Flori i lëngët në Marok

AMY LAROCCA

Rruga nga Marrakeshi në Essaouira është e thepisur dhe e shkretë, një peizazh i thatë hënor me vetëm disa pak qytete anë rrugës si dhe aty-këtu fshatra berberë. Në vitet '60 dhe '70, Essaouira ka qenë një ndalesë për hipitë që mbushnin autobusët magjikë dhe niseshin në perëndim drejt plazheve të mrekullueshëm dhe ujërave të pastër ngjyrë blu të këtij fshati peshkatarësh dikur portugez. Atëherë, Jimi Hendrix bënte pelegrinazh, ashtu si edhe Bob Marley dhe Cat Stevens. Essaouira ka ende mbetje të së kaluarës së tij portugeze: bathë shiten ende në anë rrugës; të dashuruarit pas sërfit vijnë për të kalëruar dallgët në atë që është sot një prej vendeve më të mirë në botë për sërf; si dhe një fortesë e shkatërruar, që legjenda thotë se ka qenë frymëzimi i Hendrix kur ka bërë këngën "Castles made of sand" (në fakt ai e regjistroi këngën dy vite përpara se të vinte këtu), e cila ndodhet në jug të qytetit.

Në vitet e fundit, europianët kanë nisur të lënë Marrakeshin më turistik për Essaourian, aty ku qëndrojnë në riade luksozë në medinë si dhe bëjnë banjo dielli në plazhet e virgjër. Qyteti ka gjithashtu një jetë kulturore shumë vibrante, me galeri, festivale muzike si dhe panairë punimesh të artizanatit. Këtu mund të blesh gjithçka, që nga instrumente të drunjtë deri tek kutitë e punuara. Por, zbulimi i vërtetë është vaji argan, që nxirret nga arrat e pemës argan, e cila rritet pothuajse ekskluzivisht në këtë rajon. Vaji, që thuhet se ka efekte shërues dhe që pengojnë plakjen, është shndërruar në një prej përbërësve më të fundit të mrekullive në industrinë e salloneve të bukurisë. I pasur me vitamina E dhe me acide të ndryshëm, besohet se ai ndihmon për gjithfarësoj kushtesh të lëkurës. Ata edhe e hanë, duke e spërkatur në sallatë apo e përdorin për të bërë amlu, një lloj përzierje e mrekullueshme e vajit, bajameve dhe mjaltit.

Tek i afrohesh ledheve me rërë të Essaouiras, tek përshkon ullishtet dhe gomerët që kullosin, sheh shenja që tregojnë kooperativa argane të drejtuara nga gra. Nëse ndalesh në një kooperativë, gratë berbere - dhe janë vetëm gratë që prodhojnë vajin argan - shpesh herë të ftojnë t'i shohësh tek punojnë. Në shumicën e kooperativave, gratë më të moshuara të fshatit ulen në oborr dhe punojnë, teksa vajzat më të reja, që flasin dy gjuhë, vijnë vërdallë duke të treguar se si ecën procesi. (Por mos ndaloni shumë herë, se do të të përsërisin të njëjtën gjë dhjetëra herë).

Frutet, që duken si një shartim mes një arre dhe një bajameje nxirren nga pemët argane që verdhëzojnë kodrat mbi Essaouira. Në varësi të stinës, mund të ketë dhi lart në degë, që përtypin frutat. Ato që janë të destinuara për vaj sallate "piqen" në një zjarr të madh; ato që do të përdoren për lëkurën dhe flokët lihen në gjendjen që janë.

Argan nuk është një gjë e re për Europën: turistë anglezë dhe francezë e kanë sjellë nga bregdedi maroken pas pushimeve, dhe e gjen kudo në tregjet e Provences, të rreshtuar përkrah vajit të lavandulës dhe ullirit. Por tani, falë përpjekjeve të Mbretit maroken Mohamed VI dhe qeverisjes lokale, vaji po eksportohet në të gjithë botën.

Për arsye se nxjerrja e vajit argan kërkon shumë punë dhe që tashmë është kthyer në art nga gratë vendase (duhen disa ditë për të prodhuar një litër), qeveria ka krijuar një fond për kooperativat. Grupe të huaj, si qeveria e Monakos janë përfshirë si mbështetës. Gratë nga fshatrat përreth ftohen që të punojnë gjysmë dite në këmbim të pagave të mira dhe kushteve shumë të mirë të punës. UNESCO e ka projektuar hapësirën 10 mijë milje katrorë ku rritet kjo lloj peme si rezervë biosfere.

Ndërkohë, gjithnjë e më shumë kompani kozmetike perëndimore kanë filluar të shpërndajnë "floririn e lëngët", siç quhet shpesh. Liz Earle, që drejton një linjë kujdesi të lëkurës në Angli e përdor vajin argan që e blen nga dy prej kooperatiovave në Essaouira në koncentratin e saj Superskin. "Kur e gjeta fillimisht vajin argan, e solla në Britani për ta analizuar", thotë Earle, e cila bredh botën në kërkim të përbërësve të rrallë. "Kishte një nivel kaq të lartë vitamine E dhe kishte disa fitosterolë shumë interesantë, që janë shumë të mirë për shenjat në lëkurë dhe shumë gjëra të tjera", duke përfshirë, thotë ajo, edhe problemin e mungesës së shkëlqimit të lëkurës.

Por ajo që Earle pëlqen më shumë tek ky vaj është se prodhimi i tij e kalon testin e qëndrueshmërisë dhe është një përfitim direkt për gratë që e prodhojnë. "Kulturalisht, është gjë shumë e mirë ajo që bën", thotë ajo. "Ofron të ardhura për një grup që përndryshe nuk do t'i kishte".

Google+ Followers