Rennes de Chateau - Një fshat i vogël në qendër të misterit

Çfarë e lidh këtë fshat të vogël francez me pasionin e Jezusit? Përse ky vend ishte kaq shumë i rëndësishëm për romakët dhe visigotët, për templarët dhe katarët, për Nicolas Poussin, një piktor i madh i viteve gjashtëqind?



Rennes le Chateau është një fshat i vogël në Pirenejtë francezë. Në qendër të tij, ndodhet një kishëz fshati e cila pak më shumë se një shekull më parë po shembej përtokë. Prifti që vendosi ta restaurojë quhej François-Bérenger Saunière: ai vendim, i cili ndryshoi jetën e shumë njerëzve duke filluar me të tijën, i dha jetë një prej mistereve më kompleksë e më të papenetrueshëm të historisë së të gjithë kohërave.

Afro 200 banorët që jetojnë aty bashkëjetojnë me një seri pyetjesh... e para prej të cilave nuk mund të mos të jetë kjo: A është vërtetë e mundur që në një vend të vogël të përqendrohen, shekull pas shekulli, kaq shumë enigma?

Çfarë e lidh këtë fshat të vogël francez me pasionin e Jezusit? Përse ky vend ishte kaq shumë i rëndësishëm për romakët dhe visigotët, për templarët dhe katarët, për Nicolas Poussin, një piktor i madh i viteve gjashtëqind dhe për vëllanë e Perandorit të Austrisë? Përse artistë dhe njerëz të pushtetshëm gjatë shekullit të fundit kanë dashur të vizitojnë Rennes le Chateau? Përse në kishën e restauruar nga Sauniere ka hieroglife që të çojnë në misteret e Egjiptit dhe inicialet e emrave të shenjtorëve që janë pikturuar në statuja formojnë emrin GRAAL? Përse zonja e shërbimit dhe trashëgimtarja e Berengere, Marie Denardaud, thoshte se "njerëzit që jetojnë këtu ecin mbi flori dhe nuk e dinë"? Përse në derën e hyrjes në Kishën kushtuar Mari Magdalenës - një fakt që nuk është i rastësishëm - François-Bérenger Saunière kërkoi që të shkruhet në latinisht: "Ky është një vend i tmerrshëm"?

Kur, në vitin 1885 Sauniere mbërrin në Rennes le Chateau, ai gjen një mal me probleme përpara tij. Prifti i varfër duhet që të vuajë nga kufizime të mëdha ekonomike, si dhe të përballet me problemin që paraqet një kishë në qendër të fshatit, e cila po shembej ditë pas dite. Pavarësisht gjithë këtyre, i hyn punës dhe pak nga arrin të vërë në vijë punët. Fillimisht me shumë mundim dhe më pas, krejt papritur, situata ndryshon dhe ndryshon në një datë të caktuar. Pas pothuajse shtatë vitesh kufizime dhe shtrëngime, Sauniere shkruan në ditarin e tij: "Sot kam gjetur një thesar"! Është ndoshta kjo dita kur Sauniere, duke spostuar altarin e Kishës - që në atë kohë ishte i ngjitur pas murit për arsye se prifti që mbante meshën ndryshe nga sot, u kthente shpinën besimtarëve - gjeti katër pergamena antikë në brendësi të një shtylle mbajtëse. Dy prej këtyre pergamenave e kishin origjinën që në Mesjetë, ndërsa dy të tjerat ishin shkruar nga një paraardhës i Sauniere, abati Antoine Bigou, i cili kishte drejtuar para tij kishën e Rennes. Sauniere ia çon menjëherë këto dokumente peshkopit të tij në fshatin pranë, Carcassonne dhe ky i fundit e autorizon që të shkojë në Paris. Çfarë të bënte në Paris? Nuk është shumë e qartë: ndoshta për të konsultuar pergamenat me ndonjë ekspert, por edhe për të bërë ndonjë verifikim personal.

Në fakt, është e sigurtë se përveçse ka frekuentuar disa qarqe fetare në Paris, Berengere është dhënë edhe pas jetës së bukur dhe kalonte shumë kohë në Louvre, dhe saktësisht në sallat ku qëndrojnë të ruajtura veprat e një piktori të madh manierist të gjashtëqindës: Nicolas Poussin. Mes pikturave të Poussinit, njëra në mënyrë të veçantë i interesonte Sauniere: "Pastorët e Arkadias", e realizuar në vitin 1640 ku paraqitet një sarkofag antik me mbishkrimin "Et in Arcadia Ego". Shumëkush këmbëngul se sarkofagu dhe panorama që e rrethon, të kujton një skenar me të vërtetë ekzistent në rrethinat e Rennes le Chateau, edhe pse nuk rezulton që Poussin (një piktor shumë i njohur dhe shumë i studiuar) të ketë qenë ndonjëherë në ato anë.

Berengere do të kërkojë një kopje të kësaj pikture, bashkë me disa kopje të pikturave të tjera. Çuditërisht, mes veprave që filluan t'i interesojnë ishte edhe portreti i një pape shumë të veçantë: Çelestino V, një Papë që nuk shkoi asnjëherë në Romë dhe i cili jetoi dhe vdiq në l'Aquila. Çelestino, mes shumë gjërave të tjera, ishte paraardhësi i Bonifacit VIII, i cili pati shumë rol në shpërndarjen e përgjakshme të urdhërit të templarëve. Një rrethanë kjo që shndërrohet në unike për arsye se historia e templarëve dhe ajo e Renne kanë lidhje me njëra tjetrën... Duke u kthyer në Rennes le Chateau brenda pak vitesh, thuajse si për mrekulli Sauniere do të arrijë të ristrukturojë kishën me një shpenzim të madh mjetesh ekonomike dhe ai vetë duke kaluar në një stil jetese të kushtueshëm, pa dhënë asnjëherë shpjegime për këtë ndryshim të papritur.

Disa kanë përllogaritur se brenda pak vitesh, Sauniere shpenzoi afro 15 milionë euro. Jo vetëm kaq, pas atij zbulimi abati nisi të kryejë ekskursione të gjatë, pas të cilëve rikthehej me qerre të mbushura me gurë, të cilët mbyllej dhe i studionte në fshehtësi. Çfarë kishte mësuar Sauniere? Çfarë lloj thesari kishte gjetur?

Hipoteza e parë: ka nga ata që mendojnë për gjetjen e një thesari në kuptimin klasik: flori, gurë të çmuar, para... dhe në këtë rast do të bëhej fjalë për vlera të krijuara në epoka shumë të largëta. Përse thesari i Rennes le Chateau është i ndryshëm nga gjithë të tjerët? Pak sepse është më antiku i të gjithë thesareve dhe pak sepse bëhet fjalë për një thesar të përbërë nga shumë thesarë, të cilët të formuar përgjatë historisë, për një arsye apo për një tjetër, kanë përfunduar gjithmonë nga këto anë. Ajo që tashmë i përket këtij fshati të vogël është një sagë e jashtëzakonshme që nis nga thesari antik i Tempullit të Solomonit në Jeruzalem, kalon nëpër romakët dhe visigotët e lashtë, kalon nëpër katarët, heretikët e zhdukur jo shumë larg prej këtu, në Montsegur në vitin 1244 dhe mbërrin tek Kavalierët Templarë. Kur visigotët plaçkitën Romën morën edhe thesarin e tempullit të Jeruzalemit që Titi kish marrë me vete kur kishte pushtuar qytetin në vitin 66. Migrimi i tyre nuk u ndal në Itali, por vazhdoi deri në Pirenejtë, ku u krijua për pak kohë një mbretëri visigote.

Por koincidencat nuk mbarojnë këtu: në fakt, gjithmonë në këtë zonë i pati rrënjët herezia e katarëve, mbrojtës të mundshëm të pasurive shumë të mëdha që u zhdukën me eliminimin e rezistencës së fundit të katarëve, shumë pranë në Mont Segur. Edhe shumë fortesa të templarëve u ngritën në këtë zonë, sikur duhej të mbronin një thesar shumë të madh që vazhdonte të pasurohej me të ardhur të tjerë. Dhe, gjithmonë nëse duam të vlerësojmë koincidencat, nuk mund të shpëtojë fakti që, nëse e gjithë kjo është e vërtetë, atëherë thesari mitik i Tempullit të Jeruzalemit u zbulua disa shekuj më vonë se ishte ruajtur nga një urdhër kavaleresk, i cili e kish marrë emrin pikërisht nga fakti që qendrën e tij të parë e kish patur, menjëherë pas kryqëzatës së parë, në njërin krah të atij që dikur kishte qenë tempulli i madh i Solomonit. Hipoteza e dytë: Thesari i Sauniere nuk ishte një thesar i vërtetë, por një seri dokumentesh në gjendje që të konfirmonin një legjendë antike, që i përkiste pikërisht këtij vendi. Sipas kësaj legjende, Jezusi nuk vdiq në kryq por, i shpëtuar nga njerëzit e tij, arriti të largohet nga Palestina dhe të mbërrijë në jug të Francës. Bashkë me të, në grupin e vogël të hebrenjve kristianë që kishin marrë arratinë, sipas legjendës thuhet të ketë qenë edhe Mari Magdalena, prostituta që, sipas Biblës Jezusi e kishte konvertuar. Një tjetër version i legjendës thotë që në këto anë erdhi vetëm Mari Magdalena me disa hebrenj të tjerë. Sido që të jetë, në tokën ku thuhet se shekuj më parë ishin strehuar disa pasardhës të Jezusit, Thesari i Tempullit të Jeruzalemit gjeti vendndodhjen e tij të re. Nga ai komunitet i vogël hebrenjsh të arratisur nga Palestina do të ishte zhvilluar më pas linja e pasardhësve që do t'i jepte jetë dinastisë së parë të mbretërve francezë, merovinjëve. Pra, pasuria e Berengere mund të ketë ardhur nga shitja e dokumenteve që kanë lidhje me këtë histori apo nga ndonjë e njohur arkaike fetare.

Hipoteza e tretë: Kjo është më prozaikja dhe ka lidhje me faktin që François Berengere Sauniere ka qenë i dhënë pas një trafiku donacionesh dhe, pasi nuk kuptohet se si mund të shpjegohet lëvizja e madhe e personazheve dhe paratë që rrethuan priftin gjatë gjysmës së dytë të jetës së tij. Një gjë është e sigurtë: brenda pak viteve, nga një prift anonim fshati, Sauniere u shndërrua në një njeri të pasur dhe të rëndësishëm. I pasur sepse shpenzonte pa hesap, duke ndërtuar një shtëpi luksoze, kopshtin, Belvederen si dhe kullën e Magdalës për bibliotekën. Bleu troje dhe dha para për bamirësi. Por ndërtoi edhe një rrugë për të mbërritur në Rennes Le Chateau. Një vepër kjo që mund ta lidhim qoftë me faktin që me siguri Sauniere donte të ndante me bashkëfshatarët e tij një pjesë të pasurisë, qoftë sepse donte t'ua lehtësonte udhëtimin njerëzve të rëndësishëm që vinin ta takonin, mes tyre Emma Calve, këngëtarja lirike më e njohur e kohës, një lloj Maria Callas, por edhe Sekretari i Shtetit për Kulturën si dhe fisnikë dhe bankierë të shumtë. Por ai që shkakton më shumë habi është duka Xhovani i Habsburgut, vëllai i Perandorit të Austrisë, Francesco Giuseppe, i cili i dërgoi shuma të mëdha parash Saunierit. Sauniere nuk jetoi megjithatë kurrë në shtëpinë luksoze dhe në shtratin e tij. Atje u shtri vetëm kur ishte i vdekur: kjo shtëpi i shërbente për të pritur, në një tokë jo shumë mikpritëse, vizitorët e rëndësishëm, si për shembull vëllanë e perandorit të Austrisë.

Fluksi i njerëzve të famshëm që kanë vizituar Renne Le Chateau, një fshat ku nuk ka asgjë që të mos lidhet me jetën e çuditshme të Berengere Sauniere, është i gjatë edhe në vitet e mëvonshëm duke renditur emra të rëndësishëm si: Mitterand, Marlene Dietrich, Grace Kelly, Josephine Baker dhe Richard Wagner. Në mënyrë të veçantë, kompozitori gjerman, shumë i adhuruar nga Hitleri dhe nazistët, erdhi në këto anë përpara se të kompozonte operën e tij "Parsifal", një histori ku një rol qendror ka kërkimi i GRAAL-it mitik. Mos ndoshta këtë kërkonin njerëzit e ushtrisë gjermane në 1943-'44 gjatë gërmimeve të tyre të vrullshëm nën drejtimin e hierarkut nazist më të spikatur për dijet e tij fetare, Otto Rahn?

Përgatiti

KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers