NDESHJA E AFRIKANOJUGOREVE

Është vendi me shoqërinë më të pabarabartë në botë, ku ndarja mes të bardhëve dhe zezakëve ekziston ende në fakte. Por pritet pikërisht nga sporti një shtysë për një të ardhme më të mirë
E kuqe, portokalli, e verdhë, por edhe jeshile. Susakët (kungullujës) e zakonshëm, tasat plot ngjyra që përdoren çdo ditë në fshatrat afrikanë, tani do të jenë të gatshëm për të gëluar në pritjen që do t’u bëhet futbollistëve dhe tifozëve nga e gjithë bota. Në këtë stadium, që është më i madhi në të gjithë Afrikën, i vendosur në rrugën mes Sowetos, lagjja simbol e aparteidit, dhe periferive të bardha të Johanseburgut, më 11 qershor, Afrika e Jugut do të mirëpresë finalet e aktivitetit më të rëndësishëm botëror të futbollit, që zhvillohen për herë të parë në këtë kontinent. Në vendin e Nelson Madelës, futbolli do të provojë të përmbushë edhe njëherë mrekullinë e bashkimit të të bardhëve me zezakët, mulatët dhe indianët në emër të një skuadre. Së bashku në emër të një ëndrre.

Nga këto anë, sporti është më shumë se një lojë. Është “lidhëza” e një kombi që deri para 15 vjetësh ishte i ndarë si nga ngjyra e lëkurës së njerëzve, ashtu edhe nga forma e topit: vezake për të bardhët, e rrumbullakët për mulatët dhe zezakët, dhe pak më e madhe se një top tenisi për indianët.

E trashëguar nga armiqtë e vjetër, anglezët, regbi është përjetuar nga afrikanët, djem të bëshëm, me flokët biondë dhe sy të kaltër, jo vetëm si një lojë për të kaluar kohën në periferi, në terrene të çfarëdoshme, ku pas çdo rrëzimi mund të gjakoseshe, por si një simbol i identitetit kombëtar. Për zezakët, deri para 15 vitesh regbi ka qenë një sport brutal, natyra e dhunshme e të cilit ishte e përshtatshme për krijuesit e aparteidit. Krejt e kundërta me futbollin, një sport që mund të praktikohet në çdo vend dhe nga kushdo, madje edhe në burgjet e “Robben Island”, ku Mandela kaloi pjesën më të madhe të 27 viteve të burgosjes së tij, por edhe në lagjet e varfra në Soweto. Për të luajtur dhe për të shfryrë të gjithë dufin ndaj tiranisë, mjaftojnë një fushë me pluhur dhe 4 rrecka të lidhura së bashku. Arsyeja? Sepse në Afrikë për shumë njerëz ky ka qenë sporti i rebelëve, së bashku me klithmën e dhimbjes dhe himnin e lirisë.

Ka qenë pikërisht Mandela që e transformoi regbinë e të bardhëve në mjetin perfekt për pajtimin kombëtar, duke imponuar pushtetin e bashkuar të topit. Ka qenë pikërisht ai, i cili u zgjodh në vitin 1994 Presidenti i parë me ngjyrë i vendit, që i lejoi “Springbocks”, skuadra kombëtare, të rifillojë të luajë në takime ndërkombëtare (duke i dhënë fund bojkotit kundër aparteidit) nën një emër dhe nën një ngjyrë. Ishte pikërisht ai që priti edhe finalet e botërorit në Afrikën e Jugut në vitin 1995. Gjithashtu ishte po ai që veshi në ditën e finales fanellën e urryer (nga njerëzit me ngjyrë) verdhegjelbër, një gjest mirënjohjeje që të bardhët ende e kujtojnë me mallëngjim dhe lot në sy. “Për atë që ndodhi atë vit, Mandela e meriton që të jetë marka më e famshme në botë, pas ‘Coca Cola’-s”, mërmërit ndër dhëmbë Kevin Geyes, një arkitekt i ri, me sytë e fiksuar në televizor, duke parë një ndeshje regbie. Ndoshta nuk mjaftonte vetëm regbia për të mbajtur një vend larg luftës civile, por që sigurisht e ka ndihmuar që të mos rrëzohet: fitorja e kombëtares së regbisë ka qenë për herë të parë në historinë e Afrikës fitorja e të gjithë vendit.

Pas 15 vjetësh, afrikanojugorët me ngjyrë presin të njëjtën mbështetje që u dhanë vëllezërve të bardhë. Të njëjtin entuziazëm, të njëjtin gëzim për ta parë vendin e tyre të fitojë në finalet e kampionatit botëror. Por Befana Befana sot nuk duken në lartësinë e duhur të sfidës, dhe Mandela, tanimë 92 vjeç, nuk është aty për t’i inkurajuar, siç kishte bërë dikur me Franccois Pinaar, kapitenin e “Springsbocks”. Megjithatë një paraqitje e mirë në Botëror do të mjaftonte për të rritur pak moralin e një vendi që vuan ende nga plagët ekonomike dhe psikologjike të regjimit të aparteidit. “Mund të forcohet besimi i qytetarëve, nëse gjithçka do të shkojë mirë”, thotë Suren Pillay, analisti i “Human Science Research Council of South Africa”.

Vendi i ylberit, siç e ka përcaktuar arqipeshkvi Desmond Tutu, një ditë pas rënies së aparteidit, nuk është më i ndarë si 15 vjet më parë. Megjithatë, ende 56 për qind e popullsisë nuk flet me pjesën tjetër me ngjyrë: “Pajtimi dhe integrimi nuk janë e njëjta gjë”, shpjegon Jan Hoyfmer nga Instituti për Drejtësi dhe Pajtim: “Të tregosh respekt dhe dinjitet është një gjë, dhe të dalin bashkë në mbrëmje (të bardhë e zezakë), është diçka tjetër”. Në një vend ku ngjyra e lëkurës identifikon ende pasurinë, ajo që frenon integrimin, nuk është varfëria, por pabarazia sociale: Afrika e Jugut është shoqëria më e pabarabartë në botë, një vend të cilin më parë e mbante Brazili. Për shtresat më të varfra, të hedhura në lagjet më të largëta, dhjetëra kilometra larg qendrës, të ndara me këneta, autostrada dhe miniera, gjë e kërkuar nga regjimi i aparteidit, është shumë e vështirë të krijosh rastin për t’u lidhur me një të bardhë.

Vetëm për të marrë autobusin ata duhet të shpenzojnë dy të tretat e pagës, që është më pak se 2 dollarë në ditë. “Të bllokuar në zonat rurale, ata nuk janë në kontakt me grupe të ndryshme sociale”, shpjegon Pillary.

Dihet që është pak më e lehtë për bijtë e asaj pakice të zinjsh, të cilët kanë pasur pushtetin dhe pasuritë. Janë të ashtuquajturit “diamantet e zinj”, të rinj të cilët frekuentojnë restorantet luksoze të ‘Marble Arch’ në Johanesburg, që nuk i rezistojnë tërheqjes përballë një makine BMW, markës më të preferuar të veturave në vend dhe që kërkojnë të jetojnë në lagjen ‘Green Point’. Ata kanë shkuar në të njëjtët Universitete me të bardhët, me të cilët ndajnë edhe të njëjtën shoqëri dhe mënyrë jetese. Por janë vërtetë një numër shumë i vogël: në 46 milionë afrikanojugorë, vetëm 5 prej tyre paguajnë taksat. Sistemi i diskriminimit ekonomik në favor të zezakëve, i vënë në jetë nga ‘ANC’ për të kompensuar padrejtësitë e kryera gjatë sistemit të aparteidit, ka lehtësuar, shumë madje, një grup të privilegjuarish rreth qeverisë dhe që kanë lidhje me politikën, duke e lënë shumicën e popullsisë në të njëjtin nivel ekonomik si në fillimin e viteve ‘90. Një e katërta e popullsisë jeton me ndihmën financiare që merr nga shtetit. Nën akuzë është edhe sistemi edukativ: është i hapur për të gjithë (gjysma e studentëve janë me ngjyrë), por i papërgatitur për të edukuar miliona afrikanë. Afrika e Jugut tashmë është bërë vendi i preferuar i të varfërve të kontinentit: refugjatë kongolezë, të arratisur nga Somalia, të uritur nga Zimbabve. Vetëm nga ky i fundit, kanë mbërritur më shumë se 3 milionë persona. Të ardhurit bashkëjetojnë me fqinjët e tyre në geto, në pak muaj kanë mundësi të hapin edhe dyqane, të shërbejnë në shtëpitë e pasurve, bëhen mekanikë, mësues dhe mjekë, një profesion shumë i kërkuar në Afrikën e Jugut. Vendasit akuzojnë emigrantët për krizën ekonomike. Ndërkohë, zemërimi rritet me papunësinë dhe injorancën, duke vijuar më pas me dhunën raciale, kundër fytyrave të reja të Ylberit Afrikanojugor.

Ndoshta nuk është rastësi që botërori i futbollit do të luhet në Afrikën e Jugut, edhe pse Bafana Bafana nuk është një skuadër e madhe. Në rast se do të dalin që në turnin e parë nga kampionati, afrikanojugorët betohen se do të bëjnë tifozllëk për skuadrat e tjera afrikane. Ëndrra: Afrika në finale. Atëherë futbollit, sporti global, mund t’i ofrojë me të vërtetë Kontinentit të Zi një rast unik pajtimi.

Google+ Followers