Martesa e pestë e Presidentit Zuma dhe poligamia

Këtë javë, i veshur me lëkurë leopardi dhe zbukurime të tjera shumëngjyrëshe, Presidenti i Afrikës së Jugut, Jacob Zuma, 67 vjeç, vuri kurorë me gruan e tij të pestë, në një ceremoni tradicionale në fshatin e tij të largët Kwa Zulu Natal. Gruaja e parë e kreut të shtetit, me të cilën u martua në vitin 1973, ishte e pranishme në ceremoninë e martesës së bashkëshortit të saj me një grua 30 vjet më të re në moshë. Për sa i përket gruas së dytë, ajo qëndroi në shtëpi, për t’u marrë me përgatitjen e gostisë. Zuma ka pasur edhe dy gra të tjera. Me njërën prej tyre u divorcua në vitin 1998, ndërsa tjetra u vetëvra në vitin 2000.

Por oreksi i Zumës për gra nuk merr fund këtu. Dy ditë para dasmës së fundit, ai ia dorëzoi paratë e pajës së fejuarës së tij të gjashtë. Ndërsa për perëndimorët, kjo histori duket si një përrallë, për Afrikën nuk përbën ndonjë çudi të madhe, sepse në këtë vend poligamia është ende e përhapur në shumë shtete dhe fise. Kritikët thonë se poligamia nuk përputhet me imazhin e një shoqërie moderne dhe për sa i përket specifikisht Afrikës së Jugut, kjo mënyrë jetese përçon një mesazh të gabuar për një vend që ka shkallën më të lartë të personave të infektuar me SIDA.

Për të mos folur pastaj për koston e madhe që ka një martesë me shumë gra. Në raste të tilla, në një familje mund të lindin më shumë se dhjetë fëmijë, të cilët është shumë e vështirë që t’i rrisësh me një pagë shtetërore. Por ndërkohë, respekti i Zumës për këtë traditë të lashtë të vendit të tij ka gjetur përkrahje deri edhe në zonat më të thella.

Njerëzit gjykojnë se është më e ndershme që një burrë të martohet me gratë që do, se sa të tradhtojë vazhdimisht dhe fshehurazi bashkëshorten me shumë femra, siç bëjnë, sipas afrikanëve, politikanët perëndimorë. Poligamia është ndërkohë një e drejtë e sanksionuar në Kushtetutën afrikano-jugore.

Po çfarë është saktësisht poligamia?

Të kesh më shumë se një bashkëshort, apo bashkëshorte, edhe pse teknikisht një lidhje zyrtare kur një burrë ka më shumë se një grua quhet “polygyny”. Kur një grua ka më shumë se një bashkëshort, lidhja quhet “Polyandry”. Në botë, lidhje të tilla kanë forma të ndryshme. Në disa kultura, një grua ndahet nga dy vëllezër, në të tjera një baba dhe një bir kanë të njëjtën grua. Ka edhe nga ato në të cilat një burrë ka shumë gra, deri në 11 syresh si në Arsi, një rajon etiopian. Në shumë vende, një grua që mbetet e ve, merret nga vëllezërit e mbetur të burrit të ndjerë, babai, apo qoftë edhe djali që i shoqi mund të ketë pasur me një grua tjetër.

Sa e përhapur është?

Në vitin 1998, Universiteti i Viskonsinit bëri një sondazh në shumë shtete dhe shoqëri të ndryshme të botës. Prej këtyre, 186 ishin monogame, disa, rreth 453, kishin raste të herëpashershme të polyginisë dhe 588 të tjera e konsideronin të zakonshme martesën me më shumë se një bashkëshort. Sipas disa antropologëve, poligamia ka qenë një normë në historinë njerëzore. Në vitin 2003, revista “New Scientist” sugjeronte se deri 10 mijë vjet më parë, shumë fëmijë kishin ardhur në jetë nga një numër i vogël meshkujsh. Variacionet e ADN-së tregojnë se shpërndarja e kromozomit X tregonte se një numër i pakët burrash kishte pasur një ndikim më të madh se burrat e tjerë.
Poligamia është shumë e zakonshme në vendet me fe animiste dhe ato myslimane në Afrikën Perëndimore. Në Senegal, për shembull, thuajse 47% e martesave bëhen me shumë gra njëherazi. Kjo lloj martese ndeshet në përqindje të larta edhe në vendet arabe. Në popullsitë e beduinëve të Izraelit, martesa të tilla e kalojnë 30%. Gjithashtu edhe mormonët, thuajse 10 mijë syresh, ata më fundamentalistët kanë jetuar deri në vitin 2005 në martesa poligame.

Cila është origjina e poligamisë?

Kësaj pyetjeje askush nuk mund t’i përgjigjet, por ka të dhëna që mund të japin një lloj shpjegimi. Kështu ajo është më e zakonshme në vendet në të cilat aktiviteti ekonomik prekolonial ka qenë i përqendruar nëpër ferma që kanë pasur nevojë për shumë fuqi punëtore. Afrika është një shembull i mirë i kësaj. Shkalla e lartë e vdekshmërisë foshnjore mund të jetë një tjetër faktor, pasi duke qenë se shumë fëmijë nuk arrinin t’i mbijetonin vitit të pestë të jetës, familja kishte nevojë për fëmijë të tjerë dhe këtë nuk mund ta mundësonte një grua e vetme. Më pas, ndër shkaqet e këtij fenomeni mund të përmendim edhe luftën. Për shkak të konflikteve, shumë meshkuj vriteshin dhe numri i tyre ulej ndjeshëm, ndaj i takonte që një mashkull të ndante më shumë se një grua, duke qenë se gratë ishin më të shumta në numër. Sa më shumë gra të kishte një burrë, aq më shumë aleancë politike dhe ushtarake kishte, pasi lidhjet me një grua nënkuptonin lidhjet me familje dhe fise të caktuara. Numri i madh i grave që mund të kishte një burrë ishin tregues i statusit të tij financiar dhe pasuror. Një familje e madhe ishte burim krenarie, ndërsa një familje e vogël ishte simbol i dështimit dhe turpit.

Përzierja me politikën

Martesa me vejusha, kohë më parë, ka qenë një strategji sociale për të siguruar mbijetesën e jetimëve. Profeti Muhamed, që kishte një martesë monogame për 25 vjet deri sa i vdiq gruaja e parë, u martua me nëntë gra të tjera më pas dhe arsyeja për këtë ishte se ato ishin vejusha lufte. Kurani i jep leje myslimanëve që të mund të marrin deri në katër gra, por me kusht që burri të kujdeset për të katërta në të njëjtën mënyrë dhe pa bërë dallime mes tyre. Shumë shoqëri tradicionale afrikane e kanë një zakon të tillë gjithashtu. Të trashëgoje vejushën do të thoshte të trashëgoje edhe gjithë pasurinë e saj. Nëpër shekuj, edhe liderë të tjerë politikë kanë pasur një avantazh të tillë. Në Gjermani, në vitin 1650, Parlamenti i Nurembergut, dekretoi ligjin sipas të cilit duke qenë se gjatë luftës 30-vjeçare u vranë shumë njerëz, një burri i lejohej martesa deri me dhjetë gra. Në vitin 2001, Presidenti Bashir i Sudanit, i detyroi meshkujt që të merrnin më shumë se një grua për të shtuar numrin e popullsisë, duke argumentuar se popullsia i kishte çuar vende të tilla si Kina dhe India drejt begatisë dhe zhvillimit ekonomik.

Ku është e ligjshme poligamia?

Në Afrikën e Jugut, në Egjipt, Eritrea, Marok dhe Malajzi. Iran dhe Libi, por në këto raste, vetëm nëse e lejon gruaja e parë me shkrim. Në vende të tjera si Izraeli, Çeçenia dhe Burma është e paligjshme, por ky ligj nuk zbatohet.

A ka të bëjë me fenë?

Pjesërisht. Krishterimi e dënon poligaminë, duke e cilësuar si një ofendim ndaj dinjitetit të martesës e duke këmbëngulur se dashuria bashkëshortore mes burrit dhe gruas duhet të jetë e këmbyeshme dhe e pandashme, pra ekskluzive. Por Zoti Hindu, Krishna, kishte 16108 gra. Edhe shumë njerëz fetarë hebrenj në të shkuarën kanë pasur shumë gra, përfshi edhe Abrahamin, Jacobin, Davidin, Solomonin. Dhe në konfucianizëm, konkubinat lejoheshin, por vetëm për të sjellë në jetë trashëgimtarë dhe jo për variacion seksual. Kurani, gjithashtu, e ndalon në mënyrë të qartë “mut’ah” (martesën e kënaqësisë).

Përse nisi që të pakësohet me kalimin e shekujve?

Misionarët e krishterë u përpoqën që ta çrrënjosnin nga Afrika. Disa marksistë të kontinentit thonë se sistemi i pronësisë që promovonte poligamia binte në kundërshtim me interesat e kolonizatorëve europianë. Por në fakt është një gjë që ka të bëjë më shumë me imperializmin kulturor europian. Neoliberalët argumentojnë se poligamia, në të gjitha format e saj, është një recetë për struktura sociale, që janë kundër lirive sociale dhe vetë demokracisë. Feministët e kanë përdorur gjithashtu si një argument i dhunës kundër grave. Një gazetare televizive saudite shkaktoi polemika të mëdha në botën arabe, kur në një emision të saj kërkoi barazinë mes burrit dhe gruas në islam dhe të drejtën që edhe gratë të kishin katër burra.

A mund të ketë rigjenerim të këtij zakoni?

Sipas disa antropologëve, mund të ndodhë një rritje e vogël me daljen e shumë vendeve afrikane nga gjendja koloniale e neokoloniale.

Google+ Followers