Rusët dhe vodka

Rusia ka bërë një premtim jozyrtar për vitin 2010: ka ardhur momenti për të hequr dorë nga konsumimi i sasive të jashtëzakonshme të alkoolit dhe të dehurit e pareshtur. Më 1 janar, Kremlini aprovoi një çmim të ri standard për vodkën që praktikisht dyfishon çmimin, pra nga 1.6 dollarë që ka qenë më parë një shishe me vodka, vlera e saj do të shkojë në 3 dollarë. Ky vendim është pjesë e fushatës së ndërmarrë nga Presidenti i Rusisë, Medvedev, kundër alkoolit që pritet të ulë ndjeshëm numrin e “pijanecëve” rusë. Rusët konsumojnë për frymë dyfishin e sasisë së amerikanëve. Ata kanë një treg të fshehtë shumë aktiv për vodkën e prodhuar në vend, që njihet në Rusi me emrin “Samogon”. Pavarësisht masave të marra nga Kremlini, të pakta janë gjasat që konsumimi i vodkës të bjerë në mënyrë të ndjeshme e brenda një kohe të shkurtër. Masa e dyfishimit të çmimit është e fundit ndër masat e marra prej shekujsh në luftën kundër alkoolit, kundër vodkës që shpesh shndërrohet në një demon të vërtetë, i cili ka mpirë mendjen e një populli të tërë. Për të kuptuar rëndësinë e madhe që i është dhënë vodkës në kulturën ruse, duhet që të nisesh nga të kuptuarit e emrit të saj. Vodka është një shkurtim i fjalës “voda”, që në rusisht do të thotë ujë. Një rus i zakonshëm pi rreth 18 litra alkool në vit, kryesisht vodkë. Ajo distilohet nga patatet ose gruri dhe nuk ka shijen e vodkës së zakonshme. Pjesa më e madhe e rusëve nuk pinë për të shijuar, sepse kjo pije nuk ka shije, por për t’u bërë tapë. Përmbajtja alkoolike e kësaj pijeje kombëtare është 40% deri në 55% dhe ajo konsumohet me një gllënjkë të vetme, pra duke e pirë “me një frymë”. Zakonisht njerëzit fillojnë të pinë pasdite vonë, ose në darkë, por nuk përjashtohen edhe rastet kur nisin të pinë që në mëngjes. Ajo pihet gjithnjë e shoqëruar me peshk, kryesisht peshk të vogël, të tharë, e shumë të kripur. Pas ushqimit vjen një tjetër gllënjkë “shpëlarëse” dhe pas kësaj sërish ushqim. Ushqim, vodkë, ushqim, vodkë, ditë pas dite, natë pas nate, derisa dimri rus nis të bëhet më i durueshëm e më pak i ftohtë dhe nis e vjen pranvera.

Origjina e vodkës është e paqartë, por legjenda që thuhet më së shumti për të rrëfen për sjelljen e saj në Moskë nga tregtarët gjenovezë në shekullin e 14. Fillimisht atë e provoi princi Dmitry Ivanoviç. Murgjit në manastirin e Kremlinit nisën që të distilonin vodkën që në fillim të shekullit të 15. Ivani i Tmerrshëm i detyronte policët e tij që të dyndeshin në vodka para se të kryenin aktet e dhunshme ndaj popullsisë. Kështu për të lehtësuar konsumin e alkoolit, ai hapi disa tipe tavernash që servirnin vodka dhe alkoole të llojeve të tjera. Me kalimin e kohës, rusët nisën që të krijonin marrëdhënie të ngushta e të përhershme me vodkën. Fillimisht ishin meshkujt ata që e konsumonin këtë pije, por më pas, me kalimin e viteve dhe shekujve, ajo u bë e preferuara edhe e femrave. Pjetri i Madh, për të cilin qarkullonin thashetheme se konsumonte dy litra vodka në ditë, arriti që të krijonte dhe legalizonte qendrat e prodhimit të alkoolit dhe të likereve, duke ia hequr kështu monopolin prodhimeve të vodkës nëpër ambientet e shtëpive. Katerina e Madhe nxori jashtë ligjit prodhimin e vodkës nga njerëzit e zakonshëm dhe kjo bëri që cilësia të rritej ndjeshëm dhe kështu shëndeti i njerëzve të përmirësohej. Gjithashtu u rritën shumë edhe të ardhurat e qeverisë nga vodka, duke qenë se ajo tashmë prodhohej vetëm nga licencat e lëshuara prej saj. Në vitin 1860, 40% e të ardhurave të arkës së shtetit vinin nga shitja e alkoolit dhe me kalimin e kohës, procesi i distilimit ishte përmirësuar ndjeshëm. Tashmë vodka filtrohej me filtra të posaçëm dhe kjo bëri që të rritej edhe konsumi i saj. Në vitin 1913, qytetarët rusë shënuan pikun e konsumimit të alkoolit dhe ndërkohë, në mënyrë të fshehtë nëpër shtëpi kishte nisur sërish distilimi privat i tij. Të pirët u përhap aq shumë në vitin 1914, sa Car Nikolla II ndërmori hapin drastik të shndërrimit të vodkës në një pije të paligjshme. Po atë vit, ushtria ruse u hoqi shumë personave licencën e distilimit të vodkës, si dhe konfiskoi sasi të mëdha të saj, rreth 350 milionë litra. Kjo sasi iu dha shkencëtarëve për ta përdorur në eksperimentet e tyre. Periudha e prohibicionizmit ishte në fuqi edhe gjatë revolucionit të vitit 1917 dhe në luftën civile që e pasoi, por kur bolshevikët mbetën keq me para, ata e ndryshuan qëndrimin e deriatëhershëm. Në vitin 1925 vodka u rikthye në raftet e dyqaneve, sigurisht e prodhuar dhe e menaxhuar nga shteti. Gjatë Luftës së Parë dhe të Dytë Botërore, çdo ushtar rus në front merrte çdo ditë nga një racion vodka para se të nisej në luftë dhe në vitin 1950 Rusia nisi sërish që të binte nën kthetrat e alkoolit. Në vitin 1958, në organizatën e partisë kishte shumë pakënaqësi dhe ankesa për anëtarët e partisë që vinin të pirë nëpër mbledhje dhe takime, duke u shndërruar në shembuj të këqij për të gjithë. Madje në disa ndeshje ndërkombëtare, lojtarët e skuadrës kombëtare ishin aq të pirë sa jo vetëm që nuk luanin, por shpesh rrëzoheshin nëpër fushë pa asnjë shkak, duke u bërë kështu dhe qesharakë. Situata u përmirësua disi në vitin 1985, kur Gorbaçovi lançoi një fushatë mbarëkombëtare për çrrënjosjen e pijanecërisë, duke u hequr shumë ndërmarrjeve licencën e prodhimit të vodkës, duke ndaluar shitjen e saj më masë dhe duke e zëvendësuar këtë pije me verën. Të pirët u shtua sërish në vitin 1991 me rënien e Bashkimit Sovjetik. Edhe pse shumë i pasionuar pas vodkës, Jelcin e ndaloi monopolin shtetëror dhe vendosi ligje që e mbanin nën kontroll të pirët. Ai gjithashtu e rriti edhe çmimin e vodkës që në fakt nuk bëri gjë tjetër veçse inkurajoi përhapjen në masë të tregut të zi dhe prodhimit artizanal të lëngut. Sot, konsumi vjetor i alkoolit në Rusi është më i lartë se ai i vendeve të tjera në botë. Jetëgjatësia e meshkujve rusë është 60 vjeç dhe kjo falë konsumit të jashtëzakonshëm të alkoolit që ua shkurton jetën njerëzve.

Google+ Followers