Guantanamo, kur muzika përdoret si armë

Për vite të tëra, hetuesit në burgun e Guantanamos e kanë përdorur muzikën, një lloj të veçantë të saj dhe në një volum jashtëzakonisht të lartë, si armë kundër të burgosurve. Bëhet fjalë për muzikën e grupeve të tilla si Tom Morello të “Rage Against the Machine” e të tjera si këto. Sot, organizata të të drejtave të njeriut kërkojnë ndërmarrjen e hetimeve në lidhje me këtë praktikë

Në maj të vitit 2001, një polic hyri në qelinë e Ruhal Ahmed, në Camp Delta, në burgun ushtarak të Guantanamos, dhe e mori të burgosurin për ta pyetur. Aty e detyruan që të ulej ndenjur, ndërsa këmbët ia lidhën me zinxhir. Në këtë pozicion shumë stresues, që nuk është as ulur dhe as më këmbë, dhimbjet dhe sikleti janë të mëdha dhe kjo lloj mënyre qëndrimi është normalja në të cilën vendosen të burgosurit gjatë procesit të hetimit. Ato gjithashtu zhvillohen në një dhomë me temperaturë shumë të ulët dhe nën një muzikë me një volum shumë të lartë, pa harruar dritat e forta që lëshohen herë pas here. Ai nuk lejohet që ta përdorë tualetin për nevojat personale dhe gjithçka e bën në rroba.

Ahmed ka kaluar 1 vit në Guantanamo. Për javë të tëra u është nënshtruar seancave të pyetjeve, gjatë të cilave në mënyrë të vazhdueshme i drejtohej e njëjta pyetje: Çfarë po bënin ai dhe dy shokët e tij në vjeshtën e vitit 2001 në Afganistan. Të tre djemtë janë britanikë të fesë myslimane. Familja e Ahmedit ishte nga Bangladeshi dhe emigroi në Britani. Ditën e hetimit për të cilën folëm në fillim, hetuesi vuri me zë të lartë në dhomë një CD të “Eminem”. Si e ngriti volumin në maksimum, u largua duke e lënë të burgosurin vetëm. Një herë tjetër Ahmed u dërgua sërish në dhomën e hetimit dhe u la vetëm nën tingujt e lartë të një muzike metal. Volumi ishte jashtëzakonisht i lartë dhe tingujt e egër dhe metalarë të shponin veshin e të rrihnin tëmthat si të ishin çekan. Ndodhte që Ahmed lihej në dhomë në errësirë, me muzikën që luante e luante për ditë e net të tëra, pa ndërprerje. Ndërkaq nuk lejohej që të përdorte tualetin. Sot Ahmed është rikthyer në qytezën e tij në Britani. Ka një mjekër të qethur shkurt dhe flet një anglishte shumë britanike. E shoqja, shtatzënë, çel derën e apartamentit ku jetojnë së bashku me vajzën 2-vjeçare. Në atë shtëpi jetojnë edhe dy nga vëllezërit e Ahmedit. Ai u lirua nga Guantanamo në mars të vitit 2004, pas 2 vitesh në këtë burgu ushtarak. Për përvojën e dhimbshme të tij dhe të shokëve të tij është shkruar edhe një skenar filmi. Gjithçka nisi me një udhëtim për në një dasmë, që në fakt u shndërrua në një udhëtim drejt ferrit. Në vitin 2001, të tre shokët u nisën drejt Pakistanit për të marrë pjesë në një dasmë. Në atë kohë Ahmed ishte 10 vjeç. Me etjen për aventura dhe naivitetin e një rioshi, ai kaloi kufirin dhe u fut në Afganistan, edhe pse tashmë në atë vend kishte nisur “lufta kundër terrorizmit”. Tre djemtë u përpoqën që të riktheheshin në Pakistan me një grup talebanësh, ndërkohë që ushtarët e NATO-s i arrestuan dhe i dërguan menjëherë në Guantanamo, në fillim të vitit 2002. “Kur u them njerëzve se muzika mund të jetë një torturë, më shikojnë me sy të zgurdulluar, sepse nuk mund ta imagjinojnë që arti të shkakton vuajtje të tmerrshme. Por është e vërtetë. Njeriu mund të durojë një torturë të zakonshme fizike, por e ka shumë të vështirë që të durojë torturën me muzikë. Unë u thashë njerëzve që më pyetën në Guantanamo gjithçka që donin të dëgjonin prej meje, që isha takuar me Bin Ladenin dhe Mullah Omarin dhe që i dija planet e tyre. Sigurisht që nuk ishin të vërteta, por i thashë që ta ndalonin muzikën që po më luante mendsh”, rrëfen Ahmed.

Në Guantanamo, Afganistan, Irak dhe në burgje të tjera të fshehta në Amerikë, personeli ushtarak dhe ai i shërbimeve sekrete i dënonte të dyshuarit për terrorizëm. Në metodat e tyre përfshihej edhe tortura përmes muzikës. Shpesh të burgosurit e lidhur në pozicione të vështira liheshin ashtu për ditë të tëra me kufje në vesh. Nëpër to ushtonte muzika me një zë në kupë të qiellit. Si për ironi, muzika, një nga format më të mrekullueshme dhe masive të artit, efekti i së cilës është ndryshimi i botës, në këtë rast shndërrohej në një armë vrasëse në luftën kundër terrorizmit. Disa muzikantë dhe autorë të pjesëve muzikore që janë përdorur si mjete torture, e kanë kritikuar një fakt të tillë, përfshi grupin britanik “Massive Attack” e të tjerë. Ata kërkojnë që muzika e tyre të mos përdoret si armë dhe duan të kenë më shumë hollësi mbi përdorimin negativ të muzikës së tyre në burgjet amerikane. Përpjekjet e këtyre muzikantëve janë përkrahur edhe nga grupe të ndryshme të të drejtave të njeriut.

Deri më sot burgjet e fshehta të drejtuara nga CIA, kanë qenë pjesë e një bote të errët, e cila mund të dalë në dritë vetëm përmes dokumenteve dhe analizës së fakteve e deklaratave. Përpjekje të mëdha po bëhen edhe për të shkuar te personat që kishin përgjegjësinë direkte në urdhërimin e aktiviteteve të tilla që nisën nën administratën e Presidentit Bush. Në këtë luftë, aleati më i mirë i së vërtetës është publiku, janë njerëzit dhe mënyra më e efektshme për të bërë për vete publikun është përmes artit dhe artistëve.

Në fakt, përdorimi i muzikës si armë, nuk është ndonjë gjë e re. Për shembull, gjatë viteve të fundit, autoritetet në stacionin kryesor hekurudhor të Hamburgut kanë përdorur muzikë klasike për të përzënë nga sheshi kryesor lypësit, apo keqbërësit e vegjël që prishnin qetësinë e udhëtarëve. Kur diktatori panamez, Manuel Ortega, që u iku trupave amerikane në vitin 1989, kërkoi strehim në ambasadën e Vatikanit në qytetin e Panamasë, ushtarët e bombarduan godinën për ditë të tëra me muzikë të lartë rroku. Në vitin 1993, kur FBI po përgatitej të sulmonte një fermë në afërsi të Teksasit, ku anëtarët e një sekti ishin futur dhe izoluar, agjentët “sulmuan” me një këngë të Sinatrës. Qëllimi ishte i qartë: dobësimi emocional i anëtarëve të sektit. Specialistët amerikanë të teknikave të marrjeve në pyetje përdorën të njëjtat metoda edhe në luftën kundër terrorit. Është një metodë që e ka zanafillën në një kërkim të kryer nga qeveria amerikane dhe kanadeze gjatë Luftës së Ftohtë. Në vitin 1963, manuali i CIA-s, “KUBARK hetimi i shërbimeve sekrete”, përshkruan një metodë torture në të cilën të burgosurit ose mbingarkohen me tinguj, ose lihen në një qetësi shurdhuese. Mendohet se ushtria amerikane ndaloi së përdoruri këtë metodë pas luftës së Vietnamit, por metoda, e cila nuk u harrua, rinisi të përdorej edhe në burgun e Guantanamos.

Në dimrin e vitit 2001, CIA komisionoi një psikolog për të ndërtuar disa metoda të posaçme marrjesh në pyetje, që do të përdoreshin gjatë luftës kundër terrorizmit. Në verën e vitit 2002, Bush autorizoi të ashtuquajturën “metodat e veçanta të marrjes në pyetje”. Një komponent i rëndësishëm i këtyre metodave ishte edhe “bombardimi” i të burgosurve me muzikë të lartë për një periudhë shumë të gjatë kohe, shpesh kombinuar kjo metodë edhe me teknika të tjera torturash. Bëhet fjalë për një metodë që nuk linte gjurmë të dukshme tek i burgosuri. Aktualisht është ende e paqartë nëse një program i tillë ishte apo jo nën kontrollin e një autoriteti qendror. Në një dokument të deklasifikuar të CIA-s përmenden disa fjali që specifikojnë nivelin e volumit të muzikës, me të cilën duhet të përballen i burgosuri si dhe kohëzgjatjen, por pjesa tjetër e dokumentit është e fshirë. Pyetja është: Përse përdorej muzika dhe jo zhurma si mjete torture? Sepse, sipas psikologëve, muzika të jep përshtypjen se agonia nuk do të marrë fund kurrë. Është si një migrenë e keqe, që nuk të shqitet nga koka dhe që nuk të lë të përqendrohesh tek asgjë. Kur dikush të rreh në heshtje, mund të përdorësh imagjinatën për të duruar dhimbjen, ndërsa nëse të vihet muzikë e volumit të lartë, atëherë ti shpërqendrohesh dhe nuk ke mundësi që të reagosh. Sipas një ish të burgosuri, me një torturë të tillë e ndjen veten në prag të çmendurisë, por edhe të pafuqishëm për të qenë pjesë e saj. Por nëse e kalon atë kufi, nuk ka kthim pas. Një tjetër arsye e përdorimit të muzikës në burgjet e Guantanamos si mjet torture është edhe fakti se të burgosurit në shumicën e tyre janë myslimanë dhe për disa sekte të islamit dëgjimi i muzikës është mëkat, përveç dëgjimit në disa rrethana të caktuara. Bëhet fjalë për tolerime vetëm në muzikën vokale dhe jo atë instrumentale. Detyrimi i këtyre të burgosurve të dëgjojnë një muzikë që është në kundërshtim me fenë e tyre, është një torturë më vete, kësaj here edhe psikologjike. Lista e këngëve që janë përdorur si mjet torture në Guantanamo është gjithëpërfshirëse. Ka këngë triumfuese, këngë amerikane që i thurin lavde fitores ndaj armikut, këngë të tilla si ato të “Queen”, “We are the champions”, apo kënga e Bruce Springsteen, “Born in the USA”, që janë himne ndaj madhështisë amerikane. Por këngët me të vërtetë torturuese janë ato të rrymës “heavy metal” dhe të muzikës industriale, si këngët e grupit “Metallica”, “Enter Sandman”, “March of the Pigs”, që përzgjidhen qëllimshëm për të lënduar të burgosurit dhe për t’i dobësuar psikologjikisht. Mirëpo ka edhe muzikë pop, me këngë të Christina Agulierës dhe Britney Spears, që përdoren në rastet e poshtërimit seksual të të burgosurve. Për autorët e këngëve dhe pjesëve që përdoren si tortura, është një fakt i ndyrë dhe barbar. Për sa i përket muzikës pop, vlera e saj është shumë emancipuese, por ka edhe një traditë të madhe të stileve rebele të muzikës që evokojnë vazhdimisht torturë dhe dhunë, muzikë që shpesh kur e dëgjojnë fëmijët, ua ngrenë nervat prindërve.

Po çfarë është bërë me Ahmedin dhe dy shokët e tij pasi kanë ikur nga Guantanamo në vitin 2004? Ahmed doli jashtë në liri dhe u përball me një botë në të cilën muzika është pjesë e pandashme, ajo përdoret në çdo reklamë, në çdo dyqan dhe taksi. Por Ahmedin kjo nuk e shqetëson. Ai thotë se ka parë shumë njerëz që thuajse kanë dalë mendsh nga përdorimi i muzikës si mjet torture dhe vetë ai vuajti shumë, por ishte me fat, sepse ishte ende shumë i ri dhe mund ta përballonte goditjen.

Aktualisht ai jeton jetën e një ish të burgosuri në Guantanamo dhe ka krijuar familje me një ish-shoqe shkolle, me të cilën u martua menjëherë pas kthimit në shtëpi. Atij i duhet që të punojë shumë, sepse me lindjen e fëmijës së dytë do t’i duhen më shumë para. Disa i ka marrë për bashkëpunimin me filmin “Rruga për në Guantanamo”. Ndërkaq po përpiqet që të harrojë të shkuarën dhe të falë, madje edhe ata që i kanë bërë keq, si disa nga rojet e Guantanamos, me të cilët është bërë “shok” në “Facebook”.

Google+ Followers