Për zemrat e vetmuara mendon partia

Kinë
Qeveria e Pekinit ka hapur një faqe interneti për nëpunësit publik beqarë, pasi numri i martesave në vend ka rënë dukshëm. Në krizë është edhe politika e fëmijëve të vetëm
Në kohët e perandorit, dashuria ishte një fill mëndafshi, i thurur mbi re. Të dashuruarit, sipas mitit, duhej të ndiqnin këtë fill dhe të takoheshin të paktën një herë në vit në një urë fluturuese. Një recetë magjike, duke parë shifrat e popullsisë. Por Kina duket se e ka varrosur përfundimisht të kaluarën e saj. Pasi këto lloj mitesh të rinjve duket se nuk u interesojnë më. Megjithatë askush nuk duhet të shqetësohet. Por, për këtë çështje mendon partia. Edhe pse e konsideron internetin një të keqe të madhe, qeveria ka hapur një faqe interneti për të kombinuar takime mes punëtorëve beqarë të administratës publike në të gjithë vendin. Banka e dashurisë së shtetit, e rezervuar për beqarët, vetëpërcaktohet si “sheshi romantik më i sigurt i Kinës”. E gjitha kjo kërkon të zgjidhë atë që cilësohet si emergjenca e re kombëtare: mungesën e martesave mes të rinjve.

Ashtu si në Perëndim, edhe në Kinë numri i beqarëve sa vjen e rritet. Arsyet janë gjithmonë të njëjtat: vitet e gjata të studimit, puna e femrave me orare të zgjatura, individualizmi, e kështu me radhë. Ndërsa në rastin e burrave, kjo tendencë lidhet me politikën e një fëmije: foshnjëvrasjet dhe abortet e shumta tregojnë se përse sot në Kinë lindin 120 meshkuj në çdo 100 femra. Sipas demografëve, më 2020-n rreth 30 milionë kinezë nuk do të mund të martohen për mungesë të gjinisë femërore, një problem ky veçanërisht për fshatrat.

“Nëse je vetëm dhe i trishtuar, besoji shefit tënd”, u shkruan qeveria vartësve të saj. Kështu, kombi në garë për lidershipin e shekullit dëshiron t’u japë shumë hollësi edhe detajeve. Brenda pak ditëve, në sajtin për martesat publike erdhën më shumë se 45 mijë oferta martesore ndërministrore. Rregullat për ata që duan të martohen janë vërtet të çuditshme. Nëpunësit publikë në kërkim të një partneri për t’u martuar duhet të prezantojnë CV e tyre në zyrë, të bashkangjitur nga certifikata mjekësore. Një komision drejtuesish dhe sindikalistësh i verifikon dhe pas një bisede e regjistron ofertën në Ministrinë e Sigurisë Publike. “Një procedurë që siguron kujdes dhe besueshmëri”, shpjegojnë njerëzit. Filtri qeveritar po seleksionon kështu një klasë të re bashkëshortësh kinezë, “ku pjesëtarët janë në moshë të përshtatshme, të kalibrit të lartë, të edukuar, të shkolluar dhe me një punë të qëndrueshme”. Edhe pse nuk mund të jetë partneri ideal, ka komentuar televizioni shtetëror, të paktën është një alternativë ndryshe nga mashtrimet e sajteve dhe agjencive private, plot me të dhëna personale false. Dashuria e shtetit online, përveçse të luftojë fenomenin e të dashuruarve perfektë fals që arratisen me të ardhurat e familjes, në të vërtetë kërkon të shpëtojë kombin. 500 milionë punëtorë migrues, shkolla dhe universitete me program shumë të ngjeshur, punë që të lë shumë pak kohë për jetën private, kanë bërë që të ulet dukshëm numri i martesave vitet e fundit. Në qytetet e mëdha të vendit qiratë dhe çmimet e shtëpive janë rritur me 600 për qind, duke u shndërruar në ankthin e të rinjve nën 30 vjeç. “Për të rritur konsumin e brendshëm dhe për të ushqyer bumin imobiliar duhen familje të reja. Më shumë se 100 milionë familje në vit janë të formuara nga një person i vetëm. Ky fenomen nuk është vetëm një kërcënim për fshatrat, por edhe për qytetet”, tregon Zhou Meilin, drejtor i Komisionit Kombëtar të Planifikimit Familjar. Statistikat flasin për një të ardhme, ku qytetet do të përbëhen nga pleq beqarë, që edhe pse jetojë afër me lagje nuk janë takuar kurrë më parë. “E kuptoj që perëndimorëve ideja për t’u dashuruar me këshillat e shefit të zyrës mund të duket shumë e çuditshme. Megjithatë ne kemi një vizion kolektiv dhe nëse ka ndonjë problem merret qeveria me këtë. Më mirë ta zgjedhësh partnerin me qetësi dhe mes mijëra mundësive të sigurta se sa me shpejtësi mes të panjohurve në rrethanat e lagjes apo në metro”. Në fakt, qeveria nuk mendon aspak për ‘love story’-n, por për martesën dhe fëmijët që do të vijnë prej saj. Pas Shangait, në këto ditë edhe Pekini po mundohet të heqë ligjin e vitit 1978 për fëmijët e vetëm. Shumë shpejt familjet ku burri apo gruaja kanë qenë fëmijë të vetëm në familjet e tyre, mund të kenë më shumë se një trashëgimtar. Por kundër vështirësisë për të gjetur një partner francezët janë organizuar edhe vetë. Çdo të shtunë në miliona sheshe të Kinës prindër të moshuar takohen për të rregulluar takime mes fëmijëve që nuk njihen. Në park ka sidomos prindër vajzash, sepse në qytet ky problem është më i madh në krahasim me fshatrat. Mes beqarëve ka më shumë femra, sidomos nga ato që kanë ndjekur studimet për një kohë të gjatë. Sipas traditës kineze, një burrë duhet të martohet gjithmonë me një grua më pak të shkolluar se ai. Kështu tradita do të jetë edhe më e fortë. Për këtë arsye, të diplomuarat dhe gratë në karrierë në përgjithësi mbeten vetëm: tepër inteligjente për t’u dashuruar. Gjithashtu, në park tregohen edhe histori me fund të lumtur. "Një vajzë e bukur që punonte në një spital në Shangai e ka gjetur pikërisht këtu burrin me të cilin do të martohet këtë vit. Ai jeton në Danimarkë dhe fiton pothuajse 10 mijë euro në muaj. Vajza do të shkojë të jetojë bashkë me të", tregon një burrë i veshur si për festë, me flokët e krehur gjithë kujdes. Një tjetër zotëri ka ardhur duke mbajtur me vete foton e vajzës së tij në një çantë lëkure të zezë. Pranë tij, një zonjë e moshuar e dëgjon me vëmendje, ndërsa përpiqet të shkruajë me kujdes një numër telefoni: do t’ia japë të birit, i cili punon si organizator takimesh. Prindërit zgjedhin midis tyre, por fjalën e fundit ua lënë gjithmonë fëmijëve. "Unë kërkoj prindër të ndershëm, të shkolluar, me të cilët të kem marrëdhënie të mira dhe të mos më gjykojnë keq për faktin që nuk jam nga Shangai. Gjithashtu nuk dua të më paragjykojnë si një person të varfër", thotë e shqetësuar nëna e një djali 28-vjeçar.

Google+ Followers