Në kërkim të gjurmëve të jetës

HR 8799c dhe observatori i shkretëtirës së Atacamës
Për herë të parë shkencëtarët kanë mundur që të studiojnë atmosferën e një planeti, i cili ndodhet shumë larg nesh. Ky mund të konsiderohet si një sukses i madh në rrugën e gjatë të kërkimit të jetëve të tjera përtej sistemit tonë diellor
Atmosfera e tij është shumë e nxehtë, me temperatura që zakonisht i kalojnë 800 gradë Celsius në hije. Ajri është i mbushur me re të dendura gazesh toksikë. Kushdo që do të guxonte të vinte këmbë në një planet me një atmosferë të tillë, do të vdiste në vend. Megjithatë, studimi i fundit i saponisur për HR 8799c mund të konsiderohet si një zbulim për kërkimin e një jete në planetët jashtë sistemit tonë diellor. Astronomët kanë deklaruar se kanë bërë një hap të madh përpara, javës që shkoi, në fushën e meteorologjisë. Duke matur spektrin e dritës që vjen nga HR 8799c, ata kanë mundur të përcaktojnë përbërjen kimike të atmosferës së planetit. “Për herë të parë ne kemi analizuar një rreze drite nga një planet jashtë sistemit tonë diellor”, thotë një nga studiuesit.

Në ditët e sotme, zbulimi i planetëve jashtë sistemit tonë diellor është shndërruar në një rutinë. Vitet e fundit shkencëtarët kanë zbuluar mbi 400 planetë të tillë, të cilësuar si “ekstrasolarë”, por në pjesën më të madhe të rasteve ekzistenca e tyre mund të provohet vetëm në mënyrë indirekte, pra përmes ndryshimit të ndriçimit të dritës së yllit rreth të cilit ata sillen. Vetëm me ndihmën e observatorit më të avancuar në botë, që drejtohet nga europianët, VLT, u bë e mundur kapja e drejtpërdrejtë e dritës së zbehtë të emetuar nga planeti i largët dhe analiza e saj përmes spektroskopisë. Teleskopi masiv ndodhet në majën 2600 metra të lartë të një mali në shkretëtirën e Kilit. Kur bie nata, sytë e mëdhenj robotikë nisin punën. Katër kulla gjigande, të ngjashme me skulpturat po aq të mëdha të ishullit të Pashkëve, zgjasin siluetat e tyre drejt qiellit dhe lëvizin thuajse pa u ndjerë në kërkim të gjurmëve të dritës dhe të jetës. Secila prej pasqyrave që ndodhet mbi to ka një diametër prej 8 metrash dhe ato janë të pajisura me mjetet më të ndjeshme dhe më të avancuara teknologjikisht për të eksploruar qiellin. Janë aq të fuqishme, sa mund të kapin edhe dritën më të zbehtë në largësinë më të madhe dhe ta analizojnë. Një nga objektivat më parësorë të këtyre kullave vëzhguese është kërkimi dhe gjetja e një Toke të dytë dhe sigurisht zbulimi i jetës në hapësirë. “Ajo çka po përjetojmë aktualisht është krijimi i një rikonceptimi të ri për botën krahasuar me ndryshimin që ndodhi kur Nikolla Koperniku zbuloi se Toka jonë rrotullohet rreth Diellit”, tregon një astrofizikan që punon pranë teleskopëve gjigandë që ndodhen në shkretëtirën e Atacamës. Ajo është një nga vendet më të thata të planetit dhe është një ndihmë më shumë për përftimin e pamjeve sa më të qarta. Për të shmangur çdo lloj ndërhyrjeje në punën e teleskopëve, makinat nuk lejohet që të ecin në afërsitë e observatorit dhe ato që kalojnë aty janë të detyruara që t’i fikin dritat e gjata gjatë natës. Në tetorin që shkoi, “gjuetari i planetëve”, Brander, kaloi 4 net në observator për të vëzhguar planetët e rinj. Sipas tij, tashmë ekziston mundësia e kontrollit të shumë observimeve edhe përmes internetit. Teleskopët janë edhe shumë të shtrenjtë dhe ndërtimi e mirëmbajtja e tyre mundësohet vetëm nga kontributi financiar i 14 vendeve europiane. Një nga pjesët më të kushtueshme janë pasqyrat që qëndrojnë sipër tyre, të cilat, për shkak të efektit abraziv të rërës , duhet që të ndërrohen çdo 18 muaj. Përreth, kur je në perëndim të diellit, të duket se je në planetin Mars, sepse terreni është i kuq dhe nga toka e nxehtë del pareshtur avull. Si për ironi, pikërisht në këtë vend që duket kaq i pajetë, shkencëtarët kanë ngritur drejt qiellit sytë e tyre gjigandë në kërkim të jetës në universin e pafund. Puna e stafit në këtë observator, edhe pse ka të bëjë me yjet, nuk është aq romantike. Njerëzit që punojnë aty janë tërësisht të përkushtuar dhe punojnë natën, ndërkohë që ditën e përdorin për të pushuar. Qyteti më i afërt është 1 orë larg me makinë dhe alkooli nuk lejohet. Gjuetarët e planetëve duhet të jenë shumë të durueshëm kur dalin për gjueti, sepse jo gjithmonë qielli është i pastër. Por kur nata është e kthjellët, ata “lundrojnë” nëpër yjësitë e pafund, në kërkim të pulsimeve të dritës dhe të jetës. Në lidhje me planetin e fundit të cilit i bënë analizë spektrike, shkencëtarët e observatorit kanë mbledhur shumë të dhëna interesante, të cilat duhen analizuar, por që në dukje të parë duken të mrekullueshme. HR 8799c është një planet i ri, gjigand dhe shumë i nxehtë dhe mund të konsiderohet një planet adoleshent për nga mosha krahasuar me Tokën tonë, me një moshë përafërsisht 60 milionë vjeçare. Ai është 3 mijë herë më i rëndë se Toka. Por edhe pse ka këto përmasa në foto, planeti duket si një pikë e vogël e kuqe në një hapësirë të errët. Ai ndodhet 130 vite dritë larg nesh, që do të thotë se drita që analizohet sot në Tokë ka udhëtuar në hapësirë për të mbërritur te ne që nga viti 1880 dhe ajo ka ardhur gjithnjë duke u dobësuar. Për sa i përket llojit të analizës spektrike, me anë të së cilës analizohen objektet, kjo metodë ka disa vjet që ekziston, vetëm se shkencëtarët nuk ishin të bindur ende se ekzistonte ndonjë objekt në qiell për të cilin ia vlente një analizë e tillë. Kjo deri një vit më parë, kur nga Kanadaja u zbulua një sistem planetar në të cilin bënte pjesë edhe HR 8799c.

Kur nisi analiza, u zbuluan gjurmët e një gazi kimik, i cili nënkuptonte se ndoshta në planet mund të kishte jetë. Tashmë shkencëtarët po merren me vizualizimin e motit, dhe madje edhe stinëve në këtë planet. Megjithatë, qëllimi afatgjatë i studimeve është studimi i një planeti që ka përmasat dhe largësinë e Tokës sonë nga Dielli. Vetëm nëse shkencëtarët zbulojnë në një planet të tillë gjurmë ozoni apo avull, atëherë ata mund të shpresojnë se kanë gjetur gjurmët e para të jetës. Në këtë drejtim kërkimet vazhdojnë dhe shpresat janë gjithnjë e më të mëdha.

Google+ Followers