Çështjet që mund të shënojnë vitin 2010

Viti që shkoi ishte i denjë për një dhjetëvjeçar gjatë të cilit bota kaloi nga një krizë në tjetrën. Lista e “betejave” të papërfunduara është e gjatë dhe shumë çështje kërkojnë një zgjidhje urgjente që, sipas të gjitha gjasave, duhet të vijë në vitin ku sapo kemi hyrë. Ja disa syresh
Viti 2009 ka lënë shumë çështje të pazgjidhura. Në krye të listës sigurisht që është ajo e ndryshimeve klimatike, e takimit të Kopenhagenit, që arriti të konfiguronte vetëm një përvijim të turbullt të asaj çka duhet bërë në shkallë globale për të luftuar ngrohjen globale. Por ka edhe shumë çështje të tjera që duan një zgjidhje. Irani duket se po vazhdon në rrugën e tij për prodhimin e një arme bërthamore. Pakistani po shkon me shpejtësi drejt një krize të pashmangshme. Afganistani vazhdon në gjendjen e shpërthimit të dhunës dhe frika e terrorizmit global është e madhe. Nga ana tjetër, edhe pse vendet e ndryshme të botës u përpoqën që të bëhen bashkë për të luftuar krizën më të madhe ekonomike që pas luftës së Dytë Botërore, kriza ende nuk ka marrë fund dhe e vetmja e vërtetë është se ajo po merr forma të tjera. Por viti 2010 nuk do të jetë vetëm një vit që do të kërkojë zgjidhjen e krizave. Bota e futbollit do të përqendrohet gjatë ditëve të tij në Afrikën e Jugut, Kina do të organizojë me madhështi Expo 2010 e të tjera ngjarje pritet të ndodhin. Ja tetë nga çështjet më të rëndësishme, që me siguri do të shënojnë ditët e vitit në të cilin sapo kemi hyrë.

Një Sudan, apo dy?

Banorët e vendit më të madh afrikan do të shkojnë në kutitë e votimit në prill dhe rezultati i këtij votimi do të ndihmojë në fatin e vendit, nëse ai do të mbetet i bashkuar, apo do të ndahet. Referendumi në lidhje me ndarjen e mundshme të jugut të vendit, që përbëhet nga të krishterë, me veriun e predominuar nga myslimanët, është planifikuar për në janar të vitit 2011. Por që tani duket se veriu ka pak interes për mbajtjen e stabilitetit në jug të vendit. Teorikisht depozitat e naftës në jug mund ta bëjnë të gjithë vendin të pasur. Ndërsa realiteti duket krejt i ndryshëm me shtetin jugor sudanez në dështim të plotë. Ai nuk ka një qeveri funksionale apo pushtet ligjor të pavarur.

Gjithashtu mungon forca e policisë dhe infrastruktura më minimale e kujdesit shëndetësor. Vetëm vitin që shkoi, nga trazirat kanë humbur jetën 2000 persona. Ka nga ata që mendojnë se për shkak të kësaj situate nuk do të zhvillohen as zgjedhjet e prillit. Procesi i votës është i ndërlikuar dhe si veriu ashtu edhe jugu akuzojnë njëri-tjetrin për tentativa vjedhjeje të votës. Kaosi dhe rebelimi ka shumë shanse që të vazhdojnë të mbretërojnë.

Irak: Fundi i epokës së qeverisjes së Nouri al Malikit?

Një nga zgjedhjet më të rëndësishme në të gjithë planetin për këtë vit do të mbahet në Irak më 6 mars. Vota do të përcaktojë fatin e pushtetit të Kryeministrit Nouri al Maliki. Politikani që i përket popullatës shiite të Irakut ka arritur sukses në vendosjen e qeverisjes në vendin më të vështirë e më problematik të Lindjes së Mesme. Sfidantët më të mëdhenj të tij janë gjithashtu shiitë, përfshi ministrin e Brendshëm shumë ambicioz Jawad al-Bolani. Por në Irak kandidatët zakonisht zgjidhen nga rangje jo shumë të njohura, siç ishte edhe vetë rasti i Al Malikit. Procesi zgjedhor përshkohet nga mbajtja e ekuilibrave shumë të brishtë dhe arritja e kompromiseve jo të qëndrueshme. Sigurisht që bëhet fjalë për kompromise mes sunitëve e shiitëve, mes kurdëve e arabëve dhe mes Bagdadit që kërkon të demonstrojë pavarësinë e tij dhe Uashingtonit, që kërkon të mbajë edhe pas tërheqjes së trupave nga vendi një shkallë të lartë kontrolli në Irak.

Iran: Një sulm ndaj fabrikave të uraniumit?

2010-a mund të jetë viti që do ta shohë Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës që të realizojnë reduktimin e stoqeve që kanë me armë bërthamore dhe ndoshta mund të jetë edhe viti që do të shohë Iranin t’u bashkohet klubit të vendeve që posedojnë armë bërthamore. Në janar, Presidenti Obama planifikoi që të nxisë kryerjen e paktit START, i cili skadoi në dhjetor të vitit të kaluar dhe që ka të bëjë me reduktimin e numrit të kokave bërthamore dhe pajisjeve të tjera bërthamore. Moska pritet që të jetë dakord me propozimet e Obamës. Në maj, 189, vende që kanë nënshkruar Traktatin Bërthamor Joproliferian (NPT) do të takohen në Nju Jork. Në këtë takim pritet që vendet, të cilat nuk janë fuqi bërthamore, të ushtrojnë presion ndaj vendeve bërthamore për të reduktuar arsenalin e tyre. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj europianë do të kërkojnë, së pari, që të gjitha vendet të nënshkruajnë protokollin shtesë, që i mundëson inspektorët e OKB-së të kryejnë në vendet e dyshuara kontrolle të paparalajmëruara dhe së dyti, do të kërkojnë që çdo vend që do të dalë nga marrëveshja, siç është rasti i Koresë së Veriut, nuk do të lejohet të vazhdojë të mbajë materialin bërthamor që e kishte kur ishte pjesë e traktatit.

Ndoshta në shkurt mund të ketë një listë të re sanksionesh ndaj Iranit, edhe pse lidershipi iranian është zotuar se nuk do ta lejojë veten të ndikohet nga masa të tilla. Në një situatë të tillë rriten shanset që ose Izraeli, ose Shtetet e Bashkuara të ndërmarrin një sulm ajror kundër uzinave bërthamore të Iranit. Sigurisht që nuk e urojmë një gjë të tillë, pasi një sulm ndaj Iranit do të kishte pasoja të paimagjinueshme në Lindjen e Mesme dhe në të gjithë botën.

Kampionati i futbollit: A mundet një skuadër afrikane ta fitojë kupën?

Në vitin në vijim, Afrika do të jetë organizatorja e kampionatit botëror të futbollit për herë të parë. Por turneu do të nisë në Afrikën e Jugut më 1 qershor do të ketë edhe çështje të tjera më të rëndësishme se kupa që do të konsiderohen të rëndësisë më të madhe. Skuadra nga 6 vende afrikane, si Algjeria, Kameruni, Gana, Bregu i Fildishtë, Nigeria dhe Afrika e Jugut do të luajnë në këtë kampionat dhe do të luftojnë jo vetëm për kupën, por edhe për identitetin e krenarinë e tyre.

Rreth thuajse një gjysmëshekulli nga fitorja e pavarësisë së shumë vendeve afrikane nga zgjedha koloniale, situata është ende e rëndë në kontinentin e zi, i cili është i përfshirë nga varfëria dhe nga konfliktet. Nivelet e varfërisë po rriten dhe dallimi ekonomik me vendet e industrializuara po thellohet. Kjo kupë bote vjen në momentin e duhur. Afrika synon që të tregojë se ajo e meriton plotësisht për të organizuar një ngjarje të tillë botërore. Sporti është një nga pikat më të forta të kontinentit, përmes së cilës ai mund të dalë nga kompleksi i inferioritetit. Futbolli mund të bëjë mrekulli që nuk i bëjnë aq paqja, a zhvillimi ekonomik: mund të bashkojë zemra e ulë shumë armë.

Bon, shpresat për klimën

Pas zhgënjimit të takimit të Kopenhagenit, 2010-a do të jetë viti vendimtar për arritjen e një qëndrimi të përbashkët në luftën kundër ngrohjes globale. Në qershor, ministrat e Mjedisit të botës do të takohen në Bon të Gjermanisë, ku pritet dhe shpresohet arritja e një marrëveshjeje detyruese për luftën kundër ngrohjes globale, marrëveshje që mund të nënshkruhet në agimin e dhjetorit në Meksikë. Në këtë rast janë të mundshëm dy skenarë: ose sistemi i qeverisjes globale të OKB-së për çështjet e klimës do të shembet tërësisht, ose mësimi i marrë në Kopenhagen do të bëjë që vendet e botës të dyfishojnë forcat për të parandaluar dështime të ardhshme. Nuk bëhet fjalë vetëm për çështjet e klimës, por për të gjithë mekanizmin e qeverisjes botërore. Nëse vendet e botës nuk janë të afta për t’u bashkuar dhe për të bashkëpunuar në lidhje me sfidën më të madhe, atë të klimës, atëherë mund të vihen re polarizime të tjera në fusha të ndryshme.

Reduktim i financimeve për fermerët e Europës?

Bashkimi Europian, shpenzimin më të madh të buxhetit mbi të gjitha çështjet e tjera e bën ndaj fermerëve, blegtorëve dhe prodhuesve të sheqerit. Çdo vit, 40% e buxhetit prej 123 miliardë eurosh shkon për të subvencionuar bujqësinë. Në vitin 2006, BE-ja ra dakord që të shpenzonte më shumë para në fushat e kërkimeve shkencore, shkollimit dhe mbrojtjes së mjedisit. Këtë vit do të merret një vendim shumë i rëndësishëm në lidhje me kufizimet konkrete të subvencionimeve. Debati do të jetë shumë i ashpër dhe në BE zor se mund të gjesh një çështje më problematike se sa bujqësia.

Tashmë janë formësuar dy fusha kundërshtare: njëra nën drejtimin e Britanisë së Madhe, e cila kërkon reduktimin e financimeve me dy të tretat, ndërkohë që Franca e mbështeti, Gjermania i refuzon kufizime të tilla.

Lindja e Mesme: Ndryshim brezash në rajon?

Në botën arabe do të ketë shumë diskutime gjatë këtij viti në lidhje me ata që do të zëvendësojnë pushtetin e “pleqve” që qeverisin tri shtete të mëdha arabe. Presidenti egjiptian 81-vjeçar, Mubarak, mohon se është duke u përpjekur që të bëjë pasardhës të tij të birin 46-vjeçar, Gamal, por influenca e këtij të fundit në vend sa vjen e po rritet. Me profesion bankier, Gamal mbështet liberalizimin ekonomik të vendit të tij. Mbreti i Arabisë Saudite, Abdullah bin Abdul Azz, 85 vjeç, ka caktuar vëllain e tij 76-vjeçar si zëvendëskryeministër të vendit në marsin e vitit të kaluar. Duke qenë se princi i kurorës është seriozisht i sëmurë, caktimi shihet si një vendim në favor të të fuqishmit Nayef dhe axhendës së tij konservatore si pasardhës i mbretit. Në Libi, Seif al-Islam Ghhadafi, 37 vjeç, është duke u rikthyer në skenën politike pas një periudhe jashtë saj. Ai konsiderohet të jetë pasuesi i të atit Moammar Gadhafi, 67 vjeç. Çështja është nëse koloneli që ka në pushtet prej 40 vitesh do të shfaqë interes për t’u tërhequr nga drejtimi i vendit?

Kinë: Shfaqje e muskujve të Kinës në Shangai

Thuajse në më pak se dy vjet nga Lojërat Olimpike të Pekinit, Partia Komuniste e Kinës është duke u përgatitur për një tjetër shfaqje gjigante: Expo botërore e Shangait. Qëllimi i saj është që të tregojë se Kina nuk është vetëm një superfuqi ekonomike, por mbi të gjitha një superfuqi teknologjike. Në këtë Expo pritet pjesëmarrja e 70 milionë vetave dhe do të jetë ekspozita më e madhe e organizuar ndonjëherë në botë.

Google+ Followers