7 mrekullitë e Las Vegasit

Televizori i ri high-definition me stemën Full HD? Eshtë lënë pas tashmë nga ai 3 dimensional që lundron në internet. Telefoni i brezit të tretë? Eshtë i vjetër, tashmë ka dalë ai i brezit të katërt. Libri elektronik bardhë e zi? Për ta nxjerrë në pension, tashmë kanë dalë ata me ngjyra. Kush nga ata që në Krishtlindje mendonin se kishin shtënë në dorë fjalën e fundit të teknikës duhet që ta rimendojë edhe një herë. Në fakt, teknologjia nuk ka patur kurrë një përshpejtim më të madh se sa ai që do të ketë në 2010. Ishte kjo ndjesia që kishte çdokush që vizitonte stendat e panairit elektronik të konsumatorit, më i madhi në botë që i dedikohet teknologjisë së konsumit dhe që sapo është mbyllur në Las Vegas, në SHBA. Pavarësisht krizës, klima aty ishte më euforike se sa vitet e kaluara: 2500 ekspozues (330 më shumë krahasuar me vitin që kaloi) dhe 20 mijë produkte të rinj që shumë shpejt do të shndërrohen në objekt dëshirash. Kështu që, zakonet tanë dixhitalë janë të destinuar të ndryshojnë. Ja cilat janë tendencat për 12 muajt e ardhshëm.

1. Bota në një tabletë

Panairin e Las Vegasit e hapi numri një i Microsoftit, Steve Ballmer. U prezantua përpara popullit që ish mbledhur ta dëgjonte, duke paraqitur një tabletë elektronike me ekran shumëngjyrësh të prodhuar nga HP dhe që përdorte sistemin operativ Windows 7: do të mbërrijë në treg në muajin mars. Një xhest i qartë sfide ndaj rivalit Steve Jobs të Apple, që për pak ditë pritet të nxjerrë tabletën e tij. Ballmer ka lëshuar një mesazh të pagabueshëm: këto pajisje të reja pa tastierë, pak laptop e pak telefonë celularë, do të zënë në 2010 një pjesë të rëndësishme të tregut. Më shumë se për të lexuar, do të shërbejnë për të lundruar në internet, për të parë video, për të luajtur dhe për të qëndruar të lidhur me rrjetet socialë. Do të ketë nga të gjithë format dhe ngjyrat: jo vetëm nga HP, por edhe nga Acer, Asus, Dell dhe Sony, sa për të përmendur disa marka që kanë prezantuar një prototip në Las Vegas.

Më pas janë hibridët. Lenovo, për shembull ka prezantuar IdeaPad, një kompjuter portabël me ekran të lëvizshëm. Mund të përdoret si laptop, por edhe si tabletë. Një tendencë kjo e tabletave, që merr më shumë vlerë nga fjalimi i Ballmer: "Të gjithë ekranet (kompjuterë, televizorë, celularë, kroskotë makine) do të jenë gjithnjë të lidhur në internet dhe do të na lejojnë të kemi akses në informacion kudo që ndodhemi". Do të ndryshjojë në mënyrë radikale edhe mënyra e integrimit me teknologjinë: "Do të jetë më e natyrshme, do të shfrytëzojë zërin dhe lëvizjet e trupit dhe të duarve", ka shtuar Ballmer. Këto tableta që punojnë krejtësisht me prekje janë pagëzuar tashmë: do të quhen "slate", për t'i dalluar nga kompjuterët tabletë që kanë tastierë dhe ekran të rrotullueshëm me prekje.

2. Libri elektronik bëhet me ngjyra

Kindsle, që në Krishtlindje dukej libri elektronik më i lezetshëm, tashmë duket i vjetëruar. Libri elektronik i Amazon (500 mijë ekzemplarë të shitur në vitin 2009) do të ketë të bëjë me të riun Nook, që ka nxjerrë Barnes & Noble, konkurent i Amazon në shitjen e librave dixhitalë në internet. Ndryshe nga Kindle, Nook ka ekranin me prekje shumëngjyrësh si dhe lidhje në rrjetet 3G dhe wi-fi. Praktikisht është një ekran i madh që përdor edhe rrjetin celular. Por janë të shumtë edhe modelet e tjerë të librave elektronikë që do të mbërrijnë: "shumë prej tyre me ngjyra, si për shembull ata të prezantuar nga Liquavista dhe nga Qualcomm. Por shumë janë ende bardhë e zi. Mes këtyre spikasin dy modele me dimensione të një letre A4: njëri i firmosur nga koreania Samsung, ndërsa tjetri nga amerikania PlasticLogic. Pastaj janë modelet e destinuar për shkollë, si për shembull fletorja elektronike Entourage Edge, që ka një ekran të dyfishtë (njëri me ngjyra) dhe që hapet tamam si një libër. Forrester Research ka vlerësuar se në vitin 2010, vetëm në Shtetet e Bashkuara tregu i librave elektronikë do të mbërrijë në kuotën 500 milionë dollarë. Dallimi mes librit elektronik dhe Slate? I pari, di të bëjë mirë vetëm një gjë (lexim librash), dhe kushton pak (diku tek 300 euro). I dyti, është pothuajse një kompjuter dhe kushton afro 1000 euro.

3. TV në rrjet dhe tredimensional

Të gjithë televizorët e prezantuar në Las Vegas kanë portën e rrjetit për t'u lidhur në internet dhe disa modele, si ata që janë prezantuar nga Panasonic dhe LG munden edhe të bëjnë videotelefonata me Skype, shërbimi shumë popullor i telefonisë përmes internetit. Ekrani i dhomës së ndenjes do të ndryshojë e do të bëhet shumëfunksional: nga rrjeti, për momentin vetëm në Shtetet e Bashkuara vijnë shërbime si Netflix dhe Amazon video, që të lejojnë akses në mijëra filma në high definition me vetëm një klikim të telekomandës. Dhe përveç kanaleve tradicionalë, të gjithë janë në gjendje të lidhen në You Tube dhe Google Video.

Por risia e vërtetë janë televizorët tredimensionalë. Nga Avatar tek Christmas Carol, janë të shumtë tashmë titujt e prodhuar për t'u parë me syzet që projektojnë personazhet jashtë ekranit. Ndjesia e parë është si për fantashkencë, megjithatë pas disa minutash përdorim, syzet më shumë shkaktojnë bezdi se sa mrekullira. Megjithatë, Panasonic, Sony, Samsung, LG, Mitsubishi dhe Toshiba do të nxjerrin së afërmi televizorë dhe lexues blu-ray që janë në gjendje të riprodhojnë përmbajtje në tredimensional dhe disa analistë vlerësojnë që, deri në vitin 2014, 45 përqind e familjeve amerikane do të kenë në shtëpi një televizor të këtij lloji. Sipas parashikimeve të Consumer Electronics Association, do të jenë 2.2 milionë televzorët tredimensionalë që do të shiten deri në fund të këtij viti.

4. Do të hyjmë në videogame

"Do të revolucionarizojmë përgjithmonë mënyrën e lojërave elektronike", ka thënë Ballmer në Las Vegas, duke zbuluar se aksesori për Xbox-in 360 që quhet Projekti Natal (nuk ka ende një emër marketimi) do të mbërrijë në dyqane në Krishtlindjet e ardhshme. Falë një procesori, një objektivi special, një sensori thellësia dhe një mikrofoni për t'u lidhur me konsolin e Microsoft do të jetë vetë lojtari që do të bëhet interpretues i lëvizjeve të personazheve në ekran. Për të goditur një top, për t'u hedhur në ajër apo për të qëlluar, do të mjaftojnë duar e këmbë, pa patur nevojë për pajisje të tjera plastike. Do të jetë sikur të hysh brenda në televizor dhe të përjetosh aventurat vetë", ka shpjeguar mbi skenë Robbie Bach, president i departamentit të argëtimit në Microsoft.

5. Makina inteligjente të mëson ta ngasësh

FIAT, në bashkëpunim me Microsoft ka prezantuar versionin e ri të sistemit Evo:Drive, që është tashmë e përdorshme në shumë automjete të kompanisë torineze, si përshembull Fiat 500. Mjafton të fusësh një çelës USB që vetë makina të shkarkojë në të të dhënat e guidës. Që nga faqja e internetit e Fiat instalohet programi Eco:Drive pikërisht në kompjuterin që analizon të dhënat e udhëtimit dhe më pas sugjeron si të konsumosh sa më pak si dhe çfarë marshesh të përdorësh. Ndërsa, Ford ka prezantuar një sistem të ri dixhital të quajtur MyFord Touch: shoferi dhe pasagjerët e automjetit mund të kenë akses, përmes komandave zanore, në ato aplikacione që normalisht janë të disponueshëm në një telefon celular: email, axhendë, kontakte, telefonata e kështu me radhë. Sony ka krijuar një autoradio të destinuar për përdoruesit e iPod. E gjithë muzika mund të orientohet përmes ekranit të radios në makinë.

6. Foto dhe filmime HD, nga shkretëtira në Pol

Mund të futen nën ujë, mund të bien nga më shumë se 2 metra dhe mund të durojnë temperatura si ato në mal apo në shkretëtirë. Mund të futen në xhep, shkrepin fotografi dhe regjistrojnë video në high definition apo në formatin që përdoret në YouTube. Fotokamerat dhe videokamerat e reja janë për një popull që i vjen vërdallë globit dhe që dëshiron të kapë kujtime dixhitale, t'i ndajë pothuajse menjëherë me të tjerët në internet e më pas t'i rishohë në shtëpinë e vet në televizorin high definition.

Në Las Vegas, pothuasje të gjithë kompanitë kanë paraqitur pajisje të pashkatërrueshme, si për shembull Casio me Exilim G1 që shkrep fotografi edhe në zhytje si dhe Kodak me fotokamerën Playsport, idele për të bërë fotografi, ndërkohë që je duke bërë ski.

7. Celulari bëhet social-fon

Panairi i Las Vegasit nuk kishte hapur ende risitë që Google kishte nxjerrë (jo pa probleme) Nexus One, i pari celular me markën Google si dhe me sistemin operativ Android. Një rival me peshë që hyn në tregun e smartphone-ve, deri dje të pushtuar nga Blackberry, Apple, Nokia dhe pajisjet që kanë përshtatur sistemin Windows Mobile. E ardhmja, duke gjykuar nga modelet e prezantuar, duket se do të shkojë drejt telefonave celularë me ekran të madh me prekje që mund të lidhen në internet dhe të kryejnë funksione kompjuteri. Ata që e tërheqin këtë treg janë rrjetet socialë si Facebook, Myspace dhe Twitter.

Falë shpejtësisë së lartë dhe lidhjeve wi-fi, këta modele të rinj lejojnë të jesh gjithmonë i lidhur me rrjetin e miqve si dhe të postosh fotografi dhe komente në kohë reale kudo që të ndodhesh. Me që ra fjala tek shpejtësia e lartë: në Las Vegas, operatori i telefonisë Sprint ka testuar të parin sistem të transmetimit të të dhënave me shpejtësi të lartë të brezit të katërt (4G). Një sinjal që pajisjet që kemi në xhep sot (3G) po dalin në pension.

Google+ Followers