kur i duhet të jetë". Të marrësh një figurë me një reputacion të tillë historik është një lëvizje intriguese. Prodhuesit (Al Jazzeera children TV) kanë marrë një periudhë nga karriera e tij kur djaloshi merr mësimet e jetës që i duhen për t'u shndërruar në liderin e madh që do të bëhej më vonë. Kryqëzatat janë pjesë e sfondit, ndonëse në reklamën e filmit ato përshkruhen në terma neutralë, si një ushtri pushtuese nga Perëndimi, dhe jo si diçka që shkakton polemika. Në fakt, një prej miqve të Saladinit është një frëng, ndonëse Reinaldi i Chatillonit (armiku kryesor i Saladinit) është një personazh shumë negativ në seri.

Kryqëzata është marrë si një metaforë më distante në shumë rrethana të tjera - Kryqëzata e Përmbajtjes së Grave në SHBA në 1870, apo Kryqëzata Jarrow e 1936 janë dy shembuj. Të gjithë këto kanë dhënë një dorë për të ruajtur idenë disashekullore. Që me lulëzimin e interesit për kryqëzatat pas 11 shtatorit 2001 dhe atentateve në Madrid në 2004, ka patur një vetëdijësim në rritje në lidhje me kontekstin historik të "kryqëzatës", si dhe konotacioneve negativë që kjo bart në botën myslimane.

Ia vlen gjithashtu të kujtojmë, se Kisha Ortodokse greke ka mbetur e zemëruar nga ngjarjet e 1204, kur Kryqëzata e Katërt fundosi Kostandinopojën; në verën e vitit 2001, klerikë të lartë grekë detyruan Xhon Palin II që të kërkonte falje gjatë një vizite në Athinë. Sigurisht, ndërkohë që është e lehtë të heqësh paralele mes epokave të mesjetës dhe atë moderne, thirrja për Kryqëzatën e Parë ka një ngjashmëri shumë të kufizuar me sipërmarrjet koloniale dhe imperiale të shekullit 19, sepse ajo u konceptua si një luftë për të rimarrë territore dhe jo si një përpjekje agresive për të pushtuar toka të reja. Megjithë këtë, një kryqëzatë në kuptimin e luftës për një kauzë të mirë me një të drejtë morale vazhdon të mbetet një koncept i fuqishëm dhe joshës në të gjithë botën Perëndimore, ndonëse politikanët sot janë shumë më të kujdesshëm kur e përdorin. Ndërkohë, Saladini, rivali më i madh i kryqëzatave, vazhdon të ruajë një reputacion shumë të lartë si në Islamin sunit, ashtu edhe në Perëndim.

Jonathan Phillips është profesor i historisë në Royal Holloway, Universiteti i Londrës. Libri i tij më i fundit: "Luftëtarë të Shenjtë: Një histori moderne e kryqëzatave" është botuar në 2008.

Google+ Followers