Argjentinë

Dalin nga arkivat britanikë komunikimet mes ambasadës së Buenos Airesit dhe “Foreign Office”. Qeveria laburiste ishte në dijeni të masakrave të kryera nga junta ushtarake e Videlas, por preferoi të mos vepronte, për shkak të interesave kombëtare
Kur Londra injoronte masakrën mbi “desaparecidos” Zbulohen dokumentet sekrete që akuzojnë Britaninë
Ishte një masakër nën sytë e të gjithë atyre që i lejuan ushtarët argjentinas pas 24 marsit të 1976-ës të zhduknin në kampet e përqendrimit mijëra të rinj opozitarë, t’u merrnin pasuritë dhe të sekuestronin fëmijët e tyre. E gjitha kjo ndodhi nën sytë e demokracisë perëndimore dhe të Bashkimit Sovjetik, që mbështeti diktaturën e Rafael Videlas, sepse kishte një nevojë të dëshpëruar për grurin e saj, ndaj i detyroi partitë e të njëjtit krah të mos interesoheshin për masakrën që po ndodhte.

Një indiferencë që tregohet në dokumentet e gjetura në arkivat kombëtarë britanikë të Kew Gardens nga kërkuesi Mario J.Cereghino, ku nuk fshihet as dimensioni tragjik i kësaj epoke. Për sa u përket komunikimeve mes ambasadës në Buenos Aires dhe “Foreign Office”, ato u përkasin viteve nga ‘77 deri në ‘79. Sot, pas anulimit të ligjeve për amnistinë dhe faljes për ushtarët e përfshirë në “luftën e pisët”, me rihapjen e procesit, bashkë me dokumentet e ruajtura nga SHBA, mund të kontribuojnë në kërkimin e të vërtetës mbi numrin e viktimave dhe identitetin e të lindurve që iu morën prindërve të zhdukur. Mes të parëve që foli për metodat kriminale të përdorura nga junta ushtarake argjentinase është një funksionar i lartë i ambasadës britanike që i shkruan David Owen, atëherë ministër i Jashtëm i qeverisë laburiste të James Callaghan. Raporti i dërguar në Londër titullohet “Të drejtat njerëzore dhe përmbysja” dhe mban datën 31 mars të vitit 1977. “Sistemi represiv është perfeksionuar gjatë vitit të fundit. I dyshuari arrestohet në mënyrë ilegale, duke u bërë kështu një i zhdukur për periudhën gjatë së cilës i nënshtrohet marrjes në pyetje. Në bazë të rezultateve mund të lëshohej, ose mund të çohej në një vend burgimi të ligjshëm, apo të dërgohej në një vend sekret. Ky i fundit mund të çonte edhe në ekzekutimin e tij pa një proces të rregullt. Por njerëzit zhduken edhe me metoda të tjera të tmerrshme.

Është një sistem që e autorizon qeverinë të mohojë se është në dijeni të të zhdukurve dhe të të vdekurve, apo të jetë përgjegjëse. Ashtu si eksperienca kiliane, ushtarët argjentinas duket se kanë arritur në konkluzionin se zhdukjet preferohen më shumë ndaj arrestimeve të bëra në mënyrë të ligjshme”. Për të ekzaminuar situatën në pranverën e vitit 1977, Inteligjenca Britanike i besoi një hetim sekret një agjenti të “MI-6”, i quajtur Hugh Bricheno. Më 7 tetor, “spiuni” dërgoi në Londër një raport top-sekret me tri faqe, titulluar “Informacione mbi luftën ndaj të zhdukurve”. Bricheno referoi se “Ministria e Brendshme argjentinase posedon një skedar të desaparecidos me më shumë se 5 mijë emra”.

Por, thekson se “nuk është irracionale shifra e të paktën 15 mijë personave të zhdukur”, dhe se vlerësimet e tij “përputhen me të dhënat që zotëron ambasada amerikane”. Pastaj shton: “Numri i 30 mijë desaparecidos është sa gjysma e vlerësimeve të bëra nga organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut montoneros (luftëtarët peronistë). Por edhe nëse do t’ia atribuonim një aksioni vullnetar zhdukjen e të tretës së kësaj shifre (persona klandestinë që u fshehën apo zgjodhën një vend anonim për të qëndruar), mbeten ende 10 mijë persona. Ka shumë mundësi që këta të kenë gjetur vdekjen si pasojë e torturave nga forcat e sigurimit. Kufomat e tyre u dogjën, u varrosën, ose u hodhën në oqean.

Kjo do të çonte në një mesatare prej 20 të vdekurish në ditë, duke nisur nga grushti i shtetit”. “Është një çmenduri”, komentonin në Londër. Disa ditë më vonë, i ngarkuari britanik me punë në kryeqytetin argjentinas, Hugh Carless, tregon: “Panorama është më e qartë dhe më e tmerrshme. Deri kur qeveria argjentinase të mos japë shifra të besueshme, ajo e dhjetë mijë desaparecidos nuk është e pakuptimtë”. Gjatë vitit 1977, informacionet e mbledhura në Argjentinë nga funksionarët britanikë ishin të mjaftueshme për të nisur një fushatë ndërkombëtare mbi të drejtat e njeriut kundër Videlas. Por në Londër u morën parasysh interesat shtetërore.

Në një dosier për përdorim të brendshëm, të deklasifikuar në arkivat e Kew Gardens, përgjegjësi i departamentit për Amerikën e Jugut, D.S.Keeling, në qershor të vitit 1977, shkroi: “Situata duhet të përballohet me racionalitet. Objektivi ynë qëndron në bllokimin e kërkesave të ardhura nga kundërshtarët e regjimit dhe nga lëvizjet për të drejtat e njeriut. Ata na kërkojnë të dënojmë publikisht qeverinë argjentinase. Megjithatë, një veprim i tillë do të ishte kundër interesave tona. Mund të dëmtojë negociatat e ardhshme për ishujt Falklands.

Madje do të përfundonte edhe me goditjen e interesave tona tregtare”. Në atë moment, qeveria laburiste britanike donte të largohej nga ishujt Falklands, për shkak të kostove të nevojshme për të ruajtur sovranitetin në arkipelagun e vogël që gjendej mijëra kilometra larg tokës mëmë. Dhe për këtë kishte interes të mbante marrëdhënie të mira me golpistët (ata që organizuan grushtin e shtetit). Inercia ndërkombëtare e lejoi regjimin ushtarak në Argjentinë që të zhvillonte një vit më pas botërorin e futbollit me shumë qetësi.

Në stadiume luhej futboll, ndërsa nëpër kampe kundërshtarët vriteshin dhe torturoheshin. Informacionet për “Foreign Office” vazhduan gjatë gjithë vitit 1979. Në shkurt, në një shënim që gjendej në dokumentet e mbledhura nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës thuhej: “Kishte të drejtë Amnesty International. Numri i të zhdukurve mendohet të jetë nga 12 deri në 13 mijë. Pak më vonë, në prillin e vitit 1979 raportohej: “Njerëzit vazhdojnë të zhduken dhe autocensura e shtypit mbi këtë argument vazhdon”.

Google+ Followers