Klasifikimi i lumturisë

Si matet ajo në një vend?
Një ekonomist holandez ka hartuar një databejz mbi cilësinë e jetës. Shumë organizata ndërkombëtare po kërkojnë tregues të rinj për të parë progresin dhe zhvillimin njerëzor. Kështu, mes sondazheve dhe të dhënave mund të krijohen klasifikimet e vendeve ku jetohet më mirë
Je i lumtur? Është një pyetje pak e ndërlikuar, të cilës të gjithë dëshirojmë t’i përgjigjemi me “Po”, edhe pse rrallëherë, në momente të veçanta të jetës e kemi ndier prej vërteti peshën e kësaj fjale. Që prej viteve ’30, shifrat e produktit të brendshëm bruto janë bërë treguesi kryesor, ndonjëherë edhe ekskluziv, i gjendjes së një shteti dhe i mirëqenies së banorëve të tij. Duke mbledhur sasinë dhe vlerën e të mirave e shërbimeve të prodhuara në një vend (ose të kundërtën) atë të të ardhurave të banorëve, produkti i brendshëm bruto, është në fakt treguesi i saktë i gjendjes së një ekonomie. Problemi është se produkti i brendshëm bruto nuk na tregon asgjë se si jetojnë njerëzit, apo se sa të lumtur janë. Madje nuk na tregon nëse të ardhurat janë rritur, sepse pasanikët janë bërë edhe më të pasur apo varfanjakët edhe më të varfër. Presidenti francez, Sarkozy, ka bërë një rezyme të produktit të brendshëm bruto të vendit të tij, që nuk e lë Francën të jetë në krye të klasifikimit. Ndryshe nga Franca, Koreja e Jugut e ka rritur 200 herë produktin e brendshëm bruto që prej vitit 1960, por kjo nuk ka bërë që numri i vetëvrasjeve të mos dyfishohej. Pra produkti i brendshëm bruto jep një imazh të pjesshëm dhe të deformuar të një shoqërie. Këtë e thoshte dyzet vjet më parë edhe i paharrueshmi Robert Kennedy: “Produkti i brendshëm bruto mat gjithçka, përveç gjërave që ia vlen vërtet të jetosh”.

Por jemi apo jo të lumtur? Në fakt, në pamje të parë do të thuhej po. Nga sondazhet e fundit, është vënë re se një në shtatë persona deklaron se është shumë i lumtur, një koncept ky relativ, por edhe mjaft domethënës. Duke punuar mbi këto të dhëna një ekonomist holandez nga Universiteti i Roterdamit e plotëson çdo ditë databejzin mbi lumturinë botërore. Si një ekonomist i mirë, Ruut Veerhoven nuk kënaqet me rezultatet dhe gjithnjë kërkon maksimumin. Megjithatë, kemi një tregues, që na jep masën mesatare të lumturisë së një popullsie. Nga 142 shtete, Franca është në vendin e 44-t, ndërsa SHBA-ja në të dyzetin. Por lumturia është e rëndësishme edhe sa zgjat dhe ekonomisti na pasqyron edhe klasifikimin e “viteve të lumtura”. Dihet që lumturia nuk është e njëjtë për të gjitha vendet dhe Veerhoven ka vënë re ndryshimet mes popujve të ndryshëm të botës. Një nga vendet ku lumturia zgjat për shumë kohë është Holanda. Amerika është në vendin e 26-të në këtë lloj klasifikimi, ndërsa Franca në vendin e 74-t. Por a dëshironi të dini se cili shtet është në krye të klasifikimit të lumturisë? Janë Kosta Rika dhe Danimarka. Në fakt, lumturia është një koncept paksa i ndërlikuar. Ajo që ne duam të matim nuk është fuqia e një ekonomie, por progresi human dhe civil i një shoqërie, përveç atij ekonomik. Në fakt, sondazhet nuk mjaftojnë. “Të ardhurat, puna, inflacioni, pabarazia ekonomike dhe sociale, koha për lidhjet njerëzore: të gjithë këto elemente ndikojnë dhe kontribuojnë në lumturinë e njerëzve”, thotë ekonomisti.

Në fakt nga ajo që vërehet, duket se gjërat janë të komplikuara. Kohët e fundit organizatat ndërkombëtare si OSBE dhe “World Bank” po bëjnë të pamundurën për të gjetur tregues që matin nivelin e lumturisë, progresin dhe zhvillimin e një vendi. Kohët e fundit flitet për “Lumturinë kombëtare bruto” dhe “lumturinë ekonomike”.

Festivalet dhe evenimentet e ndryshme të kësaj kategorie, do të bëhen burime të mirëqenies. Por në këtë pikë do të na duhet të orientohemi dhe të gjejmë një tregues që ka lidhje me produktin e brendshëm bruto dhe zhvillimin ekonomik. Dy studiues holandezë, kanë vërtetuar në bazë të studimeve të tyre se të varfrit nuk bëjnë zgjedhje të shtrenjta, sepse kanë frikë se mos ndryshojnë mënyrën e tyre të jetesës. Ose më saktë ata i përmbahen shprehjes që “paratë nuk bëjnë lumturinë”.

Në fakt, ajo që të bie më shumë në sy nga sondazhet është se në vendet e pasura, 15,84 për qind e të intervistuarve deklaron se janë shumë të lumtur. Në vendet më të varfra, përqindja është pak më e ulët: 13,47 për qind. Si duket këto shtete e lartësojnë shprehjen që paratë nuk janë gjithçka. Gjithashtu, nga sondazhet është vënë re se pasanikët i kushtojnë më pak kohë vetes me qëllim që të kalojnë më shumë çaste mes miqsh. Por për fat të keq, ndonjëherë paratë nuk i blejnë miqtë. Por cila është ajo gjë që na tregon jo vetëm që kemi shumë para, por edhe që jetojmë mirë? Mbretëria e Butanit, në Himalaje është i vetmi vend ku llogarit rregullisht produktin e brendshëm bruto. Edhe “Lumturia kombëtare bruto”, është si PBB, një shifër e vetme. Është e bazuar në llogaritjen e treguesve si objektivë ashtu edhe subjektivë, duke qenë se në bazë të parimeve budiste, mes dy kategorive nuk ka ndryshim. Me fjalë më të thjeshta do të thotë që nëse ndërtohet një spital, matet edhe aftësia që kanë personat të cilët do të punojnë aty. Nëse nuk rritet mirëqenia e tyre, nuk ka vlerë. Deri tani asnjë shtet nuk ka ndjekur shembullin e Butanit.

Gjithashtu, një matës i mirë i lumturisë nuk është vetëm progresi e zhvillimi njerëzor. Treguesi i zhvillimit njerëzor kombinon tre faktorë: jetëgjatësinë, arsimimin e të rriturve dhe atë të adoleshentëve dhe standardin e lartë të jetesës. OKB-ja e publikon çdo vit këtë lloj klasifikimi. Në të fundit, i cili u publikua në tetor të 2009-s, në dy vendet e para ishin renditur Norvegjia dhe Australia. Franca ishte në vendin e tetë, ndërsa Amerika në të trembëdhjetin.

Google+ Followers