Haiti ose “kopshti i djallit”

Që prej 500 vitesh, nga dita kur Kolombi i madh hodhi spirancën e “Santa Marias” në gjirin e Veriut në Cap Haitien, Haiti ka qenë “kopshti i djallit”. Asnjë ushtri, ritual, sakrificë nuk ia ka dalë mbanë që ta shndërrojë në një vend me një fat më të mirë dhe ta zgjidhë nga një “mallkim” shekullor
Gjeologët e klimatologët thonë se kjo tokë e pasur me male të larta, prej nga vjen edhe vetë emri “Haiti” mbart mallkimin e dyfishët e të qenit njëherazi një tokë me një aktivitet të dendur sizmik dhe e të ndodhurit në “autostradën” e uraganeve. Por fatkeqësia më e madhe e Hatitit nuk vjen as nga nëntoka, as nga qielli apo deti. Dënimi më i madh për këtë vend vjen nga mbitoka e tij dhe shfaqet në formën njerëzore. Janë këta njerëz që e kanë goditur fort me shqelmat e tyre tokën. Këta njerëz janë si vetë natyra: të ashpër, të dhunshëm, të trazuar. Ndërsa tragjedia natyrore vjen nga shkaqe të pakuptueshme, të befta dhe për shkak të forcave madhore, tragjedia njerëzore është e dhunshme, e dhimbshme dhe nga shkaqe plotësisht të kuptueshme. Kur spanjollët vunë këmbë në pjesën perëndimore të Haitit e pagëzuan atë “Hispaniola”. Francezët, pasi ua zhvatën këtë tokë spanjollëve e riquajtën “Saint Domingue”.

Që nga ajo kohë kjo tokë ka provuar skllavërinë, racizmin, klerikalizmin e të gjitha tiparet më të këqija e më të errëta të dominimit europian në Karaibe. Veçse këto dukuri u ushtruan në këtë vend me dhunën dhe negativitetin maksimal. Fillimisht indigjenët vendas të Taibo Arawak u shfarosën nga epidemia e lisë. Më pas Luigji IV i konsideruar si “Mbreti i Diellit” vendosi në fund të viteve 1600 “Code Noir”, kodi i zi. Ishte dokumenti i parë i detajuar për trajtimin e skllevërve afrikanë që ndër të tjera u merrte jetën atyre që nuk praktikonin fenë katolike romane, u vendoste gjoba të bardhëve që kishin sjellë në jetë fëmijë të paligjshëm nga skllavet, rregulla të tjera si këto. Plagët e mëdha që fillimisht spanjollët e më pas francezët çelën në mishin e popullsisë nuk do të shëroheshin kurrë dhe do të infektoheshin gjithnjë e më shumë me kalimin e shekujve nga revoltat e ndryshme irredentiste, monarkitë gjakësore, republikat, apo protektorati “mirëdashës” i Shteteve të Bashkuara.

Skllevërit e çliruar pas Revolucionit Francez në drejtimin e Toussaint L’Ouveture, që me pavarësinë tentoi të dilte nga kthetrat e shkatërrimeve koloniale dhe t’u hapej anglezëve në vitet ‘800 me të cilët donte të vendoste marrëdhënie tregtie. Por sigurisht që u zhgënjye. Çdo marrëdhënie pozitive me kolonialistët nuk ishte veçse një iluzion i shkurtër. Iluzione si ato të dhjetëvjeçarëve më pas me diktaturën e Dyvalierëve Francois dhe “Papa Doc”, mjeku që iu imponua Haitit për 15 vjet me radhë me ndihmën e Uashingtonit, duke ia lënë vendin “trashëgim” të birit “Bebe Doc”, Jean Claude për 15 vite të tjera. Kanë qenë vite dhembjesh të jashtëzakonshme për një popull të lodhur dhe të varfëruar deri në palcë që vendosi të rebelohej e të ngrihej në revoltë kundër kasapëve në krye të vendit që për shekuj, bir pas biri e diktator pas diktatori mbanin me gjak një regjim që pasuronte një grusht të vogël njerëzish në kurriz të rrënimit të një populli të tërë.

Kur Papa Gjon Pali II vizitoi vendin në vitin 1983 deklaroi: “Këtu diçka duhet të ndryshojë”. Më këtë vend kisha ka bashkëjetuar me besimet pagane vendase. Por pavarësisht dëshirës së mirë të Atit të Shenjtë gjërat nuk morën për mirë. Prifti revolucionar salezian, Jean Bertrand Aristide u zgjodh si njeriu që do të shpëtonte vendin, por shumë shpejt u përmbys me një grusht shteti dhe më pas erdhi sërish në pushtet para se të grabitej nga shërbimet sekrete amerikane dhe të dërgohej në mërgim në Afrikë. As ai nuk i rezistoi dot mallkimit dhe çmendurisë së vendit të nëmur. Disa presidentë amerikanë me qëllime të mira u përpoqën që ta shëronin plagën që veçse mahisej me misione paqeruajtëse ndërkombëtare si OKB, por edhe ata, si për ironi, humbën nën gërmadhat e shkaktuara nga tërmeti që rrënoi zyrat qendrore të OKB-së në Port-auu Prince. Askush nuk mundi që të ndalonte procesionet tragjike të gomoneve që lundronin drejt Floridës me shpresën për një jetë më të mirë, për një copë bukë e një gjumë të qetë.

Haiti është një nga vendet më të varfra e më të vuajtura të planetit. Ata kanë një të ardhur 4 dollarë për frymë në ditë dhe janë vetëm 9 milionë banorë. Tragjeditë pa fund të këtij gjysmë ishulli vijnë edhe nga lakmia e pamasë e një elite e grushti të vogël njerëzish që zotërojnë 99% të pasurive të vendit dhe të 4 miliardë dollarëve që përbëjnë Prodhimin Kombëtar Bruto. Ndoshta Haiti paguan pa fund faktin se ka një bukuri të jashtëzakonshme, një ëmbëlsi të rrallë, një tokë të cilën kolonizatorët e parë e mbiquajtën “Ishulli libertin” për shkak të pasurive e bukurive të jashtëzakonshme me të cilat e ka pajisur Zoti. Si për ironi të fatit, kjo tokë vazhdon që të dënojë viktimat për fajet e kryera nga xhelatët e tyre.

Google+ Followers