Gjermani, rënia e një tradite dhe ngritja e gruas

Manuela Maier u cilësua si një nënë e keqe, një nënë e padenjë. U anatemua nga nëna të tjera, nga fqinjët dhe familja dhe u ofendua hapur e publikisht në një dyqan ndërsa bënte pazar. Krimi i saj? Regjistroi të birin 9-vjeçar në një shkollë që ofronte për fëmijët ushqim dhe mbajtjen e tyre edhe gjatë orëve të pasdites. Kështu ajo do të kishte mundësinë e kthimit në punë. Maier, 47 vjeç, thotë se kur e mori këtë vendim i thanë: “Përse vendose të kesh fëmijë, kur nuk ke kohë të rrish dhe të kujdesesh për ta?”

Aktualisht në Gjermani, në këtë dhjetëvjeçar të parë të shekullit të 21-të, pjesa më e madhe e shkollave përfundojnë në kohën e drekës, një traditë kjo 250-vjeçare. Kjo lloj mënyre ka ekzistuar edhe falë mbështetjes që u kanë dhënë nënat shtëpiake fëmijëve të tyre duke i marrë nga shkolla në drekë. Ky ka qenë imazhi tipik i nënës gjermane që shquhej ndër të tjera si prodhuese e mirë e bukës në shtëpi dhe si nikoqire. Gjermania moderne e këtyre viteve mund të drejtohet nga një grua, Kancelarja Angela Merkel, që konsiderohet edhe si gruaja më e fuqishme e botës, por si për koincidencë ajo është një grua që nuk ka fëmijë. Në botën e zhvilluar, një kombinim i efekteve të kontrollit të lindjes, ndryshimit shoqëror, progresit politik dhe nevojave ekonomike ka sjellë ndryshime edhe në rolin tradicional të gruas, e cila është shndërruar në forcë pune që në disa raste për nga arsimimi dhe punësimi ua kalon edhe meshkujve. Po në botën e zhvilluar gratë janë duke fituar gjithnjë e më shumë statusin e personit të pavarur që studion, punësohet dhe jeton me të ardhurat e veta. Ndryshime të tilla kanë prekur jo vetëm Perëndimin, por kryesisht edhe Azinë, Afrikën dhe Amerikën Latine. Në këto kushte duhet një “revolucion” për të kombinuar mëmësinë me karrierën, ndërsa gruaja sapo vjen e po merr role gjithnjë e më të rëndësishme. Perëndimorët e kanë shumë kollaj që të akuzojnë vendet islamike për një kufizim të rolit të femrës në shoqëri, por në Gjermani, pavarësisht se është një vend modern, vazhdon ende perceptimi tradicional i rolit të femrës. Sistemi shkollor gjysmëditor arriti që t’i mbijetonte feudalizmit, ardhjes në pushtet dhe rrënimit të Hitlerit, lëvizjes feministe të viteve ’70 dhe ribashkimit të Gjermanive. Aktualisht, në dritën e vështirësive ekonomike ky sistem po pëson një krizë të madhe dhe rrezikon shembjen. Që nga viti 2001, thuajse një e pesta e 40 mijë shkollave gjermane kanë kaluar në programe pasditeje dhe të tjera janë planifikuar që ta ndjekin një zakon të tillë. “Kjo është një mënyrë jetese, të cilën nuk mund ta përballojmë më. Vendit i duhen gratë, dhe gra që të jenë të afta të punojnë dhe të merren me fëmijët”, thotë Ursula von der Leyen, ministre e Punës. Ajo është nëna e 7 fëmijëve dhe nga mjeke është shndërruar në politikane. Ndaj është sikundër grave që rrinë vetëm në shtëpi, ashtu edhe kundër atyre që në vend të familjes dhe fëmijëve zgjedhin karrierën. Shndërrimi i sistemit gjithëditor për shkollën në Gjermani është një tendencë që tashmë konsiderohet e pakthyeshme dhe një tregues i kohëve që po ndryshojnë. Për sa u përket grave, shifrat flasin shumë në favor të tyre. Sipas Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik në Europë, vajzat përbëjnë sot shumicën e të diplomuarave në universitete dhe për sa u përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës këtë vit pritet që gratë të përbëjnë shumicën e forcës punëtore të vendit. Kësaj i shtohen edhe pasojat e krizës ekonomike që kanë shkatërruar shumë vende pune tradicionalisht mashkullore si industrinë e prodhimit të makinave apo shërbime të tjera. Megjithatë, vazhdon ende kontradikta për sa i përket shpërblimit të punës. Një femër vazhdon që të marrë më pak se një mashkull për të njëjtën punë, një diskriminim ky që ende nuk po ndryshon, edhe pse tashmë janë thyer shumë tabu. Ato vazhdojnë ende të paragjykohen kur bëhet fjalë për poste shumë të rëndësishme drejtuese dhe caktohen më shpesh në punë me kohë të pjesshme. Por ndryshimet do të vijnë me shtimin e pjesëmarrjes së femrave në shumë sektorë. Ato e kanë treguar në shumë raste se janë të afta që të drejtojnë spitale, banka, kompani të mëdha. Në Europë, një pjesë e madhe e grave janë ato që mbajnë familjen. Gratë që punojnë nuk janë vetëm në kërkim të të ardhurave të mira financiare, por edhe të kënaqësive që të fal vendi i punës si personale, ashtu edhe profesionale. Ato njëherazi duan edhe të përjetojnë mëmësinë. Një pjesë e grave ndihen më të motivuara të punojnë kur kanë fëmijë. Kjo tendencë e shndërron çështjen e kujdesit për fëmijët gjatë orëve që nënat janë në punë në një çështje shumë serioze. Çka do të thotë që edhe sistemet e deritanishme të shkollës duhet të rishohin mundësitë e tyre të ndihmës ndaj nënave në karrierë. Në këto kushte u ndodh edhe zonja që përmendëm në fillim të shkrimit kur e regjistroi të birin 9-vjeçar në një shkollë me ushqim dhe me orë të pasdites. Nëse ajo nuk do të punonte, atëherë të ardhurat e familjes së saj do të pakësoheshin ndjeshëm dhe kështu do të binte edhe standardi i jetesës. Për të ruajtur këtë standard asaj i duhet që të bëjë dy punë dhe për këtë arsye vendosi së bashku me të shoqin që të ndjekin një tjetër model shkolle, që ende nuk është shumë i përhapur në Gjermani. Por reagimi i ashpër që bënë nënat ndaj zgjedhjes së zonjës Meir nuk do të zgjasë shumë, sepse ndryshimi i kushteve do të bëjë që herët a vonë edhe ato të ndërmarrin iniciativa të tilla. Shtrenjtimi i jetës do t’i nxjerrë në punë përkrah burrave dhe në një rast të tillë të vetëm ka mundësi që do të kenë është dërgimi i fëmijëve në shkollë me drekë dhe me orë të pasdites. Për sa u përket Gjermanive për rreth 4 dhjetëvjeçarë ajo ishte e ndarë në Lindje dhe Perëndim. Në Lindje, komunistët kishin ngritur qendra ditore që kujdeseshin falas për fëmijët e vegjël, ndërsa prindërit ishin në punë. Dhe gratë ndërkohë studionin, diplomoheshin madje edhe në zanate shumë të vështira për to si inxhiniere, apo fizikane dhe më pas punësoheshin. Në Perëndim, gratë deri në vitin 1977 zyrtarisht kishin nevojë për leje nga bashkëshorti që të punësoheshin. Ndërkohë, në Lindje gratë kishin leje njëvjeçare kur sillnin në jetë një fëmijë. Kur u shemb Muri i Berlinit në vitin 1989 thuajse 90% e grave në Lindje ishin të punësuara, ndërsa në Perëndim vetëm 55%. Sot 66% e grave gjermane janë të punësuara, por për ato me fëmijë nën 3 vjeç, kjo shifër shkon në 32%. Vetëm 14% e grave me një fëmijë nisin një punë me kohë të plotë dhe vetëm 6% e atyre me 2 fëmijë. Berlini është i vetmi qytet në Gjermani që ofron shkolla që kanë edhe drekë edhe turne të pasdites. Në përgjithësi, infrastruktura e kujdesit për fëmijët është shumë më e zhvilluar në Lindje se në Perëndim. Kjo për shkak të kaluarës së ndryshme të të dy vendeve dhe të ideologjive të ndryshme. Ndërsa në Europë vendet nordike kanë numrin më të madh të grave në tregun e punës dhe së bashku me Francën edhe shkallën më të madhe të lindshmërisë. Dhe këto vende ofrojnë një sërë lehtësisht dhe masash që mbështesin që nga lejet e paslindjes, deri te lehtësirat në punë e pagesat për fëmijët deri në njëfarë moshe. Ndryshe qëndron puna në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por ato përballen me një diskriminim më të pakët në punë dhe janë nën presion për të financuar kujdesin shëndetësor privat, si dhe shkollimin për pasardhësit e tyre. Në Shtetet e Bashkuara, në Europë, Azi dhe Amerikën Latine ndryshimet e mëdha që po vijnë në tregun e punës po nxisin ndryshime të mëdha edhe në ndryshimin e legjislacioneve të fushave të tjera. Në këtë frymë të re ndodhet edhe Gjermania, e cila ruajti me fanatizëm për shumë kohë modelin e gruas-shtëpiake. Shumë pengesa mbeten ende në rrugën e ndryshimit, ndërkohë që shumë nocione dikur të konsideruara të pamundura janë shndërruar në realitete të pranueshme nga të gjithë.

Google+ Followers