Libri i sëmundjeve të mendjes

Një grup ekspertësh po rishkruan manualin diagnostikues të psikiatërve amerikanë. Disa frikësohem se mos botimi i ri zmadhon konceptin e sëmundjes, duke bërë që të rritet abuzimi me ilaçet
Kur mjekët nuk janë dakord, zakonisht janë të kujdesshëm kur shprehin mendimet e tyre dhe përdorin një gjuhë pak të vështirë për t’u kuptuar nga pacienti. Gjatë muajve të fundit mes psikiatërve amerikanë ka shpërthyer një luftë e madhe. Molla e sherrit është libri “Diagnostic and statistical manual of mental disorders”, ose “Dns”, ku referohen psikiatrit kur duhet të diagnostikojnë shqetësimet mendore të një pacienti. Ekspertët e kësaj fushe po e rishkruajnë manualin, që është cilësuar shpesh “Bibla” e psikiatrisë dhe tensioni është shumë i lartë. Dy psikiatër të famshëm, aktualisht në pension, theksojnë se manuali i ri “Dns-V”, do ta zgjerojë aq shumë përcaktimin e sëmundjes mendore, saqë do t’i detyrojë mjekët të përshkruajnë ilaçe të kota dhe të rrezikshme miliona personave. Drejtuesit e Shoqatës Psikiatrike Amerikane, të cilët kanë publikuar volumin, thonë se kritikat e kolegëve të tyre janë të motivuara nga interesa personale.

Ndryshe nga degët e tjera të mjekësisë, psikiatria duhet të përballojë vështirësi më të mëdha, sepse sëmundjet e kokës nuk janë të njohura sa ato të trupit. Kemi ende shumë pak informacione për shkaqet kryesore të sëmundjeve më të zakonshme (si depresioni, skizofrenia dhe çrregullimet e personalitetit) dhe nuk ekzistojnë teste klinike për t’i diagnostikuar. Mjekët vetëm mund t’i pyesin pacientët mbi gjendjen e tyre mendore dhe të shohin sjelljen e tyre, për ta klasifikuar më pas sëmundjen në bazë të simptomave më të dukshme.

I publikuar për herë të parë në vitin 1952, libri “Dsm” rrjedh nga manuali i përdorur nga ushtria amerikane, me qëllim që kjo e fundit të shikonte nëse mënyrat e luftimit i përshtateshin luftimit. Sot përdoret nga mjekët e së gjithë botës.

Përkufizimi i një çrregullimi mendor të dhënë nga “Dsm” ka shumë pasoja. Diagnozat ndikojnë në tipin e trajtimit që do t’u sugjerohet pacientëve. Në fakt, ndodh që diagnoza mund të ndikojë për keq në gjykimin social që shoqëron disa sëmundje dhe të përdoret për ta shfaqur një individ si rrezik për shoqërinë.

Problemi më i madh është se mos kompani të ndryshme farmaceutike të ndërhyjnë në rishkrimin e manualit. Janë ekzaminuar raportet ekonomike mes shtëpive farmaceutike dhe personave të ngarkuar për të rishikuar “Dsm”, si dhe janë marrë parasysh të gjitha ndryshimet që mund të sjellin një përdorim më të madh të ilaçeve. Versioni aktual i librit nuk është i përsosur. Numri i sëmundjeve mendore rritet pas çdo rishikimi dhe shumë prej tyre janë të shoqëruara nga lista simptomash, që duhen kontrolluar para se të formulohet një diagnozë. Duke përdorur manualin e duhur, për shembull, mund të arrihet të diagnostikohet skizofrenia, përveç 114 kombinimeve të simptomave të ndryshme.

Një nga qëllimet e grupeve të punës të caktuar për përpilimin e “Dsm-V” është të vënë rregull në kaosin e krijuar. Në rastin e skizofrenisë, për shembull, ata po përpiqen të thjeshtëzojnë diagnozat, duke ulur nëntipet e sëmundjes dhe duke eliminuar konfuzionin e krijuar nga fakti që simptomat e vërejtura te shumë persona të prekur nga një lloj çrregullimi i korrespondojnë edhe kritereve të sëmundjeve të tjera. Grupi i studimit të “Dsm-V” duhet të propozojë një sërë “përmasash”, që duhen marrë në konsideratë në diagnostikimin e parë të pacientit. Për shembull, përveç vendimit që mjeku duhet të marrë, nëse një person është i prekur apo jo nga një çrregullim bipolar, ai duhet të vërtetojë nëse pacienti vuan gjithashtu nga ankthi dhe pagjumësia, pastaj të vlerësojë kushtet e tij. Për shumë mjekë, ky është hapi i parë drejt një të ardhmeje ku diagnozat psikiatrike do të kenë një bazë më shkencore, ku lista e gjatë e simptomave do të zëvendësohet nga matjet skalare të faktorëve që karakterizojnë sëmundjet mendore. Por dikush frikësohet se mos ky hap i rëndësishëm që po hidhet është i pamatur dhe derisa të jemi të painformuar mirë mbi bazat biologjike të sëmundjes mendore, kjo metodë nuk do të jetë aspak e vlefshme. Disa kritika tepër të ashpra kanë ardhur nga personat e autorizuar të rishikojnë botimin e fundit “Dsm”, në vitin 1980 dhe 1994. Në korrik të 2009-s, Robert Spitzer dhe Allen Frances, aktualisht të dy në pension, i kanë shkruar një letër Shoqatës Psikiatrike Amerikane, duke e akuzuar se dëshiron të bëjë ndryshime absurde. Në një editorial tjetër të publikuar në revistën “Psychiatric Times”, Frances ka protestuar sepse pothuajse të gjithë personat e autorizuar të rishohin librin, janë kërkues universitarë, të cilët nuk kanë asnjë lidhje me mjekët dhe pacientët.

Spitzer dhe Frances kritikojnë edhe faktin që pjesëtarët e grupeve të ndryshme të punës u është dashur të firmosin disa dokumente në fshehtësi. “Nuk e dimë se çfarë po bëjnë”, thotë Spitzer. Shoqata Psikiatrike Amerikane shpjegon se ato dokumente shërbejnë për të ndaluar autorët që të shkruajnë një manual të tyrin personal diagnostikues, paralelisht me atë zyrtar.

Tani të dy psikiatrit kanë frikë se botimi “Dsm-V” të krijojë kategori të reja, për të përcaktuar forma të njohura sëmundjesh si skizofrenia, depresioni dhe demenca. “Qëllimi është të kurohen të sëmurët dhe ndoshta duke lexuar manualin e ri do të përdornin më shumë ilaçe, që s’janë të nevojshme dhe u bën dëm për shëndetin.

Versioni i përfunduar i “Dsm-V” duhet do të publikohet në maj të vitit 2013. Diçka është e sigurt se sapo grupet e punës të fillojnë të publikojnë ndryshimet e propozuara në faqen zyrtare të internetit të Shoqatës Psikiatrike Amerikane, do të lindin debate.

Google+ Followers