Mallkimi i Hënës, jeta e astronautëve pas Apollos

Një herë e një kohë ekzistonte një ëndërr e madhe: Të vizitohej i vetmi satelit i Tokës. Më pas ëndrra u bë realitet. Por a kishte vallë një kuptim e gjithë kjo? Dhe, përse astronautët që e realizuan janë të palumtur



Një herë e një kohë ekzistonte një ëndërr e madhe: Të vizitohej i vetmi satelit i Tokës. Më pas ëndrra u bë realitet. Por a kishte vallë një kuptim e gjithë kjo? Dhe, përse astronautët që e realizuan janë të palumtur. Një shkrimtar anglez tregon…

41 vite më parë njeriu vizitoi Hënën. Akoma edhe sot lajmi duket kaq i jashtëzakonshëm, sa shumë njerëz ende nuk e besojnë se kjo ka ndodhur me të vërtetë. Nuk është e çuditshme që akoma ekziston teoria e komplotit për të mbizotëruar hapësirën: "Gjithçka është false, një film i xhiruar nga NASA", - thonë skeptikët.

Gjatë shëtitjes së tij në Hënë, në korrik të vitit 1969, Neil Armstrong vuri re se, Toka dukej kaq larg sa mjaftonte gishti i madh i dorës së tij, për ta zhdukur. Atyre që e pyesnin nëse ky fakt e bënte të ndihej i madh, ai i përgjigjej: "Komplet e kundërta: Më ka bërë të ndihem shumë, shumë i vogël". 12 qënie njerëzore bënë shëtitje në Hënë përgjatë viteve 1969-1972.

Por ajo që u quajt sipërmarrja kulmore e historisë njerëzore, fshihte brenda vetes një sërë projektesh të parealizuara, kujtimesh të rënda dhe vështirësish për t'iu rikthyer jetës normale. Ndërkaq nga 12 vizitorët e Hënës, 9 prej tyre jetojnë ende.

Shkrimtari anglez Andrew Smith i ka takuar ata, dhe në faqet e librit "Pluhuri i Hënës", ka treguar historinë e tyre. Sipërmarrja hënore ishte një gjest titanik, i parakohshëm, i përmbushur me një teknologji që sot të bën të qeshësh (memorja e një telefoni të zakonshëm është më e madhe se ajo e kompjuterave që llogarisnin rrezatimin hënor të misionit Apollo).

Ajo ishte një sipërmarrje që amerikanët duhej ta bënin për arsye politike: Sundimi i hapësirës ishte një ndër boshtet kryesore të Luftës së Ftohtë. Por, ëndrra hapsinore për njerëzimin zgjati vetëm pak vite, sepse më pas ndodhën shumë pak ngjarje për të mos thënë që nuk ndodhi asgjë tjetër lidhur me të. Kriza ekonomike e viteve '70-të, çështja e famshme Watergate dhe Vietnami e fshinë atë. Heronjtë e atyre kohërave u përballën sërish me jetën në Tokë, si të ndëshkuar për sipërmarrjen e tyre të "pacipë", të parespektueshme nga limitet e njerëzimit dhe fati. Ajo që në literaturën greke quhej "hubris" dhe që Zotat nuk e toleronin.

Ndryshe nga librat e tjerë që flasin për vizitat në Hënë, ai i shkruar nga Smith rrëfen impaktin psikologjik që ato shkaktuan mbi kuptimin e jetës së njerëzve në Tokë, përtej atyre të vetë protagonistëve: Që nga politika tek metafizika, duke kaluar përmes shkencës. Këto të dyja duket sikur reflektojnë në personalitetin dhe në historinë e protagonistëve sipas roleve respektive të tyre në mision.

Në anijet kozmike "Apollo", gjashtë ishin pilotë të vërtetë, ndërsa të tjerët ishin specialistë që kujdeseshin për aparaturat e anijes: Me pak fjalë kishin më shumë kohë të përqendroheshin në ekranet që i rrethonin. Praktikisht këta patën edhe më shumë probleme, pasi u rikthyen në jetën reale: Buzz Aldrin u kthye në alkolist, ashtu si edhe Charlie Duke; shumë prej tyre u divorcuan nga bashkëshortet; me pak fjalë ata nuk arritën të përshtateshin.

Më pas është edhe varianti "romantik", si ai i Alan Bean që u bë piktor i palodhur i vetë objektit lunar, ose si Edgar Mitchell, të cilit eksperienca mistike në bordin e anijes kozmike nuk iu nda përgjatë gjithë jetës. Ndërsa pilotët ishin karaktere më të qëndrueshëm: Plotësisht të përqendruar në operacionet delikate të kontrollit të anijes, nuk e ndjenë kaq shumë impaktin absolut në psikozën e tyre.

Armstrong është ndër ta shembulli më tipik. Por, po të përkufizohen me gjithë kompleksitetin e tyre, aktorët e kësaj sipërmarrje të madhe ruajnë brenda vetes ndjesinë e disfatës. Për të gjitha këto rrëfen Andrew Smith.

-Zoti Smith, çfarë ka qenë për ju aventura hënore?

Një sipermarrje e jashtëzakonshme, sidomos po të mendosh teknologjinë e atyre viteve, kaq primitive dhe tërheqëse. Fakti më i pabesueshëm ka qenë shkëputja plotësisht nga Toka. Jo për të arritur orbitën, sepse ajo ishte rutinë ndërkohë, por për të shkuar më tej. Po të shikohej Toka që nga orbita, ajo dukej e madhe dhe imponuese, por po ta shikoje nga Hëna, planeti ynë nuk ishte tjetër veçse një objekt i vogël mes një sfondi plotësisht të zi… i largët, i izoluar, plot ngjyra. Ato imazhe janë edhe sot fotot më të publikuara në botë.

-Ju flisni për eksperiencën e kthimit të Edgar Mitchell, për kuptimin e fotove të çastit të realizuara prej tij që kishin lidhje me të gjitha gjërat e Universit. A bëhet fjalë për të njëjtën gjë që fetë e lindjes e quajnë "iluminim"?

Mendoj se bëhet fjalë për të njëjtën gjë. Fakti më i pabesueshëm është se këtë e ka përjetuar një shkencëtar: një njeri racional. Dhe kjo ka ndodhur jo duke soditur vetë Hënën, por duke parë Tokën nga sateliti i saj. Pikërisht në këto çaste lindën pyetjet klasike: Kush jemi, ku shkojmë, çfarë kuptim ka jeta në këtë pafundësi? Kjo më ka interesuar më shumë se asgjë tjetër në libër. Aspiratat e njerëzve që kanë punuar pjesën më të madhe të jetës së tyre për të arritur një objektiv të jashtëzakonshëm e që në fund ia kanë dalë mbanë. Po pastaj? Është një pyetje që të gjithë ne humanët e bëjmë, pasi mbarojmë një detyrë. Kjo vlen jo vetëm për raportet e punës, por për gjithçka.

-Arritja e objektivave tona nuk na ngop. Është ky kurthi i konsumit perëndimor?

Në njëfarë kuptimi. Kjo ka qenë kulmi i ideologjisë së viteve '70. Shkenca do të na kishte shpëtuar në të gjithë drejtimet, edhe për sa i përket ushqimit: Raftet ishin plot me ushqime të pasura me konservante, sepse mendohej se kështu ushqimi do të shumohej dhe do të zgjidhej problemi i urisë. Dhe "Apollo 11" ishte kulmi absolut i këtij deliri: Nëse do të arrihej kjo, gjithçka tjetër ishte e mundur. Por megjithatë as kjo nuk na shpëtoi nga ankthi. Arritëm limitet maksimale të mundësive shkencore, por këtu dështuam: Tani askush nuk beson më se mund të shpëtojmë.

-Ju shikoni tek astronautët e Apollove të ndryshme reflektimet e kulturës dhe mentalitetit të kësaj epoke?

Më tërheq fakti se të gjitha këto utopi, optimizma dhe kundërkultura thyhen në fatet e secilit prej astronautëve pas kthimit, pasi u desh të përballen me "më pas". A mos vallë kjo varej nga roli që kishte pasur secili? Disa prej tyre si Alan Bean, piktori Edgar Mitchell, "filozofi misionar" ishin ulur në karriget e pasme të anijeve kozmike dhe kishin më shumë kohë në dispozicion për të parë atë çka i rrethonte; të tjerë si Armstrong apo Scott ishin komandantë dhe duhej të pilotonin anijen. Edhe pas përfundimit të misionit, sjellja e tyre ishte më diskrete, ndërsa të tjeret si Buzz Aldrin, më "hollivudiani" nga të gjithë, i hapur dhe impulsiv, ranë pre e alkolizmit. Pothuaj të gjithë u divorcuan edhe pse NASA bëri të pamundurën që t'i fshihte këto fakte.

-Një prej më enigmatikëve është Neil Armstrong, ai që arriti më parë nga të gjithë të tjerët dhe që ka folur më pak. As ju nuk arritët ta intervistonit. Pse?

Armstrong është një njeri i rezervuar, por me siguri është ngopur me të njëjten pyetje që i bëhet që prej 40 vjetësh: "Si ndiheshe kur ecje mbi Hënë?". Krejt e kundërta e Aldrin që kërkonte të ishte mbështetës, por pa rezultat. Dy personazhe shumë të kundërt nga njëri-tjetri. Astronautët e "Apollos" janë ekuivalentë me yjet historike të rrokut, mes një shoqërie në kërkim të miteve. Secili ka reaguar ashtu si ka mundur: disa e kanë trumpetuar famën e tyre, ndërsa të tjerë si Armstrong kanë preferuar të rrinë në heshtje. Nuk e kam kuptuar asnjëherë, nëse kjo ka qenë një mënyrë fëminore mbrojtjeje apo një llogari e ftohtë për të zmadhuar mitin e vet. Mbase as ai vetë nuk e di.

-A mund të ketë ndodhur që të ketë kuptuar kurthin e shprehjes "çerek ore famë", të cilën secili ka të drejtë ta ketë, sipas Andy Warhol?

E ka kuptuar. Dhe ka bërë të pamundurën që të mos bjerë në këtë kurth. Si njeriu i parë që shkeli Hënën, pozicioni i tij ishte më delikat. Mbase kjo rezervë e tij tradhëton paaftësinë për të shpjeguar, por edhe për t'i treguar gjërat. Është një personazh që pasqyron një sens ekuilibri, por është edhe e pamundur të krijosh një ide se kush është në të vërtetë.

-Për këta njerëz të jashtëzakonshëm "misioni i pamundur" filloi më vonë. Çfarë kuptimi mund të ketë jeta në Tokë, pasi ke vizituar Hënën?

Armstrong, Bean dhe Mitchell, janë mbase të vetmit që nuk pranuan fundin e mandatit të tyre në shërbim të njerëzimit: Kanë kërkuar një mision për veten e tyre që do t'i ndihmonte të ndërtonin një eksperiencë psikologjikisht tronditëse. Alan Bean përmes artit të tij, Ed Mitchell përmes veprimtarisë predikuese dhe "Institute Noetic Science", të themeluar prej tij. Ndërsa pjesa tjetër e panoramës flet për një ndëshkim kolektiv. Programi "Apollo" u braktis, askush prej tyre nuk është rikthyer në Hënë, duke i dhënë fund edhe ëndrrës për të arritur deri në Mars.

-Një fund i arritur nga padurimi për pushtet dhe jo nga dashuria e pangopur për njohjen…

Kenedy donte të arrinte në Hënë për të kapërcyer atë që deri atëherë ishte marrë si inferioritet i amerikanëve ndaj rusëve për të sunduar hapësirën. Objektivi më i jashtëzakonshëm ishte arritur nga një motivacion i gabuar. Le të mos harrojmë pastaj që babai i projektit Apollo, ishte Wernher von Braun, krijuesi i raketës V2, me të cilën gjermanët bombarduan Londrën. Dhe jo vetëm kaq. Raketa u ndërtua nga puna me dorë e të burgosurve të kampeve të përqendrimit. Von Braun ua dorëzoi amerikanëve në fund të luftës, duke frymëzuar personazhin e Peter Sellers tek "Doctor Strangelove" të Kubrick. Atëherë më optimistët menduan se gjithçka do të justifikohej me përparimet shkencore. Por kjo shpresë nuk u verifikua, kur u mor në dimensione të ndara nga njëra-tjetra.

-Ju mjaftoheni me përshkrime dhe nuk gjykoni. Cilat janë ndjesitë tuaja?

Gjatë shkrimit të librit, kisha ndjesinë se bëhej fjalë për kurthe dhe shuma parash të shpenzuara. Por sado brutal që ishte qëllimi politik dhe ushtarak, ai nuk arriti të largonte "shpirtrat e mirë" si Bean dhe Mitchell, ndjeshmëri që nuk mund të fshihen nga impakti shumë i madh i asaj eksperience. Sigurisht se, nëse atëherë do të më ishte dhënë mundësia te votoja ose për financimet në hapësirë, ose për programet e zhvillimit ekonomik, do të kisha preferuar këtë të dytën.

Përgatiti:

KLARITA BAJRAKTARI

Google+ Followers